PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Investimet kineze rigjallërojnë ekonominë e BE-së
2015-05-19 16:24:29 CRI Komenti juaj Printoni

Sivjet është 40-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kinës dhe Bashkimit Europian. Gjatë këtyre vjetëve, lidhjet tregtare kanë qenë bazë dhe motor i zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe. Me thellimin e bashkëpunimit tregtar mes dy palëve, statusi i BE-së në tregtinë e jashtme dhe bashkëpunimin ekonomik të Kinës është rritur në mënyrë të qëndrueshme dhe investimet kineze në vendet e BE-së kanë pasur një rritje të vrullshme.

Nga viti 2005 deri në vitin 2013, vëllimi i përgjithshëm i investimeve kineze në Bashkimin Europian është rritur nga 190 milionë në afro 10 miliardë dollarë amerikanë. Brenda dhjetë vjetëve, investimet e Kinës në BE janë shtuar me rreth 50 herë. Që nga viti 2010 këto investime i kanë kaluar ato të BE-së në Kinë për tre vjet me radhë. Veçanërisht pas shpërthimit të krizës së borxheve, kur investitorët ndërkombëtarë u tërhoqën nga Europa, investitorët kinezë nuk u larguan, por shtuan nivelin e investimeve, duke nxitur rimëkëmbjen ekonomike të BE-së. Deri në fund të vitit 2014, investimet e drejtpërdrejta të Kinës në BE shënuan një vlerë prej afro 50 miliardë dollarë amerikanë. Drejtori i Zyrës së Bashkëpunimit Ekonomik Ndërkombëtar pranë Komitetit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës Zhang Jianping u shpreh se tani Bashkimi Europian është bërë rajoni ku investimet kineze kanë njohur rritjen më të madhe.

"Niveli i investimeve nga kompanitë kineze në Europë është shtuar me ritme të shpejta, veçanërisht gjatë krizës financiare dhe krizës së borxheve në Europë, për arsye që shumë asete europiane ishin brenda kufijve të arsyeshëm, rreziqet ishin ulur në mënyrë të mjaftueshme dhe vendet europiane shtuan përpjekjet për tërheqjen e investitorëve kinezë. Në vitin 2014 investimet kineze në Europë u rritën me 172 %. Kjo është një shifër vërtet befasuese," thotë Zhang Jianping.

Pas shpërthimit të krizës europiane të borxheve, nëpërmjet blerjes së bonove qeveritare të Greqisë, Italisë dhe Spanjës, shtimit të importit të mallrave nga këto vende dhe të investimeve të drejtpërdrejta, Kina i ndihmoi këto vende të BE-së të përballonin krizën, duke arritur rigjallërimin ekonomik. Dr. Manuel Perez Garcia nga Spanja, pedagog në Universitetin Renmin të Kinës, shprehet:

"Në Bashkimin Europian, disa vende mesdhetare ishin të përfshira thellë në krizën e borxheve dhe përballeshin me një deficit shumë të madh. Investimet kineze futën likuidite në Spanjë, Greqi, Itali dhe Portugali, që ishin mjaft të prekura nga kriza e borxheve. P. sh., në Spanjë, kompanitë kineze kanë blerë me sukses kompani të sektorëve të ndryshëm. Pas krizës, qëndrimi i BE-së ndaj investimeve kineze ka ndryshuar shumë dhe qeveritë e vendeve anëtare shpresojnë të krijojnë lidhje më të ngushta me Kinën, për të tërhequr më shumë investime kineze."

Është e vërtetë që, në fillim, investitorët kinezë nuk kishin një njohje të mjaftueshme të tregut europian dhe atyre u mungonte përvoja në menaxhim pas blerjeve ndërkombëtare. Për këtë arsye, vendet e BE-së për disa kohë mbajtën një qëndrim të rezervuar ndaj investimeve nga Kina. Megjithatë, pas vitesh përpjekjeje dhe eksplorimi, investitorët kinezë tani kanë gjetur rrugën e përshtatshme për gjendjen e tregut europian, si edhe për nevojën për lokalizim të investimeve kineze. Zhang Jianping përmendi kompaninë "NVC Lighting Tech", që ka eksploruar një model të përshtatshëm për investimet kineze në Europë.

"Kompania kineze 'NVC Lighting Tech' ka bërë investime në pajisjet e ndriçimit në Britani. Pas investimeve, NVC-ja përdori një model menaxhimi të lokalizuar, duke ruajtur ekipin e mëparshëm të menaxhimit dhe duke kontrolluar vetëm anët financiare dhe strategjike të kompanisë. Fakti është që ky lloj investimesh të lokalizuara ka pasur sukses të madh. Kështu, mund të themi që investimet kineze kanë gjetur një rrugë lokalizimi në Europë dhe po shfrytëzojnë përparësitë e vendeve të ndryshme për të eksploruar një model më të mirë investimi, menaxhimi dhe zhvillimi në tregun europian, me të cilin mund të arrihet vërtet përplotësimi dhe përfitimet e ndërsjella," thekson Zhang Jianping.

Përveç bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët, Kina dhe Bashkimi Europian kanë përpara tyre edhe një rast strategjik, nismën "Një Brez dhe një Rrugë". Ky është një koncept strategjik i propozuar nga kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping, për të lidhur Europën dhe Azinë si një bashkësi fatesh me përfitime të ndërsjella. Në qoftë se Bashkimi Europian do ta shfrytëzojë siç duhet strategjinë "Një Brez dhe Një rrugë" dhe do të stabilizojë rritjen e shpejtë të investimeve kineze në tregun europian, ekonomia europiane me siguri do të arrijë një gjallërim të mëtejshëm. Dr. Manuel Perez Garcia thotë:

"Nga ana strategjike, 'Një Brez dhe një Rrugë' është një koncept i mirë, mbulon një sferë të madhe dhe përfshin shumë vende, por këto vende kanë gjendje të ndryshme. Për këtë arsye, duhet të vendosen marrëdhënie ekonomike-tregtare dhe të kryhen investime të veçanta në këto vende dhe të hartohen politika të ndryshme në bazë të gjendjes së tyre, si edhe të merren masa përkatëse."

Pas 40 vjetësh zhvillimi, marrëdhëniet Kinë-BE janë bërë motor kryesor për nxitjen e zhvillimit të Kinës dhe të vendeve të BE-së dhe vlerësohen si një nga marrëdhëniet dypalëshe me potencial më të madh. Drejtori i Zyrës së Bashkëpunimit Ekonomik Ndërkombëtar të Komitetit Kombëtar të Zhvillimit dhe të Reformës të Kinës Zhang Jianping thotë që investimet kineze në tregun europian kanë nxitur rimëkëmbjen ekonomike të Europës dhe në të njëjtën kohë kanë ekuilibruar zhvilllimin e ekonomisë botërore.

"Shumë kompani europiane kanë emër të mirë në tregun global dhe kanë epërsi në markë, menaxhim, kërkim dhe shitje, ndërsa kompanitë kineze kanë përparësi në funksionim, prodhim dhe vëllimin e biznesit dhe të kapitaleve. Nëse bashkohen epërsitë e Kinës dhe të Europës, do të kemi një epërsi të re konkurrimi në tregun ndërkombëtar. Gjithashtu, nëse investimet kineze në Europë vazhdojnë dhe e nxitin ekonominë europiane të vijojë procesin e rimëkëmbjes, kjo do të thotë që bashkëpunimi Kinë-Europë po nxit pandërprerë rimëkëmbjen e ekonomisë globale. Me bashkëpunim më të mirë ekonomik mes Kinës dhe Europës, do të ketë zhvillim më të bashkërenduar ndërrajonal dhe zhvillimi i ekonomisë globale do të jetë më i ekuilibruar," u shpreh Zhang Jianping.

(Jiang Lei/Artan Goga)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China