20150908-resto |
"Ec vetëm përpara" ka zgjedhur si moto të jetës Merita Kraja, pronare e restorantit "Euro Pizza Café" buzë shatërvanit në Fountain Hills të Arizonës në ShBA. I njohur nga të gjithë për mikpritjen dhe recetat tipike shqiptare dhe mesdhetare, restoranti menaxhohet nga inxhinierja shkodrane e ndërtimit, që ka ecur në jetë duke guxuar për të fituar. Në vitin 2012, Merita Kraja u nderua me çmimin prestigjioz "Biznesmeni i vitit" nga Dhoma e Tregtisë e Fountain Hills-it.
Merita Kraja, prej më shumë se dhjetë vjetësh pronare dhe menaxhere e një prej restoranteve më të mira në Arizona, nga inxhiniere ndërtimi në Shkodër, kur shkoi jashtë atdheut guxoi dhe luftoi fort për të mbërritur te një biznes, ku jep më të mirën edhe nga tradita shqiptare.
Pasi mbaroi studimet për inxhinieri ndërtimi në mes të viteve '80 të shekullit të kaluar, Merita Kraja u emërua në ndërmarrjen komunale të Lezhës. Punoi për pak kohë, sepse pas vdekjes së të atit u transferua në qytetin e lindjes, Shkodër, në ndërmarrjen tregtare.
Ajo e la Shqipërinë në një ditë simbolike, 28 Nëntor 1990. "Më merr malli për gjithçka, por kurrë nuk jam penduar, sepse të gjitha gjërat i kam bërë në kohën e duhur me devizën: 'Gëzohu, hidhërohu deri në fund, por mos e merr me vete. Ec vetëm përpara'", shprehet Merita.
Ajo jetoi thuajse një vit në Romë, ku punonte për organizatën e emigracionit IRC dhe ambasadën amerikane në Itali, por edhe dado për beben e një gruaje të ve. "Qëllim përfundimtar kisha SHBA-në, kështu që shkova në Çikago, punova dhe, kur bëra paratë e udhëtimit, u ktheva në Itali, ku u martova dhe të dy me tim shoq erdhëm në Nju-Jork, ku punova përkthyese dhe sekretare për një kompani tregtare. Isha shtatzënë gati 8-muajshe me vajzën kur u vendosëm në Arizona, si një zgjidhje më e mirë për të rritur fëmijën. Me burrin, që nuk e fliste mirë anglishten, mbaruam të dy një fakultet për mësues dhe sot ai punon mësues fizkulture. Ndërsa unë punova ca kohë si mësuese në një kolegj, e më pas edhe përkthyese. Nuk lashë pas as profesionin tim. Pasi plotësova kërkesat e pranimit, dhashë provimin dhe u regjistrova si inxhiniere në Arizona", tregon Merita.
Si inxhiniere u angazhua në projektime, prej të cilave veçon si më të rëndësishme hekurudhën që përshkon qendrën e Feniksit. Vijoi me projektet e restoranteve, një fushë që i solli në dorë si me magji një biznes të veçantë. "Nisa ndërtimin për një klient të një restoranti në qytetin e vogël Fountain Hills. Por ai humbi të ardhurat, unë vijova punën dhe, kur mbarova, e mbajta vetë restorantin. Atë kohë isha shtatzënë me fëmijën e katërt, duhej të merresha me fëmijët më shumë dhe nuk mund të ndiqja orarin në punë 9:00-18:00. Mendova ta shes, por ndodhi 11 shtatori, kur nuk bëhej fjalë për shitblerje, e kështu restoranti më mbeti në dorë," kujton Merita. Dinte të ndërtonte, por jo të drejtonte një restorant. "Mblodha mendjen, shpërvola mëngët, mësova dhe bëra ç'duhej që të funksiononte," thotë Merita Kraja.
Në ShBA çdo shtet ka parapëlqimet e veta, kurse në Fountain Hills, banorët e të cilit kanë të ardhura për familje më të larta se në shumë qytete të Arizonës, kërkojnë ushqime të lehta, me cilësi e të shëndetshme dhe më së shumti njohin Italinë dhe Greqinë. Këto karakteristika e orientuan Meritën për zgjedhjet, duke gërshetuar kuzhinën shqiptare me ato europiane. "Këto kanë sjellë shumë klientë dhe miq në restorantin tim, 'Euro Pizza Café', emër që lidh monedhën europiane dhe Europën. Gatuajmë byrekë dhe sallata si në Shqipëri, receta mesdhetare me zarzavate, vaj ulliri, peshk, pite. Meqë im atë ishte nga Saranda, përdor edhe gatimet e asaj zone, duke i shtuar dhe mikpritjen shqiptare. Kam në meny pak nga të gjitha, si picat 'Acropolis' e 'Herculis', kemi pulë 'Corfu' e pulë 'Zingarella' si ndikim cigan, tortelini 'Imperial' dhe ravioli 'Carbonara' si ndikim italian, kurse verërat na vijnë nga Franca, Bullgaria dhe Spanja. Sot menaxhoj çdo gjë, kam egon për gjërat që i marr përsipër dhe kështu eci vetëm përpara", tregon në lidhje me biznesin Merita. Në drejtim të një biznesi ushqimor, biznesmenia shqiptare në Arizonë vlerëson kontrollin e rreptë për pastërtinë e ushqimeve nga organet e shëndetësisë, mirëmbajtjen dhe pagesën në kohë.
Duke njohur fleksibilitetin e punës në restorant, Merita ka zgjedhur aty pranë banesën, për të qenë pranë fëmijëve kur zgjohen, vijnë nga shkolla, apo flenë. "Edhe pse nuk kaloj kohë aq sa dua me fëmijët, ata janë krenaria ime," thotë Merita, dhe tregon se djalin e vogël e mori që dyditësh nga shtëpia e lindjes në restorant, dhe zyra e saj shërbeu si dhomë për të sapolindurin.
Biznesmenia nuk e quan të lehtë për një grua që bën biznes edhe në ShBA, ku gratë quhen pjesë e minoritetit, por vlerëson edhe anën pozitive: "Të kesh biznes këtu, mëson shumë më tepër durimin e këmbënguljen, mëson thjeshtësinë dhe shërbimin e përsosur publik, por sidomos mëson se në biznes duhen punësuar njerëz të aftë dhe jo sepse i njeh. Kështu mundohem të punoj për biznesin dhe jo në biznes".
Merita Kraja ka punësuar dy gra shqiptare në kuzhinë, që përgatisin sallatat, gatimet, ëmbëlsirat. Kënaqet që për ceremoni ditëlindjesh, darka apo prenotime nga shqiptarët, gatuajnë si në Shqipëri, ndërsa një DJ shqiptar luan muzikë shqiptare. Ndihet mirë dhe me gratë shqiptare, që në Arizona, të grumbulluara në një shoqatë, mblidhen herë pas here në mbrëmje festive apo takime joformale çdo të diel të parë të muajit: "Janë kënaqësi takimet dhe këmbimet e ideve me gratë shqiptare," thotë Merita.
Merita Kraja shprehet se biznesi e bën çdo grua më të lirë. Për të, çdo grua bëhet më e pavarur nëse ka biznes, sepse aspekti financiar e ndihmon të marrë vendime me objektive dhe çdo ide që mendon se ka vlerë, e vë në jetë. Merita mendon se Dhomat e Tregtisë duhet të jenë më aktive në Shqipëri për gratë. "Ato duhet të mos jenë të ndrojtura, të fitojnë besimin e duhur për biznes, por pa harruar se çdo gjë fillon me shkollim të mirë, ku kulturimi përbën domosdoshmëri. Bashkëpunimi me një rrjet është i vlefshëm për gratë, sepse promovimet ndikojnë pozitivisht. Ka gjithmonë një rrugë për të dalë nga situata, dhe më e vështira zakonisht është më e mira," shprehet biznesmenia.
Merita Kraja ka shumë ide për investime në Shqipëri, për të ndërtuar restorante dhe bare, për t'i bërë mjediset sa më funksionale. Ambiciet e ardhshme të saj lidhen me profesionin për të cilin ka studiuar. "Dua të kaloj në ndërtim dyqanesh, rikonstruktim shtëpish, më pëlqen të ndërtoj një restorant me emrin 'Merita's', me arkitekturë të pasur. Më pëlqen të kaloj verën te shtëpia ime e sapombaruar në Sarandë, pastaj të lexoj librat që kam akumuluar në vite. Pra kam një listë të pafund. Jeta nuk dihet si vjen, por unë bëj më të mirën dhe shpresoj," shprehet Merita Kraja.