PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Margarita Thanasaj, guximtarja e biznesit të bukurisë
2015-07-15 15:06:38 CRI Komenti juaj Printoni

Margarita Thanasaj, sipërmarrëse e qendrës estetike 'Bodyline', e njeh forcën që kanë në sipërmarrje gratë e guximshme, sepse edhe vetë është një e tillë. Ajo e nisi biznesin e bukurisë në një vit që për shqiptarët nuk ishte aspak i bukur e i mbarë, 1997, e megjithatë, ky biznes i ri i saj eci mbarë dhe sot është ndër më të njohurit në fushën e estetikës në Shqipëri.

Kur para rreth dy dhjetëvjeçarësh, Margarita Thanasaj hapi qendrën estetike 'Bodyline' në zemër të ish-Bllokut në kryeqytetin shqiptar Tiranë, nuk i shkonte mendja se klienti i parë do të ishte një …burrë!E ndonëse qendrat estetike vlerësoheshin fillimisht se ishin vetëm për femra, sot raporti i klienteve gra dhe i klientëve burra që trajtohen në to është mesatarisht 60:40. E para grua e diplomuar për estetikë pranë Grupit "Bollani" në Itali, para se të niste biznesin e bukurisë, Margarita Thanasaj bashkoi financieren me estetisten. Sot ndihet e qetë në punë dhe e kënaqur me arritjet e veta. Deri kur? As vetë nuk e di, sepse i pëlqen aventurat, ndaj nuk e di se ku do të jetë hapi tjetër…

Për Margarita Thanasajn, gjithçka ka rrjedhur natyrshëm për të ardhur deri te biznesi i bukurisë. Rrugën e sipërmarrjes private e provoi që kur një gjë e tillë u lejua në Shqipëri, në fillim të viteve '90 të shekullit të kaluar. Bashkë me të shoqin Margarita nisi tregtinë me shumicë, që nga produktet e vogla e ato ushqimore dhe deri te traktorët. Ndihej mirë me punën dhe me fitimet që i sillte ajo, por kur një mik nga Italia e njohu me botën e estetikës, Margarita Thanasaj vendosi ta provonte aftësinë e vet sipërmarrëse edhe në këtë fushë të re për të, e joshur edhe nga njëfarë shpirti aventure që ka. "Krijimi i qendrës më erdhi si ide nga një mik italian, me të cilin punoja prej vitesh në Parma. Ai më çoi te një qendër estetike dhe më pas te fabrikat e Grupit 'Bollani', një nga pesë më të mëdhatë në Europë në fushën e prodhimeve dhe teknologjive estetike. U befasova nga ç'pashë, mbi të gjitha me pajisjet e dobësimit, sepse vetë isha mbipeshë," kujton Margarita Thanasaj.

Kur vendosi të hapte qendrën estetike në Tiranë në vitin e trazuar 1997, sipas modelit të ligjit italian për këtë lloj biznesi të veçantë, edhe pse financiere në profesion, Margarita Thanasaj rinisi studimet dhe u shkollua për së dyti. Pas një viti studime mbi estetikën në Akademinë e Grupit "Bollani", Margarita përzgjodhi e kualifikoi pesë punonjës dhe, pasi investoi qindra mijë euro, ishte gati për sfidën e re të panjohur. Por megjithatë, prapa rendjes drejt së panjohurës fshihej bindja e suksesit të këtij biznesi të ri të saj në të ardhmen. Bindja e saj mbështetej në logjikën e thjeshtë të studimit të tregut dhe në tiparin që i karakterizon bashkëkombasit e saj: dëshira deri në padurim për t'iu afruar me shpejtësi botës. Ajo e dinte se femrat shqiptare bukurisë së tyre natyrore do t'i shtonin gjithnjë e më shumë edhe përkujdesin për ta mirëmbajtur këtë bukuri. Megjithatë, çudinë më të madhe e provoi ditën e parë, sepse klienti i parë që erdhi në qendër ishte një burrë. "Sapo tha atë që kërkonte, e kuptova se kisha bërë zgjedhjen e duhur për një biznes të ri," vëren duke qeshur znj. Thanasaj, pasi kujton habinë që i shkaktoi trokitja e parë në qendrën e saj estetike.

Dhe Margarita Thanasaj nuk është zhgënjyer nga vendimi për përfshirjen në biznesin e së bukurës. Sepse ndonëse në Tiranë e në qytetet e tjera të mëdha të Shqipërisë janë hapur shumë qendra të tilla, shumë pak prej tyre janë të specializuara dhe të certifikuara, ndërsa vetedukimi i ka bërë njerëzit që të kuptojnë se trajtimi estetik nuk mbetet vetëm tek idetë për të hequr disa kilogramë të tepër. "Shqiptarët e kanë rritur dashurinë për t'u ndier mirë me veten njëlloj si në botë," shpjegon Margarita Thanasaj prirjet që e kanë zhvilluar biznesin që vendosi të ushtrojë.

Te qendra e saj shkojnë klientë të kategorive të ndryshme, që kanë njëfarë statusi shoqëror, kryesisht gra dhe burra biznesi, politikanë, punonjës të administratës publike, si edhe punonjës të ambasadave, të tilla si ajo e ShBA-së, e Italisë etj., dhe të organizatave ndërkombëtare, si PNUD-i, BB, IOM-i etj.".

Biznesi është rritur gradualisht sipas teknologjive të reja që krijon Grupi "Bollani", bashkë me produktet shoqëruese. Pas shumë vitesh qendra ka klientelë fikse, ndërsa më shumë se 200 klientë trajtohen rregullisht. "Një pjesë e caktuar e shoqërisë e ka përfshirë brenda vetes trajtimin estetik, si kërkesë e një shtrese të caktuar, që ka kontakte të mira pune e biznesi dhe të ardhura të mira," tregon znj. Thanasaj e kënaqur për ritmet e qendrës, që punon me dy turne përditë, e ku piku shënohet në fundjavë. Klientët janë nga mosha 12 vjeç deri në 67 vjeç për trajtime nga më të ndryshmet, ku ndërsa më të shumtat janë ato antistres, nuk përjashtohen edhe estetika e bukurisë. "Njerëzit po ndërgjegjësohen më shumë për të pasur një paraqitje të bukur dhe qetësi pas një ditë të lodhshme pune," vlerëson Margarita, ndërsa thekson antistresin që trajton te qendra. "Masazhet janë një antistres i mrekullueshëm, sepse vijnë klientë që u duket lodhja te sytë dhe fytyra, por që pas masazheve dalin të ndryshuar nga relaksimi".

Margarita Thanasaj vë re se, sipas saj, gjë pozitive është prirja që trajtimet estetike edhe në Shqipëri të përfshijnë të gjitha grup-moshat, sikurse ndodh edhe në vende të tjera të botës, sigurisht në ato më përparuara. Ajo shpjegon se moshat e reja vijnë kryesisht për trajtim fytyre, në moshën 20-30 nisin kërkesat më të mëdha, ndërsa në 30-40 vjeç i bëjnë të gjitha trajtimet. "Pas të 40-ave, kur nisin problemet e moshës, klientët fillojnë trajtimet kundër mbipeshës me një analizë shumë të përcaktuar dhe në një linjë me tendencën në botë," shprehet znj. Thanasaj. Ajo di të transmetojë siguri kur tregon çdo gjë që ndodh me trupin dhe fytyrën pas trajtimeve sipas çdo informacioni të ri për fushën e estetikës. Por megjithatë vlerëson si pozitive që edhe vetë klientët kanë njohuri të mira në këtë fushë.

Si ekonomiste e mësuar me tregtinë, Margarita Thanasaj zhvillon marketing të gërshetuar. "Klientela e vjetër marketohet ndryshe, për shumë shërbime ul çmimet dhe në raste, pse jo, edhe disa shërbime bëhen falas," vë në dukje ajo.

Margarita Thanasaj e njeh forcën e të bërit biznes nga gratë që kanë guxim, sepse edhe vetë u përket guximtareve. Për Margarita, çdo grua është e zonja dhe i ka të gjitha mundësitë të drejtojë një biznes, prandaj kurrë nuk duhet të heqë dorë dhe t'ua lërë në dorë vetëm burrave. "Gruaja jo vetëm që ka intuitë, por di të jetë shumë bindëse, dhe mendoj se këto janë tiparet kryesore që e drejtojnë për nga suksesi një grua në biznes," shprehet Margarita Thanasaj.

Ajo nuk përjashton aventura të tjera në biznes, edhe pse pasuria e qendrës që ka në pronësi vlerësohet në 1 milion euro. Por për të, "klientela ka më shumë vlerë sesa vetë aparaturat për të cilat kam investuar". Por nëse e pyet se cila do të jetë sfida e radhës, Margarita Thanasaj thotë vetëm duke qeshur: "Do të punoj derisa të mos më dridhen duart"...

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China