PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
"Një Brez dhe Një Rrugë", kompanitë kineze zgjerojnë biznesin jashtë vendit
2015-06-30 15:40:42 CRI Komenti juaj Printoni

Kohët e fundit Këshilli i Shtetit i Kinës publikoi dokumentin "Mendime për përshpejtimin e krijimit të epërsive në tregtinë e jashtme", ku theksohet që duhet të ngrihet në mënyrë të gjithanshme niveli i bashkëpunimit ekonomiko-tregtar me vendet përgjatë "Një Brez dhe Një Rrugë", të gjenden ide të reja dhe të zbatohen masa konkrete për thellimin e bashkëpunimit, zgjerimin e investimeve dhe përmirësimin e situatës përkatëse tregtare.

Në këtë dokument kërkohet që të shpejtohet procesi i krijimit të epërsive të reja konkurruese në tregtinë ndërkombëtare dhe që kompanitë të luajnë rol të rëndësishëm gjatë këtij procesi. Grupi LS në qytetin Lanzhou të Kinës Perëndimore është një kompani me një histori 62-vjeçare dhe vlerësohet si shtylla e sektorit të makinerive të industrisë petrokimike në Kinë. Gjatë këtyre vjetëve ky grup ka realizuar mbi 100 arritje teknologjike. Në vitin 2013, duke shfrytëzuar mundësinë e krijuar nga nisma "Një Brez dhe Një Rrugë" dhe me mbështetjen e politikave për ndërtimin e zonës me nivel të ulët taksash në Lanzhou, grupi LS ka rregulluar aktivisht strukturën dhe ka forcuar ndërtimin e sistemit të marketingut ndërkombëtar, duke e zgjeruar biznesin e vet në tregun ndërkombëtar dhe duke u shndërruar në një ndërmarrje të nivelit botëror, që ofron zgjidhje profesionale për pajisjet dhe teknologji moderne.

Si një prodhuese e vjetër makinerish, pajisjet për shpimin e naftës të grupit LS janë shitur në mbi 50 vende e rajone të botës, si ShBA, Rusi dhe në Lindjen e Mesme. Tani shumë vende përgjatë "Një Brez dhe Një Rrugë" kanë nevojë të madhe për pajisje të tilla, prandaj grupi LS duhet të ndryshojë konceptin për biznesin në tregun ndërkombëtar dhe të integrojë në mënyrë të përshtatshme burimet ndërkombëtare. Zv.presidenti i grupit LS Feng Xiping thotë që rregullimi dhe integrimi i burimeve të prodhimit është një detyrë kryesore për LS-në.

"Së pari, kemi krijuar kompaninë për inxhinierinë ndërkombëtare pranë grupit, duke integruar sektorët e ndryshëm të prodhimit dhe burimet përkatëse ndërkombëtare. Gjatë këtij procesi bëmë rregullime strukturore dhe krijuam disa degë të posaçme. Kështu, për shembull, në Rusi dhe në Dubai kemi krijuar degë të kompanisë, ndërsa në Turkmenistan kemi regjistruar një kompani të re. Kjo do të thotë që përqindja jonë në tregun ndërkombëtar do të shtohet në mënyrë graduale," thotë Feng Xiping-u.

Krahas këtyre platformave ndërkombëtare, grupi LS ka krijuar lidhje me kompanitë e mbi 50 vendeve e rajoneve, si Turkmenistani, Kazakistani dhe Australia, duke formuar një rrjet shitjesh që mbulon tregjet e Lindjes së Mesme, Amerikës Jugore, Afrikës Veriore, Azisë Qendrore dhe Europës. Lidhur me këtë rrjet ndërkombëtar, Feng Xiping vë në dukje:

"Në biznesin ndërkombëtar, formimi i një ekipi profesional të shërbimeve pas shitjes dhe i një rrjeti shitjesh është detyra kryesore. Pa një platformë shumë të mirë shitjesh dhe një ekip profesionist për shërbimet pas shitjes, shitja e produkteve tona është jo e vazhdueshme, edhe nëse ato janë shitur jashtë tashmë."

Vitin e kaluar, grupi LS mori porosi ndërkombëtare për më shumë se 50 njësi pajisjesh, me një vlerë afro 250 milionë dollarë amerikanë. Përveç kompanive tradicionale si grupi LS, edhe kompanitë e teknologjisë së lartë po përpiqen të dalin jashtë vendit, me përmirësimin e mënyrave të tregtimit dhe eksportimin e teknologjive.

"Scisky" është një kompani e teknologjisë së lartë, e para që ka zotëruar teknologjinë për prodhimin e lëkurës sintetike me ujë. Tani "Scisky" ofron lëkurë sintetike me teknologji që mbron mjedisin për shumë kompani europiane dhe është furnizues prej 5 vjetësh për grupin IKEA. Menaxheri i kompanisë "Scisky" Dai Jiajun thotë:

"Lëkura sintetike e produkteve të IKEA-s, posaçërisht e orendive dhe kolltuqeve, është prodhuar nga kompania jonë."

Për të shfrytëzuar mundësitë e krijuara nga "Një Brez dhe Një Rrugë", kompania "Scisky" në vitin 2014 lëvizi nga Anhui i Kinës Lindore për në Lanzhou të Kinës Perëndimore, duke investuar 8 miliardë juanë për një park teknologjik. Tani, me linjën e parë në botë për prodhimin e lëkurës sintetike me ujë, vlera vjetore e prodhimit të kompanisë mund të arrijë 25.5 miliardë juanë. Për lëvizjen e kompanisë, Dai Jiajun thotë:

"Në kushtet e nismës 'Një Brez dhe Një Rrugë', këtu në Lanzhou ka politika të mira mbështetëse dhe mjedisi është i përshtatshëm për zhvillimin e biznesit tonë."

"Scisky" ka synuar edhe përparësinë e qytetit Lanzhou si nyje komunikacioni dhe platformë logjistike me nivel të ulët taksash. Në këtë mënyrë mund të kursehet kohë dhe të ulet kostoja në bashkëpunimin me kompanitë europiane. Zv.presidenti i kompanisë Zheng Yong thotë:

"Sivjet ka pasur disa kompani të huaja, si LOEWE, kompania më e madhe në Europë për këpucët e femrave, si edhe 'Adidas', që na kanë vizituar për të krijuar bashkëpunim. Tani, në përgjithësi, kërkesat nga jashtë janë më të mëdha se sa i mendonim."

Grupi "Jinchuan", që merret me prodhimin e mineraleve, po përpiqet gjithashtu për thellimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë. "Jinchuan"-i renditet në vendin e 4-t në botë për vëllimin e prodhimit të nikelit dhe në të 2-tin për prodhimin e kobaltit. Drejtori i promovimeve pranë grupit "Jinchuan" Tang Chaoju bëri të ditur që, megjithëse ky grup ka nisur nisur zbatimin e projektit të vet ndërkombëtar, me krijimin e 4 kompanive në Europë-Afrikë, Australi, Amerikë dhe Kinë-Azi Qendrore, çmimi i metaleve me ngjyrë pësoi rënie në tregun ndërkombëtar dhe grupi ka pasur presion të madh.

Për të kaluar këtë gjendje të vështirë, grupi "Jinchuan" ka bërë të gjitha përpjekjet për t'u zgjeruar në sektorët e rinj, si energjetika dhe materialet e reja, si edhe në ekonominë e riqarkullueshme. Vendet përgjatë Rrugës së Mëndafshit, si Rusia, Mongolia, vendet e Azisë Qendrore dhe Pakistani, kanë qenë gjithmonë destinacionet kryesore të strategjisë së grupit për "daljen jashtë vendit".

"Kemi parë plotësisht mundësitë e krijuara nga 'Një Brez dhe një Rrugë'. Pak kohë më parë, kur presidenti Xi Jinping vizitoi Bjellorusinë, u nënshkruan shumë marrëveshje, dhe një prej tyre ishte mes grupit 'Jinchuan' dhe Bjellorusisë," thekson drejtori i promovimeve i grupit "Jinchuan" Tang Chaoju.

(Jiang Lei/Artan Goga)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China