20150428FE |
Pas Zonës së Tregtisë së Lirë të Shangait, të krijuar në shtator të vitit 2013, në Kinë u publikua zyrtarisht projekti i gjithanshëm për grupin e dytë të zonave të tregtisë së lirë. Projekti parashikonte krijimin e tre zonave të reja të tregtisë së lirë, përkatësisht në Guangdong, Tianjin dhe Fujian, të cilat do të përdornin të njëjtën të ashtuquajtur "listë negative" që funksionon në Zonën e Tregtisë së Lirë të Shangait. Kështu, në Kinë numri i zonave të tregtisë së lirë do të arrinte në katër. Javën e kaluar, në bazë të përvojës së mbledhur nga Zona e Tregtisë së Lirë e Shangait, u krijuan zyrtarisht zonat e tregtisë së lirë në tre rajonet bregdetare: Guangdong, Tianjin dhe Fujian. Kështu, në mbarë Kinën, sipërfaqja e zonave të tregtisë së lirë është zgjeruar nga 28 në afro 480 kilometra katrore.
Zona e Tregtisë së Lirë e Shangait funksionon që prej një viti e gjysmë. Deri tani, në këtë zonë janë regjistruar mbi 3000 kompani të huaja. Ndihmësi i ministrit të Tregtisë të Kinës Wang Shouwen u shpreh se në zonat e reja të tregtisë së lirë, është imituar modeli i suksesshëm i Zonës së Tregtisë së Lirë të Shangait, duke shfrytëzuar reformat novatore në katër drejtime: menaxhimi i investimeve, mbikëqyrja e biznesit, sistemi i ri financiar dhe mbikëqyrja gjatë dhe pas investimeve. Nga ana tjetër, në këto tre zona janë shtuar disa masa të reja, si formimi i një mekanizmi konsultimesh administrative dhe ndarja e procesit të shqyrtimit nga ai i menaxhimit.
"Zyra e Këshillit të Shtetit ka publikuar 'listën negative' për investimet e huaja, që u përshtatet katër zonave të tregtisë së lirë. Më parë në Shangai kishte një listë të tillë, ndërsa tani për të katër zonat ka një listë të integruar. Në krahasim me atë të Shangait, lista e tanishme i ka ulur më tej kufizimet, çka ka shtuar nivelin e hapjes dhe të transparencës në zonat e tregtisë së lirë," shprehet Wang Shouwen-i.
Lista e re negative e katër zonave të tregtisë së lirë përfshin 122 masa të posaçme menaxhimi, 85 ndër të cilat janë kufizuese dhe 37 janë ndaluese. Sipas të dhënave statistikore, në listën negative të vitit 2015, ka 17 kufizime më pak se në listën e vitit 2014 dhe 68 më pak se në atë të vitit 2013.
Ndihmësi i ministrit të Tregtisë të Kinës Wang Shouwen vuri në dukje se "një listë negative për katër zonat" tregon që niveli i hapjes në këto zona është i përafërt. Megjithatë, për arsye se tre zonat e reja kanë veçantitë e veta, krijimi i tyre ka synime të ndryshme.
"Për shembull, Zona e Tregtisë së Lirë e Guangdong-ut e vë theksin veçanërisht në bashkëpunimin Guangdong – Hong-Kong - Makao dhe në integrimin ekonomik mes këtyre zonave. Në Zonën e Tregtisë së Lirë të Guangdongut gjithashtu është përfshirë posaçërisht sektori i shërbimeve, i cili nuk gjendet në zonat e tjera të tregtisë së lirë. Ndërkohë, në Zonën e Tregtisë së Lirë të Tianjin-it fokusi vihet në zhvillimin e bashkërenduar Pekin-Tianjin-Hebei, duke synuar që të nxitet zhvillimi i krahinave të brendshme nëpërmjet portit të Tianjin-it. Në Zonën e Tregtisë së Lirë të Fujian-it është në qendër ndërthurja e mëtejshme e sektorit të industrisë në të dy brigjet e ngushticës së Tajvanit, për të stimuluar zhvillimin ekonomik në bregun perëndimor dhe për të nxitur ndërtimin e 'Një Brez dhe një Rrugë'," shprehet ndihmësi i ministrit të Tregtisë të Kinës Wang Shouwen.
Zona e Tregtisë së Lirë e Guangdong-ut është përcaktuar edhe si zonë model për bashkëpunimin me Hong-Kongun dhe Makaon, nyjë e Rrugës Detare të Mëndafshit dhe zonë pilot e fazës së re të reformave dhe hapjes të vendit. Guvernatori i provincës Guangdong Zhu Xiaodan bën të ditur që, pas formimit të zonës së tregtisë së lirë, janë regjistruar mbi 6500 kompani. Zhu thotë:
"Zona e Tregtisë së Lirë e Guangdong-ut ndodhet pranë Hong-Kongut dhe Makaos. Ajo ka vendndodhje të përshtatshme, karakteristika të spikatura, si edhe hapësirë të gjerë dhe potencial të madh për zhvillimin e risive. Ne ftojmë sinqerisht investitorët e krahinave të ndryshme të vendit, veçanërisht ata të Hong-Kongut dhe Makaos, të nisin biznesin e tyre në Zonën e Tregtisë së Lirë të Guangdong-ut."
Sipas projektit të gjithanshëm të Këshillit të Shtetit, Zona e Tregtisë së Lirë e Fujian-it do të fokusohet në nxitjen e tregtisë së lirë me rajonin e Tajvanit e në shkëmbimet njerëzore dhe ekonomike mes dy brigjeve. Sekretari i Komitetit të PKK-së të qytetit Xiamen Wang Menghui u shpreh:
"Sigurisht duhet të nisemi nga gjendja aktuale e Xiamen-it dhe të shfrytëzojmë plotësisht përparësinë dhe veçantinë tonë në lidhjet me Tajvanin. Gjithashtu, do të marrim pjesë aktivisht në strategjinë kombëtare 'Një Brez dhe një Rrugë' dhe do të kërkojmë një model të ri, rrugë të re dhe fusha të reja për thellimin e bashkëpunimit mes dy brigjeve, për të ndërtuar një zonë eksperimentale me një atmosferë ndërkombëtare investimesh, si dhe një zonë pilot për lehtësimin e tregtisë dhe investimeve mes dy brigjeve."
Si zonë e parë e tregtisë së lirë në Kinën Veriore, Zona e Tregtisë së Lirë e Tianjin-it do të përqendrohet tek strategjia e zhvillimit të bashkërenduar të Pekinit, Tianjin-it dhe provincës Hebei dhe zhvillimi ekonomik me eksportin në qendër, për të formuar një gjendje të re të gjithanshme të ashtuquajtur shumështresore, me ekonomi të hapur në mbarë rajonin. Zv.kryetari i bashkisë së Tianjin-it Yan Qingming thotë se synimi i tyre është që t'i shërbejnë zhvillimit të bashkërenduar të Pekinit, Tianjin-it dhe Hebeit. Si një qytet bregdetar, Tianjin-i do të forcojë edhe shërbimet në portin detar.
"Po përpiqemi për realizimin e integrimit të procedurave gjatë procesit të zhdoganimit e karantinës në doganë dhe për nxitjen e integrimit të portit të Tianjin-it dhe porteve të provincës Hebei. Gjithashtu, po bëjmë përpjekje t'i japim përkrahje Pekinit dhe provincës Hebei për të zgjeruar parqet e tyre logjistike në Zonën e Tregtisë së Lirë të Tianjin-it, për të përsosur shërbimet në portin detar, duke realizuar risi në sistemin logjistik të rajonit dhe politikat përkatëse," tha Yan Qingmin.
Analistët janë të mendimit që shtimi i numrit të zonave të tregtisë së lirë tregon se Kina ka nisur fazën e re të reformës dhe hapjes. Një gjë e tillë do të shtojë më tej nivelin e hapjes së ekonomisë kineze dhe do të japë mbështetje të fortë për zhvillimin e vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm ekonomik, si edhe për shpërndarjen e të mirave për të gjithë qytetarët.(Jiang Lei)