PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Banka e BRICS-it, shembull bashkëpunimi për zhvillimin shumëpalësh
2015-07-29 16:04:08 CRI Komenti juaj Printoni

Pak ditë më parë, në Shangai të Kinës Lindore u përurua Banka e Re e Zhvillimit e Vendeve të BRICS-it (Banka e BRICS-it), e cila parashikohet që të futet zyrtarisht në funksionim në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2016.

Misioni i Bankës së BRICS-it është që të ofrojë fonde për vendet e BRICS-it (Brazil, Rusi, Indi, Kinë, Afrikë e Jugut), si edhe për tregjet e reja dhe vendet në zhvillim, për ndërtimin infrastrukturor dhe zhvillimin e vazhdueshëm. Në fillim të korrikut u zhvillua mbledhja e parë e bordit të guvernatorëve të Bankës së BRICS-it, ku u shpall formimi zyrtar i kësaj banke të re.

Në ceremoninë e përurimit në Shangai, ministri i Financave i Kinës Lou Jiwei u shpreh se Banka e BRICS-it, si një bankë shumëpalëshe zhvillimi e krijuar nga ekonomitë e reja, do të përqendrohet tek kërkesat e vendeve në zhvillim, do të respektojë vendet në zhvillim dhe do të paraqesë konceptet e vendeve në zhvillim.

"Banka e BRICS-it do të mbështetë ndërtimin infrastrukturor, gjë që do të zbutë shtrëngesat që kanë përballuar prej kohësh ekonomitë e reja dhe vendet në zhvillim. Kjo bankë do të japë përkrahje të fortë për rregullimin strukturor e përmirësimin dhe shtimin e ritmeve të zhvillimit të ekonomisë reale, dhe do të ndikojë në ruajtjen e prirjes pozitive të zhvillimit ekonomik. Si një bankë zhvillimi e krijuar nga ekonomitë e reja, Banka e BRICS-it do t'u kushtojë më shumë rëndësi kërkesave të vendeve në zhvillim, do të respektojë më shumë gjendjen e vendeve në zhvillim dhe do të pasqyrojë konceptet e zhvillimit të vendeve në zhvillim. Kjo sigurisht do të jetë në të mirë të pasurimit të përvojave konkrete të zhvillimit të vendeve të ndryshme dhe të përmirësimit të efektivitetit në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillimin."

Sipas statutit, kapitali i Bankës së BRICS-it do të jetë 100 miliardë dollarë amerikanë, ndërsa kapitali fillestar 50 miliardë dollarë, i cili do të paguhet në mënyrë të barabartë nga pesë vendet anëtare të bankës. Kështu, çdo vend anëtar do të ofrojë 20 % të kapitaleve,domethënë 10 miliardë dollarë. Selia e Bankës së BRICS-it ndodhet në Shangai dhe presidenti i saj do të zgjidhet me rotacion nga pesë vendet themeluese. Presidenti i parë është nga India dhe quhet Kundapur Vaman Kamath.

Duke folur për planin e vet për të ardhmen e bankës, Kamath u shpreh se ai mendon që të shfrytëzojë tregjet e kapitaleve të vendeve anëtare për të siguruar financim në monedhat vendore. Kështu, sipas tij, mund të pakësohet kostoja e financimit me monedhat kryesore botërore. Presidenti i Bankës së BRICS-it vuri në dukje që në Shangai ka treg bonosh me RMB, duke shpresuar që ta përdorë këtë treg për financimin e parë me bono për Bankën e BRICS-it. Kjo, sipas tij, mund të përdoret si një rezervë fondesh për Bankën e BRICS-it. Kamath u shpreh po ashtu që vendet anëtare kanë filluar diskutimin për punët në muajt e ardhshëm. Vendet anëtare të bankës do të përzgjedhin projektet e mundshme dhe kanë filluar hartimin e politikave të kredidhënies. Ai bëri të ditur që në muajin prill të vitit tjetër, do të jepen kreditë e para.

Për sa i përket lidhjes mes Bankës së BRICS-it dhe Bankës Aziatike të Investimeve Infrastrukturore (BAII), Kamath u shpreh që Banka e BRICS-it do të hapë një linjë të drejtpërdrejtë telefonike me bankën BAII, për të siguruar veprime të përbashkëta dhe të koordinuara. Ministri i Financave i Kinës, Lou Jiwei,theksoi që të dyja bankat janë krijuar nga ekonomitë e reja për të nxitur ndërtimin e infrastrukturës globale dhe janë një hap i rëndësishëm në reformimin e qeverisjes ekonomike globale. Sipas ministrit Lou, të dyja bankat bashkëpunojnë me njëra-tjetrën dhe përplotësojnë njëra-tjetrën. Studiuesi i Institutit "Chongyang" të Universitetit "Renmin" të Pekinit Chen Xiaochen vuri në dukje se, në njëfarë mënyre, Banka e BRICS-it luan një rol më të gjerë se Banka Aziatike e Investimeve Infrastrukturore.

"Banka Aziatike e Investimeve Infrastrukturore, siç është edhe emri i saj, bën investime në ndërtimin e infrastrukturës. Megjithëse ka treg të gjerë, biznesi i saj përfshin vetëm ndërtimin e rrugëve, urave dhe madje edhe sektorin e internetit. Ndërsa Banka e BRICS-it ka një rol të ndryshëm. Megjithëse shërbimet e saj përfshijnë fusha të caktuara, ajo mund të shërbejë si një rezervë urgjente valutore shumëpalëshe. P.sh., Banka Aziatike e Investimeve Infrastrukturore luan rolin e një Banke Botërore (BB) të vogël, kurse Banka e BRICS-it është jo vetëm një BB e vogël, por edhe një FMN e vogël. Krahas kësaj, Banka e BRICS-it mund të verësohet si një rezervë urgjente valutore," thotë eksperti i ekonomisë Chen Xiaochen.

Ministri i Financave i Kinës Lou Jiwei u shpreh që, nga bankat shumëpalëshe të zhvillimit që ekzistojnë tani, Banka e BRICS-it do të marrë përvojën mbi strukturën menaxhuese, politikat e shërbimeve, menaxhimin e projekteve dhe sistemin e funksionimit. Ndërkohë, në bazë të prirjes së zhvillimit ndërkombëtar dhe gjendjes së tanishme të ekonomive të reja, Banka e BRICS-it do të krijojë risitë dhe do të bëjë përmirësimet e përshtatshme lidhur me sistemin, politikat, mjetet etj. Banka e BRICS-it, sipas ministrit Lou, do të zhvillojë bashkëpunim me institucionet dypalëshe e shumëpalëshe të zhvillimit, për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe mëkëmbjen e ekonomisë botërore.

"Për arsye të lidhjes përplotësuese ndërmjet tyre, Banka e BRICS-it do të zbatojë konceptet e hapjes dhe të gjithëpërfshirjes dhe do të krijojë marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi me bankat shumëpalëshe të zhvillimit që ekzistojnë tani, me Bankën Aziatike të Investimeve Infrastrukturore që do të krijohet së shpejti, me institucionet dypalëshe të zhvillimit dhe me sektorin privat. Gjithashtu, Banka e BRICS-it do të kërkojë modele të reja biznesi, si bashkëpunimi mes qeverisë dhe investitorëve privatë dhe financimi i përbashkët nga sektori shtetëror dhe ai privat, për të stimuluar zhvillimin ekonomik të vendeve në zhvillim dhe mëkëmbjen e ekonomisë globale," vuri në dukje Lou Jiwei.

Si vendi nismëtar i kësaj banke të re, Kina ka bërë përgatitje të shumta mbi ecurinë e mbarë dhe efikase të Bankës së BRICS-it. Në fazën pas përurimit po i kushtohet më shumë vëmendje rolit të ri të Kinës. Lidhur me këtë, ministri Lou Jiwei u shpreh që, pas formimit, Banka e BRICS-it, nën udhëheqjen e bordit drejtues, do të përqendrohet tek nisja e punës dhe faza e vënies në funksionim të bankës, si nënshkrimi i marrëveshjes me Kinën, si vendi ku ndodhet selia e bankës. Ai thotë që Kina do të ketë bashkërendim të ngushtë me bordin e parë drejtues, do të vazhdojë të japë përkrahje dhe të krijojë lehtësi, për të siguruar që Banka e BRICS-it të futet në funksionim sipas afatit. (Jiang Lei/Artan Goga)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China