PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Kompanitë kineze të internetit shtojnë investimet në tregun amerikan
2015-09-29 11:19:25 CRI Komenti juaj Printoni

Vitet e fundit, me zhvillimin e shpejtë të ekonomisë së internetit, kompanitë kineze të internetit kanë shpejtuar hapat e tyre të ndërkombëtarizimit. Në fillim, këto kompani synonin të regjistroheshin në bursat amerikane, por më pas disa prej tyre, me mbështetje kapitalesh, nisën një varg të madh investimesh dhe blerjesh në tregun ndërkombëtar. Ndër këto kompani kineze të internetit, gjigantët si "Baidu", "Alibaba" dhe "Tencent" e kanë përcaktuar tregun amerikan si objektiv kryesor dhe e kanë zgjeruar biznesin e tyre nëpërmjet bashkëpunimit strategjik me kompani vendore. Një gjë e tillë jo vetëm u ka dhënë më shumë hapësirë zhvillimi këtyre kompanive, por edhe ka sjellë mundësi më të mëdha për bashkëpunimin Kinë-ShBA në fushën ekonomiko-tregtare.

Afro një vit më parë, kompania e internetit "Alibaba" u kuotua në Bursën e Nju-Jorkut, duke regjistruar ofertën publike fillestare më të madhe në historinë e bursave amerikane. Një gjë e tillë tregoi para botës rritjen e fuqishme të ekonomisë kineze të internetit. Në fakt, kompanitë e internetit në Kinë e kanë filluar procesin e ndërkombëtarizimit që para disa vjetësh. Kompanitë e famshme, si "Sohu", "Netease", "Baidu" dhe "Sina" janë regjistruar në bursat në Shtetet e Bashkuara. Po ashtu, vjet, një grup kompanish kineze, si "JD", "Tuniu" dhe "Weibo", janë regjistruar në Bursën e Nju-Jorkut dhe NASDAQ. Lidhur me këtë fluks të madh regjistrimi në tregun amerikan të aksioneve, eksperti i Komitetit të Marketingut të Internetit pranë Shoqatës së Biznesit Elektronik të Kinës Gong Boyang është i mendimit që një arsye kryesore është që këto kompani janë kineze, çka ka tërhequr mjaft investitorë amerikanë. Arsyeja tjetër, sipas tij, është që bursat amerikane nuk kanë prag të lartë listimi në krahasim me ato të vendeve të tjera.

"Interneti është si një fushëbetejë pa kufi. Për këtë arsye, shumë kompani interneti në Kinë, si 'Alibaba' dhe 'Baidu', kanë krijuar disa koncepte të mira, duke shfrytëzuar bazën gjigante të konsumatorëve të tregut kinez. Kështu, kompanitë me elemente dhe koncepte kineze janë vërtet tërheqëse. Ndërkohë, kushtet për regjistrimin në NASDAQ nuk janë të rrepta, madje nuk ka kërkesë të posaçme për nivelin e fitimeve," thotë Gong Boyang, ekspert i Komitetit të Marketingut të Internetit pranë Shoqatës së Biznesit Elektronik të Kinës.

Regjistrimi në tregun amerikan të aksioneve është hapi i parë për ndërkombëtarizimin e kompanive kineze të internetit. Pas këtij hapi, prirja e re është që këto kompani të përmirësojnë biznesin e tyre për zgjerimin e mëtejshëm në tregun ndërkombëtar me mbështetje kapitalesh. Sipas statistikave fillestare, qysh nga viti 2012, tre kompanitë kineze më të mëdha të internetit: "Baidu", "Alibaba" dhe "Tencent" kanë bërë investime në më shumë se 50 kompani të sapokrijuara amerikane, me një vëllim të përgjithshëm 2.3 miliardë dollarë amerikanë. "Tencent" ka investuar në uebsajtin e blerjeve të çastit FAB dhe kompaninë për turizmin hapësinor "World View", "Alibaba" në APP, "Tango" dhe një dyqan në internet për aparate dhe veshje sportive, kurse "Baidu" ka bërë investime në katër kompani amerikane internetit, ku tërheq vëmendjen bashkëpunimi me "Uber". Përveç kësaj, kompani të tjera, si JD, MI dhe "360" kanë gjetur partnerë në ShBA. Analisti i kompanisë "Chinalab", Hu Huailiang, mendon që në Shtetet e Bashkuara, kompanitë kineze mund të gjejnë një treg të madh, teknologji e talente dhe mund të marrin një përvojë të pasur për ndërkombëtarizimin e mëtejshëm.

"Tregu i konsumit në Shtetet e Bashkuara është i nivelit të lartë. Ky treg orienton zakonet e konsumit, duke përfshirë veprimet dhe prirjen e investimeve, dhe jo vetëm nga sektori i investimeve, por edhe nga kompanitë tradicionale. Të gjitha këto, si edhe ana rregullatore, janë me vlerë për kompanitë kineze," thotë Hu Huailiang, analist i kompanisë "Chinalab".

Regjistrimi në tregun e aksioneve të ShBA-së nga kompanitë kineze është në të mirë të përsosjes së zinxhirit të tyre të prodhimit, të zotërimit të teknologjive të reja, të zgjerimit të hapësirës për rritje dhe të shpejtimit të procesit të ndërkombëtarizimit. Ndërkohë, kjo ka sjellë shanse të reja për shtimin e lidhjeve ekonomiko-tregtare ndërmjet Kinës dhe ShBA-së.

Ditët e fundit, kryetari i Shtetit i Kinës Xi Jinping bëri një vizitë shtetërore në ShBA. Në delegacionin e tij kishte edhe një grup drejtuesish të sipërmarrjeve të njohura më fushën e internetit. Përveç përfaqësuesve të "Baidu"-së, "Alibaba"-s dhe "Tencent"-it, ishin edhe ata të 360, JD, V1, "Sina" dhe "Sohu". Kjo tregon që Kina i kushton rëndësi të madhe tregut amerikan. Shefja e Departamentit të Studimeve të Ekonomisë Botërore në Institutin e Marrëdhënieve Bashkëkohore Ndërkombëtare të Kinës Chen Fengying mendon që investimet nga kompanitë kineze të internetit në tregun amerikan kanë ndryshuar mendimin e amerikanëve për rritjen ekonomike të Kinës, duke luajtur rol për nxitjen e marrëdhënieve Kinë-SHBA.

"Në të kaluarën, ata mendonin që 'Made in China' mbështetet në fuqinë punëtore, ndërsa tani, kur kompanitë kineze të internetit po bëjnë investime, ata kanë filluar ta njohin fuqinë e madhe konkurruese të kompanive kineze të tregtisë në internet, si edhe të kompanive të tjera të internetit, si 'Baidu'. Këto kompani e kanë ndryshuar imazhin e Kinës në ShBA dhe mbarë botën. Përveç kësaj, unë mendoj që ato kanë nxitur marrëdhëniet Kinë-ShBA, duke çuar në lidhje më të ngushta mes të dy vendeve. P. sh., biznesi kryesor i 'Alibaba'-s është në Kinë, mirëpo ky grup ka zgjedhur të kuotohet në ShBA, duke u çuar pasuri kineze qytetarëve amerikanë. Prandaj, mund të themi që marrëdhëniet Kinë-ShBA kanë ndryshuar nga lidhje të thjeshta në lidhje me kërkesa të ndërsjella," thotë Chen Fengying.

Duke u nisur nga gjendja e tanishme, mund të thuhet se investimet në Shtetet e Bashkuara brenda një ose dy vjetësh do të kthehen në fokus të sektorëve të rinj në Kinë, ku përfshihen edhe kompanitë e internetit. Kështu, do të ketë zhvillime të reja në vëllimin e tregtisë dypalëshe dhe në numrin e sektorëve të përfshirë. Chen Fengying është e mendimit që kompanitë kineze të internetit duhet të integrohen më mirë me mjedisin ekonomik të ShBA-së, duke u mbështetur në ndikimin e markës, risitë teknologjike dhe shtimin e bashkëpunimit.

"Së pari, këto kompani duhet të blejnë marka të ndryshme, për të shtuar më shumë ndikimin e markave të tyre. Së dyti është konkurrimi teknologjik, çka ka shumë rëndësi. Lidhur me teknologjinë bazë, ato duhet të kenë më shumë durim dhe të veprojnë më ngadalë. Unë mendoj që, në mënyrë graduale, ato duhet të shkojnë drejt palëve të treta dhe të eksplorojnë bashkërisht tregjet e reja. Kjo do të jetë në të mirë të të dyja palëve dhe konkurrenca mes Kinës dhe SHBA-së do të ulet. Kështu bashkëpunimi Kinë-ShBA në tregun ndërkombëtar do të zgjerohet," thekson Chen Fengying, shefe e Departamentit të Studimeve të Ekonomisë Botërore në Institutin e Marrëdhënieve Bashkëkohore Ndërkombëtare të Kinës. (Jiang Lei/Artan Goga)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China