PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Niu Gensheng-u, larësi i shisheve që u bë milioner
2015-06-23 16:10:29 CRI Komenti juaj Printoni

Themeluesi dhe ish-kryetari i bordit i gjigandit kinez të produkteve të qumështit "Mengniu" Niu Gensheng është një sipërmarrës dhe bamirës i njohur. Historia e Niu Gensheng-ut vlerësohet si një ndër më legjendaret në qarqet e biznesit në Kinë. Ai e filloi si një larës shishesh në atë që është tashmë Grupi Industrial "Yili" i Mongolisë së Brendshme, dhe, duke punuar me përkushtim, i ngjiti shkallët e karrierës duke u bërë zëvendëspresident i "Yili"-t, prodhuesi më i madh të qumështit në Kinë në atë kohë. Por pas një viti, ai u largua nga ky post i lakmuar me një rrogë të majme dhe shpërblime të konsiderueshme, për të krijuar kompaninë e vet, "Mengniu", e cila nga një prodhuese e vogël e produkteve të qumështit nisi të ketë një nga rritjet më të shpejta në historinë e bizneseve në Kinë, duke u kuotuar brenda pesë vjetëve nga themelimi në një ndër bursat më të njohura në botë, atë të Hong-Kongut, ndërsa brenda më pak se një dhjetëvjeçari u bë kompania numër një e produkteve të qumështit në Kinë, duke ia kaluar kështu përkohësisht edhe kompanisë që mund të quhet mësuese e saj, "Yili".

Niu Gensheng-u ka lindur më 25 janar të vitit 1958. Thuhet se prindërit e tij u ndanë nga jeta kur ai ishte vetëm 3 muajsh dhe Niu Gensheng-u u rrit nga një fshatar me mbiemrin Niu, i cili pagoi tarifën e madhe të birësimit për kohën, 50 juanë. Prindërit e tij birësues i dhanë emrin Niu Gensheng. Niu Gensheng-u u rrit në një fermë në Huhhot, kryeqendra e Rajonit Autonom të Mongolisë së Brendshme në Kinën Veriperëndimore, prandaj që fëmijë u mor me rritjen e bagëtive.

Në vitin 1978, 20-vjeçari Niu Gensheng-u nisi punë si larës shishesh në Fabrikën e Produkteve të Qumështit të Pakicës Kombëtare Hui, pararendësen e kompanisë "Yili". Por pak nga pak ai nisi t'i ngjisë shkallët dhe të bëhet kryepunëtor, drejtor dege, zëvendësdrejtor i fabrikës dhe më në fund zëvendëspresident i kompanisë "Yili", përgjegjës për prodhimin.

Në vitin 1998, Niu Gensheng-u, që ishte diplomuar tashmë në Universiteti e Mongolisë së Brendshme për administrim dhe menaxhim, nisi studimet "master" në administrim biznesi në Shkollën e Biznesit "Guanghua" të Universitetit të Pekinit, një ndër universitetet më të njohura në Kinë e në mbarë botën.

Një vit më pas Niu Gensheng-u u largua nga "Yili" dhe në janar 1999 krijoi Kompaninë e Produkteve të Qumështit "Mengniu" ("Mengniu" fjalë për fjalë mund të përkthehet "Lopa e Mongolisë së Brendshme"), me një kapital fillestar prej 1 milion juanësh, të mbledhura kryesisht prej tij dhe së shoqes. Por me pas ai arriti të tërheqë pesëdhjetë nga kolegët e vartësit e tij në "Yili", të cilët nga ana e tyre mobilizuan të afërmit e shokët, për të investuar në projektin e ri. Pas tetë muajsh, në gusht 1999, Kompania e Produkteve të Qumështit "Mengniu" u kthye në një kompani me bazë aksionare, me një kapital të regjistruar shumë më të madh, afro 14 milionë juanë (mbi 2.1 milionë dollarë amerikanë).

Kur u pyet gjatë një interviste se si ia doli të bindë aq lehtë një numër aq të madh kolegësh të vet në "Yili" jo vetëm të linin vendet e mira të punës aty, por edhe t'i besonin një pjesë të mirë të kursimeve të tyre, Niu Gensheng-u u përgjigj se mendonte që mbase arsyeja ishte që kur punonte në "Yili" ai e kishte zakon ta ndante rrogën e vet me vartësit e tij. Rroga e fundit si zëvendëspresident e Niu Gensheng-ut në "Yili" i kalonte 1 miliard juanët, shumë më tepër sesa i duheshin atij për të bërë një jetë të mirë. Prandaj shpesh ai u jepte një pjesë të rrogës vartësve të tij që mendonte se e kishin ndihmuar për të arritur suksesin e vet. Në njëfarë mënyre, krijimi i "Mengniu"-së ishte edhe fryt i bujarisë së tij të mëparshme në "Yili", por edhe i faktit që ai ishte një njeri i zoti e punëtor dhe zellin në punë e kërkonte edhe te të tjerët.

Sun Yubin, menaxher i njësisë së prodhimit të akulloreve, shprehet: "Kur ishim në 'Yili', menaxher Niu gjithmonë na kërkonte të punonim shumë. Atëherë, pse duhej ta ndiqnim? Sepse, nën trajnimin e tij, ne mësuam shumë, dhe gjithashtu besonim se ai ka aftësi për të bërë biznes."

Pasuria e parë e "Mengniu"-së ishte një dhomë e vogël me qira 200 juanë në muaj. Shumë nga "investitorët" i sollën vetë paratë në dorë në atë zyrë të vogël.

Tre muaj pas krijimit, "Mengniu" e zhvendosi zyrën te Parku Ekonomik Shengle në kontenë Lingeer në Huhhot. Por kishte një problem. E vetmja pjesë e mbetur ishte e mbushur me pemë. Niu Gensheng-u i preu këto pemë, por ia shpërbleu natyrës më vonë, kur i mbolli me pemë frutore mjediset tashmë shumë më të gjera të kompanisë, çka solli edhe të ardhura shtesë për "Mengniu"-në nga shitja e frutave të këtyre pemëve.

Në këtë pikë zhvillimi, kompania ishte ende në atë që Niu Gensheng-u e quan "katër mangësitë": "Mengniu" nuk kishte burime për furnizimin me qumësht të papërpunuar, nuk kishte fabrikë, nuk kishte markë (Niu Gensheng-u kishte regjistruar një markë, por ajo ishte ende e panjohur nga konsumatorët) dhe nuk kishte treg. E megjithatë, "Mengniu" nisi të ishte një nga kompanitë me rritjen më të shpejtë në historinë e biznesit në Kinë, për të mos thënë rritja e saj ishte marramendëse. Kur u themelua në vitin 1999, "Mengniu" renditej në vendin e 116-të ndër kompanitë e produkteve të qumështit në Kinë, me të ardhura vetëm 43 milionë juanë (diçka më shumë se 6.9 milionë dollarë amerikanë). Nga ajo kohë e deri në vitin 2002, zhvillimi i "Mengniu"-së ishte aq i shpejtë, saqë për të thuhej se ia kalonte "një kompanie të produkteve të qumështit në ditë". Në vitin 2002 të ardhurat e kompanisë së themeluar nga Niu Gensheng-u arritën 1.668 miliardë juanë (afro 269 milionë dollarë amerikanë), duke bërë kështu që "Mengniu" të kishte një ngjitje të jashtëzakonshme në renditjen e kompanive kineze të produkteve të qumështit, duke shkuar në vendin e katërt. Edhe në disa vitet e ardhshme "Mengniu" vazhdoi të kishte këtë rritje me ritme mjaft të shpejta, duke thyer çdo vit rekordet e veta të shitjeve. Në vitin 2003 të ardhurat të kompanisë së produkteve të qumështit "Mengniu" arritën në pak më shumë se 4 miliardë juanë (644 milionë dollarë amerikanë), duke zënë kështu vendin e tretë në industrinë përkatëse kineze. Pas një viti, 2004, të ardhurat e "Mengniu"-së kapën vlerën e 7.214 miliardë juanëve (mbi 1.16 miliardë dollarë amerikanë), me një rritje vjetore 77 %, çka bënë që "Mengniu" të renditej në vendin e dytë, pas "Yili"-t. Në vitet 2005 dhe 2006 "Mengniu" pati një rritje vjetore prej 50 %, për të kaluar në vendin e parë në vitin 2007, me të ardhura rekord të gati trefishuara në krahasim me vitin 2004, dhe pikërisht 21.318 miliardë juanë (3.433 miliardë dollarë amerikanë).

Po si ia doli një kompani pa burime furnizimi, pa objekte të veta prodhimi dhe pa një treg të bëhet udhëheqës në industrinë përkatëse. Cili ishte sekreti i një rritjeje aq të shpejtë të kompanisë së re? Strategjia e Niu Gensheng-ut për të dalë nga një gjendje e tillë, tashmë mjaft e njohur, quhet, po sipas fjalëve të tij, "ndërthurja virtuale". Së pari, "Mengniu" filloi një model funksionimi të anasjellë, të quajtur "tregu në fillim, fabrika më pas". Ndryshe nga kompanitë e tjera, "Mengniu" më parë krijoi një treg dhe pastaj objektet e veta të prodhimit. Së dyti, Niu Gensheng-u nisi kontaktet me fabrikat e qumështit në mbarë Kinën që kishin mbiprodhim dhe i kontraktoi ato për të prodhuar për "Mengniu"-në, e cila siguroi një emër marke dhe ndihmë financiare e teknologjike. "Mengniu" u dha kredi fermave të qumështit që kishin marrëveshje të veçanta furnizimi me të, kredi të cilat u përdorën për blerjen e lopëve. "Mengniu" nisi një fushatë reklamash me fonde të kufizuara.

Në mjedisin konkurrues të industrisë kineze të qumështit, kompanitë ngrenë vetë punishtet e tyre. Por edhe në këtë drejtim "Mengniu" ndoqi një strategji të ngjashme me atë të "ndërthurjes virtuale". Kështu për shembull, ndërsa "Yili" zotëronte punishtet e veta, "Mengniu" kontraktoi firma të tjera të pavarura për t'i ndërtuar dhe vënë në punë këto punishte. Kjo solli një ndryshim në madh për sa i përket kostos së vënies në funksionim të këtyre punishteve ndërmjet "Mengniu"-së dhe "Yili"-t.

Në të vërtetë, gjatë zgjerimit të vet me ritme të shpejta, "Mengniu" hasi probleme serioze të mungesës së fondeve. Niu Gensheng-u nisi të kërkojë financim nga jashtë. Në vitin 2002 "Mengniu" siguroi më në fund një investim prej 216 milionë juanësh nga "Morgan Stanley", "CDH Investments" dhe "CDC Capital Partners". Më 10 qershor 2004 "Mengniu" u kuotua në Bursën e Hong-Kongut, duke u bërë kompania e parë e pjesës kontinentale të Kinës e listuar në këtë bursë.

Kompania e Produkteve të Qumështit "Mengniu" merret me prodhimin dhe shpërndarjen e produkteve të qumështit. Ajo vepron në tre segmente: produktet e qumështit të lëngshëm, akulloret dhe produkte të tjera qumështi. Segmenti i qumështit të lëngshëm prodhon dhe shpërndan qumësht në temperatura ultra të larta, pije me bazë qumështin dhe kos; segmenti i akulloreve prodhon e shpërndan akullore, kasata etj., ndërsa segmenti i produkteve të tjera të qumështit prodhon e shpërndan kryesisht qumësht pluhur.

"Mengniu" është i përfshirë në kërkim-zhvillimin e produkteve të qumështit, paketimin dhe shitjen e produkteve të qumështit, zhvillimin teknologjik dhe blegtori. Kompania i tregton produktet e veta me emrin e markës "Mengniu".

Kompania e Produkteve të Qumështit "Mengniu" e ka selinë në Hong-Kong.

Pasi Grupi i Produkteve të Qumështit "Mengniu" i Kinës u bë publik në Bursën e Hong-Kongut në vitin 2004, themeluesi i këtij grupi, larësi i dikurshëm i shisheve të qumështit Niu Gensheng, u bë një njeri mjaft i pasur. Por dukej se ai nuk ishte shumë i përgatitur për këtë dhe për ndryshimin e qëndrimit të të tjerëve kur janë përballë një njeriu me pasuri qindra milionë dollarë. "Ke më shume miq kur je i varfër," shprehet me shaka ai.

Niu Gensheng-u është tashmë zv.kryetar i Federatës së Bamirësisë të Kinës, drejtor ekzekutiv i Klubit të Sipërmarrësve të Kinës dhe zëvendësdrejtor i Këshillit Kinez të Mbrojtjes së Natyrës. Ai ka fituar mjaft çmime, duke përfshirë "Figurë Ekonomike e Vitit e Kinës" nga CCTV, "Udhëheqësit e biznesit me ndikim më të madh në Kinë" (për 5 vjet me radhë), "Çmimin e arritjeve të jetës në bamirësi" në vitin 2010, "Çmimin e Bamirësisë të Kinës" (dy herë) dhe "Çmimin e Ndihmesës së Veçantë" në fushën e bamirësisë.

Çmimet tregojnë përfshirjen gjerësisht të Niu Gensheng-ut në bamirësi. Ai është tashmë një ndër filantropët më të mëdhenj në Kinë.

"Me rritjen e pasurisë, vjen edhe rritja e përgjegjësisë," është shprehur 57-vjeçari. Për këtë arsye, në fund të vitit 2004, Niu Gensheng-u ngriti Fondacionin "Lao Niu", duke i dhuruar këtij fondacioni të gjitha aksionet e veta në "Mengniu" dhe pjesën më të madhe të dividentëve të familjes së vet. Niu Gensheng-u vlerësohet si "njeriu i parë në botë që ka dhuruar të gjitha aksionet e veta për bamirësi". Aktualisht, Niu Gensheng-u ka dhënë rreth 1 miliard juanë për Fondacionin "Lao Niu", që është një organizatë filantropike që ndihmon në një numër çështjesh bamirësie, duke përfshirë arsimin dhe mbrojtjen e mjedisit dhe ku ai është kryetar nderi.

Deri në fund të vitit 2014, Fondacioni "Lao Niu" kishte zbatuar 153 projekte bamirëse që përfshijnë shumë fusha, në bashkëpunim me 129 agjenci, organizata dhe partnerë individualë. Projektet janë zbatuar në 29 provinca të Kinës, si edhe në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Francë dhe Afrikë. Fondacioni "Lao Niu" ka shpërndarë tashmë 800 milionë juanë (127 milionë dollarë amerikanë) fonde. Buxheti i fondacionit është rritur me një normë mesatare 44.25%. Pasuritë e këtij fondacioni tani arrijnë mbi 4 miliardë juanë (rreth 725 milionë dollarë amerikanë).

Niu Gensheng-u është vlerësuar për përpjekjet e tij për të krijuar mundësi ekonomike në Kinën Perëndimore, një rajon më i varfër se pjesët e tjera të vendit, dhe kjo përvojë ka nxitur filozofinë e tij personale: "Fitoret e vogla mbështeten në diturinë, ndërsa fitoret e mëdha në virtytin."

Niu Gensheng-u po kërkon mënyra për të arritur objektivat e "Globalizimit të bamirësisë dhe ndërkombëtarizimit të projekteve". Ai ka bashkëpunuar ngushtë me institucione të ndryshme ndërkombëtare dhe Fondacioni "Lao Niu" merr pjesë tashmë në dy projekte të mëdha ndërkombëtare, njëri nga të cilët me nismën e ish-kryeministrit britanik Toni Bler. Niu Gensheng-u shprehet se, edhe për projektet që kanë të bëjnë me Kinën, filantropët kinezë janë gjithnjë të gatshëm për të bashkëpunuar me institucionet e njohura botërore për njohuritë dhe burimet e tyre ndërkombëtare. Siç thotë ai, ata janë të vendosur në Kinë, por marrin pjesë në mbrojtjen e mjedisit global. Niu Gensheng-u vë në dukje gjithashtu se ndërkombëtarizimi i filantropisë kineze nuk do të thotë domosdoshmërisht dhurim i parave për fondacionet e huaja, por lidhje me burimet ndërkombëtare, të cilat përfshijnë markat, ekspertizën, financimin dhe menaxhimin e njohurive të organizatave ndërkombëtare.

Niu Gensheng-u shton se ai ndien një kënaqësi të veçantë kur ndihmon njerëzit në nevojë. Por duket se në filantropi ai ka gjetur një mënyrë që siguron një jetë më të mirë jo vetëm për të varfrit që ndihmohen, por edhe për të pasurit që e japin ndihmën.

Vizioni i fondacionit "Lao Niu" të krijuar nga Niu Gensheng-u është: "Me zemrat mirënjohëse, të përmirësojmë veten duke ndihmuar të tjerët." "Ndihma ndaj njerëzve që kanë nevojë ju lejon të ecni në rrugën e mirësisë. Mirëbërësi duhet të jetë mirënjohës ndaj atij që përfiton nga ndihma. Lumturia jote varet nga ajo se sa shumë njerëz të duan. Nëse të gjithë bëjnë mirë, atëherë e keqja do të zhduket," është shprehur Niu Gensheng-u.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China