20150714HP02 |
Chen Li, nga fshati i saj në provincën Hubei të Kinës, ku e vogël bënte lëndë zbukuruese prej luleve, kreu studimet në "kryeqytetin e erëmimit", Paris, duke pasur edhe vetë 25 vjet karrierë të mbushur, siç thotë vetë, "plot me erëmim". E interesuar fillimisht për aromaterapinë, ajo më pas nisi të merret me kozmetikën organike, duke qenë në të njëjtën kohë drejtuese e degës në Kinë të PHYT'S, një markë kozmetike franceze me fame botërore.
Chen Li ka lindur në një fshat në varësi të qytetit Xiaogan të provincës kineze Hubei. Kur ishte vajzë e vogël, Chen Li lexoiromanin "Ëndrra e vilës së kuqe" (shkruar nga Cao Xueqin-i dhe i vlerësuar si një nga katër romanet më të shquar klasikë kinezë), dhe nga leximi i atij romani i lindi interesi për të bërë të kuqin, një produkt kozmetik që daton qysh në Kinën e lashtë.
Chen Li mblidhte lulet që rriteshin në oborrin e shtëpisë së saj dhe prej tyre nxirrte ekstraktin që i nevojitej për të bërë këtë të kuq. Ajo gjithashtu përdorte ekstrakt nga lulet për të lyer thonjtë.
Kur ishte shumë e re, Chen-i ishte zeshkane. Ajo provoi disa metoda për ta zbardhur lëkurën e vet, më e mira nga të cilat ishte vënia e orizit të bluar në fytyrë. E frymëzuar nga ky sukses, Chen Li kërkoi të gjente metoda të tjera për të përmirësuar lëkurën dhe për ta bërë veten të dukej sa më e bukur. Në atë kohë, ajo nuk kishte asnjë ide në lidhje me industrinë e kozmetikës, por mendoi se mund të mësonte se si t'i bënte njerëzit më të bukur në qoftë se jetonte në një qytet të madh.
Në vitin 1990, 18-vjeçarja e atëhershme Chen Li u zhvendos në Wuhan, kryeqendra e provincës Hubei. Për të nxjerrë bukën e gojës, ajo nisi punë si kameriere. Një vit më vonë, Chen Li nisi të studiojë kozmetologji në një shkollë profesionale. Në vitin 1993, e reja u kthye në vendlindjen e vet, ku hapi një sallon të vogël bukurie me një sipërfaqe vetëm 13 metra katrorë.
Në periudhën e viteve 1993 - 2001, Chen Li vazhdoi të studiojë kozmetologji për të përmirësuar njohuritë dhe aftësitë e saj, dhe mori pjesë në programe të ndryshme trajnimi. Në vitin 1995, ajo u shpërngul në Pekin për t'u regjistruar në një program trevjeçar kozmetologjie në një shkollë profesionale. Pas përfundimit të programit Chen-i u kthye në provincën Hubei. Në vitin 2000, Chen Li themeloi kompaninë e vet në Wuhan.
"Kompania ime ofronte kryesisht shërbime aromaterapie (një lloj trajtimi që përfshin fërkimin e trupit me vajra aromatikë). Kompanisë i vura emrin 'Engjëj në blu'. Në Kinë ne i quajmë punonjësit e kujdesit shëndetësor 'engjëj në të bardha'. Ata që punojnë në industrinë kozmetike janë të fokusuar në përmirësimin e gjendjes së trupit, sidomos të lëkurës. Unë shpresoj se njerëzit që punojnë në këtë fushë, do të respektohen dhe do të trajtohen në mënyrë të njëjtë si punonjësit e kujdesit shëndetësor," shpjegon Chen-i arsyen pse i vuri kompanisë së vet emrin 'Engjëj në blu'.
Shumë njerëz e kanë pyetur Chen Li-në pse zgjodhi të përqendrohet tek aromaterapia. "Në vitin 1996, kur isha duke studiuar në shkollën profesionale në Pekin, lexova një artikull gazete në lidhje me konceptin dhe metodat themelore të aromaterapisë. Mësova se shumica e përbërësve që përdoreshin, ishin esenca që nxirreshin nga lulet, gjethet, kërcejtë ose rrënjët e bimëve të ndryshme. Koncepti kyç i aromaterapisë është marrja e 'dhuratave' të lindura në natyrë dhe qenia në harmoni me tokën tonë ku jetojmë. Unë bëja të kuq nga bimët dhe mendoj se nga kjo kam krijuar një lidhje të veçantë me bimët dhe natyrën," përgjigjet Chen-i.
Për të mësuar më shumë lidhur me aromaterapinë, Chen Li vizitoi shumë vise në Kinë, duke përfshirë malin Miaofeng në distriktin perëndimor Mentogou të Pekinit, Yili-në në Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit në Kinën Veriperëndimore, Kushui-n në provincën Gansu po në Kinën Veriperëndimore, dhe Pingyin-in në provincën lindore kineze Shandong. Chen Li po ashtu vizitoi Francën, për të gjurmuar historinë e aromaterapisë. Dhe nga ai vend ajo gjeti edhe njeriun e jetës së saj.
Në vitin 2007 Chen Li kreu një udhëtim pune në Francë, gjatë të cilit ajo vizitoi disa fabrika produktesh kozmetike. Chen Li pati mjaft mbresa nga teknologjitë e përparuara të prodhimit dhe sistemi i funksionimit të këtyre fabrikave. "Mendova se duhej të qëndroja më gjatë në Francë, për të mësuar nga përvoja e tyre e prodhimit", tregon ajo.
Chen Li aplikoi për t'u pranuar në një program "master" në menaxhim marke të mallrave luksoze, në Institutin e Studimeve të Larta Ekonomike dhe Tregtare (INSEEC) në Paris. Gjatë disa muajve të ardhshëm ajo përgatiti materialet që do t'i duheshin gjatë atij kursi. Ajo e filloi programin në vitin 2009.
Po cila ishte përshtypja e saj për Parisin? "I gjithë qyteti ishte plot me erëmim. Mund ta ndieja aromën e fortë kur femrat franceze kalonin pranë meje," kujton ajo. Chen Li e kalonte shumicën e kohës së saj të lirë duke vizituar dyqane kozmetike. Sa herë shkonte në një të tillë, ajo nuhaste mostrat e llojeve të ndryshme të parfumeve. Gruaja tërheqëse qëndronte në dyqan derisa të dallonte aromën e të paktën tre llojeve të parfumeve.
Para se të përfundonte masterin, Chen Li filloi të aplikojë për t'u pranuar në një program tjetër "master", gjithashtu në menaxhimin e mallrave luksoze, në Shkollën e Lartë të Shkencave Ekonomike dhe Tregtare (ESSEC). Si një kandidate nga Azia, ajo duhej të bënte një intervistë në Shangai. Gjatë intervistës në maj 2010, Chen Li takoi Dennis Morisset-in, një nga intervistuesit dhe drejtori ekzekutiv i programit "master" të Shkollës së Lartë të Shkencave Ekonomike dhe Tregtare.
Për fat të keq, Chen Li nuk arriti të pranohet në atë program master. Megjithatë, asaj i la mbresa Dennis Morisset-i, njeri fjalëshumë dhe energjik. Në shtator të atij viti, Chen Li u takuan sërish me Morisset-in, këtë herë në Londër, ku ata të dy morën pjesë në një ligjëratë të organizuar nga Shkolla e Lartë e Shkencave Ekonomike dhe Tregtare. Ajo më vonë aplikoi për në një nga programet e kësaj shkolle, ku ishte pedagog edhe Morisset-i. Ata ranë në dashuri dhe u martuan në qershor 2011.
Në vitin 2011, Chen Li dhe i shoqi u zhvendosën në Kinë, pikërisht në Pekin. Chen-i vendosi të futë kozmetikën organike në tregun kinez. "Gjatë viteve që kam punuar në fushën e kozmetikës, kam shpresuar gjithmonë të promovoj produkte kozmetike që janë të sigurta, të shëndetshme dhe kanë lidhje me natyrën. Kozmetika organike, e cila ka të bëjë me produktet kozmetike që përmbajnë përbërës të prodhuar nga bimët organike, janë produktet që unë dua të promovoj në tregun kinez," shprehet Chen Li. "Një përqindje e caktuar e përbërësve të përdorur për prodhimin e produkteve të tilla kozmetike vjen nga produkte bujqësore organike, për kultivimin e të cilave nuk përdoren plehra kimike ose pesticide. Prandaj, prodhimi i këtyre produkteve mbron mjedisin dhe ato janë të sigurta për t'u përdorur."
Kur ishte në Paris, Chen Li-së i tërhoqi vëmendjen marka franceze e kozmetikës "PHYT'S". PHYT'S është themeluar në vitin 1972 nga Jean-Paul Liopart, biolog dhe studiues i aromaterapisë. Pasi u kthye në Kinë, Chen Li u emërua në krye të zyrës së kësaj kompanie në Kinë.
Chen Li vë në dukje se paraqitja e kozmetikës organike konsumatorëve kinezë nuk ka qenë një punë fort e lehtë, por shpreson se ndërgjegjësimi për këto produkte do të vijë duke u rritur, ashtu siç po rritet edhe ai për ushqimet organike. "Shpesh më është dashur t'u përgjigjem pyetjeve të tilla, si 'Çfarë janë produktet kozmetike organike?' dhe 'A janë produktet tuaj me të vërtetë organike?' Tani, ne kemi një SPA në Liangmaqiao, pranë kompleksit të diplomatëvetë huaj në Pekin. Më shumë se 90 për qind e klientëve tanë janë gra që kanë studiuar ose kanë punuar jashtë shtetit, shumica të moshës 25 – 45 vjeçe. Ato e kuptojnë mirë konceptin e produkteve organike dhe duan të bëjnë një lloj jetese që mbron mjedisin," vë në dukje Chen Li.
Chen Li shpreson që një ditë të krijojë markë e vet të kozmetikës organike. Ajo gjithashtu dëshiron të hapë një shkollë të specializuar në historinë dhe kulturën e parfumeve. "Unë kam bërë plane për jetën time ... Përveç zhvillimit të biznesit tim, shpresoj të studioj dhe të kryer hulumtime në zhvillimin e makijazhit të grave në Kinën e lashtë," shprehet Chen Li.