PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Makinë+internet, biznes i ri me potencial gjigant
2015-06-03 09:15:24 CRI Komenti juaj Printoni

Në vitin 2015, "Interneti+" po bëhet një nga konceptet më të parapëlqyera në Kinë. Në fillim të këtij viti kryeministri kinez Li Keqiang u shpreh në mënyrë metaforike që kompanitë duhet të qëndrojnë në vendin ku fryn fort "era e internetit", duke e zgjeruar biznesin e tyre në përshtatje me këtë prirje të madhe. Ndër sektorët e ndryshëm, ai i prodhimit të makinave është në pararojë, duke filluar ndërthurjen e biznesit tradicional me teknologjinë e internetit.

Në panairin e automjeteve të Shangait 2015 që u zhvillua pak kohë më parë, disa prodhues të mëdhenj automjetesh, si grupi "SAIC", "BAIC" dhe "Shanghai GM" shpallën strategjinë e tyre të bashkëpunimit me kompanitë e internetit.

Tani Kina ndodhet në një periudhë ku pothuajse çdo gjë është e lidhur me internetin. Për këtë arsye, kompanitë e internetit kanë një përparësi të pakrahasueshme me ndërmarrjet tradicionale. Nëse e quajmë një makinë tradicionale si një mjet me motor dhe kuti shpejtësie, makina me internet është një terminal i lidhur me internetin, i cili ka më shumë funksione ndërvepruese. Makina tradicionale është shndërruar gradualisht nga një mjet transporti në një platformë interneti me funksione komplekse.

Sipas të dhënave përkatëse, në vitin 2014, numri i përdoruesve të internetit të lëvizshëm në Kinë arriti në 729 milionë, 11 % më shumë se në vitin 2013. Më shumë se 85 % e tyre përdorin aplikacionet e argëtimit dhe të rrjeteve sociale. Mund të vërehet që rritja e numrit të përdoruesve po shkon drejt pikës së ngopjes dhe, për të zgjeruar biznesin e tyre, kompanitë e internetit kanë filluar të hyjnë në sektorët tradicionalë, si financa, automjetet, arsimi dhe shëndetësia.

Gjatë ekspozitës së automjeteve të Shangait, grupi "Alibaba" dhe grupi "SAIC" shpallën formimin e fondit të përbashkët për makinat me internet me shumën prej 1 miliard juanësh, me synim për të nxitur kërkimet dhe prodhimin e makinave me internet. Sipas planit të tyre, modeli i parë përkatës do të dalë në treg në vitin 2016. Kryemenaxheri i departamentit të automjeteve pranë grupit të internetit "Alibaba" Wang Licheng bëri të ditur që, në këtë plan bashkëpunimi, "Alibaba" do të përgjigjet për dizenjimin e sistemit dixhital argëtues dhe të një sistemi analizues të bazuar në teknologjinë cloud, ndërsa grupi "SAIC" do të përgjigjet për kërkimet teknike dhe prodhimin.

"Bashkëpunimi ynë me grupin 'SAIC' është bashkëpunim i përgjithshëm në harduerë dhe softuerë. Përparësia e një prodhuesi makinash me histori mbi 100-vjeçare si 'SAIC' është që ky grup ka harduerë të përparuar dhe është e vështirë që grupet e tjera vendëse të krahasohen me të. Ndërkohë, grupi ynë ka përparësi në softuerë, të dhënat e mëdha dhe teknologjinë cloud. Kështu, ky bashkëpunim mes harduerëve dhe softuerëve do të shkaktojë ndryshime të mëdha në mënyrën e jetesës së konsumatorëve," thotë Wang Licheng.

Qysh nga viti 2014, disa kompani të mëdha, si "Baidu", "Alibaba", "Tencent" dhe "Letv", janë futur në tregun e automjeteve, duke nisur kështu epokën e "makinave me internet". Përveç bashkëpunimit mes "Alibaba"-s dhe "SAIC"-ut, edhe "Letv", "Tencent"-i dhe "Baidu" kanë nisur bashkëpunimin përkatësisht me "BAIC"-un, "Foxconn"-in dhe "Shangai GM". Wang Licheng-u bëri të ditur që, në prirjen masive "makinë+internet", strategjia e grupit "Alibaba" është që ta vendosë sektorin e automjeteve në fillim të të gjithë zinxhirit të bizneseve të veta. Wang shpjegon:

"Është një terminal që përgjigjet për mbledhjen dhe shpërndarjen e të dhënave. Në të ardhmen, makina e lidhur me internet do të jetë një terminal që do të ketë dy funksione kryesore: së pari, do të ngarkojë në sistem çdo veprim të klientëve dhe, së dyti, në bazë të të dhënave të klientëve, do të rekomandojë një shërbim më të përshtatshëm. Thelbi i bashkëpunimit tonë me grupin 'SAIC' është që të prodhojmë një makinë që mban të dhënat tuaja personale dhe ofron shërbime më të mira për ju."

Makina me internet sigurisht do të lehtësojë jetën e njerëzve, por publiku tregon vëmendje për disa probleme konkrete. Për shembull, z. Ge, që jeton në Pekin, është i shqetësuar për koston e lartë të internetit.

"Për qytetarët e thjeshtë, pagesa e makinave me internet është e volitshme, por ekzistojnë disa shqetësime. E para është sinjali. Nëse ndodhemi në një vend me sinjal të dobët, si mund ta bëjmë pagesën? Ky është shqetësimi kryesor. Krahas kësaj, problemi tjetër është kostoja e internetit. Nëse kostoja është e madhe, parapëlqejmë të përdorim celularin dhe jo makinat me internet," thotë z. Ge.

Tani, kompanitë e internetit po futen shpejt në sektorët tradicionalë dhe prodhuesit e makinave po ndryshojnë shpejt modelin e tyre të vjetër. Në këtë gjendje, makina me internet është bërë një prirje e re që udhëheq zhvillimin e sektorit të automjeteve. Përveç pjesëmarrjes dhe investimeve të kompanive të famshme, edhe qeveria kineze ka shprehur mbështetjen për këtë sektor, duke shpallur disa politika dhe masa inkurajuese. Ministri i Industrisë dhe i Teknologjisë së Informacionit i Kinës Miao Wei u shpreh që tani Kina po bën kërkime në telekomunikacionin 5G, që do të përdoret kryesisht në makinat me internet.

Analistët janë të mendimit që interneti do të sjellë hapësirë krejtësisht të re për sektorin e makinave. Në të ardhmen, me nxitjen e politikave përkatëse, integrimi i makinave dhe internetit do të ketë një zhvillim të shpejtë dhe vlera e këtij tregu të ri pritet të arrijë mbi 100 miliardë juanë.

Është parashikuar gjithashtu që në vitin 2017, tregu i passhitjes i automjeteve (duke mos përfshirë financimin e automjeteve dhe marrjen e makinave me qira) do të jetë mbi 1 trilion juanë. Bashkë me këtë potencial kaq të madh, makina me internet do t'u sjellë të gjithë qytetarëve përfitime dhe lehtësi më të mëdha. Lidhur me çmimet dhe koston përkatëse, drejtuesi i një kompanie në këtë fushë ka parashikuar që makina me internet do të ketë një cilësi dy herë më të madhe dhe gjysmën ose një të tretën e kostos në krahasim me makinën tradicionale.

(Jiang Lei)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China