PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Liu E, nga "Teto" në "Zonjë Globale''
2015-09-08 16:54:44 CRI Komenti juaj Printoni

Teto A Qing-u është një emër i njohur në Kinë. Ajo është personazhi i një pjese opere të Pekinit, një grua e zgjuar, e fortë dhe e guximshme, e kthyer në sinonim të trimërisë, të shkathtësisë dhe të drejtësisë. Por sot ky është edhe emri i një marke të njohur restorantesh luksoze, e krijuar nga një grua që është po ashtu e fortë, e zgjuar dhe e vendosur, pjesëmarrëse edhe në konkursin "Zonja Globale" dhe fituese e çmimit "Ambasadore e vullnetit të mirë globale". Ajo është presidentja e kompanisë së restoranteve "Teto A Qing" të Henan-it Liu E.

Liu E ka lindur më 26 shtator 1963 në provincën Henan të Kinës Qendrore. Në shkollë Liu E ishte një nxënëse e zellshme. Që kur ishte fare e vogël, prindërit e këshilluan që moto të jetës të kishte që të ishte "një njeri i mirë dhe i dobishëm", dhe nga kjo moto ajo do të përfitonte në vitet e mëvonshme.

Pas diplomimit në vitin 1985 në Institutin e Shkencës dhe të Teknologjisë të Zhengzhou-t, Liu E nisi punë si inxhiniere në Uzinën e Tranzistorëve të Henan-it, për të kaluar më vonë në Zyrën e Kontrollit Teknik të Zhengzhou-t. Por Liu e ndjeu se ishte e gatshme për të bërë diçka më interesante dhe sfiduese. E prandaj në vitin 1988, Liu E pati guximin të lërë punën e saj të sigurt në shtet dhe një profesion të tillë të respektuar si ai i inxhinieres, dhe u bë pjesë e menaxhimit të një restoranti të madh. Për shkak të punës së shkëlqyer, Liu u ngjit shpejt në postin e menaxheres së përgjithshme, gjë që e ndihmoi të fitojë përvojën e nevojshme në rrugën për të formuar kompaninë e vet.

Dhe kështu në vitin 1995 Liu E regjistroi kompaninë e restoranteve "A Qing", teksa një vit më pas hapi në Zhengzhou të parin restorant të saj të markës "Teto A Qing".

Kur u pyetën se përse zgjodhi këtë emër të veçantë për restorantin e saj, Liu E tha se kishte një besim të madh se gjërat tradicionale janë gjithmonë klasike dhe se veçantia e tyre zgjat përgjithmonë. Nga kjo gjë i lindi besimi se mund të kapërcente të gjitha kundërshtimet ndaj vendimit të saj lidhur me atë se gjellët e cilës kuzhinë do të shërbeheshin në restorantin e vet. Liu E vendosi që nuk do të konkurronte në tregun tashmë të ngopur të gatimeve me fruta deti dhe të kuzhinës së stilit të provincës Guangdong; në vend të kësaj, ajo zgjodhi të shërbente ushqimin origjinal vendor të provincës së vet Henan. Pas shumë mundimesh, Liu E arriti me sukses të krijonte disa gjellë karakteristike, duke përfshirë "Pjatën e shtëpisë së fermerit 'Halla A Qing'" dhe "Pjatën speciale 'A Qing'." Po ashtu, Liu E nisi shërbimin e stilit familjar.

Me ndriçimin e vet rrëzëllues, restoranti i Liu E-së krijonte një gjendje romance dhe shkujdesjeje, me orenditë e tij antike dhe konceptin artistik të një lumi që rrjedh nën një urë të vogël, të shoqëruar me muzikë të qetë.

Shërbimi i nivelit të lartë dhe fytyrat e qeshura të stafit të restorantit bëjnë që shumë njerëz të shkonin aty, madje të pritnin në radhë për të provuar gatimet e shijshme.

Në vetëm pak vite, afro dhjetë restorante të së njëjtës markë u hapën në Zhengzhou, të pasuar nga restorantet në qytetet e tjera të kësaj province, si Luoyang, Shangqiu dhe Luohe. Më pas Liu hapi edhe restorante të një marke tjetër, "Renhe". Të gjitha restorantet e Liu E-së, të të dy markave, ecin shumë mirë.

Por çfarë e bën Liu E-në kaq të suksesshme ... Cila është receta e saj e fshehtë?

Liu E thotë: "Produktet janë jeta e një sipërmarrje, cilësia është garancia e jetëgjatësisë së një kompanie."

Liu E krijoi një sistem qendror shpërndarjeje dhe kontrolli të cilësisë për të mbikqyrur të gjitha procedurat me standarde të rrepta. Shërbimi duhet të jetë i shpejtë dhe me cilësi të lartë. Pjatat duhet të duken bukur, të kenë erë të këndshme e shije të mirë, në mënyrë që të përmbushin standardet e saj.

Në vitin 2002, kompania "Teto A Qing" shpiku një stil unik të njohur si "Pjata magjike 'Renhe'", ku ndërthuren tiparet e kuzhinave të Sichuan-it, Guangdong-ut, Henan-it, Shandong-ut dhe Hunan-it. Liu E dhe punonjësit e saj kishin nisur përgatitjet për këtë stil të ri që një vit më parë, kur "Teto A Qing" investoi një shumë të madhe në kontenë Tongbai, në varësi të qytetit Nanyang po të provincës Henan, për të ngritur një bazë për prodhimin e perimeve, e cila mund të përmbushte kërkesat e të gjitha restoranteve të tyre.

Në "Teto A Qing" i kushtojnë rëndësi edhe cilësisë së perimeve, duke siguruar që për rritjen e tyre të përdoren pak ose aspak pesticide apo plehra. Veç kësaj, kjo kompani ka staf dhe automjete të posaçme për të shpërndarë dhe për të transportuar perimet, me qëllim furnizimin e të gjitha restoranteve të veta në mënyrë të planifikuar. Të tëra restorantet japin vlerësime të sakta, në mënyrë që të marrin furnizimet e duhura dhe në kohë. Kështu klientëve u shërbehen gjithmonë perime të freskëta.

Liu E gjithashtu ka një marrëdhënie mjaft të mirë me stafin e saj menaxhues. Pas vitesh përvojë, ajo e ka kuptuar plotësisht se njerëzit e talentuar janë çelësi për përparimin e një sipërmarrjeje dhe nuk ka kursyer para për rekrutimin e tyre.

Liu E ka edhe strategji për të krijuar lidhje me punonjësit e vet. Ajo është me të vërtetë e jashtëzakonshme: i di të gjitha të dhënat e tyre personale, si për shembull sfondin familjar, nëse janë të martuar apo jo, të ardhurat, madje edhe mendimet e emocionet e tyre. Liu kujdeset për ta ashtu si të jenë anëtarë të familjes. Ajo u dërgon dhurata ditëlindjeje dhe organizon mbrëmje për të gjithë punonjësit. Në festat tradicionale kineze, Liu E viziton shtëpitë e tyre për urim e për të parë si jetojnë.

Ka një thënie popullore: e mira shpërblehet me të mirë dhe Liu E me zemrën dhe kujdesin e saj nxit moralin dhe kohezionin e stafit.

Liu E nuk harron të kontribuojë për shoqërinë. Ajo luan një rol aktiv në dhurimet për të ndihmuar viktimat e përmbytjeve e të fatkeqësive të tjera natyrore, në fushatat e ndihmës për të varfrit dhe projektet e krijimit të mundësive për punësim për ata që humbin punën, dhe kështu me radhë.

Liu dhuroi dhjetëra mijë juanë për të ndihmuar viktimat e zonave të përmbytura në vitin 1998 dhe 500 000 juanë për të luftuar varfërinë në kontenë Tongbai në vitin 2001. Ndërsa viti 2003 do të ishte një vit i spikatur për të në bamirësi. Gjatë fushatës kundër SARS-it atë vit, ajo dhuroi 30 000 juanë për policinë rrugore të Zhengzhou-t, për ta ndihmuar sadopak lidhur me detyrat e saj të shtuara për shkak të epidemisë. Po në vitin 2003, Liu E mbështeti pesë studentë të varfër për të vazhduar studimet universitare dhe ndihmoi më shumë se 200 të diplomuar të gjenin punë. Po atë vit ajo bëri dhurime edhe për të ndihmuar fëmijët e varfër në mbarë botën. Prandaj në nëntor të vitit 2003 autoritetet vendore e shpallën atë një nga "100 bamirësit më të mëdhenj të provincës Henan".

Liu E ka marrë po ashtu tituj si "Sipërmarrëse e dalluar kombëtare", "Individ i përparuar", "Dhjetë menaxherët kryesorë të sipërmarrjeve me rritje të shpejtë të Kinës" etj. Por një arritje tjetër do të ishte edhe më e veçantë për Liu E-së.

Në qershor të vitit 2003, Liu E u ftua të shkonte në Pekin për të marrë pjesën në konkursin "Zonja Globale". Ajo mësoi se asnjë grua kineze nuk kishte marrë pjesë në shtatë edicionet e fundit të këtij konkursi, gjë që ia shtoi përgjegjësinë e përfaqësimit të grave kineze.

Kërkesat ishin të larta: konkurrentet duhej të kishin të paktën diplomë universitare, të njihnin më shumë se një gjuhë të huaj, të ishin mbi 166 cm të gjata, të kishin një pamje të spikatur, një jetë të lumtur dhe harmonike familjare, një emër të mirë, si edhe të kishin dhënë ndihmesë të shquar në organizatat bamirëse. Por Liu E ishte plot besim, e po ashtu edhe i shoqi e përkrahu.

Disa ditë më vonë, Liu E shkoi në Pekin për të marrë pjesë në garën paraprake. 40-vjeçarja e asokohshme doli fituese ndaj 30 konkurrenteve të tjera, duke u bërë e vetmja kandidate e Kinës në konkursin "Zonja Globale".

Më 17 korrik 2003, Liu E shkoi në Shtetet e Bashkuara. Më 26 korrik, "Zonja Globale" u zhvillua në Los Anxheles dhe, ndër 47 kandidatet, Liu u la përshtypje shikuesve me një paraqitje të nivelit të lartë. Ajo fitoi vendin e pestë dhe mori edhe çmimin "Zonja e vullnetit të mirë globale".

Pesë ditë më vonë, Liu E u kthye në qytetin e saj duke u pritur me nderime. Me të mbërritur, e përlotur ajo u shpreh: "Kam fituar në emër të grave kineze dhe ndihem shumë krenare për këtë ..."

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China