20150616FE |
Kohët e fundit u zhvillua në qytetin Chongqing të Kinës Jugperëndimore Forumi Global i Automjeteve 2015, në të cilin morën pjesë mbi 800 përfaqësues vendës e të huaj. Sipas të dhënave të publikuara nga ky Forum, sivjet sektori i automjeteve në Kinë dhe në mbarë botën ka vuajtur nga ulja e kërkesës dhe ngadalësimi i rritjes. Përveç kësaj, ky sektor tradicional përballet edhe me kufizime të tilla, si mungesa e burimeve dhe thirrjet për mbrojtjen e mjedisit. Në një gjendje të tillë, analistët janë të mendimit që strategjia e qeverisë kineze "Internet+" dhe teknologjia smart janë rruga e re që duhet ndjekur nga kompanitë kineze të automjeteve.
Sektori i automjeteve për një kohë të gjatë është vlerësuar si një shtyllë e ekonomisë kineze. Qysh nga fillimi i këtij viti, është bërë më e dukshme ulja e kërkesës në tregun global të makinave. Sipas të dhënave për katër muajt e parë të këtij viti, katër vendet më të mëdha prodhuese të automjeteve në botë - Kina, ShBA-ja, Japonia dhe Gjermania - kanë arritur një vëllim të përbashkët të prodhimit dhe shitjeve përkatësisht 174.9 milionë dhe 167.2 milionë automjete, 0.86 % dhe 1.77 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kryetari i Federatës së Industrisë së Makinerive të Kinës Wang Ruixiang bëri të ditur që në Kinë rritja e prodhimit dhe e shitjes së automjeteve po ngadalësohet.
"Në Kinë prodhimi dhe shitja e automjeteve (në katërmujorin e parë të këtij viti) arritën përkatësisht në 828 milionë dhe 814 milionë, me një rritje 4.12 % dhe 2.77 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Fakti është që rritja po ngadalësohet," thotë Wang Ruixiang.
Wang Ruixiang
Për uljen e ritmeve të rritjes së sektorit të automjeteve, një numër sipërmarrësish mbajnë qëndrim jooptimist, madje disa madje parashikojnë një rënie të mundshme. Zv.kryemenaxheri i kompanisë së makinave "Dongfeng" Liu Weidong mendon që prodhimi dhe shitja e makinave në Kinë do të hyjnë në një pikë kthese. Ai shprehet që, nën ndikimin e faktorëve të ndryshëm, si ulja e rritjes, mbiprodhimi, konkurrenca e ashpër në çmime dhe kufizimi i shitjeve në disa qytete të mëdha, nuk përjashtohet mundësia e rënies në sektorin e automjeteve.
"Në maj të këtij viti, treguesi i paralajmërimit të shitjeve të automjeteve në Kinë arriti në 57.3 %, 8 % më shumë se vitin e kaluar. Kështu, ky tregues për 8 muaj me radhë është mbi nivelin e alarmit, që është 50 %. Për këtë arsye, besojmë që sektori i automjeteve në Kinë është futur në një fazë ndryshimi dhe rritja e tij për një kohë të gjatë do të jetë më pak se 3%, madje zero, ose do të ketë rënie. Ka mundësi që kjo gjendje të vazhdojë për një kohë vërtet të gjatë," analizon Liu Weidong, zv.kryemenaxheri i kompanisë "Dongfeng".
Lidhur me këtë parashikim, z. Wang Ruixiang propozon që duhet të nisë përmirësimi i të gjithë strukturës së sektorit të automjeteve dhe të krijohet e ashtuquajtura 'bashkësi fatesh' në këtë sektor.
"Ne duhet të fillojmë nga rregullimi i strukturës së prodhimit dhe produkteve përkatëse. Nëpërmjet krijimit të risive tona teknologjike ose në bashkëpunim, ne mund të arrijmë të zotërojmë një sërë teknologjish të reja kyçe. Kjo mund të shtojë nivelin e zotërimit prej nesh të teknologjive themelore dhe të linjave moderne të prodhimit, si edhe mund të krijojë një mekanizëm më të fuqishëm krijimi risish, një strukturë produktesh që përshtatet me kërkesat e tregut, si edhe një sistem të plotë industrial që fokusohet tek makinat dhe pjesët e këmbimit," thotë Wang Ruixiang, kryetari i Federatës së Industrisë së Makinerive të Kinës.
Përveç qeverisë, edhe kompanitë kineze i kushtojnë rëndësi të madhe strategjisë "Internet+" dhe teknologjisë smart, pasi kjo është një rrugë e re për përballimin e uljes së rritjes së biznesit të tyre. Presidenti i grupit të automjeteve BAIC, Xu Heyi, u shpreh që teknologjia smart dhe energjia elektrike do ta rilindin sektorinë e automjeteve.
|
Xu Heyi
"Kur sektori i internetit të bashkohet me sektorin e automjeteve, të dy sektorët do të kenë një mundësi shumë të madhe zhvillimi. Tani bashkëpunimi ynë me LeTV për një lloj makine me teknologjinë smart po përparon me sukses dhe kemi nisur bashkëpunimin me kompaninë e internetit 'Didi Taxi' për shërbimin e informacioneve. Ne do të shfrytëzojmë burimet globale me një qëndrim të hapur dhe me konceptin e përfitimeve të përbashkëta, për të krijuar një qark biznesesh bashkëpunuese dhe me përfitime të ndërsjella," thotë Xu Heyi, presidenti i grupit BAIC.
Ndryshe nga grupi BAIC, grupi "Changan" është i përqendruar në risitë teknologjike. Presidenti i grupit Zhang Baolin bëri të ditur që çdo vit grupi i tij investon më shumë se 5% të të ardhurave nga shitjet në kërkime teknologjike, duke formuar një rrjet kërkimesh me fokus të ndryshëm në vende të ndryshme, si Kinë, Itali, Japoni, Britani dhe ShBA. Ai thotë:
"Duke u përballur me një ndryshim të madh në sektorin e automjeteve, grupi i automjeteve 'Changan' po provon një prodhim me stil të personalizuar. Modeli i ri 'Benben' ka hapur epokën e re me personalizim stili. Ndërkohë, grupi 'Changan' ka shpejtuar kalimin nga makinat tradicionale në makinat smart, duke hartuar strategjinë me teknologjinë smart '654' dhe duke formuar pesë teknologji bazë dhe gjashtë platforma profesionale. Kështu, në mënyrë graduale, produktet e grupit tonë po kalojnë nga makina me një ose dy teknologji smart në makina me drejtim automatik".
Është e vërtetë që sektori i automjeteve po priret drejt teknologjisë smart dhe internetit. Me gjithë përpjekjet e mëdha të kompanive, disa specialistë i këshillojnë prodhuesit e makinave që të mos harrojnë t'i kushtojnë vëmendje faktit se Kina ka një bazë të dobët të prodhimit të automjeteve. Kryetari i departamentit të automjeteve pranë Këshillit për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare të Kinës, Wang Xia, i paralajmëron këta prodhues të vazhdojnë t'i kushtojnë rëndësi cilësisë së prodhimit. Wang Xia shprehet:
"Disa besojnë që ata mund ta kapërcejnë modelin tradicional me ndihmën e teknologjisë së internetit. Por ata nuk e dinë që, me funksione të fuqishme moderne të mbështetura në teknologjinë e internetit, teknologjia bazë për prodhimin e automjeteve do të forcohet. Përndryshe, prodhimet do të kenë probleme të shumëfishta teknike". (Jiang Lei/Artan Goga)