PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Lindita Legisi, thyerësja e "Kanunit" të biznesit
2015-05-26 17:11:16 CRI Komenti juaj Printoni

Lindita Legisi, administratore e kompanisë së prodhimit të veshjeve "Omega" dhe kryetare e Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve të Shqipërisë, është ndër të parat femrat sipërmarrëse në Shqipëri, duke e filluar biznesin që 18 vjeçe. Karakterin e saj të vendosur e ka marrë nga e ëma, duke thyer secila prej tyre tabu. Nëna e saj doli kundër Kanunit të Lekë Dukagjinit, duke prishur fejesën që në djep dhe duke vazhduar shkollën, ndërsa Lindita i është futur biznesit kur femrat sipërmarrëse numëroheshin me gishta. Në moshën 22-vjeçare ajo u bë bashkortake me investitorë italianë, në një firmë që solli e para makineri europiane për konfeksionet. Sot Lindita Legisi punon për emra të njohur botërorë, si "Gruppo Sixty" apo "Max Mara". Si shumë gra të tjera në biznes, Lindita ka arritur të ndërtojë një karrierë të suksesshme, por njëkohësisht të jetë një nënë dhe bashkëshorte e përkushtuar.

 

Lindita Legisi mund të thuhet se e nisi rrugën e biznesit kur ishte maturante në Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja në vitin 1991. Vajza mirditore studionte për italishte dhe filloi të punojë si përkthyese për sipërmarrësit italianë që nisën të vinin në Shqipëri menjëherë pas hapjes së saj ndaj të huajve, me qëllim që ta njihnin vendin, për të parë mundësitë që më pas të krijonin bizneset e tyre aty. Më pas Lindita nisi studimet në universitet, po vijoi edhe të punonte me biznesmenët italianë, duke u marrë me tregtimin e makinerive për industrinë tekstile. "Në fundin e vitit 1992, nisa punë me disa italianë që erdhën për të tregtuar makineri për industrinë tekstile, më pas vijova studimet për gjetjen e tregjeve dhe kushtet e bizneseve," kujton 41-vjeçarja.

Lindita Legisi thotë se hyrja në sektorin e konfeksioneve ishte e rastësishme: "U futa në konfeksione thjesht nga roli i përkthyeses në këtë sektor. Më pas ishte vetëm dëshira për të punuar, për të bërë diçka, dëshira për të ecur përpara, për të njohur përvoja të reja," shprehet Lindita. Dhe më tej vijon: "Shumë e re pata mundësinë të lëvizja jashtë, të dilja e të shihja një realitet tjetër, me kulturë ndryshe, dëshirë pune krejt të ndryshme nga jona. U futa pa dashur, por më pas eca se doja të punoja, edhe pse isha jashtë profilit tim. Nuk kisha menduar ndonjëherë se do të përfundoja në konfeksione. Ishte një sektor që nuk e njihja. Isha 18 vjeçe. Ishte koha … kur u hapën diskot e para, lokalet e para, e ndërkohë që miqtë e mi argëtoheshin, unë iu dedikova punës.

Në mars 1995 Lindita Legisi u bë bashkortake me një investitor italian në kompaninë "Adria-Tex", e cila ishte e para që solli në Shqipëri makineritë industriale europiane për konfeksionet. "Them me kënaqësi se kontribuuam në krijimin e pjesës më të madhe të firmave të fasonit. Ndër vite këto firma e kanë pasur kompaninë tonë si pikë referimi," shprehet znj. Legisi.

Në vitin 1987 "Adria-Tex" nisi prodhimin e pantallonave për tregun italian. Në vitin 2001 u krijua kompania e konfeksioneve "Omega" si filial i "Adria-Tex"-it. Pas 20 vjetësh punë tek "Adria-Tex"-i, ku dha sa mundi për t'i dhënë emër biznesit, në fund të 2013-s Lindita Legisi vendosi të mbajë 100 për qind të aksioneve në kompaninë "Omega", duke hequr dorë nga 50 për qind e aksioneve në "Adria-Tex". "E bëra për të ecur më tej, dëshira dhe ëndrra janë produkti im, synoj ta perfeksionoj këtë biznes", tregon Lindita. "Omega" fillimisht kishte 35 punonjës, ndërsa sot ka 160 të tillë. "Ne ishim të parët që sollëm në Shqipëri 'Gruppo Sixty' dhe, pas disa vitesh, po ne shpërndamë punë nga ky grup në mbi 15 ndërmarrje të tjera konfeksionesh. Ndihem mirë që ne bëmë një hapje të Shqipërisë në tregun botëror, duke punuar fort për të marrë ekskluzivitetin e tij për Shqipërinë," vë në dukje biznesmenia. "Prodhonim mesatarisht për 'Gruppo Sixty' deri në 130-150 mijë palë veshje, si pantallona, funde, bluza, xhaketa dhe, duke ofruar gamë të plotë të të gjitha produkteve, arritëm te ky ekskluzivitet." Më tej ajo vë në dukje: "Shumë në Shqipëri kanë mentalitetin se një produkt 'Made in Albania' nuk ka aq vlerë, por shumë më tepër nuk e dinë se këtu qepen veshje të firmave më të mëdha të veshjeve në botë".

Znj. Legisi thekson se, si të tjerët, e nisi pa pasur aspak kulturë biznesi, por duke punuar, mësoi: "E nisa nga zero dhe ja ku jam sot". Kompania e saj "Omega" është tashmë ndër kompanitë udhëheqëse në sektorin e konfeksioneve. Duke respektuar të gjitha standardet, sot kompania prodhon për emra si "Liu Jo", "Fornarina", "Fradi", grupi "Max Mara" me markat "Max & Co" dhe "Penny Black". Lindita Legisi nuk ndien vështirësi të gjejë klientë, se ka standarde cilësore, shpejtësi, korrektësi: "Puna që bëjmë, na lehtëson shumë lidhjen e kontratave". Kompania "Omega" ka pasur xhiro vjetore përherë në mbi 1 milion euro.

Lindita Legisi thotë se kriza ekonomike rajonale ka prekur edhe Shqipërinë në mënyrë të ndjeshme. Firmat porositëse greke ndërprenë pagesat në mënyrë të menjëhershme dhe shkaktuan mbylljen apo reduktimin e shumë reparteve prodhuese në qytetet shqiptare si Saranda ose Gjirokastra, shton ajo. Ndërsa gjatë vitit të kaluar dha shenjat e saj të forta në Shqipëri edhe kriza italiane. Sidoqoftë, industria e fasonëve në Shqipëri ka nisur ta rimarrë veten dhe tashmë Lindita ndihet optimiste se gjërat në biznesin ku është përfshirë, do të vijnë duke u bërë edhe më mirë.

Lindita Legisi synon tashmë prodhimin me cikël të mbyllur: "Është një dëshirë që secili nga ne e ka, por, duke mos qenë prodhues të lëndës së parë në Shqipëri, nuk jemi shumë konkurrues," shprehet sipërmarrësja. Lindita Legisi njeh disa kompani që prodhojnë me cikël të mbyllur në Shqipëri, me produkt e material të pandryshueshëm, si xhinse dhe këmisha, çka u jep mundësi ta përfundojnë produktin. "Unë prodhoj pallto, pantallona, etj. me material të ndryshëm dhe të shumëllojshëm, ndaj nuk është e lehtë të realizosh një produkt përfundimtar, sepse kjo kërkon edhe kapital të fortë," shprehet znj. Lindita.

Si drejtuese e Dhomës Kombëtare të Prodhueseve të Veshjeve të Shqipërisë, Lindita Legisi kërkon mbështetjen e industrisë vendëse të tekstileve. "Ka shumë investitorë që nuk dinë se ku të investojnë, ku të drejtohen dhe si mund të orientohen. Ndihet nevoja për orientim, se më pas vetë bizneset hedhin hapin e investimit. Një vend nuk mund të jetë vetëm importues dhe konsumues, por duhet të prodhojë dhe, për sa kohë nuk ke një industri nga A-ja te Zh-ja, nuk mund të jesh një konkurrent i fortë," vë në dukje kryetarja e Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve të Shqipërisë.

 

Lindita Legisi ka ecur në jetë me forcat e veta, me moton "Sakrificë për të arritur atë që do". Suksesi i saj, më shumë se rastësi, duket se është fryt i trashëgimisë familjare, veçanërisht nga e ëma, e cila dikur shkeli Kanunin e Lekë Dukagjinit, ndërsa e bija guxoi të ishte ndër të parat femra në Shqipëri që do ta lidhnin jetën e tyre me biznesin. "Mamaja ime ka qenë dhe është një shembull shumë i fortë dhe pozitiv në jetën time," thekson Lindita. "Është një mama që ka një kurajë të jashtëzakonshme, një grua që, për të shkuar në shkollën e mesme, kur vajzat e fshatit nuk duhej të shkonin, kalonte përditë lumin në këmbë, vetëm nga dëshira për t'u shkolluar. Për t'u regjistruar në shkollë u detyrua që të prishte zakonet e Kanunit të Lekë Dukagjinit, se ishte e fejuar që në djep. Që në thirrjen që u bë për oficeret e para gra në Shqipëri, ishte një nga të dhjetat që u regjistrua menjëherë. Pra, ishte një vajzë që ka thyer shumë tabu të kohës dhe të shoqërisë, që ka ecur përpara… një grua që ka çarë gjithmonë e vetme, me forcat e saj dhe ka ecur gjithmonë përpara. Dhe unë natyrisht i jam shumë borxhlie."

Në vitin 2014 Lindita Legisi fitoi në kategorinë "Gruaja sipërmarrëse" të "Çmimeve për sipërmarrësin e vitit" "Bleta e artë", të dhëna nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes e Shqipërisë. Lindita tregon: "Kur u vlerësova me çmimin e gruas sipërmarrëse të vitit, nuk e prisja, ishte surprizë për mua. Natyrisht thashë dy fjalë, por nuk falënderova askënd tjetër veç fëmijëve të mi, si nënë dhe grua, duke u nisur nga ndjenjat personale. Falënderova fëmijët e mi dhe të të gjitha nënave në biznes, sepse ata fëmijë në heshtje kanë sakrifikuar pranë nesh, pasi ne u kemi munguar nga koha e përkëdheljeve. Thashë po ashtu se nuk e dimë nëse fëmijëve tanë do t'u lëmë pasuri, por ajo që them e bindur është se fëmijëve tanë do t'u lemë një edukatë dhe kulturë pune, që ata të jetojnë në një shoqëri më të mirë, që të bërit biznes të mos konsiderohet vetëm sakrificë, por të jetë edhe privilegj.''

E pyetur nëse do të donte që fëmijët të trashëgojnë profesionin e saj, znj. Lindita shprehet se do të donte që së pari vajza dhe djali i saj të mësonin dhe më pas të ishin në gjendje që të bënin vetë zgjedhjet e tyre.

Nënë e dy fëmijëve ndihet borxhlie për kohën e paktë që kalon me ta: "Ndihem pak keq, sepse për të bërë më të mirën në sipërmarrje, kërkohet jo pak sakrificë në familje", shprehet Lindita. Por ka gjetur edhe zgjidhjet që ata të mos e ndiejnë këtë punë me orar të zgjatur. Të shtunave fëmijët shkojnë në fabrikë dhe Lindita mendon se është e rëndësishme për ta të shikojnë si punon mamaja: "Nuk mund t'i detyroj të merren me këtë biznes, por dua t'i ndihmoj që, duke vlerësuar punën, ta kenë më të lehtë rrugën drejt arritjeve në jetë," vë në dukje Lindita. Me fëmijët ajo ndan kohën e lirë, lojërat, notin, daljet jashtë Tiranës. Bashkë janë në çdo udhëtim pune që ka e ëma.

Lindita mban mbiemrin e vajzërisë, Legisi, si një zgjedhje për t'u ndier mirë me lirinë e saj: "Kam qenë gjithnjë e vendosur të arrij atë që dua". Që fëmijë, nga i ati mësoi edukatën e punës dhe korrektesën, ndërsa nga e ëma shpirtin e guximit. Në vitin 1997 Lindita ishte 24 vjeçe dhe ndër tre të parët që mori një kredi në Bankën Amerikane, për të blerë një shtëpi, ku ftoi më pas prindërit. "Mbaj mend që, kur e pa shtëpinë, nga gëzimi im atë as fliste dot, as qante dot, por i mblidhej gjithçka në fyt, ishte shumë krenar për atë çka kishte arritur e bija. Burim frymëzimi kam ndier nënën time dhe veten si ajo: gjithnjë kundër opinionit, gjithçka mbi shpatulla. Kur ti vetë provon gjërat, arrin një moshë dhe nivel të caktuar, sheh të përbashkëtat me prindërit, që nga mënyra e edukimit, e transmetimit të ndjenjave, e punës," shprehet krenare Lindita Legisi.

Si grua në biznes, Lindita Legisi preferon marrëdhëniet në punë me gratë sipërmarrëse: "Duke njohur natyrën korrekte të gruas dhe dëshirën për të dhënë më të mirën, parapëlqej gratë në stafin tim personal e në shërbimet e ndryshme. Transportin e bëjmë me një kompani që drejtohet nga një grua. Edhe përfaqësimin e klientit 'Max Mara' e bën një grua. Ne, gratë, kuptohemi pa folur shumë, edhe kënaqësinë nga puna e shprehim më tepër me njëra-tjetrën. Nuk është e njëjta gjë kur ke përballë një burrë," vëren ajo.

Lindita Legisi thotë se gratë biznesmene janë shumë të përqendruara të bëjnë mirë punën e tyre dhe nuk merren me jetë mediatike, me reklama apo me tribuna. Lindita e njeh psikologjinë e gruas, e cila me punë kalon sfidat pa u dukur shumë, ndaj beson se shumë prej tyre mbeten të panjohura, pavarësisht se mund të jenë shumë më të mira e mund të kenë sakrifikuar më shumë në biznes sesa burrat. "Ka gra që nuk e shohin si përparësi të qenit njeri i njohur, po një gjë e tillë duhet të ndryshojë," mendon biznesmenia e fortë. "Shoqëria duhet të çmojë njerëzit që përbëjnë vlerë."

Por sa e vështirë është për Lindita Legisin të jesh femër në biznes?

"Gratë dhe unë personalisht si e tillë, e kemi ndier shumë më tepër sesa meshkujt vështirësinë," shprehet ajo. "Së pari, sepse ishim në një shoqëri që ishte paragjykuese. Me rrogën e parë kam blerë biçikletën, që të shkoja nga fakulteti në punë, më pas, me mundësinë më të parë, bleva menjëherë makinën dhe i kam dhënë makinës në rrugët e Tiranës atëherë kur shumë pak femra shiheshin ta bënin një gjë të tillë. Dhe natyrisht isha një nga të paragjykuarat për këtë gjë."

 

Lindita Legisi ndihet mirë me zgjedhjet që ka bërë në jetë, një nga të cilat është qëndrimi në vendin e vet. Mund të largohej nga Shqipëria që kur ishte studente, por vendosi të mos e bëjë një gjë të tillë. Znj. Legisi kujton: "Që në moshë të re pata mundësinë të shoh shumë vende të Europës. Kam udhëtuar shumë për punë. Duke qenë e re dhe duke njohur gjuhë të huaja, pata shumë oferta për të qëndruar në ato vende. Por kam pasur një dëshirë dhe një atdhetarizëm shumë të theksuar. Vija nga një familje ushtarakeje, kështu që isha shumë e lidhur me familjen dhe vendin tim. Kisha dëshirë të mbroja emrin e Shqipërisë kudo. Me shumë krenari, kam dashur të nxjerr në pah vlerat më të mira të vendit tim…"

Megjithatë, nga përvoja e vet jashtë vendit, Lindita kujton me më shumë kënaqësi takimin me Papën në Vatikan.

Lindita Legisi i përket atij brezi të rinjsh që, me ndryshimet politike në Shqipëri, duke punuar e duke studiuar, mori përgjegjësi të mëdha dhe vit pas viti u rrit me biznesin: "Doja shumë që mosha ime, brezi im, të bënte diçka, që vendi ynë të ishte në të njëjtat nivele me vendet e tjera. Kur nisëm biznesin në fillim të viteve '90, nuk kishte asgjë. Jemi brez që … kishim vetëm dëshirën dhe secili nga ne ka dhënë nga vetja, ka mësuar nga përvoja e miqve dhe është munduar brenda biznesit të tij të krijojë një edukatë dhe kulturë pune. Rinia e sotme e ka një eksperiencë tonën që ne nuk e kishim, një edukatë dhe kulturë pune mbi të cilën e ka shumë më të lehtë të ndërtojë biznes. Por mendoj që dëshira jonë e atëhershme dhe impenjimi ynë ishte shumë më i madh sesa sot. Ne ishim një brez që i ndiem shumë ndryshimet, ndaj pres që brezi që do të vijë të ketë një ndjenjë atdhetarie të fortë, por të bazuar në vlerat e tij," thotë sipërmarrësja e veshjeve.

Po cila është sfida e radhës për Lindita Legisin? Duket se ajo lidhet me paraqitjen e markës dhe të prodhimeve të kompanisë së saj në mbarë botën: "Dua të kem një paraqitje sa më të bukur të biznesit, që nga ndërtesa sipas mënyrës sime, ndërmarrje e një femre shqiptare, organizim i përsosur i biznesit dhe arritje, duke bërë të njohur markën dhe prodhimet tona edhe në vendet më të largëta. Më pëlqen që vendi më i largët të më duket më i afërt. Kufijtë mes vendeve po fshihen dhe gjithçka që sot na duket e madhe, nesër do të na duket shumë e vogël".

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China