20150526fe |
Ditët e fundit Këshilli i Shteti i Kinës publikoi planin kombëtar "Made in China 2025", në të cilin shtjellohet në mënyrë të gjithanshme strategjia për fuqizimin e Kinës në sektorin e manifakturës. Ky është plani i parë strategjik i Kinës në këtë drejtim në 10 vjetët e fundit. Objektivi i planit kombëtar është që, deri në vitin 2025, Kina të bëhet një vend i fuqishëm në manifakturë dhe, deri në 2035-n, ky sektor në Kinë të arrijë në mënyrë të gjithanshme nivelin mesatar botëror.
Tani, situata globale e manifakturës po përballon ndryshime të mëdha. Vendet perëndimore kanë nisur strategjinë e "riindustrializimit", me synim që të rifitojnë epërsinë konkurruese në prodhim, ndërkohë që disa vende në zhvillim po rregullojnë aktivisht sektorët përkatës dhe po i kalojnë kapitalet në sektorë të rinj. Prandaj Kina duhet të gjejë shpejt një rrugë të përshtatshme për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të manifakturës. Për këtë, ministri i Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit i Kinës Miao Wei thotë:
"Ku duhet orientuar faza e re e zhvillimit? Cila është rruga e zhvillimit? Çfarë masash do të marrim? Në cilat fusha duhet të shpejtohet zhvillimi? Këto pika kanë për qëllim të nxitin shndërrimin e Kinës nga një vend i madh në një vend të fuqishëm në sektorin e manifakturës. Për këtë arsye konceptuam planin 'Made in China 2025'."
"Kingtec" është një kompani që prodhon pajisje elektrike të tensionit të ulët. Menaxheri i shitjeve i kësaj kompanie Ma Gaodong e pranoi që produktet e tyre shiten mirë në tregun ndërkombëtar dhe vëllimi i eksportit është afro 200 milionë juanë në vit, por "Kingtec" prodhon vetëm produkte të markave të huaja, e për këtë arsye marzhi i tyre i fitimit është shumë i ulët.
"Kemi hartuar një raport statistikor, sipas të cilit, produktet tona zënë 10 % - 15 % të tregut amerikan, megjithatë, të gjitha janë të markave të klientëve tanë dhe me logo të huaja," thotë Ma.
Ma Gaodong-u vë në dukje që, në vitet e fundit, me ndikimin e faktorëve të tillë si kostoja e krahut të punës, konkurrueshmëria e produkteve të kompanisë "Kingtec" po ulet gradualisht.
"Meqë produktet tona janë të teknologjisë së ulët dhe përbëhen nga material PVC dhe bakri, edhe kompanitë indoneziane mund t'i prodhojnë ato. Indonezia është ndër vendet më të favorizuara nga Shtetet e Bashkuara dhe produktet e tyre janë pa tarifa doganore, ndërsa tarifa doganore për produktet kineze është 2.7 %. Në fakt, marzhi i fitimit i produkteve tona është vetëm 5 %, ndërsa indonezianët i shesin produktet e tyre 2.7 % më lirë se ne. Indonezia është si Kina disa vjet më parë. Ata nuk kanë pajisje të përparuara, por mos harroni se niveli i rrogave atje është vetëm 300 - 500 juanë, kurse në Kinë ky nivel është 3000 - 5000 juanë. Prandaj, konkurrenca tani është shumë, shumë e ashpër," shprehet menaxheri i shitjeve i kompanisë "Kingtec" Ma Gaodong.
Në Kinë ka plot kompani si "Kingtec" dhe kjo tregon që Kina është një prodhuese e madhe, por nuk është e fuqishme. Sipas të dhënave përkatëse, në sektorin e manifakturës në shkallë botërore, Kina ka llojet më të shumta dhe vëllimin më të madh. 223 produktet "Made in China" zënë vendin e parë në botë për sa i përket vëllimit të prodhimit, por shumë prej tyre ndodhen në pjesën e ulët të zinxhirit të vlerës. Zv.ministri i Industrisë dhe i Teknologjisë së Informacionit Mao Weiming analizon se produktet "Made in China" ndodhen përballë dy problemeve kryesore: mungesa e risive dhe cilësia e ulët:
"Niveli i risive ende nuk është i lartë dhe teknologjitë kyçe janë në duart e të tjerëve. Për këtë shkak, shumë kompani kineze ende bëjnë vetëm përpunimin dhe montimin, që janë në pjesën e fundit të zinxhirit të vlerës. Përveç kësaj, edhe cilësia e prodhimit nuk është mjaft e mirë. Tani ne nuk kemi ende korporata shumëkombëshe që kanë ndikim të madh në tregun ndërkombëtar."
Në planin "Made in China 2025" janë përfshirë edhe nëntë detyra strategjike, si shtimi i aftësisë së risive, nxitja e integrimit të thellë mes informatizimit e industrializimit dhe forcimi i aftësisë bazë industriale. Ndërkohë janë përcaktuar qartë edhe pesë projekte kryesore, si forcimi i prodhimit industrial, prodhimi i gjelbër dhe inovacioni në pajisjet moderne. Krahas këtyre, në këtë plan strategjik është përfshirë edhe projekti për zhvillimin e mëtejshëm të dhjetë sektorëve të rëndësishëm, si teknologjia e re e informacionit, makineritë moderne dixhitale dhe robotët, pajisjet hapësinore, pajisjet për inxhinierinë oqeanike dhe anijet me teknologji të larta, pajisjet moderne të transportit hekurudhor, si edhe kursimi i energjisë dhe makinat me energji të reja.
Mao Weiming-u vuri në dukje gjithashtu se, për të kaluar nga një prodhuese e madhe në një prodhuese të fuqishme, Kina duhet të rritë nivelin e prodhimit, si edhe nivelin e konkurrueshmërisë.
" Problemi i parë që duhet të zgjidhet nga plani 'Made in China 2025' duhet të jetë rritja e nivelit të prodhimit dhe e nivelit të konkurrueshmërisë. Vetëm kështu, sektori kinez i manifakturës mund të luajë rol të vërtetë në pjesën e sipërme të zinxhirit të prodhimit dhe zinxhirit të vlerës. Atëherë Kina në sektorin e manifakturës, veçanërisht në prodhimin e pajisjeve, mund të kalojë nga një prodhuese e madhe në një prodhuese të fuqishme," thekson Mao Weiming-u, zv.ministri i Industrisë dhe i Teknologjisë së Informacionit.
Në fakt, plani i shpallur nga Kina "Made in China 2025" dhe plani i Gjermanisë "Industri 4.0" janë të njëjtë në thelb, fokusohen tek integrimi i internetit me industrinë tradicionale. Megjithatë, të dy planet kanë edhe dallime. Plani gjerman "Industri 4.0" synon një fazë të re të revolucionit teknologjik. Ky plan fokusohet kryesisht tek pjesa e sipërme e sektorit të prodhimit. Ndërkohë, "Made in China 2025" nuk është thjesht një plan për revolucion teknologjik, por një program i gjithanshëm për ndryshimin e modelit të zhvillimit të sektorit të manifakturës. (Jiang Lei/Artan Goga)