PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Pasioni italian i An Zhongyan-it
2015-07-02 15:42:05 CRI Komenti juaj Printoni

"Vita" e konsolidoi më tej pozicionin e vet udhëheqës në vitin 2008, kur hapi një ekspozitë 8 000 metra katrorë në Pekinin Lindor, tregon An Zhongyan-i.

Ndërkohë ajo udhëtoi shpesh ndërmjet Kinës dhe Italisë për të mësuar në lidhje me rrymat dhe produktet e reja dhe për t'ua sjellë ato konsumatorëve kinezë.

Kompania "Vita" ka tashmë ekskluzivitetin e 20 markave italiane dhe zotëron katër ekspozita në të gjithë kryeqytetin, pas hapjes së më të fundit prej tyre në vitin 2010.

Për shkak të arritjeve të saj, "Vita" u vlerësua si kompania më e mirë tregtuese në Panairin e Mobilieve të Milanos në prill të vitit 2012.

Por, duke mos qenë thjesht e kënaqur me të qenit tregtuese, në vitin 2003 An Zhongyan-i ndërtoi një fabrikë prodhimi mobiliesh bashkë me një shoqen e vet të klasës.

Kompania e saj "Hestia", e specializuar në produktet e drurit që mbrojnë mjedisin, është renditur shpesh ndër 30 prodhueset kryesore të dyerve prej druri në Kinë. "Hestia" gjithashtu fitoi çmimin e artë për dizajnin në Ekspozitën e 6-të Ndërkombëtare të Industrisë së Prodhimit të Dyerve të Kinës në vitin 2007.

Përveç më shumë se 100 dyqaneve në të gjithë vendin, kompania "Hestia" ka hyrë tashmë në tregje në rritje si Rusia dhe Afrika e Jugut.

An Zhongyan-i është mjaft e përkushtuar ndaj ndihmës për të tjerët, duke bërë mjaft vepra bamirësie e duke marrë pjesë në shumë programe me interes publik, e për këto madje është pagëzuar nga shtypi edhe si "Engjëlli i dashurisë". Për An Zhongyan-in suksesi i saj në biznes nuk ka ardhur vetëm prej aftësive e mprehtësisë së vet, por edhe mbështetjes nga shoqëria. Dhe ajo është munduar t'ia shpërblejë shoqërisë këtë mbështetje. Interesimi i An Zhongyan-it për njerëzit dhe shtresat në nevojë nuk është pasojë e ndonjë trilli të çastit pasaniku, por ka qenë diçka e qëndrueshme gjatë gjithë viteve që ajo është marrë me biznes.

Në vitin 1998 shumë rajone në Kinë pësuan përmbytje të mëdha. Me gjithë trysnitë financiare në "Vita", e cila sapo ishte themeluar, An Zhongyan-i dhuroi qindra mijëra juanë për zonat e përmbytura.

Po atë vit, kur mësoi se Shkolla e Mesme Nr. 6 e Pekinit, ku kishte studiuar vetë, po kalonte vështirësi financiare në përgatitjet për festimin e 75-vjetorit të krijimit, An-i ndihmoi për ta zgjidhur këtë problem, duke i bërë kremtimet e atij viti më të mëdhatë në historinë e shkollës.

Wang Dan, një mësues i dalë në pension i kësaj shkolle, u shpreh: "An Zhongyan-i është ndër të paktët që shtriu dorën e vet të ndihmës, pavarësisht se nga shkolla jonë kanë dalë një numër i madh nxënësish që më pas janë bërë të pasur dhe të suksesshëm".

An Zhongyan-i ka ndihmuar një numër nxënësish që kishin braktisur shkollën, për të vazhduar përsëri rrugën e ndërprerë të dijes, duke punuar me gjithë përkushtimin me këta fëmijë dhe duke krijuar lidhje që u ngjajnë atyre prind-fëmijë me ta. Në Festën e Nënës ajo merr mesazhe të shkurtra nga "fëmijët" e saj, si: "Do të të dua gjithë jetën, nënë!". An Zhongyan-i i ruan këto mesazhe si një thesar i vyer.

An Zhongyan-i ka dhuruar para për punëtorët e pushuar nga puna e për kujdesin për të moshuarit, si edhe për të mbrojtur mjedisin.

"Ndihem shumë mirë dhe e lumtur që jam në gjendje të ndihmoj të tjerët," thotë ajo.

Njerëzit mund të ndahen në vija të trasha në dy grupe: në ata që i marrin shoqërisë më shumë sesa i japin dhe janë gjithmonë të pakënaqur e ankohen, dhe në ata që përpiqen të bëjnë sa më shumë për të tjerët, duke u ofruar atyre dashuri e kujdes dhe duke gjetur kështu edhe kuptimin e jetës së tyre. An Zhongyan-i u përket pa më të voglin këtyre të dytëve. Ajo ka mençurinë për ta administruar si duhet jetën e vet dhe për të krijuar një ndjenjë lumturie për veten e për të tjerët.

Një tjetër shembull i ndihmës së An Zhongyan-it për familjet e varfra bie në sy.

Disa ditë përpara Festës së Pranverës (siç quhet Viti i Ri Kinez) të vitit 2002, një gazetë vendore njoftoi se 40 familje të varfra fshatare në distriktin Fangshan në rrethinat e Pekinit nuk mund ta shikonin koncertin e madh të Vitit të Ri të CCTV-së, programi më popullor i argëtimit gjatë festës më të madhe tradicionale në Kinë, sepse ata nuk kishin para për të blerë televizor.

Me ta mësuar një gjë të tillë, An Zhongyan-i bleu 40 televizorë dhe ua dha ato këtyre familjeve fshatare një ditë përpara vigjiljes së festës.

Përveç kësaj, An Zhongyan-i gjithashtu i shtriu dorën e ndihmës një vajze në vështirësi.

Një mbrëmje në fillim të vitit 2003, An Zhongyan-i pa një lajm në televizion për një vajzë 17-vjeçare të quajtur Ouyang Yuqian, babai i së cilës ishte diagnostikuar me uremi, ndërsa e ëma kishte bërë një operacion për të hequr një tumor në kokë.

Vlera e madhe e faturave të pagesës për mjekimin e prindërve kishte bërë që Ouyang Yuqian-i të vendoste të hiqte dorë nga ëndrra e saj për të shkuar në universitet, me gjithë rezultatet e shkëlqyera në mësime.

Tarifat e shkollës ishin shumë përtej mundësive financiare të familjes së saj, u shpreh Ouyang Yuqian-i në kronikën televizive.

E prekur nga kjo histori, An Zhongyan-i e ndihmoi të renë të përballojë tarifat e shkollimit dhe shpenzimet e jetesës gjatë katër vjetëve të studimit në Universitetin e Ekonomisë dhe të Biznesit Ndërkombëtar në Pekin. An Zhongyan-i e di fort mirë se paraja e shpenzuar më mirë është ajo që përdoret për arsimimin.


1 2
Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China