PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Sun Taoxiang-u, tekstilistja që u bë "perandoreshë restorantesh"
2015-05-13 09:19:59 CRI Komenti juaj Printoni

Biznesi i restoranteve është një ndër bizneset më të vështira për të pasur sukses. Në Wuhan, kryeqendra e provincës Hubei të Kinës Jugore, konkurrenca në këtë sektor është veçanërisht e ashpër. Pavarësisht nga kjo, Sun Taoxiang-u jo vetëm ka arritur që t'i bëjë restorantet e saj të mbijetojnë, por edhe i ka kthyer ato në një perandori restorantesh luksoze. Ajo është bërë udhëheqëse e industrisë ushqimore të qytetit të saj për më shumë se një dhjetëvjeçar, duke qenë edhe përfaqësuese e grave biznesmene dhe një zëdhënëse e interesave të tyre.

Sun Taoxiang-u ka lindur në Wuhan në vitin 1964 dhe ishte më e vogla ndër katër fëmijët e familjes së saj. Kur Sun-i ishte në moshën 6-vjeçare, familja e saj u zhvendos në një fshat të Xiaogan-it po në provincën Hubei. Sun Taoxiang-u i kaloi atje gjashtë vjetët e ardhshëm.

"Ngrihesha në orën 5:30 të mëngjesit dhe përditë bëja dy orë në këmbë për të shkuar në shkollë. Zakonisht kthehesha në shtëpi natën vonë," kujton ajo.

Përveç shkollës, Sun Taoxiang-umerrej edhe me punë bujqësie. "Isha shumë e mirë në të ushqyerit e derrave dhe kullotjen e qeve," tregon Sun-i me të qeshur.

Pavarësisht vështirësive të fëmijërisë, Sun Taoxiang-u nuk e sheh atë me hidhërim, por beson se vuajtjet i dhanë mundësinë për t'u bërë e fortë dhe për të fituar një shpirt këmbënguljeje.

Në vitin 1976, me përfundimin e Revolucionit Kulturor, familja e Sun Taoxiang-ut u kthye në Wuhan dhe ajo nisi të studiojë në një shkollë të mesme në qytet. Pas përfundimit të shkollës, Sun Taoxiang-u filloi të punojë në një fabrikë tekstilesh, ndërsa banonte te motra e vet e madhe.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se 30 vjet, ajo ende e kujton shumë qartë punën e vet të parë. "Ndërresa ime ishte nga ora 07:30 e mëngjesit deri në 04:00 të pasdites, me një orë pushim në drekë. Paga mujore ishte 22 juanë (pak më shumë se 3.5 dollarë amerikanë)," shprehet Sun Taoxiang-u.

Shumë vite më vonë, kur ish-koleget e saj në fabrikë lexuan për Sun Taoxiang-un në lajme, u befasuan ku morën vesh se vajza e re që punonte me to, ishte bërë pronare i një perandorie restorantesh.

Por në atë kohë, vetë Sun-i as nuk e përfytyronte një sukses të tillë në të ardhmen. Ndonëse e lodhur, mbrëmjet pas punës në fabrikë ajo i kalonte duke bërë kuti shkrepësesh për të fituar para shtesë. "Përnatë nuk shkoja të flija derisa të kisha përfunduar 1000 kuti, si një robot. Merrja 0.7 juanë (0.11 dollarë amerikanë) për 1000 kuti," thotë milionerja.

Për fat të keq, në vitin 1983motra e madhe e Sun Taoxiang-ut vdiq dhe ajo duhej të dilte jashtë nga shtëpia. Sun shkoi për të jetuar me motrën e vet të dytë.

Një vit më pasSun Taoxiang-u gjeti punë në një dyqan shitjesh pajisjesh elektroshtëpiake. Duke punuar shumë, ajo vazhdimisht realizonte objektivin e shitjeve dhe lëvdohej shpesh për zakonin e saj për t'i ndihmuar klientët të mbartin në shtëpi pajisjet që kishin blerë.

"Paga ime mujore ishte 50 juanë (rreth 8 dollarë amerikanë), por shpërblimi që merrja ishte 170 juanë (27.4 dollarë amerikanë)," thotë ajo.

Për punën e saj të shkëlqyer, pronari i dyqanit e vlerësonte Sun Taoxiang-un si një punonjëse kyçe. Pa kaluar shumë, ajo u caktua me detyrën e bashkërendueses së tregtisë së tekstileve ndërmjet dyqanit dhe kompanive australiane.

"Në atë kohë, të të caktohej një përgjegjësi e tillë do të thoshte se punëdhënësi kishte një mendim shumë të mire për ty," vë në dukje Sun-i.

Në vitin 1988 Sun Taoxiang-u, e martuar tashmë, mbeti shtatzënë dhe mori lejen e lindjes. Kur u kthye në punë, ajo filloi të rishikojë karrierën e saj.

Në vitet '90 të shekullit të kaluar, "vetëpunësimi" ishte fjala e ditës ndër banorët e Wuhan-it, ashtu si edhe në mbarë Kinën. Dyqane të vogla mode të drejtuara nga të rinjtë u përhapën në gjithë qytetin dhe përditë dëgjoheshin histori të reja të atyre që bënin pasuri në biznesin e shitjes së veshjeve.

Ideja e vetëpunësimit e joshte Sun Taoxiang-un, por, kur fliste për këtë me familjen dhe punëdhënësin e saj, ajo haste në kundërshti prej të gjithëve. Pronari i thoshte se ajo kishte një të ardhme premtuese në punën e vet dhe familja i vuri në dukje se ajo punë i linte mjaft kohë për t'u kujdesur për foshnjën.

"Për shkak të idesë sime, kisha mosmarrëveshje me pronarin dhe familjen", kujton Sun Taoxiang-u.

Por Sun ishte e vendosur që asgjë të mos e ndalonte për ta provuar. Ajo bëri një marrëveshje me punëdhënësin e saj, duke i paguar 70 juanë (më shumë se 11 dollarë amerikanë) në muaj për ta mbajtur vendin e punës, ndërsa ajo do ta provonte në biznes.

Sun Taoxiang-u pastaj mori me qira një dyqan 13-metra katrore dhe filloi shitjen e rrobave të grave. Çdo javë ajo shkonte me tren në Guangzhou, kryeqendër e provincës Guangdong të Kinës Jugore, për të blerë mall me shumicë. Treni ishte gjithmonë e mbushur plot me njerëz dhe asaj i duhej të rrinte në këmbë përgjatë gjithë udhëtimit.

"Sa herë që duhej të kthehesha me çantat e rënda të mbushura dingas me rroba, o Zot, ishte ferri vetë," ndërmend Sun Taoxiang-u.

E megjithatë, "të vështira, por të ëmbla" mund të jetë përshkrimi më e mirë për ato ditë të saj në atë kohë. Pavarësisht mundit, fitimi në sektorin e veshjeve arrinte deri në 70 për qind, duke disafishuar kështu të ardhurat e Sun-it. Një vit më vonë, ajo e la punën e vet të mëparshme.

Kur kishte kursyer 40 000 juanë (rreth 6500 dollarë amerikanë), ajo filloi të ketë një vision më të gjerë. Huajti 40 000 juanë të tjerë dhe e investoi të gjithë shumën për të hapur restorantin e vet të parë në vitin 1992.

Sun Taoxiang-u mori me qira një hapësirë ​​të vogël dhe hapi aty një restorant me disa tryeza dhe dy kamerierë. Biznesi i saj u rrit me shpejtësi dhe dy vjet më vonë ajo investoi dhjetë herë më shumë, 800 000 juanë (129 mijë dollarë amerikanë), për të marrë me qira një hapësirë ​​300 metra katrorë për një restorant luksi.

Në vitin 1996 Sun Taoxiang-u hapi një tjetër restorant të suksesshëm në qytet. Në atë kohë, numri i punonjësve të saj arrinte në rreth 300 veta. Ekipi i saj me përvojë dhe suksesi i restorantit të ri e bënë Sun-in të vendosur për ta zhvilluar më tej biznesin e vet, duke ngritur një zinxhir restorantesh.

Vitet e mëpasshëm njohën një rritje të shpejtë të biznesit të Sun Taoxiang-ut, e cila hapi pesë restorante të reja në Wuhan.

Sun Taoxiang-u besonte se, që të zotëronte tregun, mënyra më e mirë ishte ta bënte biznesin e saj një markë, dhe hapja e një zinxhiri restorantesh ishte mënyra më e shpejtë për ta bërë këtë. Për të, koha ishte flori.

Deri në fund të vitit 1999, Sun Taoxiang-u kishte hapur 15 restorante, të cilët mbulonin çdo pjesë të qytetit disamilionësh të Wuhan-it.

Në vitet '90 të shekullit të kaluar, nuk ishte vetëm biznesi i Sun Taoxiang-ut që ishte zgjeruar, por i gjithë sektori i restoranteve në Wuhan. Qyteti kishte parë ngritjen dhe rënien e të gjitha llojeve të restoranteve.

E vetëdijshme për konkurrencën e ashpër, Sun Taoxiang-u e dinte se ajo duhej të lëvizte më shpejt dhe të shihte më larg se të tjerët, nëse donte të vazhdonte të ishte udhëheqëse në këtë sektor.

Pas kryerjes së një studimi tregu në qytetet lindore bregdetare kineze, Sun Taoxiang-u kuptoi se njerëzit nuk shkonin më në restorant vetëm për të ngrënë, por edhe për mjedisin dhe shërbimin. Ajo arriti në përfundimin se restorantet e saj kishin shumë për të përmirësuar në të dy këto aspekte.

Për habinë e të gjithëve, Sun Taoxiang-u filloi mbylljen e disa prej restoranteve të saj. Edhe pse kishte bërë aq shumë përpjekje për t'i ngritur këto restorante, nuk ngurroi t'i pakësojë kur ishte e nevojshme. Brenda një periudhe të shkurtër, Sun Taoxiang-u kishte mbyllur gjashtë prej restoranteve të saj, duke lënë vetëm më të mirat.

Në vitin 1999, Sun Taoxiang-u bleu një restorant të madh që po falimentonte dhe investoi 12 milionë juanë (diçka më shumë se 1.9 milionë dollarë amerikanë) për ta rinovuar. Kur restoranti u rihap në vitin 2000, konsumatorët vërshuan. Po atë vit Sun Taoxiang-u investoi 40 milionë juan (afro 6.5 milionë dollarë amerikanë) për hapjen e një tjetër restoranti të madh në qytet, duke e bërë atë një nga restorantet më të mira në këtë zonë.

Duke i pakësuar e duke lënë hapur vetëm restorantet më të mira, dhe pastaj duke i investuar me kujdes paratë e saj, Sun Taoxiang-u e forcoi pozitën e vet udhëheqëse në sektorin e restoranteve.

Duke mos u mjaftuar vetëm me një gjë të tillë, Sun Taoxiang-u e diversifikoi biznesin e vet edhe në përpunimin e ushqimit dhe pasuritë e patundshme. Megjithatë, restorantet mbeten pasioni i saj dhe ato që e kanë bërë milionere.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China