PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Ekonomia kineze, fokusi i Forumit Veror të Davosit
2015-09-22 15:01:10 CRI Komenti juaj Printoni

 

Përballë trysnisë së madhe, gjetja e impulsit të ri nga ekonomia kineze dhe përcaktimi i një plani të ri për zhvillimin e mëtejshëm janë vënë në qendër të vëmendjes së publikut. Në samitin vjetor të Forumit Veror të Davosit të sapopërfunduar, përfaqësuesit e qarqeve botërore politike dhe të biznesit u shprehën që i njohin vështirësitë që përballon ekonomia kineze, por përsëri janë optimistë për perspektivën e saj. Në këtë forum, ekspertë të ekonomisë paraqitën mendimet e tyre për eksplorimin e motorëve të rinj të zhvillimit.

Në Forumin Veror të Davosit sivjet, në çdo debat lidhur me ekonominë kineze, është trajtuar tema e ndryshimit të modelit të zhvillimit. Më përpara ka pasur mendime që ekonomisë kineze i duheshin stimuj të shumtë për të përballuar rritjen e ulët. Lidhur me këtë, ekonomisti i njohur kinez Li Daokui shprehet në mënyrë të figurshme se ajo për të cilën ka nevojë Kina është vetëm një tip stimulimi si akupunkturë, pra që të përqendrohet vetëm tek "nyjat nervore" të ekonomisë së vendit.

"Së pari, niveli i interesave të kredive për kompanitë dhe qeveritë vendore është i lartë, zakonisht 9-10 %. Kështu, organet që caktojnë interesat duhet ta ulin këtë nivel dhe të bëjnë disa eksperimente me mjetet e financimit afatgjatë. Së dyti, duhet bërë stimulimi 'akupunkturë'. P. sh., disa projekte të nisura janë ngadalësuar dhe qeveritë vendore nuk janë aq aktive si më parë, prandaj, duhen dhënë disa stimuj. Së treti, duhet të nxitet reforma e sipërmarrjes dhe lidhur me këtë kemi publikuar një program të posaçëm," thotë Li Daokui.

Zv.presidenti i FMN-së Zhu Min është i mendimit që përqindja e rritjes nuk duhet të vlerësohet si standard i zhvillimit ekonomik. Ndryshimi i modelit të zhvillimit do t'i japë ekonomisë kineze një impuls të ri dhe kjo ka më shumë rëndësi, mendon ai.

"Problemi që përballon ekonomia kineze në fakt është ndryshimi i modelit të zhvillimit. Detyra kryesore është kalimi nga modeli i investimeve dhe eksportit në modelin e shërbimeve dhe konsumit. Në gjendjen e tanishme mund të shohim që sektori i shërbimeve dhe sektori i konsumit janë në rritje, kurse niveli i investimeve është në rënie. Kjo është një prirje e mirë. Modeli tradicional i rritjes ekonomike është në rënie dhe modeli i ri është në rritje. Kalimi nga një model në tjetrin ka sjellë në fakt zhvillimin e ekonomisë së vendit," thotë Zhu Min.

Shumë investitorë të huaj mendojnë që struktura e ekonomisë kineze duhet të ndryshojë, por ata kanë besim në perspektivën e ekonomisë së dytë më të madhe të botës. Kryezyrtari ekzekutiv i Grupit "DSM" të Holandës Feike Sijbesma u shpreh se nuk është aspak i shqetësuar për uljen e ekonomisë kineze, pasi nga perspektiva afatgjatë, kjo ekonomi është mjaft shpresëdhënëse.

"Tani ekonomia kineze po përballet me rënie, po baza e saj është ende e mirë dhe në vendet perëndimore ka ende shumë njerëz që dëshirojnë të marrin pjesë në zhvillimin ekonomik të Kinës. Kështu, ne do të vazhdojmë të investojmë në Kinë," thotë Feike Sijbesma.

Bashkëpunimi në sektorin e prodhimit është një element kyç gjatë ndryshimit të modelit të zhvillimit. Veçanërisht në sfondin e krijuar nga strategjia "Një Brez dhe Një Rrugë", shtimi i bashkëpunimit ndërkombëtar në kapacitete dhe pajisje ka rëndësi të madhe, pasi do të shtojë njëkohësisht kërkesat nga tregu ndërkombëtar. Kryetari i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës Xu Shaoshi u shpreh që Kina do të nxitë më tej nëpërmjet nismave të shumta bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e prodhimit.

"Së pari, duhet të krijohet një sistem bashkëpunimi, qoftë mes qeverive, qoftë mes kompanive. Së dyti, duhet të ketë një projekt kornizë, mbi bazën e të cilit të shohim se çfarë duhet të bëjmë dhe si lidhur me bashkëpunimin në fushën e kapaciteteve dhe të pajisjeve. Së treti, duhet të caktojmë një listë të qartë projektesh, sidomos të projekteve të mëdha. Së katërti, duhet të përgatitemi për financim," thotë Xu Shaoshi, kryetar i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe të Reformës të Kinës.

Vitet e fundit, një numër kompanish kineze kanë grumbulluar një përvojë të pasur në bashkëpunimin ndërkombëtar. Presidenti i Grupit të Makinerive të Dalian-it Chen Yongkai mendon që, pasi ky bashkëpunim të futet në një nivel më të lartë, është shumë e rëndësishme që kompanitë të shtojnë aftësinë e tyre në krijimin e risive.

"Mbi bazën e importit, studimit dhe risive, kompanitë duhet të nxisin me të gjitha forcat zhvillimin në fushën e teknologjisë, menaxhimit dhe modeleve të prodhimit dhe të biznesit. Duhet ta tregojmë plotësisht përvojën tonë gjatë blerjeve të kompanive të huaja dhe bashkëpunimit me kompani të famshme ndërkombëtare. Kështu, do të formohet shpejt një epërsi e re gjatë procesit të novacionit," thotë Chen Yongkai, presidenti i Grupit të Makinerive të Dalian-it.

Në krahasim me sektorët tradicionalë, ekonomia e internetit vitet e fundit ka nxitur në mënyrë të dukshme rritjen e të gjitha sektorëve. Ndërkohë, me anë të konceptit "Internet+", ndërthurja e financës dhe internetit, si financimi në grup dhe P2P, ka rimodeluar dhe ka rishpërndarë burimet mes sektorëve tradicionalë dhe bizneseve të saponisura. Presidenti i grupit "Wangku" Wang Haibo është i mendimit që, në të ardhmen, ekonomia e internetit do të sjellë më shumë gjallëri për zhvillimin ekonomik të Kinës.

"Qoftë sektorët e prodhimit, qoftë sektorët e rinj, kanë lidhje të ngushta me ekonominë e internetit dhe çdo kompani reale ka disa ide, koncepte dhe madje nisma konkrete për rritje të mëtejshme nëpërmjet shfrytëzimit të internetit. Në qoftë se themi se vitet e fundit teknologjia e informacionit dhe kapitalet janë përdorur për zhvillimin e ekonomisë së re, atëherë mund të themi që tani ekonomia e internetit është futur në fazën e nxitjes së zhvillimit të biznesit real," thotë Wang Haibo, presidenti i grupit "Wangku".

Pak kohë më parë, Këshilli i Shtetit miratoi zyrtarisht dokumentin "Vendime mbi thellimin e reformës në ndërmarrjet shtetërore", i vlerësuar si një projekt i gjithanshëm dhe që shënon hyrjen në fazën e dytë të reformës së ndërmarrjeve shtetërore në Kinë. Kryezyrtari ekzekutiv dhe presidenti i kompanisë "Boston Consulting" Rich Lesser parashikon që kjo reformë do t'i japë një impuls të ri rritjes së ekonomisë kineze.

"Lidhur me të ardhmen, pikë kyçe është jo vetëm konkurrimi nëpërmjet kostos, por edhe shtimi i efektivitetit të të gjithë faktorëve prodhues të shoqërisë, duke përfshirë edhe krahun e punës dhe kapitalet. Ndërkohë, duhet të shtohen më tej risitë, sepse ndërmarrjet shtetërore luajnë rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në ekonominë kombëtare të Kinës. Unë mendoj se në të ardhmen ky do të jetë një faktor shumë i rëndësishëm për rritjen e Kinës," thotë Rich Lesser, kryezyrtari ekzekutiv dhe presidenti i kompanisë "Boston Consulting". (Jiang Lei/Artan Goga)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China