20150908fe |
Vitet e fundit, me rregullimin strukturor dhe ndryshimin e modelit të zhvillimit, kompanitë kineze kanë shpejtuar hapat e hyrjes në tregun ndërkombëtar dhe kjo përbën një pjesë të rëndësishme të nismës së "daljes jashtë vendit" të Kinës. Në vitin 2013 Kina publikoi strategjinë "Një Brez dhe Një Rrugë", e cila shihet si një mundësi e mirë për kompanitë kineze, si edhe për vendet e rajonet përgjatë Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit dhe Rrugës Detare të Mëndafshit të Shekullit XXI. Kështu, nisma e "daljes jashtë vendit" është mbështetur në mënyrë më konkrete dhe kompanitë kineze kanë hyrë në një fazë të re ndërkombëtarizimi.
Kompania e prodhimit të automjeteve "Cherry" është një ndër përfaqësueset më të njohura të sipërmarrjeve kineze jashtë vendit. Në vitin 2014, makinat e eksportuara nga "Cherry" zunë 27 % të vëllimit të të përgjithshëm të makinave kineze të eksportuara. Makinat e "Cherry"-t mbuluan 49 ndër 60 vendet përgjatë "Një Brez dhe Një Rrugë". Lidhur me planin e eksportit për vitin 2015, presidenti i kësaj kompanie Yin Tongyue u shpreh:
"Plani ynë i eksportit sivjet është 13.6 mijë njësi, të cilat do të eksportohen kryesisht në vendet dhe rajonet përgjatë 'Një Brez dhe Një Rrugë', si ato të Azisë Qendrore, Lindjes së Mesme dhe Amerikës së Jugut. Për çdo prodhues makinash, tregu ndërkombëtar dhe tregu vendas kanë të njëjtën rëndësi."
Në vitin 2009, Kina u bë tregu më i madh i konsumit të automjeteve në mbarë botën, duke e kaluar ShBA-në. Qysh nga ajo kohë, kompanitë kineze të automjeteve kanë filluar të dalin jashtë vendit në mënyrë aktive. Eksperti i automjeteve Li Tiezheng vë në dukje:
"Rajonet fqinje, si Azia Jugperëndimore, Azia Jugore, Azia Perëndimore e Lindja e Mesme, e madje edhe Europa Lindore, nuk kanë sektor modern automjetesh. Ato ndodhen afër nesh dhe ky është një rast i mirë për 'daljen jashtë vendit' të kompanive kineze. Ky do të jetë një treg gjigant. Mund të zgjerojmë kapacitetin e nivelin e prodhimit dhe nuk duhet t'i hedhim sytë vetëm nga tregu vendas."
Në vitin 2010, grupi "Geely" bleu të gjitha aksionet e kompanisë së njohur suedeze "Volvo", duke hedhur një hap të madh drejt tregut ndërkombëtar. Kështu, sektori kinez i automjeteve kaloi nga "hyrja brenda vendit" në "daljen jashtë vendit" dhe i gjithë procesi kërkoi vetëm 30 vjet.
Në muajin korrik, Këshilli i Shtetit i Kinës publikoi Hartën e Rrugës për Kompanitë Kineze përgjatë "Një Brez dhe Një Rrugë". Sipas të dhënave përkatëse, deri në fund të vitit 2014, 107 ndër 110 ndërmarrjet shtetërore qendrore të Kinës kishin krijuar 8515 degë të veta jashtë vendit, duke mbuluar mbi 150 vende e rajone të botës. Ndërkohë, në vendet e rajonet përgjatë "Një Brez dhe Një Rrugë", mbi 80 ndërmarrje qendrore kineze kanë vendosur degët e tyre.
Grupi "PowerChina" dhe Banka e Investimeve e Katarit kanë bërë një investim të përbashkët për ndërtimin e një termocentrali në portin Kasim të Pakistanit. Planifikohet që termocentrali të ndërtohet brenda dy vjetësh dhe në fund të vitit 2017 do të fillojë furnizimin me energji. Drejtori i Departamentit Ndërkombëtar të Kompanisë "Sinohydro" Wu Xiguo bëri të ditur që vitet e fundit, kjo kompani ka shpejtuar procesin e "daljes jashtë vendit", duke zgjeruar fushat e investimeve nga sektorët tradicionalë, si hidroenergjetika, në sektorë të tjerë, si termoenergjetika, autostradat, shpërndarja e energjisë dhe energjia diellore.
"Më parë, për një periudhë dhjetëvjeçare, kishim gjithsej dy projekte jashtë vendit, dhe vlera e përgjithshme e tyre nuk arrinte as 100 milionë dollarë amerikanë. Ndërsa në këta dy vjet kemi pesë projekte të reja dhe investimet e tyre shkojnë afro 600 milionë dollarë. Kemi gjetur një treg më të madh jashtë vendit," thotë Wu Xiguo.
Sivjet kryeministri kinez Li Keqiang bëri një vizitë në selinë e BE-së. Gjatë asaj vizite Kina dhe Bashkimi Evropian arritën konsensus që të ndërthurin strategjinë "Një Brez dhe Një Rrugë" me Planin e Investimeve për Europën, duke rënë dakord për krijimin e një fondi të përbashkët investimesh.
"Marrëdhëniet Kinë-BE, veçanërisht lidhjet tregtare, nuk mbështeten vetëm te shitblerja. Të dyja palët duhet të shtojnë investimet e ndërsjella dhe investimet e përbashkëta. Kina është e gatshme të marrë pjesë aktivisht në Planin e Investimeve për Europën," u shpreh kryeministri kinez Li Keqiang në Bruksel.
Vitin e kaluar, kryetari i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker publikoi Planin e Investimeve për Europën, i njohur edhe si "Plani Juncker", me vlerë mbi 315 miliardë euro, i cili përfshin riindustrializimin, rregullimin e rrjetit infrastrukturor etj. Për lidhjen e strategjisë "Një Brez dhe Një Rrugë" dhe këtij plani investimesh, drejtori i Qendrës së Studimeve Europiane pranë Institutit të Studimit të Çështjeve Ndërkombëtare të Shangait Ye Jiang u shpreh:
"Pika e përfundimit të 'Një Brez dhe Një Rrugë", qoftë e Brezit, qoftë e Rrugës, ndodhet në Europë. Të dyja palët duhet të shtojnë bashkëpunimin financiar dhe zhvillimin e ndërlidhshmërisë. Në këtë drejtim, Banka Aziatike e Investimeve Infrastrukturore dhe 'Plani Juncker' kanë lidhje të ngushta. Vizita e kryeministrit Li në Europë dhe takimi i liderëve të të dy palëve synojnë ta vënë në jetë këtë lidhje."
Kina dhe BE-ja kanë publikuar një deklaratë të përbashkët lidhur me bashkëpunimin strategjik dypalësh. Të dyja palët kanë rënë dakord që të kërkojnë pika takimi mes nismës së Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit të Kinës dhe politikave stimuluese të BE-së lidhur me investimet dhe të diskutojnë për mundësinë e bashkëpunimit përgjatë Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit. Lidhur me këtë, zv.drejtori i Departamentit Ndërkombëtar pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës Zhou Hong u shpreh:
"Strategjia jonë 'Një Brez dhe Një Rrugë' tani është lidhur me planin e investimeve të Juncker-it. Kjo do të thotë që ne mund të marrim pjesë në zhvillimin e Europës dhe Europa mund të marrë pjesë në ndërtimin e 'Një Brez dhe Një Rrugë'. Tani, shumë vende anëtare të BE-së janë anëtarësuar në Bankën Aziatike të Investimeve Infrastrukturore. Kështu, këto dy ekonomi gjigante mund të lidhen në mënyrë të arsyeshme dhe të përplotësojnë përparësitë e njëra-tjetrës."
Duke u mbështetur në strategjinë "Një Brez dhe Një Rrugë" dhe Planin e Investimeve për Europën të BE-së, investimet kineze në Europë tani janë futur në një fazë rritjeje të shpejtë dhe fushat e investimeve janë zgjeruar më tej. Sipas të dhënave statistikore, nga janari deri në maj, Kina ka bërë 4.21 miliardë dollarë investime jofinanciare në tregun europian, duke shënuar një rritje me 367.8%. Ndërkohë, ndërmarrjet kineze në 48 vende e rajone përgjatë "Një Brez dhe Një Rrugë" kanë bërë investime të drejtpërdrejta me vlerë 4.86 miliardë dollarë amerikanë, shifër kjo 3.7% më shumë se një vit më parë. (Jiang Lei)