PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Motivet shqiptare të "modës së lartë" të Vojsava Karagjozit
2015-09-15 16:41:37 CRI Komenti juaj Printoni

Vojsava Karagjozi, stiliste dhe pedagoge e modës dhe e dizajnit në Fakultetin e Inxhinierisë së Tekstilit në Universitetin e Tiranës, nga viti 2012, duke punuar me partnerë të huaj, ka krijuar markën e veshjeve "Bourgeoisfashion". Sot koleksionet e saj të veshjeve, me shumë elemente kombëtare shqiptare, kanë kapur tregjet në Rusi, Kazakistan, Ukrainë, Finlandë, Suedi, Çeki. Po ashtu, e dhënë pas modeleve të prirjeve më të fundit me qendrën e saj "Vojsava Fashion House" në Tiranë, Vojsava Karagjozi prej vitesh vesh dhjetëra klientë me modën e lartë.

Nuk ishte rastësi që pedagogia në Fakultetin e Inxhinierisë së Tekstilit në Universitetin e Tiranës, Vojsava Karagjozi, në vitin 2012, me partnerë të huaj, krijoi markën "Bourgeoisfashion" me qendër në Stamboll, pas një pune të madhe krijuese në sektorin e prodhimit të veshjeve dhe në bashkëpunim me tregjet e huaja. Ajo shfrytëzoi pozicionin gjeografik dhe tregtar të Turqisë, në një sektor me logjistikë të pasur në prodhimin me cikël të mbyllur e cilësi të lartë të veshjeve. "Për krijimin e koleksionit vjeshtë-dimër 2013-2014 punuam rreth gjashtë muaj, me një punë intensive krijuese, ku frymëzimin nga veshjet tona tradicionale e bashkova me një frymë moderne. Kjo ra menjëherë në syrin e hollë të klientëve grosistë të Turqisë, që merren me shpërndarjen e tyre në të gjithë botën", tregon Vojsava Karagjozi. E paharruar i mbetet lidhja e kontratave të para me klientët nga Finlanda. "Me ta kemi vijueshmëri shumë të mirë në biznes, por sot i kemi zgjeruar klientët dhe koleksioni ynë shitet në Rusi, Kazakistan, Ukrainë, Finlandë, Suedi, Çeki e shumë vende të tjera," thotë Vojsava. Prej vitesh, krahas përpjekjeve për të ndjekur prirjet e reja, znj. Vojsava ia ka dalë të fusë motivet shqiptare të veshjeve popullore, dhe kjo i ka sjellë suksesin. "Kostumet tona kombëtare janë burim i pashtershëm frymëzimi për ne, por, për shkak të izolimit të gjatë të Shqipërisë, ato janë ende të pazbuluara nga stilistët e huaj. Në këtë pikë, ne stilistët shqiptarë kemi shansin e mirë të krijojmë veshje konkurruese për tregun e huaj," shpjegon Vojsava. Ajo shton se frymëzimi, sikurse vjen në mënyra të ndryshme, filtrohet krejt individualisht nga stilistë të ndryshëm.

Vojsava Karagjozit i është dashur të bëjë jo pak sakrifica. Pasi punoi për vite në Shqipëri, kur kuptoi që një vend i vogël nuk mund të plotësonte ambicien e saj për të arritur te tregjet e huaja, synoi zgjerimin, duke ikur për të punuar në Turqi. "Isha e detyruar të lidh bashkëpunime me të huajt, për të arritur tregjet e mëdha. Për mua kjo është gjëja më e vështirë e biznesit tim, sepse duhet të punosh larg vendit dhe njerëzve të tu të dashur e kjo prek qetësinë shpirtërore, aq të domosdoshme për këtë punë," shprehet Vojsava.

Vojsava Karagjozi, prej 15 vjetësh pedagoge e dizajnit dhe modës në Fakultetin e Inxhinierisë së Tekstilit në Universitetin e Tiranës, e nisi punën si stiliste kur ishte ende studente. "Ishte një kohë që nuk ofronte shumë në këtë fushë, ndaj ndoqa disa kurse vizatimi me piktorë të ndryshëm e më pas kurse dizenjimi në Turqi dhe Itali. Iu futa studimeve të thelluara për metodën e tekno-tekstilit (moda e veshjeve me dizajn me aplikacione e aksesorë), formim koncepti, kurse vizatimesh, mënyrën ekonomike të formimit të modës, për të cilat sot jap leksione", kujton Vojsava. Pas një atelieje të vogël, kur fitoi përvojën dhe bazën profesionale, ajo hapi 17 vjet më parë qendrën "Vojsava Fashion House" të modës së lartë. "Prej dhjetë vjetësh jam e vetmja stiliste shqiptare e anëtarësuar në Shoqatën Gjermane të Modës, dhe ndjek panairet e modës, ku njihem me pritjet dhe shijet e një populli", thotë ajo.

Që fati e kishte parathënë të qëndronte në sektorin e veshjeve u duk kur Vojsava u martua me Gëzim Karagjozin, pronar i një fabrike veshjesh me 70 punëtorë, që qepte me fason pantallona xhins për markat e njohura "Miss Sixty" dhe '"Jeans London". "Kur u fejuam, miqtë e përbashkët na thanë 'U bë marka shqiptare', se të dy i përkasim fushës së veshjes. Kur erdhi koha për një koleksion industrial, bashkuam bizneset, ngritëm departamentin e dizajn-modelimit dhe shtëpinë e modës 'Miss Faris' me dizenjim, modelim dhe prodhim," rrëfen Vojsava. Pas përvojës dhe disa specializimeve, zgjodhi modën italiane dhe organizimin gjerman të punës, me aplikimin e "alta moda"-s në atelie, ku për një vit e ndihmoi dhe një ekspert italian i arsimuar në shkollën e Xhorxho Armanit. Vojsava Karagjozi e ka ndjekur me pasion modën e lartë nëpër panaire në Gjermani dhe Itali, ku dhe fitoi dy metoda pune. "Italia më pëlqen për dizajnin dhe mënyrën se si e organizon modën, kurse Gjermania për organizimin e përkryer, ku mësohet si të bësh modë me rregulla," vlerëson Vojsava, që i bashkon të dyja bashkë edhe me dijet dhe përvojën nga asistenca e madhe teknike prej ekspertëve gjermanë, përmes projektit gjerman për zhvillimin ekonomik GIZ.

Si anëtare e Dhomës Kombëtare të Fasonistëve dhe si koordinatore e projekteve të ndryshme prej vitesh, z. Vojsava Karagjozi është e mendimit se ka shumë firma që mund të dalin në tregjet e huaja me markën shqiptare të modës, teksa kanë përparuar në teknologji dhe cilësi prodhimi, kanë fituar përvojën e punës me firma të mëdha italiane, që prodhojnë dhe shesin për tregun shqiptar veshje me çmime më të ulëta nga prodhimet e importit. "Nuk është e lehtë, por as e pamundur. E kanë bërë para nesh prodhues dhe stilistë në Bullgari, Serbi e Maqedoni, që kanë dalë me markën e veshjeve në fabrikat e tyre dhe kjo sjell përparësi për prodhuesin vendas," shprehet gruaja që ka arritur jo pak me këmbënguljen e vet në botën e madhe të veshjeve.

Në atelienë "Vojsava Fashion House", çdo ditë qepen veshje të personalizuara për klientë të ndryshëm të pasur të "alta moda"-s, ku Vojsava, duke njohur shijet e njerëzve, dizenjon e arrin më shumë sukses. "Pjesa më e madhe janë femra në pozicione të forta në biznes, gjykatëse, intelektuale, që zgjedhin për t'u veshur me modë të lartë shqiptare, edhe pse i njohin mirë tregjet në Paris, Londër, Nju-Jork etj. Përderisa vijnë këtu dhe porosisin, tregon se mbeten të kënaqura, kur duan t'i personalizojnë veshjet luksoze me stilin shqiptar, për t'u prezantuar në mjedise luksoze edhe jashtë vendit. Rikthimi i tyre është kënaqësia ime," thekson Vojsava Karagjozi.

Në atelienë e znj. Vojsava, dhjetëra klientë burra porosisin çdo lloj veshjeje për punë, takime, mbrëmje, sport etj., por shumë më tepër janë ata që porosisin vetëm modele të modës së lartë. Është ndier shumë mirë kur, në disa prezantime me koleksionet e veta në ambasadën gjermane, palltot e stiluara prej saj u blenë nga një grup piktoresh gjermane.

Për znj. Vojsava Karagjozi si grua në biznes, sfida më e madhe që ka kapërcyer me shumë mund, ishte sigurimi i kapitalit fillestar për krijimin e një marke, pa asnjë ndihmë nga struktura të caktuara. "Mendoj se në Shqipëri ka femra shumë të afta për të krijuar dhe për të zhvilluar biznese në çdo sektor, por duhen ndihmuar të nxjerrin në pah këto cilësi. Janë dhjetëra histori grash të suksesshme që njihen në botë dhe që më frymëzojnë në rrugën time të vështirë, por dhe të bukur si nënë, grua, stiliste, sipërmarrëse, pedagoge," thotë ajo.

Tani Vojsava Karagjozi synon ta shikojë markën e vet në rrjetet kryesore të dyqaneve në vendet perëndimore. Dhe rruga e saj tashmë ka nisur…

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China