20150721FE |
Javën e kaluar, kryeministri kinez Li Keqiang zhvilloi një bisedë me specialistë të ekonomisë dhe përfaqësues të kompanive kineze. Gjatë bisedës, Li Keqiang theksoi që rritja potenciale në Kinë mund të mbështetë rritjen e madhe të ekonomisë kombëtare. Sipas tij, kyçi për ta arritur këtë është që të respektohen rregullat e zhvillimit, të bëhen më shumë përpjekje e të tregohet më shumë durim, si edhe të bëhen rregullime më të sakta. Kështu, ekonomia kineze do të zhvillohet drejt një gjendjeje të qëndrueshme pozitive.
Kjo bisedë u zhvillua vetëm një ditë pas bisedës me drejtuesit e krahinave të vendit. Ndryshe nga biseda e parë, këtë herë ishin ftuar katër ekspertë të ekonomisë dhe pesë drejtues kompanish. Të pranishmit ishin të mendimit që politikat e qeverisë po fillojnë të kenë efekte të dukshme, ekonomia kineze në gjashtëmujorin e parë ka pasur një prirje stabilizimi dhe janë shtuar më tej faktorët pozitivë.
Kryekonomisti i Bankës së Komunikimit të Kinës Lian Ping tha:
"Duke u nisur nga gjendja ekonomike e vendit, me nxitjen e fortë të politikave përkatëse dhe me shtimin gradual të faktorëve pozitivë, mund të parashikohet se në gjashtëmujorin e 2-të, ekonomia e vendit do të ketë rritje në mënyrë të qëndrueshme dhe do të jetë më mirë se në gjashtëmujorin e parë."
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Studimit të Strategjive të Zhvillimit pranë Universitetit Renmin Liu Yuanchun u shpreh:
"Jemi të mendimit që masat e tanishme, si inkurajimi për nisjen e biznesit, krijimi masiv i risive dhe e ashtuquajtura 'strategji me dy motorë', janë shumë të përshtatshme. Për këtë arsye, ekonomia kineze në një periudhë afatshkurtër nuk do të ketë probleme. Mendoj që masat për stabilizimin e rritjes përshtaten me strategjinë afatmesme e afatshkurtër."
Drejtori i Departamentit të Parashikimeve pranë Qendrës Kombëtare të Informacionit të Kinës, Zhu Baoliang, vuri në dukje:
"Në gjashtëmujorin e parë, makroekonomia, nga ana e ofertës dhe e kërkesës, ka filluar të stabilizohet dhe ka një prirje rritjeje. Qysh nga muaji prill, prodhimi industrial ka filluar të mëkëmbet. Kjo ka nxitur dy sektorë kryesorë: teknologjitë e reja e të larta dhe konsumin."
Lidhur me prirjen e zhvillimit të ekonomisë kineze, ekspertët e pranishëm në takimin me kryeministrin kinez dhanë mendimet e tyre dhe bënë propozime. Edhe në rastet e opinioneve të kundërta, kryeministri Li Keqiang i inkurajoi të pranishmit të thoshin hapur mendimin e tyre.
"Është normale që të ketë mendime të ndryshme nga ekspertët. Mund të thoni çfarë të doni. Nëse të gjithë flasin njësoj, ekonomia do të ishte një problem shumë i thjeshtë," u shpreh z. Li Keqiang.
Në këtë bisedë ishin të ftuar përfaqësuesit e kompanive nga sektorë të ndryshëm, si të ndërmarrjeve tradicionale, si "Weichai Power", ashtu edhe të kompanive të internetit, "Qihoo 360" dhe "DJ-Innovations". Ndër to, Li Keqiang i kushtoi vëmendje të posaçme grupit "Suning" të biznesit cloud, duke i bërë një sërë pyetjesh presidentit të këtij grupi Zhang Jindong.
Li: Dua të pyes, si është ndryshmi i vëllimit të shitjeve në gjashtëmujorin e parë?
Zhang: Do të publikohet shumë shpejt raporti për janar-qershorin, rritja është mbi 30%.
Li: Kjo do të thotë rritje e madhe. Pyetja e dytë: Si është shpejtësia e lëvizjes së biznesit nga tregu tradicional në tregun e internetit. Nuk po pyes për vëllimin e shitjeve, po pyes për numrin e dyqaneve. Si është shpejtësia në këtë drejtim?
Zhang: Ne kemi një platformë të hapur dhe tani kemi afro 50 mijë dyqane. Nëse hapemi krejtësisht, rritja mund të dyfishohet. Tani gjendja është që dyqanet tradicionale me bazë të mirë, mund të shesin më mirë në platformën cloud se në platformën e vjetër.
Li: Mirë, na paske sjellë një lajm të mirë.
Ky është vetëm një nga dialogët që bëri z. Li Keqiang me përfaqësuesit e kompanive. Gjatë bisedës, numri një i qeverisë kineze bëri shumë pyetje të hollësishme, për të njohur nga afër mendimet e të pranishmëve për sektorët e ndryshëm, madje mbarë ekonominë e vendit. Kjo, sipas z. Li, është një bazë e rrallë, por e rëndësishme për hartimin e politikave të reja ekonomike.
Në këtë bisedë, Li Keqiang-u vuri në dukje që gjendja ekonomike duhet gjykuar në mënyrë shkencore. Ai vuri në dukje se është e vërtetë që tani ekonomia botërore ndodhet në një fazë paqartësie, por fakti është që ekonomia kineze është në fazën e rregullimit, struktura e saj po përmirësohet pandërprerë, fuqia e zhvillimit po shpejtohet më tej dhe krahinat e sektorët e ndryshëm kanë prirjet e veta të zhvillimit.
"Kemi besim te zhvillimi i ekonomisë kineze, pasi rritja potenciale nuk është e ulët dhe kjo rritje do të thotë që ekonomia kineze është elastike dhe ka hapësirë për luhatje. Rritja potenciale në Kinë mund të mbështetë rritjen mesatare dhe të madhe, por kjo rritje duhet nxitur me më shumë përpjekje dhe durim. Gjendja e ekonomisë botërore ka ndryshuar dhe mëkëmbja e saj ka ecur me zigzage. Gjithashtu, ne nuk mund të gjejmë burimet dhe energjinë e mjaftueshme për të ruajtur rritjen me mbi 10 %. Më e rëndësishmja është që nga ana ekonomike, kemi arritur në nivelin 10 trilionë dollarë amerikanë dhe rritja 7-8 % është shumë e mirë. Rregullat ekonomike janë ato që diktojnë dhe ne duhet të zbatojmë këto rregulla," tha kreu i qeverisë kineze.
Li Keqiang-u theksoi gjithashtu që, në gjendjen e tanishme, duhet të zbatohen politika aktive fiskale dhe politika të qëndrueshme monetare, duke ndërthurur rregullimet makroekonomike me reformat strukturore, për të rritur efektivitetin e këtyre rregullimeve dhe për të parandaluar rreziqet e mundshme.
"Do të këmbëngulim në orientimin e duhur të politikave makroekonomike, në stabilizimin e rritjes, nxitjen e reformave dhe rregullimin strukturor. Ne mund ta kontrollojmë zhvillimin ekonomik dhe ta mbajmë në një nivel të arsyeshëm. Sigurisht ne nuk shohim vetëm shifrat e GDP-së, por u kushtojmë rëndësi edhe punësimit, të ardhurave dhe përmirësimit të mjedisit," thotë z. Li Keqiang.
Zhvillimi i mëtejshëm i ekonomisë kineze, sipas kryeministrit Li, duhet të varet nga reformat dhe risitë. Kështu, duhet të mbështeten kompanitë që krijojnë risi, për të mbledhur më shumë burime në këtë sektor. Në këtë mënyrë, kompanitë kineze mund të futen në një fazë të re.
(Jiang Lei)