PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Kinë, investimet e huaja në "fazën e re të zakonshme"
2015-09-01 16:21:34 CRI Komenti juaj Printoni

Pak kohë më parë, Konferenca për Tregtinë dhe Zhvillimin e Kombeve të Bashkuara (UNCTAD) publikoi "Raportin botëror të investimeve", ku thuhet se, për shkak të ndikimit të rënies së ekonomisë globale dhe paqëndrueshmërisë politike në disa rajone, investimet e drejtpërdrejta të huaja në mbarë botën për vitin 2014 pësuan një rënie me 16 %. Ndërkohë, sipas këtij raporti, Kina ka tërhequr 129 miliardë dollarë amerikanë investime të huaja, duke e kaluar kështu ShBA-në dhe duke u bërë destinacioni më i madh i investimeve të huaja.

Megjithatë, disa media ndërkombëtare po njoftojnë për largimin e investimeve të huaja nga Kina, duke u shprehur që një numër i madh kompanish të huaja i kanë mbyllur fabrikat e tyre në Kinë dhe i kanë tërhequr investimet jashtë ekonomisë së 2-të më të madhe të botës, duke lëvizur në vendet e Azisë Juglindore, ku ka burime njerëzore më të lira. P. sh., kompania japoneze e prodhimit të orëve "Citizen" shpalli në fillim të këtij viti mbylljen e bazës së vet të prodhimit në Guangzhou, ndërsa kompania amerikane "Microsoft" bëri të ditur që do të mbyllë fabrikat e celularit "Nokia" në Dongguan dhe Pekin dhe do të shpejtojë lëvizjen e pajisjeve të prodhimit drejt Vietnamit.

Lidhur me largimin e investimeve të huaja jashtë vendit, drejtori i Departamentit të Tregtisë së Jashtme të Ministrisë së Tregtisë Tang Wenhong shprehet:

"Mbyllja e këtyre ndërmarrjeve nga investitorët e huaj ka pasur ndikime shumë të vogla. Tani në Kinë nuk vërehet largim masiv i kompanive të huaja prodhuese."

Niveli i investimeve të këtyre kompanive të mbyllura ka qenë i vogël. Një gjë e tillë vihet re sidomos në sektorin e prodhimit, ku vëllimi mesatar i kompanive të mbyllura ishte vetëm 4.2 milionë dollarë amerikanë, më pak se një e treta e nivelit mesatar të kompanive të reja prodhuese.

"Shumica e kompanive të mbyllura mund të thuhet se janë të zbrazëta. Një e pesta ndër kompanitë që u mbyllën në vitet 2013 dhe 2014 kishin bërë investime të vazhdueshme brenda një periudhe më pak se 3-vjeçare, ndërsa kompanitë që nuk kishin realizuar aspak investime në këta dy vjet zinin përkatësisht 60.3 % dhe 63.2 %," bën të ditur Tang Wenhong.

Në qytetin Dongguan, që njihet si "fabrika e botës", gjatë vitit 2014 u mbyllën shumë kompani të huaja. 287 prej tyre, ose 70 %, ishin kompani përpunimi tradicional, që kërkonin krahë të shumtë pune. Ndërkohë, kompanitë me investime më pak se 3 milionë dollarë amerikanë ishin 384, duke përbërë afro 90 % të kompanive të mbyllura. Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Akademik pranë Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës, Zhang Yansheng, është i mendimit që, për shkak të produkteve me vlerë të ulët dhe investimeve të pakta, disa kompani të huaja janë larguar nga tregu kinez. Kjo është rrjedhojë e pashmangshme e rregullimeve strukturore makroekonomike që janë në zbatim.

"Këto kompani të huaja, që janë sensitive ndaj kostos, do t'i lëvizin linjat e përpunimit dhe të montimit nga delta e lumit Zhujiang në zonat e tjera," vëren Zhang Yansheng.

Ndërkohë që janë larguar disa kompani të huaja, në vitin 2014 u regjistruan 465 kompani të reja të huaja, me investime afro 4.3 miliardë dollarë. Gjithashtu, vitin e kaluar, numri i projekteve me investime të huaja në sektorin e shërbimeve është rritur në 260, nga 110 që ishte në vitin 2008. Për herë të parë, numri i projekteve me investime të huaja në sektorin e shërbimeve e kaloi atë të sektorit të prodhimit. Zv.drejtorja e Institutit të Studimeve të Tregtisë Ndërkombëtare pranë Ministrisë së Tregtisë Xing Houyuan shprehet:

"Shfrytëzimi siç duhet i investimeve të huaja është parimi ynë i përgjithshëm lidhur me këto investime dhe kjo do të vazhdojë në të ardhmen."

Nga janari deri në maj të vitit 2015, niveli i investimeve të huaja në Kinë ruajti rritjen e vazhdueshme. Gjatë kësaj periudhe, u regjistruan 9582 kompani të huaja dhe vëllimi i investimeve kapi vlerën e 771.55 miliardë juanëve, duke shënuar rritje përkatësisht me 9.6% dhe 40.8%.

"Në përgjithësi, vëllimi i investimeve është ruajtur në një nivel të qëndrueshëm dhe struktura është përmirësuar më tej, duke treguar një prirje të qëndrueshme rritjeje të madhe. Në sektorin e prodhimit të nivelit të lartë, investimet e huaja vazhduan të shënojnë rritje. Nga janari deri në maj, në këtë sektor janë tërhequr 5.8 % më shumë investime në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Industria kimike, farmaceutike e fotoelektronike dhe prodhimi i qarqeve të integruara kanë shënuar rritje të dukshme në shfrytëzimin e investimeve të huaja," thotë Tang Wenhong, drejtor i Departamentit të Tregtisë së Jashtme të Ministrisë së Tregtisë.

Ndryshe nga e kaluara, kur investimet e huaja ishin të përqendruara kryesisht në sektorin e prodhimit tradicional, investitorët e huaj tani kanë më shumë interes për sektorët e teknologjisë së lartë, si dhe sektorin financiar. Kryepërfaqësuesi i Bankës së Japonisë në Pekin, Tomoyuki Fukumoto, vë në dukje që tregu kinez është tërheqës dhe shumë kompani japoneze po mendojnë për shtimin e investimeve në Kinë.

"47 % e kompanive japoneze po marrin parasysh mundësinë e zgjerimit të biznesit në tregun kinez. Kjo do të thotë që investitorët kanë besim te kërkesa e brendshme në Kinë dhe gjendja në këtë treg. Krahas kësaj, në Kinë, ka një zinxhir të madh kompleks furnizimi," u shpreh Tomoyuki Fukumoto, kryepërfaqësuesi i Bankës së Japonisë në Pekin.

Tani, ekonomia kineze është futur në të ashtuquajturën "fazë e re e zakonshme" dhe rregullimi i strukturës ekonomike po përshpejtohet. Qysh nga viti 2013, kur përqindja e sektorit të shërbimeve në GDP e kaloi atë të industrisë, sektori i shërbimeve ka patur një rritje të pandërprerë. Deri në tremujorin e parë të këtij viti, ky sektor ka zënë 51.6 % të prodhimit të brendshëm bruto.

"Nga janari deri në maj, në sektorin e shërbimeve u regjistruan 6830 kompani të reja me investime të huaja dhe janë shfrytëzuar 33.94 miliardë dollarë amerikanë investime. Këto shifra janë përkatësisht 20.9 % dhe 23.5 % më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjatë kësaj periudhe, numri i kompanive të huaja që kryen blerje ose bashkime në Kinë arriti në 527, vëllimi i investimeve të huaja të kontratuara ishte 12.92 miliardë dollarë amerikanë dhe shfrytëzimi real i këtyre investimeve ishte 9.79 miliardë dollarë, duke u rritur përkatësisht me 20.9 %, 186.5 % dhe 333.8 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar," thotë Tang Wenhong, drejtori i Departamentit të Tregtisë së Jashtme të Ministrisë së Tregtisë.

(Jiang Lei)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China