PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Lan Yu, stilistja e dasmave të VIP-ave
2015-09-15 16:38:56 CRI Komenti juaj Printoni

29-vjeçarja Lan Yu vlerësohet si një "talent i ri" në sektorin e stilimit të veshjeve në Kinë.

Lan Yu ka lindur më 21 janar të vitit 1986 në provincën Shanxi të Kinës. Ajo filloi të studiojë balet që kur ishte pesë vjeçe. Në atë kohë Lan Yu mendonte se balerinat ishin shumë të bukura dhe donte të bëhej edhe ajo një prej tyre kur të rritej. Ëndrra e Lan-it ishte që të studionte në Akademinë e Dansit të Pekinit. Vogëlushja e kishte vendosur atë që do të bëhej në të ardhmen: mësuese kërcimi. Por në moshën 6-vjeçare Lan Yu nisi të mësojë nga e ëma një lloj qëndisjeje të quajtur "qëndisja e Suzhou-t", një ndër katër llojet kryesore të qëndisjeve kineze. Nëna e saj ishte modeliste dhe eksperte në qëndismat e Suzhou-t dhe Lan Yu-së i lanë mbresa mjaft të thella qëndismat e saj. Kur ishte në moshën 17-vjeçare Lan Yu pa filmin e njohur hongkongas "Vitet e lulëzimit", heroina e të cilit mban veshur një fustan tradicional të grave kineze të quajtur qipao. Që atëherë e reja nisi të ketë një interes të veçantë për këtë veshje.

Lan Yu-ja hapi një dyqan për shitjen e qipao-ve që kur ishte ende në shkollë të mesme. Pikërisht kjo do të ishte edhe periudha kur ajo do të zbulonte interesin dhe talentin e vet në stilimin e veshjeve. Ajo përfundimisht hoqi dorë nga ëndrra e saj për t'u bërë mësuese kërcimi dhe, në vend të kësaj, vendosi të studiojë stilim veshjesh. Dhe kështu në vitin 2004 Lan Yu nisi studimet në Institutin e Teknologjisë së Veshjeve të Pekinit.

Bërja stiliste ishte një ëndërr e madhe dhe Lan Yu punoi shumë për ta bërë këtë ëndërr realitet. Që në vitin e parë të studimeve Lan ndihmoi në krijimin e disa modeleve, duke fituar 80-100 juanë (rreth 13 deri 16 dollarë) për faqe. Ajo arriti ta kursente 4 000 juanë (afro 650 dollarë) brenda atij viti. Por Lan Yu nuk u mjaftua me kaq ose nuk i harxhoi këto para, por i përdori për të marrë me qira një atelie, ku nisi të stilonte dhe të qepte rrobat që vishte vetë. Pa kaluar shumë, fqinjët e saj e mësuan se ato rroba të bukur që mbante veshur Lan Yu-ja i kishte ideuar e prodhuar vetë dhe nisën edhe ata t'i porositnin veshjet e tyre tek stilistja e re. "Para se të hapja dyqanin tim, kurrë nuk mendoja nëse do të kisha klientë apo jo ... dhe kurrë nuk kreva ndonjë studim tregu ... Isha me fat që fqinjët e mi u bënë klientët e mi të parë," ndërmend Lan Yu-ja.

Kur Lan hapi atelienë në vitin 2005, ajo nuk kishte markën e vet; në të vërtetë, ajo ishte një studente në vit të dytë që krijonte veshje në kohën e saj të lirë. Lan Yu-ja punoi shumë e fitoi mjaft përvojë, madje fitoi edhe çmimin "Veshja më e mirë e mbrëmjes e stilit të pakicave kombëtare" në Konkursin e Stilimit të Veshjeve Tradicionale Kineze në vitin 2006. Pasi Lan Yu përfundoi studimet në Institutin e Teknologjisë së Veshjeve të Pekinit në vitin 2008, Korporata "Chinatex" e bleu atelienë e saj, por Lan-i qëndroi si drejtore krijuese e ateliesë, derisa shkoi në Nju-Jork për të vazhduar studimet. Ajo mësoi shumë, ndërsa punoi për "Chinatex"-in.

Lan Yu studioi për një vit në Institutin e Teknologjisë së Modës të Universitetit Shtetëror të Nju-Jorkut. Në shtator të vitit 2009 ajo u kthye në Kinë. Lan Yu besonte se stilistët e stilistet kineze ishin tashmë në pararojë të industrisë së modës, prandaj e bleu atelienë e saj të dikurshme nga "Chinatex" dhe krijoi "Lan-Yu", markën e vet të modës. Po atë vit Lan Yu u përfshi në listën e "Dhjetë stilistëve më të mirë të Kinës" nga Shoqata e Stilistëve e Kinës, si edhe u përzgjodh si "Stilistja që ka tërhequr vëmendjen më të madhe të medies", çmim të cilin do ta merrte përsëri në vitin 2012, së bashku me "Stilistja me ndikimin më të madh në Azi", në Çmimet Aziatike të Modës. Po nuk përfundon këtu lista e çmimeve që ka marrë stilistja e re dhe e talentuar. Po në vitin 2012 ajo u vlerësua si "Stilistja e parapëlqyer e yjeve" nga "COSMOBride China". Një vit më pas Lan Yu u shpall "Stilistja me ndikimin më të madh në Kinë", teksa vitin e kaluar u përfshi në listën "30 nën 30 të Kinës" nga revista "Forbes", pra lista e 30 sipërmarrësve të rinj kryesorë kinezë që ende nuk i kanë mbushur 30 vjeçët.


Luo Haiqiong

Lan Yu, mbase edhe për shkak të modestisë, beson se e ka ndihmuar "fati", pasi, sipas saj, nuk është e lehtë të jesh një stiliste e suksesshme në Kinë. Megjithatë, mund të thuhet se viti 2010 ishte një vit kthese për Lan Yu-në, pasi ajo pati mundësinë që t'i tregonte botës talentin e vet si stiliste. Luo Haiqiong-u, një aktore kineze, po planifikonte dasmën e saj dhe i kërkoi Lan-it të bënte për të një fustan të veçantë nusërie. Stilistja e re u ndje e lumtur nga një kërkesë e tillë, që do të thoshte se ajo tashmë ishte e njohur dhe kishte fituar besimin e të tjerëve.

Luo Haiqiong-u ishte duke xhiruar në atë kohë një shfaqje televizive në Quanzhou, një qytet në provincën Fujian, kështu që Lan Yu dhe ndihmësi i saj fluturuan disa herë me aeroplan në Quanzhou për të diskutuar dhe finalizuar të gjitha hollësitë. Kur e pa aktoren e njohur tek vishte fustanin e hirshëm të nusërisë që i kishte stiluar, Lan Yu-ja e kuptoi se stilimi do të ishin profesioni dhe pasioni i jetës së saj.

Lan Yu shpreson se çdo vajzë që vesh fustanet e nusërisë që krijuara prej saj, do të ndihet si një princeshë. Ajo përfshin elemente kineze në këto fustane nusërie; në të vërtetë, specialiteti i saj është gërshetimi i stilit të qëndisjes të Suzhou-t që ka mësuar nga e ëma, dhe materialeve perëndimore të cilësisë së lartë, të tilla si dantellat.

Lan Yu vazhdimisht studion stilin e qëndisjes të Suzhou-t, dhe i pëlqen të bëjë qëndisma për miqtë e vet dhe klientët e veçantë. Një herë një këshilltar i Ambasadës Britanike i kërkoi të bënte një fustan për vajzën e tij, që do të festonte 10-vjetorin. Këshilltari britanik i tha Lan Yu-së se po bëhej gjithnjë e më e vështirë për të gjetur veshje të punuara me dorë. Kur e dëgjoi një gjë të tillë, Lan Yu u bind edhe më shumë se një stilist a stiliste duhet të ketë një ndjenjë të fortë të përgjegjësisë shoqërore kur krijon veshje të nivelit të lartë. Kjo është arsyeja pse ajo u tregon klientëve të vet se cilat veshje janë bërë me dorë dhe cilat nga makina.

Lan Yu shprehet se stilistët e veshjeve të modës janë jo vetëm zejtarë, por edhe artistë që kanë një vizion të gjerë. Duhet të jesh i aftë në muzikë, shah, bukurshkrim, pikturë e poezi dhe të kesh njohuri nga çaji dhe vera që të kesh mundësi të bësh modele të mira, vë në dukje Lan Yu. Dhe më tej shton se stilimi është një mënyrë jetese dhe jetesa është një formë arti, prandaj, nëse dikush nuk bën një jetë të mirë, as modelet e tij a të saj të veshjeve nuk do t'u lënë mbresa të thella të tjerëve.

Lan Yu mendon se stilistet femra kanë disa përparësi ndaj meshkujve: ato janë të vëmendshme, të ndjeshme, të duruara dhe dëgjuese të mira. Sipas Lan-it, ato mund t'i kuptojnë lehtë kërkesat e klientëve.

Lan Yu ka tërhequr vëmendjen e madhe edhe të njerëzve të rëndësishëm në industrisë kineze të modës. Përse? Aty u kanë lënë përshtypje modelet e saj të veçanta. Lan Yu është përfaqësuese e stilistëve të rinj të veshjeve të modës në Kinë. Ajo tashmë ka krijuar veshjet e dasmës për disa personalitete të njohura, si edhe veshjet formale të shumë aktoreve e aktorëve të njohur kinezë. Modelet e krijuara nga Lan Yu kanë befasuar industrinë e modës në Kinë.

Lan Yu shpreson se do të ketë mundësi për të lexuar më shumë libra dhe për të udhëtuar më shumë gjatë kohës së lirë; në fakt, asaj i pëlqen të lexojë, të udhëtojë, të modelojë veshje me cilësi të lartë dhe të shohë klientët e saj të buzëqeshin.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China