PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
CSR-ja, përfaqësuese e teknologjive të reja bazë
2015-06-23 15:14:41 CRI Komenti juaj Printoni

Vitet e fundit, eksporti i pajisjeve kineze të transportit hekurudhor ka pasur rritje të shpejtë. Në këtë drejtim, hekurudha e shpejtë është një sektor përfaqësues, ndërsa Grupi Hekurudhor i Kinës Jugore (CSR) është një përfaqësues tipik. Me risitë e vazhdueshme në teknologjitë bazë, kompanitë kineze të prodhimit të pajisjeve hekurudhore kanë njohur një zhvillim të shpejtë, veçanërisht grupi CSR. Në vitin 2014, CSR-ja mori porosi me vlerë 3.7 miliardë dollarë, duke shënuar një rekord historik.

Selia e CSR-së ndodhet në Pekinin Perëndimor dhe në të gjen shumë modele trenash ndërqytetës dhe të shpejtësisë së lartë. Ndër to, ai që të bie më shumë në sy është modeli i trenit të shpejtë të tipit CRH380A. Ky lloj treni është projektuar në vitin 2010 dhe është vlerësuar si kartëvizita e hekurudhës së shpejtë kineze dhe si shembull i risive në prodhimin e pajisjeve. Presidenti i grupit CSR Zheng Hongchang shprehet:  

"Tani ky tren është më i shpejti në botë. Shpejtësia e tij maksimale mund të arrijë në 486.1 km në orë dhe cilësia e tij është më e mira në botë. Krahas kësaj, ai ka edhe qëndrueshmëri shumë të madhe. Ai është edhe përfaqësuesi i trenave kinezë, pasi kryeministri kinez Li Keqiang ua ka paraqitur atë udhëheqësve të vendeve të tjera."

Në vitin 2011, në hekurudhën e shpejtë Pekin-Shangai, treni CRH380A arriti shpejtësinë prej 486.1 kilometrash në orë, duke vendosur rekord botëror në atë kohë dhe duke befasuar të gjithë botën. Tani, në linjën e shpejtë hekurudhore Pekin-Shangai, CRH380A është tipi kryesor, duke përbërë 90 % të të gjitha trenave që janë në qarkullim në këtë linjë. Krahas shpejtësisë së madhe, ky lloj treni është i nivelit më të përparuar botëror edhe për sa i përket sigurisë dhe kursimit të energjisë.

Në fakt, suksesi i kësaj të ashtuquajture "shpejtësi kineze" ka ardhur falë risive të grupit CSR, i cili ka arritur përparime në forcën tërheqëse dhe kontrollin me internet, posaçërisht në teknologjinë e çipave IGBT. Nëpërmjet blerjeve, grupi CSR ka zotëruar me sukses këtë teknologji të re, që është quajtur si CPU-ja e megapajisjeve elektrike. Zv.kryeinxhinieri në departamentin e gjysmëpërcjellësve të Institutit të CSR-së në qytetin Zhuzhou, Li Yang, bëri të ditur që tani është krijuar me sukses linja e parë në Kinë për prodhimin e çipave 8-inçësh, duke i dhënë fund monopolit teknologjik të kompanive të huaja.

"Kjo do të thotë që ne i kemi dhënë fund monopolit të kompanive të huaja. Në të kaluarën, kur nuk kishim këtë teknologji, pjesët përkatëse të këmbimit ishin me çmim shumë të lartë dhe e importonim nga jashtë një sasi të madhe të çipave IGBT. Tani që e zotërojmë këtë teknologji, mund të konkurrojmë me vendet e tjera në këtë fushë dhe kostoja është ulur," theksoi Li Yang.

Nga fillimi i projektimit të trenave të shpejtë deri në prodhimin e trenit CRH380A e nga shpejtësia 200 kilometra deri në 380 kilometra, grupit CSR iu deshën vetëm 6 vjet, ndërsa kompanive të vendeve të zhvilluara u janë dashur pothuajse 40 vite.

Vlen të përmendet që grupi CSR nuk ka i ulur ritmet e krijimit të risive. Në bazë të teknologjive të reja, CSR-ja në mënyrë të pandërprerë i ka pasuruar produktet e trenave me shpejtësi të madhe, duke projektuar trenin ekspres me shpejtësi maksimale eksperimentale prej 605 kilometrash, trenin që përballon të ftohtin dhe stuhitë e rërës, trenin magnetik të përhershëm me shpejtësi të madhe etj. Kryeprojektuesi i qendrës teknike SF pranë grupit CSR Cheng Jianfeng shprehet se risitë janë thelbi i grupit CSR. Ai shpjegoi procesin e projektimit dhe prodhimit të trenit që përballon të ftohtin dhe stuhitë e rërës.

"Temperaturat e larta mund të shkojnë në 45 gradë celsius, ndërsa temperatura më e ulët mund të jetë - 40 gradë. Sipas të dhënave që kemi, temperatura të tilla ndodhin një herë në 30 ose 50 vjet. Por, për të testuar cilësinë e trenave tanë në temperatura ekstreme, prodhuam dy modele dhe i dërguam në Austri për testim në tunelin aerodinamik. Kemi bërë testime profesionale për ajrin e kondicionuar, sistemin e tërheqjes, derën rrëshqitëse, xhamfshirësen etj., dhe morën rezultate shumë pozitive. Tani, trenat janë në Urumqi për testimin e izolimit nga ajri," u shpreh kryeprojektuesi i qendrës teknike SF pranë grupit CSR Cheng Jianfeng.

Falë novacionit të pandërprerë teknologjik dhe konkurrimit me sipërmarrjet e huaja, grupi CSR është zhvilluar gjithnjë e më shumë. Presidenti i CSR Zheng Changhong thotë se ky grup ka pesë përparësi kryesore në krahasim me sipërmarrjet e tjera në këtë fushë.

"Së pari, kemi kapacitetin më të madh të prodhimit në botë: ne mund të prodhojmë mbi 200 trena në vit dhe kjo është një garanci për porositë. Së dyti, kemi aftësi të spikatur në kontrollin e kostos, pasi kemi kosto të ulët në krahasim me kompanitë e huaja. Së treti, Kina ka rrjetin më të madh të hekurudhave të shpejta në botë. Gjatësia e përgjithshme e hekurudhave të shpejta në Kinë është afro 16 mijë kilometra (50 % e gjatësisë së përgjithshme në botë). Nga zonat e ftohta e deri në zonat tropikale, nga zonat bregdetare deri në shkretëtirë, mjedisi i qarkullimit për trenat është më i ndërlikuar. Kështu, produktet tona përballojnë teste më të ndërlikuara. Së katërti, kemi linjën e prodhimit më të plotë në botë. Kemi trena të shpejtësive të ndryshme, duke përfshirë 140, 160, 200, 250, 300-350 dhe 380 kilometra në orë. Së pesti, kemi epërsi teknike. Në fakt, CSR-ja ka projektuar edhe trenin eksperimental me shpejtësi 500 kilometra në orë. Ndërkohë, kemi bërë shumë prova dhe testime profesionale të teknologjive më moderne për trenat e shpejtësisë së lartë. Kështu, mund të prodhojmë trena modernë me shpejtësi më të lartë," u shpreh Zheng Changhong, presidenti i grupit hekurudhor CSR.(Jiang Lei)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China