PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Kinë, perspektivë e gjerë për makinat elektrike
2015-05-13 09:44:50 CRI Komenti juaj Printoni

Kohët e fundit u zhvillua Panairi Ndërkombëtar i Automjeteve i Shangait për vitin 2015 (Shanghai Auto Show). Në këtë panair u ekspozuan mbi 1300 lloje të reja makinash, 103 prej të cilave makina elektrike. Këto makina eletrike janë prodhuar si me investime të huaja, ashtu edhe me investime të përbashkëta dhe me investime vendëse.

Grupi i automjeteve BAIC i Pekinit mori pjesë në këtë panair me produkte të fundit të energjive të reja. Për të tërhequr sa më shumë blerës, BAIC-u e ndryshoi mënyrën e ekspozimit, duke ngritur një pavijon të ri me një mjedis të gjelbër. Kryemenaxheri i Kompanisë së Automjeteve me Energji të Reja të Grupit BAIC Zheng Gang bëri të ditur që tani BAIC-u po bashkëpunon me një firmë italiane, për të prodhuar një makinë krejtësisht të re elektrike me nivel botëror dizejnimi. Ky produkt i ri parashikohet të dalë në treg në tremujorin e fundit të këtij viti.

"Këtë herë ne po bashkëpunojmë me një firmë italiane dhe do të prodhojmë në Kinë një makinë krejtësisht të re elektrike. Kjo makinë e re është projektuar me teknologji të posaçme për makina elektrike dhe ndryshon nga makinat e tjera elektrike, të cilat janë projektuar dhe prodhuar në bazë të makinave tradicionale, pas ndërrimit të motorit dhe kutisë së shpejtësisë. Kjo makinë e re do të prodhohet me teknologjinë më të përparuar në botë dhe me materialet më të lehta. Skeleti i saj është prej alumini dhe mbulesa prej fibrash karboni dhe materialesh të përziera. Tani në mbarë botën ka vetëm dy modele makinash të projektuara dhe prodhuara me këtë teknologji: "BMW i3" dhe "Tesla S". Besojmë se kjo makinë do të shënojë fillimin e arritjes nga kompanitë kineze të nivelit të kompanive ndërkombëtare lidhur me teknologjinë më të fundit në prodhimin e makinave elektrike."

Ndër 103 llojet e makinave me energji të reja të ekspozuara në panairin e Shangait, edhe makina hibride me bateri të ringarkueshme ka tërhequr mjaft vëmendjen e njerëzve. Prodhueset e njohura të makinave, si "Audi", "BMW" dhe "Volvo", kanë bërë investime në këtë drejtim. Drejtorja e promovimit të produkteve e Departamentit të Promovimit të kompanisë "Volvo" Xu Hong bën të ditur që "Volvo" ka ekspozuar modelin e fundit të makinës hibrid "S60L E", e cila është e vetmja makinë hibrid e kategorisë B që shitet në treg.

"Kjo makinë është shumë e veçantë, pasi është hibride, me bateri të ringarkueshme dhe benzinë. Në këtë mënyrë, ajo është si tre makina në një dhe ka tre opsione. Mund të përdorësh energjinë elektrike, që do të thotë lëshim zero. Mund të përdorësh edhe variantin hibrid dhe kështu të provosh fuqinë e madhe të motorit, pasi makina arrin një shpejtësi të caktuar. Në këtë gjendje, makina mund të arrijë një përshpejtim nga 0 deri në 100 metra brenda 5.2 sekondash. Kjo zakonisht realizohej nga supermakinat si "Porsche", ndërsa tani mund të arrihet edhe me këtë makinë hibrid me bateri të ringarkueshme. Po ashtu, ka edhe një model sportiv, që është i përshtatshëm për udhëtime të gjata. Kur nuk ka shtyllë për ngarkim baterie gjatë udhëtimit, mund të aktivizohet ky model dhe të përdoret benzina. Kjo mund të garantojë lëshim të ulët, duke siguruar fuqinë e mjaftueshme dhe kontrollin e lehtë të makinës," thotë Xu Hong, drejtore e promovimit e kompanisë "Volvo".

Në tregun kinez të automjeteve, makinat me energji të reja kanë perspektivë të mirë dhe një vlerë shumë të madhe. Gjigantët kinezë dhe ndërkombëtarë të prodhimit të automjeteve janë përfshirë në këtë industri, duke u përpjekur për të zotëruar një pjesë sa më të madhe të këtij tregu të ri. Drejtori i shitjeve për Kinën Veriore i kompanisë "Tesla" Wang Hao u shpreh që tani kompanitë prodhuese të makinave, e gjithë shoqëria dhe qeveritë e niveleve të ndryshme duhet të përpiqen bashkërisht, për të krijuar një mjedis të pjekur për makinat me energji të reja. Ai thotë:

"Për zhvillimin e biznesit tonë në Kinë ne të kompanisë 'Tesla' kemi nevojë për ndihmën e të gjithë shoqërisë. E vetme, një kompani ka kapacitet të kufizuar, prandaj shpresojmë që të gjithë të marrin pjesë në këtë industri dhe të kuptojnë që makinat me energji të reja janë e ardhmja e zhvillimit të automjeteve. Shpresojmë që e gjitha shoqëria t'i kushtojë vëmendje këtij sektori, që qeveria kineze të mbështetë në mënyrë konkrete këtë biznes dhe që të gjitha palët e ndryshme të marrin pjesë në të. Vetëm kështu kjo industri do të ecë përpara në të ardhmen në mënyrë më të shëndetshme dhe më të shpejtë."

Në vitin 2013, numri i automjeteve të prodhuara dhe shitura në Kinë arriti mbi 20 milionë, ndërkohë që u shitën vetëm 26 mijë makina elektrike. Sipas të dhënave të fundit, vjet numri i makinave elektrike të shitura arriti në 74 mijë, duke bërë që 2014-a të vlerësohet nga ekspertët si "viti i parë i makinave elektrike". Analistët shprehen që, me mbështetjen nga qeveria qendrore dhe pushteti vendor, shitja e makinave elektrike në Kinë do të futet në një fazë të re.

Sipas planit, në vitin 2015 numri i makinave elektrike dhe makinave hibrid në Kinë do të arrijë në 330 mijë, ose 20 herë më shumë se në vitin 2013. Për të përshpejtuar përhapjen e makinave elektrike, përveç subvencioneve dhe uljes së taksave, pushteti vendor në Shenzhen, Shangai dhe Pekin ka filluar bashkëpunimin me kompanitë përkatëse, duke ngritur më shumë pika ngarkimi baterish. Jiang Jianping është zv.menaxheri i përgjithshëm i kompanisë "Potevio New Energy". Ai është i mendimit që, në kushtet e tanishme, shërbimet për makinat elektrike duhet të sigurohen nga kompanitë profesioniste.

"Shërbime të tilla duhet të ofrohen nga profesionistët, pasi në banesat tona nuk ka kushte të përshtatshme për instalimin e shtyllave të ngarkimit. Prandaj shërbimet duhet të ofrohen nga operatorët profesionistë, të cilat mund të garantojnë ngarkim të shpejtë dhe cilësor. Kompania jonë po merret me këtë lloj shërbimi për makinat elektrike," thotë Jiang Jianping-u.

Tani Kina e ka shtuar nivelin e subvencioneve për blerjen e makinave me energji të reja, gjë që tregon vullnetin për nxitjen e zhvillimit të këtij sektori. Në fakt, industria e makinave me energji të reja është një nga shtatë sektorët e rinj strategjikë të propozuar nga qeveria kineze. Me zhvillimin e teknologjisë dhe risive, do të publikohet standardi kombëtar dhe do të hartohen politika përkatëse stimuluese. Në këtë mënyrë është e mundshme që tregu kinez i automjeteve me energji të reja do të sigurojë zhvillim të shpejtë në disa vjetët e ardhshëm.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China