PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Zhou Qunfei, nga punëtore fabrike në gruan më të pasur në Kinë
2015-04-14 14:43:25 CRI Komenti juaj Printoni

Në fund të muajit të kaluar themeluesja dhe kryetarja e bordit të kompanisë "Lens Technology" Zhou Qunfei u bë gruaja më e pasur në Kinë, vetëm nëntë ditë tregtimi pas ofertës publike fillestare të kompanisë së themeluar e të drejtuar prej saj. Për kalimin nga një punëtore fabrike në një miliardere, kompania e së cilës është furnizuese e gjigantëve të tillë të teknologjisë si "Apple" dhe "Samsung", ajo thotë se gjëja më e rëndësishme është këmbëngulja. Ashtu si ngjitja një mal, mendon Zhou, nuk është forca fizike, por janë vullneti dhe këmbëngulja që të bëjnë të arrish deri në majë.

Zhou Qunfei ka lindur në vitin 1970 në një fshat të vogël e të varfër në provincën Hunan të Kinës Qendrore dhe ishte më e vogla e tre fëmijëve të familjes. I ati i Zhou Qunfei-t pothuajse humbi shikimin pas një aksidenti në punë, ndërsa e ëma i vdiq kur Zhou ishte vetëm pesë vjeçe. "Edhe pse familja jonë ishte e varfër, babai dhe gjyshja ime kujdeseshin gjithmonë për ne fëmijët," shprehet Zhou.

Për fat, babai i Zhou Qunfei-tishte një burrë i fortë dhe i mençur, i cili përvetësoi mjeshtëri të ndryshme për të siguruar bukën për familjen. Por ai i kushtonte gjithashtu rëndësi arsimimit të fëmijëve të vet. "Babai ishte thuajse i verbër, po ishte gjithashtu një njeri shumë i shëndetshëm që kurrë nuk rreshtte së mësuari dhe na nxiste gjithmonë edhe ne fëmijët e tij të mësonim. Në një familje të tillë, nuk kishe rrugë tjetër veçse të studioje me zell," vë në dukje Zhou Qunfei.

Por në moshën 15-vjeçare varfëria e detyroi Zhou Qunfei-n të mos vazhdojë shkollën dhe, ashtu si shumë të rinj të tjerë nga provinca Hunan asokohe, ajo shkoi për të punuar në Shenzhen, në provincën Guangdong të Kinës Jugore, qytet pionier i Reformës dhe i Hapjes në Kinë.

Zhou Qunfeiështë shprehur se karriera e saj ka nisur pikërisht si punëtore në një fabrikë xhami, një punë e vështirë, por së cilës ajo i mbetet gjithnjë mirënjohëse, sepse e bëri një njeri të fortë e të vendosur.

Zhou Qunfei ende ruan një kujtim nga ajo ditë e largët kur shkoi për të nisur punë në Shenzhen:

"Kur shkova për të punuar në Shenzhen 30 vjet më parë, në atë kohë aty kishte shumë ara dhe nuk kishte drita në rrugë. U nisa nga fshati e udhëtova për orë të tëra në një kamion. Kur më në fund mbërrita, ishte natë dhe binte shi me gjyma. Duhej të gjeja fabrikën e qelqit ku do të filloja punë, që ndodhej pranë Universitetit të Shenzhenit, por nuk e kisha idenë ku ishte. Më në fund shkova në universitet dhe i kërkova një studenti të më çonte aty. Fabrika ishte shumë e vogël e nuk binte në sy, nuk kishte shenja të dukshme të saj. Kurrë nuk do ta harroj atë student, ndonëse në terrin e natës nuk ia pashë dot fytyrën. Mund ta falënderoj vetëm nga zemra, sepse më ndihmoi të arrij në atë që do të ishtë pikënisja e karrierës sime," tregon Zhou.

Zhou Qunfei nisi punë në repartin e prodhimit të xhamave të orave, me një rrogë mujore më pak se 150 dollarë. Por pas tre muajsh vendosi të largohej nga fabrika, sepse i dukej se puna e saj ishte monotone dhe "nuk kishte asgjë se ç'të mësoje". Dhe kështu e rejau shkroi një letër dorëheqjeje drejtuesve të fabrikës, por për çudi, në vend që ta lejonin të ikte nga fabrika, ata i propozuan të bëhej përgjegjëse e një reparti të ri të sapokrijuar. "Mbase ata ishin befasuar që një vajzë nga fshati ishte në gjendje të shkruante bukur, që bëri që unë t'u bie në sy," mendon Zhou Qunfei.

Që atëherë Zhou nisi të ngjisë shpejt shkallët e karrierës në fabrikë, duke u bërë drejtore prodhimi dhe më pas menaxhere e tërë fabrikës, derisa në vitin 1993, kur ende nuk kishte mbushur 23 vjeç, vendosi të nisë biznesin e vet të prodhimit të qelqit.

Zhou Qunfei thirri vëllai dhe motrën e vet bashkë me bashkëshortët e tyre, si edhe dy kushërira, dhe mori me qira një shtëpi të thjeshtë e të pamobiluar me katër dhoma. Por fillimisht gjërat nuk shkuan mbarë për Zhou Qunfei-n, e cila është shprehur se përgjatë dhjetë vjetëve ajo ngriti 11 kompani, të cilat dështuan. "Dy herë madje më është dashur të shes shtëpinë për t'u paguar punonjësve të mi rrogat," kujton 45-vjeçarja.

Për të blerë pajisjet që duheshin, ajo shkonte shpesh në zonën Mong-Kok të Hong-Kongut, duke mbajtur gjithçka në një çantë shpine e duke marrë ndonjëherë edhe të bijën me vete.

"Një herë, para një semafori në Mong-Kok, vajza ime u përpoq të më ndihmonte. Më parë unë kam qenë shumë e dobët dhe çanta ishte vërtet vërtet shumë e rëndë, por në një çast befas ajo m'u duk aq e lehtë. Mendova se mos ishte hapur nga poshtë dhe gjërat kishte rënë. Menjëherë u ktheva për të parë dhe vura re time bijë që me të dyja duart e saj të vogla po përpiqej të mbante çantën time të shpinës!"

Ky kujtim ka mbetur i ngulitur thellë në mendjen e Zhou Qunfei-t, e cila vazhdon: "Ai veprim i vajzës sime më bëri që të isha më e vendosur se kurrë për ta ndryshuar gjendjen ekonomike të familjes sime dhe për t'i siguruar asaj një jetë më të mirë!"

Në fillim të viteve 2000 telefonat celularë analogë patën një popullaritet mjaft të madh. Zhou Qunfei e shfrytëzoi rastin dhe u fut në industrinë e prodhimit të xhamave të ekraneve të celularëve. "Në vitin 2003 unë pata për herë të parë në duart e mia një telefon celular", rrëfen Zhou Qunfei, "dhe pa kaluar shumë më shkoi në mendje të prodhoja xhama për ekranet e tyre."

Dhe kështu në vitin 2003 Zhou Qunfei krijoi kompaninë "Lens Technology" për të prodhuar xhama ekrani për telefonat celularë.

Për shkak të njohjes së gjerë të industrisë dhe sinqeritetit, Zhou arriti të fitojë besueshmëri dhe të transformojë tregun e xhamave të ekraneve të celularëve. Shumë marka vendëse të telefonave celularë drejtpërdrejt ose tërthorazi u bënë klientë të saj dhe vëllimi i porosive u rrit me shpejtësi. Në atë kohë, Zhou Qunfei ishte e shqetësuar se produktet e saj nuk do të plotësonin kërkesat e klientëve për shkak të kapacitetit të ulët të prodhimit. Prandaj, në një përpjekje për të zgjeruar tregun, ajo filloi t'u dërgojë klientë markave të tjera konkurrente.

Pasi kompania e saj u bë udhëheqëse në industrinë e prodhimit të xhamave të ekraneve të celularëve, Zhou-t iu desh të përballej me një tjetër problem. Në atë kohë, kompania e saj ishte ende relativisht i vogël, por i duhej të përpiqej për të siguruar standarded më të larta të cilësisë. "Njerëzit shpesh më pyesnin: po nëse xhami thyhet dhe pret përdoruesin?", tregon Zhou Qunfei.

Zhou Qunfei mori masa ekstreme për t'iu përgjigjur shqetësimit të klientëve. Një herë ajo qëndroi në fabrikë për tre ditë dhe netë rresht, duke kryer personalisht teste të shumta për të siguruar cilësinë e produkteve. Për shkak të këmbënguljes dhe përvojës të madhe në procesin e prodhimit të Zhou Qunfei-t, "Lens Technology" arriti më në fund të përmbushë kërkesat e klientëve duke arritur standarde të larta prodhimi. "Në atë kohë, ne ishim të parët në industri që plotësuam kërkesat e testeve ndërkombëtare për rezistencën ndaj rënies," vëren Zhou Qunfei

Mënyra ndërdisiplinore e të menduarit të Zhou-t erdhi në ndihmë në çaste kritike. Kur "Motorola" ishte popullore, Zhou Qunfei gjeti një zgjidhje teknike për xhamin e ekranit të tij që hiqej lehtë. Pas suksesit me "Motorola"-n, "Nokia", "Samsung", "Apple" dhe marka të tjera të njohura ndërkombëtare u bënë klientë të saj. Zhou Qunfei u pagëzua "Mbretëresha e xhamave të telefonave celularë".

"Lens Technology" tani kryesisht fokusohet në kërkim-zhvillimin, prodhimin dhe shitjen e ekraneve të xhamit për produkte të ndryshme, jo vetëm për smartfonat, por edhe kompjuterat tablet, aparatet fotografike dhe kamerat.

Aktualisht, "Lens Technology" është një kompani holding me 10 kompani degë, me seli në Hong-Kong, Shenzhen, provincën Hunan (Zona e Zhvillimit Ekonomik e Liuyang-ut, Zona e Zhvillimit Ekonomik "Xingsha" e Changsha-së, Zona e Zhvillimit Ekonomik "Jiuhua" e Xiangtan-it, Zona e Zhvillimit Ekonomik "Liling" e Zhuzhou-t), dhe qytetin Kunshan të provincës Jiangsu. "Lens Technology" ka qendër kërkim-zhvillimi dhe baza prodhimi në qytetin Changsha. Kompania punëson mbi 60 000 veta dhe ka një pasuri neto prej rreth 1.2 miliardë juanësh (ose afro 600 milionë dollarë amerikanë). Në vitin 2013 "Lens Technology" realizoi të ardhura prej 3.3 miliardë dollarësh amerikanë. Kompania është përfshirë ndër 500 sipërmarrjet kryesore private të Kinës.

"Lens Technology" është një kompani që ka si parim udhëheqës krijimin e risive, që mbështetet në proceset e përparuara të prodhimit dhe që synon gjithmonë zgjerimin dhe zhvillimin.

 Risitë teknologjike dhe proceset e përparuara të prodhimit, menaxhimi i ndërkombëtarizuar dhe kërkim-zhvillim i vazhdueshëm, e kanë bërë "Lens Technology" një udhëheqës ndërkombëtar në prodhimin e pjesëve për produkte të ndryshme elektronike.

Për sa i përket filozofisë korporative, "Lens Technology" beson në ofrimin e produkteve dhe shërbimeve më të mira për klientët e vet. Me pajisjet e teknologjitë e përparuara të prodhimit dhe inxhinierët e kualifikuar jashtë vendit, ekspertët e cilësisë dhe ekipet e shitjes kanë bashkëpunuar me markat e njohura vendëse e ndërkombëtare. "Lens Technology" ka krijuar një histori të gjatë partneriteti me markat më të fuqishme dhe më të mira të elektronikës anembanë globit. "Lens Technology" është një furnizuese e firmave shumëkombëshe të tilla si "Apple" dhe "Samsung". Në periudhën 2012 – 2014 më shumë se 70 për qind e të ardhurave të kompanisë nga shitjet vinin pikërisht nga "Apple" dhe "Samsung". Xhamat e prodhuara nga kjo kompani thuhet që përdoren në një ndër pesë smartfona në botë. Së fundi kompania ka njoftuar se do të furnizojë xhamat për të shumëpriturat orë "Apple", që pritet të hidhen në shitje më 24 prill.

Më 18 mars të këtij viti "Lens Technology" filloi tregtimin në Bursën e Shenzhen-it. Çmimi fillestar i aksioneve të kompanisë ishte 22.99 juanë (rreth 3.7 dollarë amerikanë) dhe u rrit me 44 %, që është edhe kufiri i rritjes ditore. Kjo u pasua me një rritje të çmimit të këtyre aksioneve për tetë ditë të tjera tregtimi, duke arritur në 70.98 juanë (11.44 dollarë amerikanë) në 30 mars. Të 592 milionë aksionet e Zhou Qunfei-t, që zotëron 88 % të "Lens Technology", arritën një vlerë të përgjithshme 42.02 miliardë juanë (6.78 miliardë dollarë amerikanë), duke i tejkaluar 37.81 miliardë juanët (6.1 miliardë dollarët amerikanë) e Chan Laiwa-së, e cila deri atëherë quhej "gruaja më e pasur në Kinë", duke i dhënë kështu Zhou Qunfei-t kurorën e gruas me pasurinë më të madhe në vendin më të populluar në botë. Kurse një ditë më pas, më 31 mars, çmimi i aksioneve të kompanisë "Lens Technology" vazhdoi përsëri rritjen e shpejtë, duke bërë që pasuria e kryetares së bordit të saj Zhou Qunfei t'i kalojë 8 miliardë dollarët.

Zhou Qunfei thotë se meritën për suksesin që ka arritur e ka këmbëngulja e saj e paepur, edhe përballë vështirësive si ai i stresit që provoi një herë nga ndërprerja e furnizimit të kompanisë me lëndë të para, që e dëshpëroi aq shumë, saqë në një rast pothuajse e çoi drejt vetëvrasjes.

"Pak a shumë është si ngjitja në mal, nuk është forca fizike që të çon në majë, por durimi dhe këmbëngulja," vuri në dukje ajo në një intervistë për një emision televiziv pas listimit të kompanisë në Bursën e Shenzhen-it.

"Një herëpo i ngjitesha malit me një grup, disa prej të cilëve donin ta ndërpritnin ngjitjen në gjysmë të udhës. Për të qenë e sinqertë, nuk isha më e afta fizikisht ndër pjesëtarët e grupit, por isha më e forta prej tyre. Isha e vendosur t'i çoja ata deri në majë, sepse, po ta lësh rrugën në mes, mendoj se nuk do të përpiqesh për t'u ngjitur një herë tjetër. Vetëm nëpërmjet vendosmërisë mund të kesh sukses dhe nuk mund të heqësh dorë vetëm për shkak të një pengese të vogël," shprehet Zhou.

 

Zhou Qunfei thotë se, me gjithë vuajtjet, ajo kurrë nuk është përkulur përpara vështirësive. E duke qenë se Zhou ka forcën e një burri, shumë e quajnë atë "vëlla Fei". "Vërtet më pëlqen ky emër dhe e përdor atë si nofkën time në rrjetet sociale," shprehet duke buzëqeshur gruaja e fortë.

Zhou Qunfei mendon se një sipërmarrës duhet ta përgatisë veten në katër mënyra për të pasur sukses: së pari, duhet të forcojë përgatitjen e vet të gjithanshme; së dyti, duhet të ketë aftësi të mjaftueshme mendore; së treti, duhet të kuptojë tregun e konkurrentët e vet, dhe, në fund, nuk duhet të ketë frikë nga rrëzimi.

Mjedisi i sipërmarrjes dhe i biznesit në Kinë është shumë i mirë në këtë kohë, shprehet Zhou. Por sipërmarrësja e njohur nuk i ka harruar fillimet e saj dhe ata që e kanë ndihmuar gjatë rrugës. Një natë para listimit në bursë të "Lens Technology", kur Zhou Qunfei rrëfeu historinë e vet të biznesit, përpara të gjithë të ftuarve ajo falënderoi mësuesin e saj të gjuhës kineze, i cili ishte një mysafir i rëndësishëm në mbrëmje. "Mësuesi vinte në shtëpinë time dhe më mësonte se si të shkruaja. Ai donte ta përsoste mënyrën se si i vëzhgoja gjërat rreth meje ... " u shpreh Zhou.

"Lens Technology" ka patentuar një teknologji ekrani me xham të veshur të pagërvishtshëm, që ka sjellë miliarda dollarë fitime, frymëzimi për të cilin kryetares së tij i erdhi nga kujtimet e viteve të fëmijërisë së saj në fshat, kur ajo shihte pikat e shiut që binin mbi gjethet e zambakëve të ujit. "Pikat e shiut binin mbi gjethe, pastaj rrokulliseshin pa lënë shenjë," kujtoi Zhou Qunfei. Dhe pastaj shtoi duke buzëqeshur se, në qoftë se mësuesi i saj nuk do ta këshillonte gjithmonë që të ishte e vëmendshme, ndoshta nuk do të kisha pasur frymëzimin për këtë shpikje që e bëri miliardare.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China