PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Daniel Guçe: Shqipëria, paraqitje dinjitoze në Panairin e Ningbos
2015-08-05 17:05:57 CRI Komenti juaj Printoni

Kina ka nisur tashmë që prej tre vjetësh mekanizmin e bashkëpunimit me Europën Qendrore e Lindore, duke thelluar shkëmbimet me vendet e këtij rajoni në fusha të ndryshme, përfshirë edhe ato të tregtisë e të investimeve. Për të forcuar më tej marrëdhëniet ekonomike e tregtare Kinë-Europë Qendrore e Lindore, në Ningbo të Kinës Lindore organizohet Panairi i Produkteve të Vendeve të Europës Qendrore e Lindore, ku marrin pjesë edhe kompanitë shqiptare. Për të folur më shumë lidhur me përfaqësimin e biznesit shqiptar në këtë panair, për masat e marra për depërtimin sa më të madh të kompanive shqiptare në tregun gjigant kinez e për sfidat që dalin, si edhe më gjerë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë, CRI Shqip i mori një intervistë drejtorit për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme dhe për zhvillimin e eksporteve në Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Daniel Guçe. Le të ndjekim në vijim këtë intervistë.

Z. Daniel, përshëndetje në emër të Radios së Jashtme të Kinës (CRI Shqip). A mund të na prezantoni së pari, kush jeni ju dhe çfarë titulli keni në AIDA?

Unë jam Daniel Guçe dhe jam drejtor për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (SME) dhe për zhvillimin e eksporteve në Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA). AIDA është një institucion në varësi të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, e cila ka në misionin e saj tërheqjen e investitorëve të huaj në Shqipëri, rritjen e konkurrueshmërisë dhe të kapaciteteve të SME-ve shqiptare, si edhe mundësinë për partneritet të kompanive shqiptare me kompani ndërkombëtare, rajonale apo edhe lokale.

A mund të na bëni një prezantim të përgjithshëm për gjendjen e tanishme të tregtisë mes ndërmarrjeve kineze dhe atyre shqiptare? Si është importi dhe eksporti mes dy palëve?

Dy vjetët e fundit, në marrëdhëniet tregtare me Kinën, ka një përmirësim të konsiderueshëm në raport me vitin 2013, duke iu referuar edhe statistikave të INSTAT-it. Gjatë vitit 2014, eksportet me Kinën janë përmirësuar ndjeshëm. Vlera e eksporteve me Kinën është rreth 54 milionë euro, që i bie 3.4 % e totalit të eksporteve shqiptare. Edhe importi nga Kina sigurisht që është rritur krahasuar me vitin 2012, është 7.3 % e totalit të importeve, ose 227 milionë euro, dhe Kina është partneri i tretë i Shqipërisë në importe. Pra kemi një përmirësim në dy vjetët e fundit të bashkëpunimit tregtar me Kinën dhe Kina mbetet një nga partnerët tanë kryesorë, qoftë për importet, qoftë për eksportet.

Si drejtor për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në AIDA, si mendoni, cili është më i rëndësishëm për ndërmarrjet shqiptare, importi apo eksporti? Sepse në dy vjetët e fundit keni dërguar një grup sipërmarrësish për të marrë pjesë në Panairin e Ningbos, që është një nga panairet më të mëdha e më të rëndësishme në Kinë dhe ndërmarrjet shqiptare kanë pasur një paraqitje shumë të mirë aty, apo jo?

Po, është e vërtetë, dhe faleminderit që ma përforconi këtë mendim për kompanitë shqiptare që marrin pjesë në Panairin e Ningbos. Ndër 16 vendet e rajonit të Europës Qendrore dhe Lindore që marrin pjesë në Panairin e Ningbos, Shqipëria ka bërë një paraqitje dinjitoze, qoftë vitin e kaluar, qoftë edhe këtë vit, ku AIDA ka qenë misionare e përfaqësimit të kompanive shqiptare në Panairin e Ningbos. Sigurisht, qëllimi ynë është përmirësimi i kapaciteteve të eksportit kundrejt importit tregtar lidhur me Kinën, dhe është një treg i synuar nga kompanitë shqiptare, meqë është një treg i madh. Shqipëria është një treg me 2.5 milionë konsumatorë, kështu që ne, në vazhdim, do të përpiqemi për të përmirësuar kushtet që ndërmarrjet shqiptare të jenë prezente në tregun kinez, për ta parë atë si një treg të synuar dhe në vazhdimësi për të përmirësuar cilësinë e produkteve, për të qenë prezentë dhe konkurrentë në tregun kinez. Ne kemi mundësi financiare, grante shtetërore ose skema të ndryshme financiare që bëjnë të mundur pjesëmarrjen e kompanive shqiptare në panairet e Kinës, dhe sidomos në Panairin e Ningbos, që është një nga panairet më të rëndësishme. Kjo nuk ngelet vetëm në kuadrin e prezantimit, por zgjerohet më tej agjenda kur ne vijmë në Kinë, duke bërë takime të ndryshme me biznesin kinez, duke rritur mundësinë e partneritetit, që të kthehemi pas në Shqipëri me kontrata. Pra të kemi një feedback të shpejtë, që do të thotë brenda dy vjetësh të rrisim kapacitetet ose shifrën aktuale të eksportit shqiptar kundrejt Kinës. Sot që ne flasim, sektorët ku ne jemi prezentë në tregun kinez janë manifaktura, agroindustria, agropërpunimi, industria kimike dhe plastike. Në të njëjtën kohë, Shqipëria nuk mbetet pas për investitorët kinezë, jo vetëm për tregtarët, për të investuar në sektorët potencialë, si energjia, transporti, infrastruktura apo turizmi, gjë që do të konsolidojë akoma më tej marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Kinës, teksa sapo kemi kremtuar 65-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-kineze.

Çfarë masash konkrete keni marrë për forcimin e lidhjeve tregtare mes dy vendeve?

Ka disa skema që po zbaton agjencia jonë. Janë pesë fonde që bëjnë të mundur rritjen e kapaciteteve të kompanive shqiptare; njohjen me tregjet e ndryshme, ku ne paraqesim rregulloret për tregun e Kinës apo të vendeve të tjera të Lindjes së Largët. Këto fonde janë fondi i konkurrueshmërisë, fondi i novacionit, fondi i artizanatit, fondi i grave në sipërmarrje dhe fondi në mbështetje të sipërmarrjeve të reja "start up". Të gjitha këto janë fonde shkojnë drejtpërdrejt te bizneset dhe u japin mundësinë atyre të rritin kapacitetet e tyre, qoftë në ambalazhim, qoftë në certifikimin e tyre e të produkteve, për pjesëmarrjen në panaire ndërkombëtare, për përditësimin teknologjik të kompanive. Pra, shkojnë në disa pika të rëndësishme të biznesit të gjitha këto mundësi. Jo vetëm agjencia jonë ka skema të tilla financimi, por edhe agjenci të ndryshme, si OQBE-ja, që bën rimbursimin e investimit të kompanive, sidomos të atyre në fushën e agrobiznesit. Ka edhe skema të tjera që jepen si grante nga BE-ja për të ndihmuar kompanitë shqiptare, për të ngritur kapacitetet e tyre dhe për të përmirësuar marketingun, për të shtuar stafin apo për të njohur tregjet, për të qenë konkurrentë aty.

Ndërmarrjet shqiptare në Panairin e Ningbos marrin pjesë kryesisht me produkte bio, gjë që është një veçanti vërtet interesante për konsumatorët këtu në Kinë. A mund të na prezantoni një nga përfaqësueset e ndërmarrjeve shqiptare që merren me këtë biznes bio?

Aty ka pasur disa dhe mund të them që 95 % e tyre janë kompani cilësore dhe patjetër prodhimet e tyre janë bio, dhe bio të certifikuara, jo thjesht që këto kompani e njohin produktin e tyre si bio.

Unë do të përmendja një kompani të çarjave dhe erëzave siç është "ATC Natural". Është një kompani shumë e mirë dhe ne na bën të jemi dinjitozë për sa i përket produktit të tyre në eksport, veçanërisht në tregje siç mund të jetë Kina. Kjo kompani vitin e kaluar u paraqit në Panairin e Ningbos. Kjo kompani ka rreth 198 bimë me origjinë shqiptare, duke përfshirë nga çajrat deri tek erëzat, dhe i ka të gjitha certifikimet ndërkombëtare për të qenë prezente në tregjet e mëdha e të konsoliduara siç është tregu i Kinës. Pra është një kompani që konkurron me produktin, konkurron me cilësinë, e bën Shqipërinë të jetë prezente në tregun kinez.

Për produktet shqiptare, veçanërisht ato bio, konsumatorët kinezë kanë vërtet interes të madh. A mund të na prezantoni një ose dy produkte përfaqësuese të prodhuara nga ndërmarrjet shqiptare?

Kompanitë shqiptare sa po vijnë dhe po futen në tregje. Për to e rëndësishme është që konkurrojnë në tregjet e huaja ose në ato të panjohura për Shqipërinë ose për produktet shqiptare me produkte bio, që e bëjnë Shqipërinë të jetë e përfaqësuar në mënyrë më dinjitoze në tregjet ndërkombëtare dhe sigurisht në tregun kinez.

Unë do të thosha që jo vetëm konsumatori kinez është i interesuar për produktet bio, por edhe për shkak të marrëdhënieve që kemi pasur, ka një interes shumë të madh nga konsumatori kinez për kompanitë shqiptare. Unë do të shtoja për kuriozitetin tuaj që në vitet '60 fidanë ulliri shqiptarë janë çuar në Kinë dhe në disa rajone të Kinës është duke u kultivuar varieteti shqiptar i ullirit. Ne sigurisht që kemi kompani shqiptare të cilat përfaqësohen në tregjet ndërkombëtare me produktet bio, por unë do të ndalesha te kapacitetet që ka Shqipëria për të qenë prezente në tregun kinez, duke e ditur që është nga tregjet më të mëdha në botë. Ne përfaqësohemi me produktet bio në Panairin e Ningbos. Unë do të përmendja një nga kompanitë tona më të mëdha eksportuese me 22 vjet eksperiencë në treg, që është kompania "ATC Natural" dhe bën eksportin e bimëve mjekësore, bën eksportin e 198 bimëve shqiptare, që nga çajërat deri tek erëzat, në disa vende të botës, dhe është edhe prezente në tregun kinez që pas dy vjetëve pjesëmarrje në Panairin e Ningbos, që kanë qenë të suksesshëm për sa u përket kontratave që ka arritur kjo kompani. Kapacitetet e Shqipërisë janë shumë të mëdha për të qenë prezente në tregun kinez, sepse ne jemi të parët në Europë për eksportin e bimëve mjekësore dhe jemi të 13-t në botë.

Një produkt tjetër ku do të ndalesha është vaji i ullirit. Varieteti shqiptar është shumë tipik në rajonin mesdhetar. Ne jemi përfaqësuar me "Extra Virgin" të vajit të ullirit në Kinë. Jemi prezentë nëpërmjet një kompanie e cila ishte edhe pjesëmarrëse në Panairin e Ningbos, qoftë në atë të vitit 2014, qoftë edhe në atë të qershorit të këtij viti, 2015. Kjo kompani është "Dhërmiu Olive Oil" që eksporton në Kinë, eksporton në ShBA, eksporton në Gjermani. Është një kompani shumë e mirë dhe ka mundësi për të qenë prezente në disa tregje, në disa rajone të Kinës. Po Shqipëria mund të organizohet në tip korporate për sa i përket eksportit të vajit të ullirit dhe për të qenë prezente aty, jo vetëm si sipërmarrje të veçanta, por në formë korporate mund të jenë të gjitha bashkë prezente në Kinë.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China