20150825-hp |
Ying Lee, bashkëthemeluese dhe drejtore menaxhuese e kompanisë së investimeve "Yunfeng Capital", u largua që në moshë të re nga Kina bashkë me prindërit e vet për në Shtetet e Bashkuara. Ajo ishte një nxënëse e shkëlqyer në mësime dhe ka studiuar në një prej universiteteve më të njohura jo vetëm në ShBA, por edhe në mbarë botën, madje duke marrë tre diploma në tre vjet, në më pak se gjysmën e kohës që u nevojitej studentëve të tjerë. Ndonëse ka punuar që 20 vjeçe në disa prej kompanive më të njohura në botë, ajo ka pasur gjithmonë dëshirën të eksploronte aftësitë e veta në sipërmarrje.
Ying Lee ka lindur 35 vjet më parë në kontenë Mei të provincës Guangdong të Kinës Jugore, dhe fëmijërinë e një pjesë të adoleshencës e kaloi në Shenzhen, edhe ky një qytet në Guangdong, provincë e cila ishte në pararojë të Reformës e të Hapjes në Kinë.
Kur Ying Lee ishte në shkollë të mesme, prindërit e saj emigruan në Shtetet e Bashkuara. Ying në fillim ngurroi t'u bashkohej atyre, e trembur nga ai mjedis i ri dhe i panjohur që do të gjente në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, ajo bëri një marrëveshje me prindërit e vet. Do të shkonte në Shtetet e Bashkuara me ta vetëm nëse edhe aty ekzistonte rregulli që mund të hidhesh në klasa më të larta nga rezultatet e mira. Dhe meqë edhe në sistemin arsimor të ShBA-së ka një rregull të tillë, Ying Lee iu bashkua prindërve të vet. Duke qenë një nxënëse e shkëlqyer, ndonëse në një vend të huaj, në një mjedis të ri e duke përdorur një gjuhë që nuk ishte gjuha e saj amtare, ajo e përfundoi pjesën e mbetur të shkollës së mesme në Shtetet e Bashkuara në vetëm gjysmë viti.
Ky ritëm kaq i shpejtë i ecurisë së saj në studime do të vijonte edhe në shkollën e lartë. Pas përfundimit të shkollës së mesme kur ishte vetëm 17 vjeçe, Ying Lee mori oferta nga një numër universitetesh, duke përfshirë edhe disa prej më të njohurve, si MIT, Universiteti i Yale-s dhe Universiteti i Stanfordit.
Edhe pse ngurroi për një kohë të gjatë se cilin prej këtyre universiteteve prestigjioze duhej të zgjidhte, Ying Lee vendosi më në fund të studionte në MIT. "Doja që studimet e mia universitare të ishin në fushën e shkencave, për të hedhur bazat më pas për të studiuar në shkolla të arteve liberale, si universitetet e Yale-s apo Harvardit," thotë Ying-u.
Në MIT zakonisht duhen pesë-gjashtë vjet për të marrë një diplomë të studimeve universitare dhe një gradë "master", por Ying Lee-së iu deshën vetëm tre vjet. "Në MIT thonë se duhet të zgjedhësh dy ndërmjet këtyre tre gjërave: punës, gjumit dhe jetës shoqërore. Unë zgjodha të sakrifikoj gjumin," vë në dukje Ying Lee.
Dhe kështu në MIT ajo bënte detyrat teksa të tjerët ishin duke fjetur. "Shkarkimi i materialeve nga uebsajti i MIT-it, studimi i tyre dhe bërja e detyrave u bënë rutina e jetës sime", vëren Ying. "Rrallë shkoja në mësim, dhe në pjesën më të madhe studioja vetë për të fituar kreditet e kërkuara."
Puna dhe përpjekjet e saj u shpërblyen. Ying Lee u largua nga MIT-i kur ishte vetëm 20 vjeçe, dhe jo me një a dy, por me tre diploma në dorë: dy universitare për shkenca kompjuterike e ekonomi, si dhe një diplomë "master" në inxhinieri elektronike dhe shkencat kompjuterike.
Pastaj Ying Lee filloi punë si konsulente menaxhimi në firmën e "McKinsey & Company", me bazë në "Silicon Valley" të Kalifornisë. Por, ndërsa shumica e shokëve dhe e shoqeve të saj mendonin se Ying do të vendosej në këtë kompani, brenda dhjetë vjetëve të ardhshëm ajo punoi edhe në tre kompani të tjera.
"Unë gjithmonë dua të provoj diçka të re," vë në dukje Ying Lee. "Nuk më pëlqen jeta e rehatshme dhe të qëndruarit duarkryq. Kjo është arsyeja pse gjithmonë kërkoja të arrija t'i bëja gjërat sa më shpejt të ishte e mundur dhe të kaloja te diçka tjetër. Në universitet synoja t'i përfundoja studimet sa më shpejt të ishte e mundur, dhe tani unë dua të jap gjithçka për karrierën time dhe pastaj të dal në pension. "
Megjithatë, Ying Lee e pranon që lëvizja me ritme kaq të shpejta e ka bërë që të humbë disa gjëra. "Në universitet nuk ndoqa leksionet e disa profesorëve," vëren ajo. "Në karrierën time në katër kompani, mund të kisha grumbulluar më shumë përvojë."
Edhe pse punonte në një kompani me fame botërore se "McKinsey", Ying Lee gjithmonë e kishte të ngulitur në mendjen e vet idenë për të gjetur njerëz me mendime e ambicie si të sajat për të krijuar një "ekip ëndrrash", që të fillonte biznesin e vet.
Në "McKinsey" të gjithë kolegët e Ying Lee-së, që asokohe ishte në fillim të të 20-ave, ishin të moshës 50–60 vjeçe. "Kështu që unë bleva disa kostume në ngjyrë të zezë ose blu të thellë, dhe u përpoqa ta bëja veten të dukesha sa më e pjekur të ishte e mundur, të paktën 30 vjeçe," kujton duke buzëqeshue Ying Lee.
E megjithëse në një moshë aq të re, ajo ndihmoi mjaft kompani të përfshira në listën e 500 kompanive kryesore botërore të hartojnë strategjitë e tyre të menaxhimit të brendshëm, të marketingut e të blerjeve të kompanive të tjera.
Mentori i saj, një partner i vjetër i "McKinsey"-it i quajtur Chris, e pyeti një herë Ying Lee-në se çfarë donte të bënte me karrierën e vet.
Kur vajza e re i tregoi për idenë që kishte për të filluar biznesin e vet, Chris-i shprehu mbështetjen e vet, por e këshilloi që fillimisht ose të vazhdonte të punonte në "McKinsey" për disa vjet për të fituar përvojë, ose të punonte për kompani të tjera të konsoliduara për disa vjet, para se të kthehej në "McKinsey" si partnere. Megjithatë, Chris-i e këshilloi që më mirë të bënte këtë të dytën, duke e paralajmëruar që, nëse qëndronte për një kohë të gjatë në një vend, mund të mësohej aty e të mos kishte dëshirë të lëvizte: "Po të presësh shumë gjatë, mund të mos jesh e gatshme të largohesh prej rehatit. Veç kësaj, më vonë mund të krijosh edhe familjen tënde, kështu që mund ta kesh edhe më të vështirë për të ikur."
E nxitur nga Chris-i, Ying Lee filloi të mendojë për karrierën e vet. Pas disa kohësh, Behrooz Rezvani, që sapo kishte themeluar kompaninë e gjysmëpërçuesve të brezit të gjerë "Ikanos Communications", dëgjoi për këtë vajzë të re e të talentuar e për planet e saj dhe i kërkoi Ying Lee-së që t'i bashkohej kompanisë së tij për të mësuar diçka të ndryshme. "Kam dëgjuar që do që të fillosh biznesin tënd," i tha Rezvani Ying Lee. "Më mirë jo kaq shpejt. Të këshilloj që së pari të punosh në një kompani me kapitale të rrezikshme, që të jetë si njëfarë stërvitjeje për ty dhe të krijosh përvojën e duhur."
Fjalët e tij e bindën Ying Lee-në. Kështu Ying filloi punë në "Ikanos Communications", duke qenë në postin e drejtores së shitjeve dhe marketingut për Kinën. E reja ndihmoi për nënshkrimin e kontratave me tre kompanitë më të mëdha të telekomunikacionit në pjesën kontinentale të Kinës për blerjen e produkteve të brezit të gjerë të "Ikanos Communications", dhe të marrëveshjeve ekskluzive me katër kompanitë kryesore partnere të prodhimit me dizajn origjinal në Tajvan.
Po ashtu, falë edhe Ying Lee-së, kompania "Ikanos Communications" arriti të regjistrohet në bursën "Nasdaq" në ShBA.
Duke punuar për zgjerimin e "Ikanos Communications" në tregun kinez, Ying Lee u njoh me themeluesin dhe drejtuesin e "UTStarcom", Zhou Shaoning. Edhe me të Ying Lee pati të njëjtën bisedë si ajo që kishte pasur më parë me Chris-in dhe Behrooz Rezvani-n. Zhou Shaoning-u e këshilloi të renë që të fitonte përvojë menaxhimi, duke i ofruar një punë në kompaninë e vet. Ying Lee pranoi dhe u rikthye në Kinë. Por kjo nuk ishte shumë e lehtë. "Pas qëndrimit për shumë vjet në Shtetet e Bashkuara, isha bërë shumë e pamësuar me Kinën," thotë ajo.
Ying punoi si zëvendësmenaxhere e përgjithshme e njësisë së biznesit të televizionit të protokollit të internetit të "UTStarcom" në Hangzhou të provincës Zhejiang të Kinës Lindore.
Në këtë post Ying Lee krijoi dhe administroi njësi të shumta në të gjitha provincat e Kinës. Ajo ishte përgjegjëse për marketingun, zinxhirin e furnizimit, si dhe partnerët, që përfshinin operatorë kabllorë dhe institucione qeveritare. Brenda një viti e gjysmë, Ying Lee, në krye të ekipit të vet, e bëri "UTStarcom"-in udhëheqës tregu në fushën e televizionit të protokollit të internetit.
Në fillim të vitit 2006, Ying Lee u kthye në Shtetet e Bashkuara dhe iu bashkua firmës së kapitaleve me rrezik "Kleiner Perkins Caufield & Byers" (KPCB), edhe kjo një firmë me bazë në "Silicon Valley" të Kalifornisë. Ying Lee ishte partnerja më e re e kësaj firme. Në atë kohë, KPCB-ja po përpiqej të hynte në tregun kinez dhe Ying Lee ndihmoi në krijimin e degës së saj në Kinë, duke investuar edhe në kompani udhëheqëse të industrisë, si "Autonavi", "Venus Tech" dhe "Sungrow Power". Ying Lee po ashtu punoi nga afër me ekipet e menaxhimit të kompanive të portofolit të KPCB-së, duke përfshirë edhe "Google" e "Amazon", lidhur me strategjitë për zgjerimin e biznesit të tyre në Kinë.
Megjithatë, edhe pse ishte jashtëzakonisht e suksesshme, thellë në zemrën e vet Ying Lee e dinte se ajo çka dëshironte të bënte vërtet ishte të niste biznesin e saj, e bindur se tashmë e kishte përvojën e mjaftueshme dhe përgatitjen e duhur për ta bërë një gjë të tillë. Dhe kështu, kur Ma Yun-i, president i gjigantit kinez të internetit "Alibaba", diskutoi me të lidhur me ngritjen e një kompanie investimesh, Ying Lee nuk e la këtë rast t'i ikte nga dora.
Dhe kështu në janar të vitit 2010, Ying Lee, 30-vjeçare, por tashmë me dhjetë vjet përvojë në fushën operacionale dhe të investimeve, ishte një ndër themeluesit e firmës së investimeve "Yunfeng Capital", duke u bërë drejtore menaxhuese e kësaj firme dhe duke u fokusuar në shërbimet ndaj klientit, energjinë e pastër dhe teknologjinë e re.
Ying Lee flet shpesh për temën e saj të pëlqyer: shpejtësinë. Me kalimin e kohës ngjan se ajo ka filluar të besojë se gjërat e mira bëhen dalëngadalë dhe se po ashtu jeta është bërë për t'u jetuar dalëngadalë. "Siç duket, ndonjëherë është mirë t'i ngadalësosh ritmet për të krijuar mundësi dhe për t'i shfrytëzuar ato," vë në dukje 35-vjeçarja. "Në të kaluarën, gjithmonë mendoja t'i bëja gjërat sa më shpejt që të ishte e mundur: të diplomohesha menjëherë, të bëhesha partnerja ose presidentja më e re e një kompanie dhe gjëra të tjera të këtilla. Por tani mendoj se nuk ka arsye që t'i bësh gjërat me kaq nxitim."
Tani Ying-u beson se gjëja më kuptimplotë dhe më e rëndësishme është të bëjë gjërat pas së cilave është e apasionuar dhe që i krijojnë mundësinë të punojë me njerëz të cilët ajo i pëlqen dhe i admiron. Për sa i përket sektorit të investimeve, idhujt e Ying Lee-së janë Warren Buffett dhe ish- shefi i saj në KPCB, John Doerr.
"Shpresoj se do të jem po aq aktive sa ç'janë ata në këtë sektor edhe pas 30 - 40 vjetësh," thekson Ying Lee.
Ying Lee është një njeri me vullnet dhe e motivuar, kërkuese ndaj vetes dhe që kërkon gjithmonë të bëjë më të mirën. Ajo thotë se këto karakteristika i ka edhe falë ndikimit të edukatës që ka marrë nga prindërit e vet, veçanërisht i ati. "Familja jonë është një familje mjaft tradicionale. Edhe kur ndodheshim në ShBA, prindërit ndiqnin metodat tradicionale kineze të edukimit. Veçanërisht im atë është një perfeksionist dhe kërkesat e tij ndaj ne fëmijëve, mua dhe vëllait tim të vogël, ishin tepër të larta," shprehet Ying Lee.
Si një grua në karrierë, Ying Lee vë në dukje se nuk është shumë e lehtë të gjesh një ekuilibër ndërmjet punës dhe jetës, por thotë: "Unë mundohem ta gjej këtë ekulibër në këtë mënyrë: kur punoj, i përkushtohem e gjitha punës; kur argëtohem, përpiqem që as të mos e çoj fare mendjen te puna."
Vitet e fundit Ying Lee mundohet të bëjë një jetë sa më të shëndetshme, duke medituar dhe duke ngrënë ushqime organike. Ajo po ashtu i është studimit të filozofisë dhe kulturës tradicionale kineze, për të cilat thotë se kanë qenë me përfitime mjaft të mëdha për të si në punë, ashtu edhe në jetën e përditshme.