PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Guçe: Shpresoj që Shqipëria të ndjekë modelin më të mirë kinez
2015-08-11 14:57:16 CRI Komenti juaj Printoni

Kina ka nisur tashmë që prej tre vjetësh mekanizmin e bashkëpunimit me Europën Qendrore e Lindore, duke thelluar shkëmbimet me vendet e këtij rajoni në fusha të ndryshme, përfshirë edhe ato të tregtisë e të investimeve. Për të forcuar më tej marrëdhëniet ekonomike e tregtare Kinë-Europë Qendrore e Lindore, në Ningbo të Kinës Lindore organizohet Panairi i Produkteve të Vendeve të Europës Qendrore e Lindore, ku marrin pjesë edhe kompanitë shqiptare. Për të folur më shumë lidhur me përfaqësimin e biznesit shqiptar në këtë panair, për masat e marra për depërtimin sa më të madh të kompanive shqiptare në tregun gjigant kinez e për sfidat që dalin, si edhe më gjerë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë, CRI Shqip i mori një intervistë drejtorit për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme dhe për zhvillimin e eksporteve në Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Daniel Guçe. Le të ndjekim në vijim këtë intervistë.

Këtu në Kinë, pas panarit, si të vjetshëm, ashtu edhe të sivjetshëm, shumë njerëz na kanë pyetur ku mund t'i gjejnë produkte të tilla në tregun kinez.

Pra, ku mund t'i gjejnë ata produktet shqiptare: në internet, në ndonjë dyqan a supermarket?

Për këtë keni shumë të drejtë dhe kjo është edhe një nga pyetjet që i intereson më shumë publikut, kur flasim për produktet shqiptare të cilat janë prezente në tregun e Kinës. Ndoshta konsumatori kinez nuk i njeh emrat e produkteve dhe nuk ka se si t'i identifikojë ato. Keni të drejtë, është pak e vështirë mënyra e identifikimit të produkteve shqiptare, se ku janë ato prezente në tregjet kineze. Po e marr këtë si një vërejtje. Por ndoshta edhe nëpërmjet uebsajtit tuaj dhe radios suaj mund të bëjmë një marketim, një promovim të produkteve shqiptare, nëpërmjet një baze të dhënash apo emrash kompanish të cilat janë në tregun kinez aktualisht, duke filluar që nga çajrat, vaji, mjalti, verërat, pra disa produkte të agroindustrisë të cilat kanë interes edhe për konsumatorin kinez.

Tani në tregun kinez ka kërkesë nga konsumatorët për produktet shqiptare dhe në tregun shqiptar ka prodhim, ka eksport për në Kinë. Tani mungon vetëm pjesa e ndërmjetme, pjesa qendrore që i lidh këto dy tregje që kanë interes për njëra-tjetrën. Çfarë planesh keni për t'i nxitur më tej lidhjet mes dy tregjeve?

Së pari, përveç formave të pjesëmarrjes në panaire ndërkombëtare, referuar edhe Panairit të Ningbos, ne në agjendën tonë kemi parashikuar që të organizojmë edhe takime mes bizneseve, qoftë në mënyrë të përgjithshme, pra duke përfshirë disa sektorë të industrisë, qoftë në formë të veçuar. Shpresojmë që brenda vitit 2015 ose fillimit të vitit 2016 ta nisim këtë me Dhomën e Tregtisë të Ningbos, për të mundësuar njohjen e kompanive shqiptare me kompani kineze dhe për të arritur një partneritet të mundshëm, qoftë partneritet në kapital, por qoftë edhe në distribucion, pra kompani të ndryshme kineze mund të marrin produkte shqiptare dhe t'i marketojnë e shpërndajnë ato në tregun kinez; ose qoftë edhe e anasjella, pra kompani shqiptare mund të identifikojnë produkte cilësore kineze dhe t'i bëjnë pjesë të tregut shqiptar. Pra, konferencat dhe takimet e përbashkëta të biznesit që mund të organizohen nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, janë një mënyrë e mirë për të rritur eksportet ose partneritetin me Kinën dhe për t'i forcuar marrëdhëniet tregtare.

Dy herë keni marrë pjesë në Panairin e Ningbos. A keni në plan të merrni pjesë përsëri vitin tjetër në këtë panair të madh?

Po, patjetër. Vitin e kaluar delegacionin e udhëhiqte ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Arben Ahmetaj. Ishte një hap i parë i dhënies së mundësisë kompanive shqiptare për të marrë pjesë në panaire të mëdha, siç është Panairi i Ningbos, dhe për të krijuar besueshmërinë e partnerëve kinezë për të forcuar marrëdhëniet tregtare me kompanitë shqiptare, ndërsa këtë vit Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve nëpërmjet fondit të konkurrueshmërisë u bë vetë pjesëmarrëse në këtë panair. Në vitin e dytë vetë Agjencia jonë i ka asistuar kompanitë shqiptare për të qenë pjesë në Panairin e Ningbos, që nga dokumentet e aplikimit e deri te financimi. Është një mundësi e mirë që u jepet kompanive shqiptare nga qeveria kineze, pasi stendat aty janë falas, pra pavijoni shqiptar, por edhe të tjerët, janë falas, gjë që redukton një pjesë të mirë të shpenzimeve, dhe, nga viti në vit, ka interes që të rritet numri i ndërmarrjeve. Ne këtë vit ishim me tetë kompani pjesëmarrëse në këtë panair, por besoj që vitin që vjen mund të jemi edhe me dyfishin. Kjo varet edhe nga kapacitetet që do të ketë vetë panairi për të pranuar kompanitë shqiptare.

Përmendët disa herë fjalën kyçe "financim". A keni menduar ndonjëherë të merrni financime nga Kina, e cila ka tani një strategji të madhe shtetërore të quajtur "Një Brez dhe Një Rrugë"?

Strategjia e zhvillimit e Kinës "Një Brez dhe Një Rrugë" është një nga mundësitë më të mira për të rritur kapacitetet tona dhe për të forcuar bashkëpunimin. "Një Brez dhe Një Rrugë" është një platformë e re për të dyja vendet, që ne mund ta shikojmë edhe nga mundësitë e financimit, duke përfituar edhe nga fondet e ndryshme të qeverisë kineze. Dëshirojmë të bashkëpunojmë me Kinën në disa fusha të ndryshme. Duke qenë se vetë projekti përmban diku te 60 vende, me 4.4 miliardë banorë, me një GDP 2.1 trilionë dollarë amerikanë, dhe duke parë që është një mundësi e mirë për Shqipërinë bërja pjesë në këtë strategji zhvillimi të Kinës, sigurisht që ne do t'i shikojmë të gjitha mundësitë për të rikthyer atë bashkëpunim të mëparshëm ekonomik, sepse siç e dini Kina ka kontribuar shumë në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Qeveria kineze ka bërë një sërë investimesh në Europën Qendrore e Lindore dhe udhëheqësit kinezë kanë bërë vizita në këto vende. Për ju është një gjë stimuluese, apo jo, pasi Kina si ekonomia e dytë e botës po shton investimet në këtë rajon, dhe Shqipëria është një nga vendet kryesore në këtë rajon, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor...

Format e financimit vijnë në mënyra të ndryshme, në formë grantesh nga qeveria kineze, po nuk mund të lë pa përmendur që investitorë kinezë e kanë parë si shumë atraktive Shqipërinë për të investuar. Dhe do të përmendja "Rrugën e Arbrit", për të cilën përfundojnë shumë shpejt negociatat e detajuara. Ka pasur interes të drejtpërdrejtë në energji, hidrokarbure, infrastrukturë, porte, logjistikë. Jemi në proces të avancuar për sa i përket Zonës së Lirë Ekonomike të Spitallës, që po ndërtohet tani, me kompani shumë serioze kineze, që mund të ndryshojë edhe vëllimin e prodhimit në Shqipëri. Sipas mendimit tonë, nisur nga interesi i shfaqur nga investiorët kinezë, iniciativat më serioze janë ato në sektorin e bujqësisë, si një sektor i studiuar mirë nga kompanitë kineze për të investuar.

Investimet kineze a kanë ndihmuar në shtimin e lidhjeve tregtare mes dy vendeve, ose për shembull në prodhimin e produkteve bio?

Kjo është një infrastrukturë që po krijohet dhe mbetet për t'u parë në vazhdim, po sigurisht që është një strategji e mirëmenduar për sa u përket investitorëve në Shqipëri dhe për krijimin e kapaciteteve të rritjes së prodhimit në vendin tonë. Metodat teknologjike kineze të përdorura në Shqipëri sigurisht që janë të avancuara dhe sigurisht që do të ndihmojnë në zhvillimin e sektorit të bujqësisë, të turizmit, apo edhe të hidrokarbureve. Shqipëria nga dita në ditë po ndryshon dhe shpresoj që të marrim modelin më të mirë kinez për ta sjellë në Shqipëri në disa sektorë ku Kina ka pasur sukses.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China