PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Receta e suksesit e Wang Huimin-it
2015-05-13 09:18:29 CRI Komenti juaj Printoni

Kryetarja e Kompanisë së Restoranteve "Xiao Nan Guo" Wang Huimin e nisi biznesin me një restorant me vetëm disa tryeza, ndër sot ka më shumë se 70 restorante në mbi 10 provinca e rajone të Kinës, dhe është përfshirë në "Listën botërore të grave miliardere" të revistës "Forbes".

Sipërmarrësja Wang Huimin ka lindur në vitin 1956 në Shangai. Në vitin 1987 ajo vendosi ta lërë punën në shtet, për të filluar biznesin e vet, me gjithë kundërshtimin e fortë të familjes. Një veprim i tillë do të thoshte të hiqje dorë nga një pozicion që të siguronte një rrogë të qëndrueshme dhe një pension të garantuar. Por Wang Huimin-i donte të provonte aftësitë e veta në fushën e sipërmarrjes, duke krijuar një restorant, të cilit i vuri emrin "Xiao Nan Guo".

Në të vërtetë, sipërmarrja nuk ishte një risi për familjen e Wang Huimin-it. Edhe gjyshërit e saj kishin bërë biznes, kështu që Wang-u nuk ishte rishtare, dhe, për më tepër, familja e saj ishte e apasionuar pas gatimit, duke kultivuar tek ajo dashurinë për ushqimin e shijshëm e të shëndetshëm.

31-vjeçarja e atëhershme i përdori të gjitha kursimet e saj nga puna në shtet për të hapur restorantin e parë "Xiao Nan Guo", që ishte shumë i vogël dhe kishte fillimisht vetëm disa tryeza. Restoranti ndodhej në rrugën "Changsha", që ishte një rrugë e mbushur plot me dyqane pajisjesh elektronike në distriktin Huangpu të Shangait, dhe shërbente ushqime të kuzhinës autentike të Shangait.

Kuzhina e Shangait është një ndër tetë kuzhinat kryesore në Kinë dhe përbërësit kryesorë të saj janë peshku i freskët, mishi i pulës e mishi i derrit dhe lloje të ndryshme perimesh, ndërsa shija është përgjithësisht disi e ëmbël.

Në vitet '80 të shekullit të kaluar kishte pak restorante private në Shangai. Wang Huimin-i këmbënguli që gjellët e ofruara nga restoranti i saj, megjithëse i vogël, të ishin të cilësisë së lartë dhe shërbimi i ngrohtë. Teksa emri "Xiao Nan Guo" nisi të përhapej, restorant tërhoqi një numër të madh klientësh prej të pasurve të rinj nga i gjithë Shangai.

Së shpejti mjedisi i restorantit "Xiao Nan Guo" ishte shumë i vogël për të përmbushur kërkesën, e për këtë arsye Wang Huimin-i vendosi të hapë në vitin 1995 një restorant tjetër.

Restoranti i dytë "Xiao Nan Guo", për hapjen e të cilit Wang Huimin-i shpenzoi 1 milion juanë (afro 160 mijë dollarë amerikanë), kishte një sipërfaqe më shumë se 100 metra katrore dhe ndodhej në rrugën "Huanghe", ku konkurrenca ishte më e ashpër, për shkak se kjo rrugë ishte një qendër restorantesh luksi. Si Wang Huimin-i, ashtu edhe restoranti i saj "Xiao Nan Guo", filluan të njohin rritje si në aspektin e funksionimit të biznesit, ashtu edhe të aftësive të konkurrencës në treg.

Ndërsa konkurrentët e tjerë po përpiqeshin për të zënë një pjesë sa më të madhe të tregut në rrugën "Huanghe", Wang Huimin-i filloi të kërkonte mundësi të reja. Në vitin 1997 ajo vendosi të hapë një tjetër restorant pranë Aeroportit Ndërkombëtar "Hongqiao" të Shangait. Edhe ky restorant ishte më shumë se 100 metra katrorë dhe u bë një vend i rëndësishëm drekimi ose darkimi, kryesisht për biznesmenët që bënin udhëtime pune në metropolin e zhvilluar kinez, që mund të shijonin aty ushqimin vendor dhe të gjenin një mjedis të këndshëm, duke u ndodhur njëkohësisht në një qendër kryesore transporti.

Investimin e vet më të guximshëm në Kinën kontinentale Wang Huimin-i do ta bënte pas dy vjetësh të tjerë, pikërisht në vitin 1999, kur me 100 milionë juanë (afro 16 milionë dollarë amerikanë) bleu në rrugën "Hongmei" në rrethinat e Shangait një truall me sipërfaqe 1.3 hektarë për të ndërtuar restorantin më të madh dhe kryesor "Xiao Nan Guo", me kapacitet rreth 1 000 veta. Edhe pse kishte nga ata që dyshuan nëse klientët do të shkonin aq larg për të shijuar ushqimin e "Xiao Nan Guo"-së, ky veprim i Wang Huimin-it doli më në fund i suksesshëm.

"Guximi im mbështetej në besimin që kisha në fuqinë blerëse të konsumatorit kinez," vë në dukje Wang Huimin-i. "Atyre u pëlqen ushqimi i mirë dhe tani mund të blejnë makina për të udhëtuar jashtë qytetit në vend që të qëndrojnë brenda tij."

Sektori i restoranteve në pjesën kontinentale të Kinës ka ruajtur një rritje dyshifrore gjatë tredhjetëvjeçarëve të fundit. Të ardhurat e këtij sektori në vitin 2011 shkuan në 2 trilionë juanë (afro 320 miliardë dollarë amerikanë) dhe parashikohet të arrijnë në 3.7 trilionë juanë (mbi 590 miliardë dollarë amerikanë) deri në fund të vitit 2015.

Në vitin 2001 "Xiao Nan Guo" hyri në tregun e Kinës Jugore, duke hapur restorantin e vet të parë në Hong-Kong, i cili do të pasohej nga të tjerë, që do ta shndërronin Hong-Kongun në qendrën e dytë rajonale, me numrin më të madh të restoranteve "Xiao Nan Guo" pas Shangait. Në vitin 2006 u hap restoranti i parë "Xiao Nan Guo" në Kinën Veriore, dhe pikërisht në kryeqytetin Pekin, që do të shndërrohej në qendrën e tretë rajonale.

"Xiao Nan Guo" ka tani më shumë se 70 restorante në pjesën kontinentale të Kinës, Hong-Kong, Makao dhe Tajvan.

Përveç markës "Xiao Nan Guo", në vitin 2010 Wang Huimin-i krijoi markën e dytë, "Maison de L'Hui", që synon kryesisht klientë të shtresës së pasur. Në këto restorante shërbehen ushqime të kuzhinës së Shangait e të Guangdong-ut në mjedise të projektuara nga arkitektë të njohur vendës e të huaj. Deri tani ka vetëm tre restorante të tilla, që të gjithë në Shangai, por Wang Huimin-i planifikon t'i shtrijë ato edhe në qytete të tjera kryesore. Dy vjet më vonë, më 10 qershor 2012, në atë që u quajt një ndryshim prej 180 gradësh, Wang Huimin-i hapi në Hong-Kong të parin prej restoranteve të markës së tretë të saj, të quajtur "The dinning room". Restorantet "The dinning room" janë restorante popullore, ku shërbehet kuzhinë shangajase. Deri më tani ka 7 restorante të tilla në tre qytete kineze.

Në mars 2014 Kompania e Restoranteve "Xiao Nan Guo" njoftoi projektin e një restoranti tematik në Shangai, të quajtur "Shtëpia-barkë", i cili pritet të hapet në tremujorin e katërt të sivjetshëm. "Xiao Nan Guo" arriti marrëveshje bashkëpunimi për këtë projekt me kompaninë e njohur amerikane "Schussler Creative".

"Shtëpia-barkë" është një tjetër nismë e kompanisë për të hyrë në tregun masiv, teksa ajo kërkon të sjellë në Kinë markat e huaja dhe të eksplorojë biznesin në restorantet perëndimore. Wang Huimin-i u shpreh: "Kjo jo vetëm është hera e parë që 'Xiao Nan Guo', si një zinxhirët kinezë të restoranteve të shërbimit të plotë më të mëdha, hyn në segmentin e restoranteve perëndimore, por është po ashtu hera e parë që ne bashkëpunojmë me një partner të huaj me një emër të njohur. 'Xiao Nan Guo' ka një përvojë të pasur dhe një ekip të fortë në Kinë, gjë që e bën atë një partner ideal për kompanitë e huaja. 'Xiao Nan Guo' është i bindur në rezultatet e eksplorimit të mëtejshëm të restoranteve të llojeve të ndryshme dhe me rritje të madhe."

Ndërkohë, në fund të vitit të kaluar, "Xiao Nan Guo" njoftoi planet për të hapur kafene dhe restorante të tipit perëndimor në të gjithë Kinën kontinentale, Hong-Kong dhe Makao me "Pokka Corporation", ku "Xiao Nan Guo" deklaroi se do të blinte 65 për qind të aksioneve. Wang Huimin-i u shpreh: "Si pjesë e strategjisë shumëmarkëshe të 'Xiao Nan Guo'-së, blerja do të rrisë përvojën e kompanisë në biznesin e kuzhinës perëndimore. Kompania gjithashtu do të jetë në gjendje të sigurojë disa emra markash të njohura dhe një ekip të shkëlqyer menaxhimi, së bashku me një partner të madh."

Shndërrimi i "Xiao Nan Guo"-së nga një zinxhir restorantesh me bazë në Kinë në një grup global restorantesh, hotelerie dhe argëtimi ka qenë ëndrra e Wang Huimin-it prej më shumë se dy dhjetëvjeçarësh. Një hap drejt realizimit të kësaj ëndrre ishte përurimi në tetor të vitit 2012 në Shangai i hotelit me pesë yje dhe 188 dhoma "WH Min" (WH janë nistoret e emrin të Wang Huimin-it).

"Jam e prirur të krijoj një përvojë mikpritjeje luksoze vendëse për klientët tanë," u shpreh 59-vjeçarja Wang Huimin. "Ne duam të përfitojmë nga gatimet tona delikate të përgatitura nga kuzhinierë profesionistë për t'u mundësuar mysafirëve të hotelit të shijojnë ushqimin gjatë qëndrimit këtu."

Po në vitin 2012 Kompania e Restoranteve "Xiao Nan Guo" u listua në Bursën e Hong-Kongut, me një ofertë publike fillestare 512 milionë dollarë hongkongas (më shumë se 66 milionë dollarë amerikanë).

"Xiao Nan Guo" është nderuar me çmime të ndryshme, si "Markë e mirënjohur e Kinës" në vitin 2010, "Markë e famshme e Shangait" në vitet 2007, 2009 e 2011, "Markë restoranti më e çmuar" në vitin 2013 etj.

Në vitin 2013 Wang Huimin-i u përfshi në "Listën botërore të grave miliardere" të revistës "Forbes".

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China