20150715FE |
Ditët e fundit, një nga tre gjigantët kinezë të naftës, grupi CNPC publikoi të dhënat e fundit mbi eksportimin e pajisjeve të naftës. Sipas këtyre të dhënave, qysh nga viti 2011, viti i parë i planit të 12-të 5-vjeçar, CNPC ka nënshkruar kontrata për eksport pajisjesh me një vlerë prej më shumë se 4 miliardë dollarësh amerikanë. Pajisjet e CNPC-së janë eksportuar në mbi 80 vende e rajone të botës dhe rrjeti i shitjeve i këtij grupi ka mbuluar mbi 90 % të vendeve prodhuese të naftës, me një vëllim prodhimi prej 10 milionë tonësh në vit.
Në kushtet kur mëkëmbja e ekonomisë globale është ende e dobët dhe çmimi i naftës mbetet në një nivel të ulët, ndërsa nga ana tjetër Kina ka shpallur nismën "Një Brez dhe një Rrugë", grupi CNPC bëri të ditur që në të ardhmen do të përqendrohet te tregu ndërkombëtar i pajisjeve moderne të naftës tokësore dhe detare.
Qyteti Baoji i provincës Shanxi të Kinës Veriperëndimore njihet si një qytet i lashtë me histori të gjatë dhe trashëgimi të pasur kulturore, por tashmë ai ka bërë emër edhe për eksportimin e pajisjeve të naftës në mbarë botën. Përveç trashëgimive kulturore, tani edhe pajisjet e naftës janë kthyer në një kartëvizitë të qytetit.
Kompania e Makinerive të Naftës e Baoji-së pranë grupit CNPC është një ndër prodhueset kryesore të pajisjeve të shpimit për naftë. Kjo kompani prodhon pajisje të ndryshme, të tilla si makina shpimi të thellësisë 1000-12000 metra nën tokë, makina shpimi në temperatura të ulëta, makina komplekse shpimi në det, platforma shpimi në det, si edhe modele të ndryshme të pompave për makina shpimi 500-3000 kuaj-fuqi. Kryemenaxheri i Kompanisë së Makinerive të Naftës të Baoji-së Guo Mengqi bëri të ditur që kompania e tij ka shënuar shumë rekorde brenda vendit për sa i përket eksportit të pajisjeve të naftës.
"Qysh nga viti 2007, Kompania e Makinerive të Naftës e Baoji-së ka eksportuar 57 makina shpimi në Venezuelë, duke shënuar rekord për numrin më të madh të makinave të shpimit të eksportuara në një vend të vetëm. Në vitin 2008, Kompania e Makinerive të Naftës e Baoji-së dhe kompania amerikane 'Jewa' nënshkruan kontratën për eksportimin e një makine shpimi në thellësi 9000 metra. Kjo është pajisja e parë e shpimit në thellësi të mëdha e eksportuar nga Kina. Deri tani, në tregun ndërkombëtar janë eksportuar gjithsej gjashtë makina shpimi në thellësi 9000 metra," thotë Guo Mengqi.
Vlen të përmendet që gjatë pesë vjetëve të kaluar, Kompania e Makinerive të Naftës e Baoji-së ka nënshkruar tre kontrata me kompaninë NDC të Emirateve të Bashkuara, duke filluar eksportimin e pajisjeve komplekse të naftës në det nga kompanitë kineze. Menaxheri i kompanisë NDC në grupin CNPC, Nezar Eldib, është i mendimit që pajisjet e naftës të prodhimit kinez kanë cilësi të mirë dhe standardi i pajisjeve kineze është pothuajse i njëjtë me ato të vendeve perëndimore.
"Kompania jonë NDC ka kërkesa shumë të larta për cilësinë e produkteve. Kompania e Makinerive të Naftës e Baoji-së është prodhuesja më e madhe në botë e makinave të shpimit. Ajo mund të ofrojë variante të ndryshme produktesh për klientët e vet dhe më shumë opsione për kompanitë me kërkesa të larta, si NDC," shprehet Eldib.
Qysh nga fillimi i këtij viti, kur kërkesa në tregun kinez pati prirje rënieje, Kompania e Makinerive të Naftës e Baoji-së ka nënshkruar kontrata ndërkombëtare prej mbi 5.7 miliardë juanësh, që përbën 74 % të vëllimit të përgjithshëm të kontratave të nënshkruara prej saj. Kështu, tregu ndërkombëtar është bërë pjesa kryesore e biznesit të kompanisë.
Zëdhënësi i grupit CNPC, Qu Guangxue, bëri të ditur që vëllimi i shitjes së pajisjeve në tregun ndërkombëtar ka pasur rritje të dukshme, duke zënë gjysmën e të ardhurave të grupit.
"Qysh nga fillimi i vitit 2011, të ardhurat e grupit tonë nga shitja e pajisjeve të naftës jashtë vendit kanë arritur mesatarisht në 26 miliardë juanë në vit dhe kjo shifër është rritur në mënyrë të qëndrueshme. Në vitin 2014, të ardhurat nga shitjet jashtë vendit përbënë 48 % të të ardhurave të përgjithshme të grupit. Tani rrjeti i shitjes së pajisjeve të naftës i grupit CNPC mbulon mbarë botën. Produktet e grupit tonë eksportohen në mbi 80 vende dhe numri i partnerëve tanë ndërkombëtarë ka arritur në më shumë se 490. Përveç kësaj, grupi CNPC ka krijuar 68 qendra shërbimi jashtë vendit, duke mbuluar 53 vende e rajone, ose mbi 9 0 % të vendeve me nivel prodhimi të naftës prej mbi 10 milionë tonësh," thotë Qu Guangxue, zëdhënësi i grupit CNPC.
Siç e përmendëm, vitet e fundit çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar ka pësuar rënie të vazhdueshme, ekonomia globale po mëkëmbet në mënyrë të ngadaltë dhe konkurrenca në këtë fushë është bërë më e rreptë. Për këto arsye, numri i porosive për pajisjet e naftës është ulur. Lidhur me këtë gjendje, kryemenaxheri i Kompanisë së Makinerive të Naftës të Baoji-së, Guo Mengqi, u shpreh që kompania do të fokusohet te nafta detare dhe tregu ndërkombëtar i kategorisë së lartë, ndërkohë, që do të shtojë studimin dhe prodhimin e pajisjeve automatike dhe me teknologji smart.
"Do të kemi mundësi mbijetimi vetëm nëse e kalojmë këtë dimër. Në bazë të konsolidimit në tregun vendas, Kompania e Makinerive të Naftës e Baoji-së do të përqendrohet tek risitë teknologjike. Për sa i përket naftës tokësore, do të fokusohemi te pajisjet automatike dhe ato të teknologjisë smart. Ndërkohë, do të shtojmë investimet në tregun ndërkombëtar dhe tregun e naftës detare të nivelit të lartë dhe do të bëjmë më shumë punë në mbrojtjen e mjedisit, për ta shndërruar Kompaninë e Makinerive të Naftës të Baoji-së nga një kompani qyteti në një kompani që i takon gjithë botës," theksoi Guo Mengqi, kryemenaxheri i kësaj kompanie.
Në muajin qershor të këtij viti, Kompania e Makinerive të Naftës e Baoji-së, kompania gjermane "Herrenknecht" dhe provinca Sichuan kanë krijuar një ndërmarrje të përbashkët për kërkimet në fushën e naftës. Me këtë sipërmarrje të re, Kompania e Makinerive të Naftës e Baoji-së do të përpiqet për prodhimin e makinave moderne të shpimi dhe për eksplorimin e naftës dhe gazit reshpor në det.
Përveç kësaj kompanie, edhe qeveria kineze ka shpallur një sërë strategjish dhe projektesh, si "Made in China 2025", "Një Brez dhe një Rrugë" dhe Banka Aziatike e Investimeve Infrastrukturore. Kryemenaxheri i Kompanisë së Prodhimit të Makinerive e Baoji-së pranë grupit CNPC, Zhang Hanliang, është i mendimit që, me mbështetjen e këtyre projekteve, eksporti i pajisjeve kineze të naftës do të ketë mundësi të reja zhvillimi.
"Ne do të shpejtojmë ndryshimin e modelit të prodhimit dhe të zhvillimit, do të zbatojmë programin strategjik 'Made in China 2025' dhe do të shtojmë bashkëpunimin në prodhim. Me rastin e strategjisë 'Një Brez dhe një Rrugë', do të bashkëpunojmë me partnerët tanë të prodhimit, për të realizuar prodhimin e pajisjeve tona në tregjet lokale dhe për të nxitur daljen e produkteve 'Made in China' jashtë vendit," thotë Zhang Hanliang, kryemenaxheri i Kompanisë së Prodhimit të Makinerive e Baoji-së pranë grupit CNPC. (Jiang Lei/Artan Goga)