20150421HP |
Kina ka 56 kombësi, 55 nga të cilat janë pakica kombëtare. Edhe këto pakica kanë qenë pjesë e zhvillimit marramendës të Kinës në këta tre dhjetëvjeçarë dhe mjaft pjesëtarë të tyre kanë treguar një shpirt të fuqishëm sipërmarrjeje. Dy prej tyre janë edhe Cui Jiyu dhe Adili Maimaititure. Ata janë të kombësive të ndryshme, e po ashtu kanë të ndryshme moshën dhe gjininë, megjithatë kanë ndër të tjera të përbashkët faktin se pasurimin e kanë arritur prej ushqimeve karakteristike të kombësive të tyre. Një prej tyre është Cui Jiyu, e cila ka menaxhuar me sukses një restorant që ka si specialitet një gjellë tipike të kombësisë së saj koreane, makaronat e ftohta. Ndërsa tjetri është Adili Maimaititure, njëi ri ujgur që shet në internet kekun e arrës, një ëmbëlsirë karakterstike e vendlindjes së tij, Rajonit Autonom Xinjiang-Ujgur.
Cui Jiyu, gruaja e makaronave të shijshme
Cui Jiyu dhe i shoqi, Gao Rongyun, janë një çift nga kombësia koreane e Kinës. Ata jetojnë në Yanji, një qytet në Prefekturën Autonome të Kombësisë Koreane Yanbian, në provincën Jilin në verilindje të Kinës. Të dy ata tashmë janë në pension, por më parë Cui Jiyu ishte kryemenaxhere e restorantit "Jindalai", ndërsa bashkëshorti i saj profesor në Universitetin e Yanbian-it. Djali i tyre Gao Fenglie trashëgoi nga e ëma drejtimin e restorantit "Jindalai". Cui Jiyu është një grua e zakonshme, dhe familja e saj është një familje kineze e zakonshme, por e pasur falë punës dhe ... e bukur. Familja e Cui Jiyu-së është vlerësuar si një prej familjeve më të bukura në Kinë.
Cui Jiyu ka lindur në vitin 1954 në Yanji. Ajo u rrit bashkë me gjashtë vëllezër e motra të tjera dhe familja e saj bënte një jetë me shumë mundime. Që kur ishte e vogël, Cui përpiqej ta ndihmonte sa mundte të ëmën në punët e shtëpisë.
Statusi i grave të kombësisë koreane është zakonisht shumë më i ulët se ai i burrave. Cui Jiyu filloi të punojë pas përfundimit të shkollës së mesme në një restorant të administruar nga zyra e tregtisë e Bashkisë së Yanji-së.
Në vitin 1978 Cuiu martua me Gao Rongyun-in, që atëherë ishte mjek në një spital të lidhur me Universitetin e Yanbian-it. Një vit më pas çiftit i lindi një djalë, të cilin ata e quajtën Fenglie.
Në vitin 1991 Cui Jiyu u caktua të punojë si menaxhere në restorantin "Jindalai". "Jindalai" është fjala koreane për azalen, lulen e bukur për të cilën koreanët besojnë se është lajmëtare e pranverës dhe që simbolizon fat dhe lumturi. Restoranti "Jindalai" ishte e para sipërmarrje e përbashkët vendëse dhe e huaj në Yanbian, por si pasojë e menaxhimit të keq, kishte më shumë se një milion juanë borxhe (duke përfshirë edhe koston e ndërtimit) më pak se një vit pasi u hap. Humbjet e restorantit në atë kohë arrinin në dhjetëra mijë juanë në muaj. E megjithatë, Cui Jiyu vendosi ta merrte përsipër punën e re, e nisur edhe nga atdhedashuria e mirënjohja.
"E dija se do të ishte një punë e vështirë, ndonëse unë sigurisht do të doja që të kisha një punë më të lehtë. Por qeveria e kishte ndihmuar shumë familjen tonë. Unë kam gjashtë vëllezër e motra dhe ne nuk mund të rriteshim të shëndetshëm pa ndihmën e qeverisë. Restoranti 'Jindalai' i përkiste vendit tonë dhe nuk mund të lejoja që të kishte humbje. Duhej t'ia shpërbleja atdheut, prandaj e mora përsipër menaxhimin e restorantit dhe u mundova të bëja një punë të mirë," vë në dukje Cui Jiyu.
Dhe vërtet, nuk kishin kaluar veçse disa ditë që ajo kishte marrë detyrën e menaxheres dhe vështirësitë që hasi ishin të mëdha. Për shembull, të gjithë kreditorët e restorantit kërkonin t'u ktheheshin paratë dhe restoranti nuk kishte para të mjaftueshme as për të paguar punonjësit e vet.
Përnatë kur kthehej në shtëpi, Cui Jiyu shtirej sikur çdo gjë ishte në rregull në restorant, sepse nuk donte ta shqetësonte të shoqin. Megjithatë, meqë Yanji ishte një qytet i vogël, lajmi për gjendjen e restorantit u përhap shpejt. Nuk u desh shumë që Gao Rongyun-i të dëgjonte për këtë dhe ai mendoi se si mund ta ndihmonte të shoqen.
"Kam një mendim," i tha Gao Rongyun-i së shoqes një ditë. "Ty të duhet të punosh shumë në restorant. Kur kthehesh, bën punët e shtëpisë dhe nuk ke kohë fare të pushosh. Kam vendosur të aplikoj për pedagog në Universitetin e Yanbian-it, kështu që nuk më duhet të jem në krye të detyrës në spital përditë. Pasi të mbaroj leksionet, mund të kthehem në shtëpi dhe të të ndihmoj në punët e shtëpisë. Kështu, ti mund të përqendrohesh në menaxhimin e restorantit."
Dhe kështu u bë. Gao Rongyun-i nisi të japë lëndën e patologjisë mjeko-ligjore në Fakultetin Juridik të Universitetit të Yanbian-it, çka i lejoi Cui Jiyu-së t'ia kushtojë pothuaj të gjithë vëmendjen restorantit. Ajo punonte përditë deri në mesnatë. Çdo natë Gao Rongyun-i shkonte ta merrte të shoqen në restorant. Edhe pse ishte e shqetësuar në lidhje me biznesin, Cui Jiyu ishte e lumtur që i shoqi kujdesej për të dhe e ndihmonte me sa kishte mundësi.
Cui Jiyu gjykoi se një ndryshim në menynë në restorant do të tërhiqte klientë të rinj. Ajo vendosi që makaronat e ftohta koreane, një ushqim i veçantë në Yanbian, të ishin specialiteti i restorantit. Për këtë Cui shkoi në disa restorante, për të ngrënë makaronat e ftohta të tyre, dhe mësoi se si gatuheshin ato.
Lëngu dhe përbërësit janë afërmendsh ato që i bëjnë makaronat të shijshme. Duke e ditur këtë, Cui Jiyu dhe kuzhinierët e restorantit të saj prodhuan shumë lloje prej tyre, gjersa, më në fund, krijuan një recetë për makarona të ftohta të shijshme. Ajo i quajti makaronat e ftohta "Jindalai". Pak nga pak këto makarona, të cilat filluan të bëhen të njohura, bënë që restoranti të kishte një bazë të qëndrueshme klientësh. Në vitin 1997, Shoqata e Kuzhinës e Kinës i zgjodhi makaronat e ftohta "Jindalai" si një nga gjellët më të famshme kineze.
Meqë Cui Jiyu ishte e zënë me menaxhimin e restorantit, ajo nuk kishte shumë kohë për t'u kujdesur për djalin e vet, Gao Fenglie. Megjithatë, sa herë kishte mundësi, ajo i mësonte të birit se si të ishte një njeri i mirë. Cui Jiyu beson se prindërit janë modeli më i mirë për fëmijët e tyre. Ajo gjithmonë përpiqej t'i ndihmonte të tjerët dhe ky ishte një tipar që donte t'ia trashëgonte edhe të birit.
Nëse ndonjë nga prindërit e të shoqit sëmurej, Cui gjente kohë për t'u kujdesur për të, pa marrë parasysh se sa e zënë ishte me punë. Ajo donte t'i mësonte edhe djalit të vet rëndësinë e respektit për të moshuarit.
Një ditë, kur e pa të birin duke ngrënë vetëm në dhomën e tij, Cui Jiyu e këshilloi që ta ndante ushqimin me gjyshërit.
Në vitet e fundit, Cui Jiyu u ka dhuruar para fëmijëve nga familjet në gjendje jo të mirë ekonomike, për t'i ndihmuar ata të paguajnë për shkollimin e tyre. Edhe i biri, Gao Fenglie, paratë e xhepit që i jepnin prindërit i ndante me shokët e klasës me më pak fat se ai.
Në vitin 2003, Gao Fenglie mori një gradë "master" nga Universiteti i Yanbian-it. Edhe pse mund të kishte gjetur punë në shtet, i riu vendosi ta ndihmonte të ëmën në menaxhimin e restorantit. Në vitin 2004 ai filloi punë në restorant.
Gao Fenglie futi një sistem modern menaxhimi në restorant, duke hapur restorante edhe në qytete të tjera, si brenda, ashtu edhe jashtë provincës Jilin, si Changchun, kryeqendra e kësaj province, dhe Shenyang, kryeqendra e provincës fqinje Liaoning, po në Verilindje.
Në vitin 2009, i shoqi i Cui Jiyu-së, Gao Rongyun-i, doli në pension dhe vendosi të hapë një klinikë private. Cui e ndihmoi për të bërë dokumentet. "Në të kaluarën më ke ndihmuar dhe tani është radha ime të të ndihmoj ... teksa ti përgatitesh për t'u shërbyer njerëzve," i tha ajo të shoqit.
"Unë kam drejtuar një restorant për më shumë se 20 vjet. Nuk mund ta bëja punën time mirë pa përkrahjen e tim shoqi. Unë besoj se lumturia e një familjeje varet nga përpjekjet e gruas. Ne duhet të harrojmë gjërat që bëjmë për anëtarët e tjerë të familjes e të mbajmë mend gjërat që bëjnë të tjerët për ne dhe t'ua shpërblejmë. Unë mendoj se kjo është mënyra për të pasur një familje të lumtur," mendon gruaja e mirë e punëtore Cui Jiyu.
Adili, "princi i kekut të arrave"
Adili Maimaititure nuk kishte pasurimin në mendje kur hapi dyqanin e vet të parë në internet në vitin 2012 për të shitur kekun me arra të Xinjiang-ut, të quajtur qiegao (që fjalë për fjalë do të thotë "keku që pritet").
Në atë kohë, kjo ëmbëlsirë ishte bërë objekt humori në internet, sepse një mosmarrëveshje mes një shitësi ambulant të kombësisë ujgure dhe një klienti kishte përfunduar në pagimin nga ky i fundit të 160 000 juanëve (26 000 dollarë amerikanë) si kompensim për prishjen e më shumë se 2720 kilogramëve kek arre. Një përdorues interneti bëri me humor një llogari: "Një copë keku arre 1.6 metra katrorë kushton 160 000 juanë, që do të thotë rreth 100 000 juanë për metër katror. Me një metër katror kek arre mund të blesh tre metra katrorë apartament në Pekin." Ndërsa një tjetër përdorues interneti shkroi: "Shitja e kekut të arrës është rruga më e shkurtër drejt pasurimit."
Te shumë veta, incidenti përforcoi përshtypjen se keku i arrës ishte një luks i papërballueshëm dhe se jo më kot ishte pagëzuar "keku me çmim stratosferik".
"Ky nuk ishte imazhi i kekut të arrës me të cilin isha rritur unë," shprehet 24-vjeçari Adili Maimaititure, i cili tani është kryetar i bordit të Kompanisë së Tregtisë Elektronike "Mengxiangqihang" të Hunan-it. "Qiegao është pjesë e kujtimeve më të ëmbla të fëmijërisë sime."
Adili Maimaititure ka lindur në një familje të varfër në kontenë Shache të Rajonit Autonom Xinjiang-Ujgur. Babai i Adilit, ashtu si edhe gjyshi i Adilit përpara tij, shiste kekë arrash në rrugë për të rritur gjashtë fëmijët e vet. Ndihma që i jepte të atit për të bërë dhe për të shitur këtë ëmbëlsirë përbën një pjesë të mirë të kujtimeve të lumtura të fëmijërisë së Adilit.
Adili shprehet se pikërisht ndryshimi i këtij imazhi të ëmbëlsirës tradicionale ujgure ishte arsyeja kryesore përse në vitin 2012, kur ishte ende student në Universitetin e Shkencës dhe të Teknologjisë të Changsha-së në provincën Hunan të Kinës Qendrore, vendosi të hapë një dyqan në internet së bashku me dy shokët e tij të universitetit të kombësisë hane, Jiang Jinya dhe Jiang Chunyang.
"Doja që njerëzit të mësonin se si dhe çfarë është në të vërtetë keku i arrës dhe që të kishin mundësi ta shijonin atë e të krijonin vetë një përshtypje rreth kësaj ëmbëlsire, në vend që të frikësoheshin nga çmimi," shprehet Adili Maimaititure. Dhe më tej tregon: "Në fillim morëm hua para nga studentët e tjerë, por ato nuk mjaftonin. Atëherë ne i kërkuam ndihmë dhe morëm para prej universitetit tonë. Pasi siguruam paratë, filluam biznesin."
Të tre biznesmenët e rinj blenë ëmbëlsira nga shitësit ujgurë në Changsha për t'i shitur ato në "Taobao", uebsajti më i madh i shitjeve në internet në Kinë. "Pashë se kekët që bënin ata ishin larg të qenit ideale, nuk ishin thuajse aspak të ëmbla dhe kishin pak përbërës," thotë Adili Maimaititure.
Dhe kështu ai vendosi t'i blerë përbërësit në Xinjiang dhe të prodhojë vetë kek arre me to. "Përbërësit janë të gjithë nga vendlindja time, ato m'i dërgon vëllai. Pra, të gjithë produktet tona i prodhojmë nga përbërës të freskët dhe me shije të mirë," shprehet Adili.
Adili Maimaititure tregoi se kishte talent të natyrshëm për të bërë qiegao dhe gradualisht keku i tij i arrës filloi të ketë popullaritet në internet. Ata nisën ta shesin kekun 50 juanë për 500 gramë, një çmim jo i lartë ky.
Biznesi, i nisur nga një student i kombësisë ujgure dhe dy të kombësisë hane, gjeti pasqyrim në medien vendore të provincës Hunan në vitin 2013, përpara se të tërhiqte vëmendjen e medies shtetërore, gjë që ishte një faktor me rëndësi në bërjen të njohur të kompanisë.
Në fillim të majit të vjetshëm për ëmbëlsirën e shijshme nga Xinjiang-u u fol në një seri televizive mjaft të ndjekur lidhur me kuzhinën kineze, të transmetuar në televizionin qendror të Kinës CCTV dhe të quajtur "Një kafshatë nga Kina". Pas kësaj, shitjet e kekut të arrës në dyqanin në internet të Adilit arritën në 100 000 juanë (16 000 dollarë amerikanë) në ditë.
Megjithatë, Adili Maimaititure beson se cilësia e produktit që tregtojnë është arsyeja kryesore për arritjen e suksesit nga kompania.
"'Taobao' është një platformë e hapur ku blerësit potencialë mund të lexojnë përshtypjet e konsumatorëve të tjerë," thotë ai.
Me shtimin e porosive, biznesi i tyre tashmë punëson më shumë njerëz dhe, përveç strategjisë së marketingut në internet, sipërmarrësit e rinj kanë në plan të hapin një dyqan tradicional "prej tullash e llaçi".
Adili thotë se tre partnerët janë përpjekur t'i zgjidhin mosmarrëveshjet që u kanë dalë procesit të zhvillimit të biznesit të tyre.
"Kryesisht, dallimet tona janë rreth asaj se si t'i përdorim burimet tona siç duhet, si për shembull, a është e nevojshme të blejmë karrige ose tryeza të reja pune. Unë gjithmonë prirem drejt kursimit," thotë Adili. Dhe duke qeshur vë në dukje se në njëfarë mënyre ende kanë mbetur ata studentët e dikurshëm naivë: "Disa herë ne përdorim rrugën më të thjeshtë për të zgjidhur mosmarrëveshjet: hedhim tek-a-çift," thotë ai.
Në qershor të vitit të kaluar të tre ortakët e regjistruan biznesin e tyre me emrin Kompania e Tregtisë Elektronike "Mengxiangqihang" e Hunan-it, si dhe një markë tregtare për prodhimet e tyre, dhe po ashtu vendosën bashkëpunim me një kompani të njohur prodhimi ushqimesh.
Kompania tani ka dy njësi në Changsha: një fabrikë që prodhon pesë tonë kekë arre në ditë dhe një department të tregtisë elektronike. Ajo po ashtu e ka zgjeruar edhe gamën e vet të prodhimeve, duke përfshirë edhe hurmat dhe rrushin e thatë.
"Objektivi ynë për sivjet është që të arrijmë një vëllim të përgjithshëm të shitjeve prej 100 milionë juanësh, kurse brenda 10 vjetëve ta bëjmë kompaninë publike duke e kuotuar në bursë," shprehet Adili.
Adili, i cili është i njohur tani si "Princi i kekut të arrave", shpreson se qiegao do të bëhet një ëmbëlsirë e zakonshme dhe e pëlqyer edhe në dyqanet dhe supermarketet e vendit. Ai vë në dukje se është i vetëdijshëm që përkrahja e blerësve në internet është çelësi i suksesit të tyre, dhe bamirësia është mënyra për të shprehur mirënjohjen e tyre. Për të kremtuar Vitin e Ri kinez të sivjetshëm, Adili dhe dy shokët e tij ftuan më shumë se 10 000 veta për të shijuar një kek gjigant me peshë mbi dy tonë.
Por ç'është më e rëndësishmja, vjet Adili dhuroi pesë tonë qiegao, të gjithë sasinë që kishte në gjendje në punishte, për banorët e kontesë Ludian të goditur nga tërmeti.
"Pashë disa fotografi në internet që tregonin se të prekurve nga fatkeqësia po u jepeshin vetëm ushqimet më elementare. Kështu më shkoi ndër mend se qiegao është një alternativë e mirë, sepse është ushqyese dhe e lehtë për t'u mbartur," shpjegon Adili Maimaititure. Dhe shton: "5000 kg kekë arre i Xinjiang-ut mund të sigurojë kaloritë e nevojshme për 50 000 veta për një ditë".
Kekët e dhuruar nga Adili kapën vlerën e 500 000 juanëve (ose më shumë se 80 000 dollarëve amerikanë), dhe veprimi i tij u përgëzua gjerësisht në mediat sociale.
Lidhja e fortë e Adili Maimaititures me vendlindjen e vet asnjëherë nuk është dobësuar, dhe ai tani ka një mision më të rëndësishëm në mendje.
"Produktet bujqësore të Xinjiang-ut janë përballur për një kohë të gjatë me problemin e shitjes së paktë, për shkak të mungesës së kanaleve të shpërndarjes," shprehet ai. "Unë dua t'i ndihmoj fermerët e Xinjiang-ut të pasurohen. Mënyra më e mirë se si mund ta jap këtë ndihmë është nëpërmjet blerjes së një sasie të madhe të produkteve të tyre."
Duke folur mbi ndryshimet në jetën e tij në dy vjetët e fundit, Adili shprehet se ka pasur vështirësi për t'u përshtatur me rolin e vet të ri. Ai thotë se dy vjet më parë jetonte me vetëm 300 juanë (më pak se 50 dollarë) në muaj dhe duhej të bënte disa punë për të paguar tarifat e shkollës.
"Çdo gjë ndryshoi shumë shpejt," shprehet "princi" i qiegao-s. "Unë pata një mundësi të pasurohem kur keku i arrës u vu në qendër të vëmendjes, dhe kjo ndoshta më dha shtysë për të bërë gjënë e duhur."