20150804HP |
Tibeti ka qenë një rajon historikisht i varfër, për shkak të relievit e të pozitës gjeografike, por jo vetëm të tyre, dhe jeta e banorëve të tij ka qenë mjaft e vështirë. Megjithatë, veçanërisht në këta më shumë se 30 vjetët e fundit, edhe aftësitë sipërmarrëse të tibetianëve janë çliruar dhe jeta e tyre është bërë më cilësore dhe më e begatë.
Në Dian, një fshat i vogël i prefekturës Shigatse, në Rajonin Autonom të Tibetit në Kinën Perëndimore, një shtëpi luksoze e stilit tibetian spikat në grupin e ndërtesave të tjera. Pronari i shtëpisë është Pudani, një ish-bujkrob, ose "vegël pune me gojë" siç ishin për pronarët e tyre bujkrobërit në Tibet më shumë se 50 vjet më parë.
Shtëpia, që është e mobiluar me shije dhe që ka kushtuar më shumë se një milion juanë (160 mijë dollarë), ka një arkitekturë tipike tibetane. 20 tryeza janë vendosur në dhomën e ndenjies me sipërfaqe 70 metra katrorë. Në mes të tryezave janë të vendosura komplete kupash të praruara vere.
I zoti i shtëpisë, Pudani 69-vjeçar, është një drejtues makine me përvojë, që ka prej afro 25 vjetësh një biznes transporti.
Me vetullat të vrenjtura, Pudani kujton jetën e tij të mjerueshme si bujkrob. "Punonim shumë ditë e natë, dhe përsëri nuk mund ta përfundonim punën e rëndë që na ngarkohej. Nuk kishim ushqim të mjaftueshëm për të ngrënë dhe rroba për të veshur," thotë 69-vjeçari.
Në vitin 1983, Pudan-i bleu një kamion dhe me të filloi biznesin e transportit. Prej atëherë, fati i tij ndryshoi. Pas vitesh përpjekjesh, Pudani është bërë një milioner i suksesshëm, i cili zotëron gjashtë kamionë.
Që prej pesë vjetësh, të ardhurat vjetore neto të biznesit të tij i kanë kaluar 1 milion juanët
Megjithatë, Pudani është vetëm një prej milionerëve të fshatit Dian. Të ardhurat neto për frymë të banorëve të këtij fshati i kalojnë 10 000 juanët, dhe pjesa më e madhe e tyre ka ardhur nga biznesi i transportit.
Bujkrobërit e dikurshëm tani banojnë në shtëpi të mira, më të mira se të të zotërve të tyre në Tibetin e dikurshëm.
"Unë kam tani një ekip ndërtimi, kështu që kam mundësi të ndihmoj në punësimin e më shumë njerëzve", shprehet Pudani.
Pudani ka gjithashtu një punishte për bërjen e thikave tibetiane, ku punon mjeshtër Pudawa nga konteja Lhatse e Shigatse-s.
Me lulëzimin e turizmit, thikat tibetiane që prodhohen në punishten e Pudan-it janë bërë të pëlqyera nga turistët, si vendës, ashtu edhe të huaj, dhe biznesi ecën mirë si në tregun e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Sipas Pudanit, një thikë me mill prej bronzi kushton 150 juanë (afro 25 dollarë), ndërsa prej argjendi më shumë se 1 800 juanë (290 dollarë). Falë mjeshtërisë së trashëguar, mjeshtër Pudawa arrin të fitojë deri në 60 000 juanë në vit (afro 10 mijë dollarë).
Një tjetër fshat tibetian që ka hyrë tashmë në rrugën e pasurimit është Nierixiong-u. Në të kaluarën edhe ky fshat ka vuajtur nga varfëria dhe bujkrobëria. 'Bujkrobërit nuk kishin as lirinë më të vogël. Por tani ne mund të zgjedhim të bëjmë çdo punë që na pëlqen", thotë Lhakpa, një banor i fshatit Nierixiong, të ardhurat vjetore të të cilit kanë arritur tashmë më shumë se 60 000 juanë.
Lhakpa shprehet se pushteti vendor i ka ndihmuar fshatarët e Nierixiong-ut të hyjnë në shtëpi të reja. Duke rritur lopë qumështore dhe pula tibetiane, banorët e këtij fshati ia kanë dalë mbanë të bëjnë një jetë të rehatshme me të ardhura të mira.
Dhe jo vetëm në këtë fshat produkte të tilla kanë sjellë një jetë më të mirë. I ashtuquajturi "sektor i tokës së pastër" ka sjellë pasurimin e banorëve në mbarë Tibetin, falë produkteve të pastra e organike që prodhohen në këtë rajon.
Gjatë viteve të fundit, konteja Chushur në qytetin e Lhasës ka zhvilluar "sektorin e tokës së pastër e të shëndetshme" dhe baza eksperimentale për këtë qëllim është zgjeruar nga 8.5 hektarë në 2012 në 33 hektarë sot. Llojet e produkteve që prodhohen këtu, po ashtu janë shtuar nga 3 në më shumë se 20, duke përfshirë pjeshkën e dëborës, duhanin organik, tulipanin, lulevjeshtën e borës Tianshan, shafranin, vezët tibetiane, derrat tibetianë, mishin e jakut, ujin mineral të rrafshnaltës etj. Këto të cilësuara "produkte thesar", të prodhuara në rrafshnaltën e mbuluar me borë, kanë marrë tani markën "Toka e pastër e Lhasës" dhe janë bërë një kartëvizitë e re për konsumatorët nga mbarë Kina për të shijuar sektorin e tokës së pastër të Tibetit.
Duke filluar nga shtatori i vitit 2013, Lhasa u bë udhëheqëse e vënies në jetë të idesë së zhvillimit "sektorit të tokës së pastër e e të shëndetshme", e cila ndërthur industrinë, bujqësinë dhe shërbimet, por duke u mbështetur në bujqësinë dhe blegtorinë organike të rrafshnaltës, për të krijuar pak nga pak markën e veçantë "Toka e pastër e Lhasës".
"Tani problemi më i madh që na ka dalë përpara, është prodhimi, mungesa e mallrave, që bën të mos përmbushet kërkesa e klientëve që sa vjen e shtohet," vëren Kalsang Tsering-u, drejtor i pularisë së fshatit Gachong në kontenë Doilongdeqen të Lhasës. Kalsang Tsering-u bën të ditur se kjo pulari ka një prodhim vjetor prej më shumë se 200 000 vezësh të pulave tibetiane, por edhe pse çmimi është deri në dy herë më i lartë se i vezëve të zakonshme, përsëri furnizimi me këto vezë është i pamjaftueshëm.
Vezët e pulave tibetiane janë natyrore dhe organike, me vlera ushqyese më të larta se vezët e zakonshme. Në sajë të kërkesës në rritje të njerëzve për ushqim të shëndetshëm, ato janë mjaft të parapëlqyera nga turistët që shkojnë në Tibet.
Produktet e "tokës së pastër e të shëndetshme" parapëlqehen mjaft nga konsumatorët pikërisht për shkak të të qenit të tyre natyrore dhe të dobishme për shëndetin. Dhuratat e markës "Toka e pastër e Lhasës" janë ndër suveniret më të parapëlqyera nga turistët në Tibet.
Në shtator të vitit të kaluar, produktet e shëndetshme të "Tokës së pastër e Lhasës" filluan të shiten në platformën e tregtisë elektronike "Jingdong", duke bërë që konsumatorët në mbarë Kinën të shijojnë produktet natyrore, të shëndetshme, të gjelbra dhe ekologjike të ardhura drejtpërdrejt nga Tibeti. "Kohët e fundit kam blerë qumësht në internet dhe fëmijët e mi e pëlqejnë shumë. Kam besim te produktet e qumështit nga Tibeti, pasi ato janë të pandotura dhe më të shëndetshme," komentoi një përdoruese interneti pas blerjes së produkteve të "Tokës së pastër e Lhasës" në uebsajtin e "Jingdong"-ut.
Marka "Toka e pastër e Lhasës" është e parapëlqyer edhe në Tibet e jo vetëm jashtë tij. "Perimet dhe frutat e 'Tokës së pastër të Lhasës" që shiten drejtpërdrejt nëpër kamionë, janë të freskëta dhe të pastra dhe shumë më të lira se ato në supermarkete dhe në tregjet e fruta-perimeve," thotë Pazang-u, një qytetar i Lhasës.
Kalsang Yangzom-i, drejtues i Kompanisë së Zhvillimit të Sektorit të Tokës së Pastër e të Shëndetshme të Lhasës, mendon se sektori i tokës së pastër e të shëndetshme duhet të mbështetet në përparësitë e tokës, ujit dhe ajrit të pandotur që ka Lhasa.
Nyima Tashi, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave Bujqësore të Tibetit, thotë se zhvillimi i sektorit të tokës së pastër e të shëndetshme mbështetet në gjendjen e Lhasës, rregullimin e strukturës së prodhimit dhe kërkesën e konsumatorëve për sigurinë ushqimore. Sipas Nyima Tashi-t, marka e "Tokës së pastër e Lhasës" i plotëson kërkesat e tregut dhe shfrytëzon përparësitë e sektorëve rajonalë, duke u bërë një markë e rëndësishme e Tibetit dhe duke sjellë pasurimin e banorëve të tij.