PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Pajisjet hekurudhore, pika e re e rritjes së eksporteve kineze
2015-04-14 14:14:53 CRI Komenti juaj Printoni

Ministria e Tregtisë e Kinës ka bërë të ditur ditët e fundit që eksporti i pajisjeve hekurudhore të Kinës tani mbulon 6 kontinentet e botës. Vitin e kaluar Kina mori pjesë në 348 projekte ndërtimi hekurudhash jashtë vendit dhe ka nënshkruar kontrata me vlerë prej 24.7 miliardë dollarësh amerikanë, tre herë më shumë se në vitin 2013. Gjithashtu, Kina ka kaluar në këtë sektor nga eksporti i produkteve në eksportin e teknologjisë, projekteve dhe standardeve.

Sipas të dhënave statistikore nga Administrata Shtetërore e Doganave e Kinës, në vitin 2014, Kina ka eksportuar pajisje hekurudhore me një vlerë prej 26.77 miliardë juanësh, duke pasur një rritje vjetore me 22.6 %. Eksportet hekurudhore të Kinës mbulojnë mbi 80 vende e rajone të 6 kontinenteve të botës. ASEAN-i, Argjentina, Australia dhe ShBA-ja janë destinacionet kryesore të këtyre eksporteve, duke zënë mbi 50 % të tyre. Zv.drejtori i Drejtorisë së Tregtisë së Jashtme në Ministrinë e Tregtisë të Kinës, Zhi Luxun, u shpreh që tani eksportet e pajisjeve hekurudhore janë bërë një pikë e re rritjeje e eksporteve kineze në përgjithësi.

"Qysh nga viti 2001, kur Kina hyri në Organizatën Botërore të Tregtisë, eksporti i pajisjeve hekurudhore kineze ka pasur një rritje të shpejtë. Eksporti i trenave në vitin 2014 ka arritur vlerën e 3.74 miliardë dollarëve amerikanë, nga më pak se 80 milionë dollarë amerikanë në vitin 2001, me një rritje mesatare vjetore 16.5 % më të madhe se rritja vjetore e eksporteve të vendit. Veçanërisht në vitin 2014, rritja vjetore e eksportit të trenave ishte 19.3 %, 3-fish më shumë se rritja e eksporteve të vendit," tha Zhi Luxun.

Të dhënat tregojnë që në vitin 2014, Kina ka marrë pjesë në gjithsej 348 projekte ndërtimi hekurudhash jashtë vendit, 113 më shumë se në vitin 2013, duke nënshkruar marrëveshje me vlerë prej 24.7 miliardë dollarësh amerikanë, tre herë më shumë se në vitin 2013. Për këtë, z. Zhi Luxun u shpreh që në sektorin hekurudhor Kina ka realizuar kalimin nga eksporti i produkteve bazë në eksportin e produkteve të teknologjisë së larta, si edhe nga eksporti i produkteve në eksportin e teknologjive dhe standardeve.

"Vitet e fundit, produktet me vlerë të lartë të shtuar, si lokomotivat elektrike dhe ato konvencionale, zënë afro 60 % të eksporteve të pajisjeve hekurudhore të vendit. Në vitin 2014, eksporti i trenave me vlerë të lartë të shtuar dhe me teknologji të larta pati rritje të dukshme. Në projektet ndërkombëtare, linja hekurudhore nga Abuxha deri në Kaduna të Nigerisë është hekurudha e parë moderne në Afrikë që ndërtohet sipas standardit kinez. Kështu, eksportet hekurudhore të Kinës po kalojnë gradualisht nga faza fillestare me vetëm furnizim pajisjesh në eksportin e gjithanshëm me ofrimin e shërbimeve dhe teknologjive në projektim, ndërtim dhe menaxhim pas shitjes," u shpreh Zhi Luxun.

Vlen të përmendet që, bashkë me përmirësimin e produkteve, sektori i prodhimit të pajisjeve hekurudhore në Kinë zotëron tashmë teknologji të lartë, duke pasur përparësi të tilla si cilësia e mirë, çmimi i ulët dhe koha e shkurtër e prodhimit. Por z. Zhi Luxun e pranoi që, megjithëse ka pasur arritje të dukshme, eksporti i pajisjeve hekurudhore kineze ende përballet me probleme të shumta. Sipas tij, Kina e ka filluar vonë eksportimin e këtyre pajisjeve, teknologjia duhet të përmirësohet më tej dhe ende nuk është krijuar një rrjet global i shërbimeve pas shitjes. Kështu, në të ardhmen, duhet të shpejtohet formimi i rrjetit të marketingut jashtë Kinës për të nxitur eksportimin e pajisjeve hekurudhore.

"Në krahasim me Europën, ShBA-në dhe Japoninë, hekurudha kineze ka filluar vonë dhe teknologjia ka nevojë të përmirësohet më tej. Ndërkombëtarizimi i standardeve është një pikë e rëndësishme. Për arsye se jemi futur vonë në tregun ndërkombëtar, ky vijon të jetë objektivi ynë. Tani, disa kompani duhet të rregullojnë rendin e eksporteve, për të krijuar një mjedis konkurrence të barabartë. Ndërkohë, jemi ende larg vendeve të zhvilluara në shërbimet pas shitjes. Ndërmarrjet kineze jo vetëm duhet të shkojnë jashtë vendit, por edhe duhet të futen në tregjet e tjera. Kështu që një rrjet global i mirëmbajtjes pas shitjes është një pikë tjetër kryesore. Krahas kësaj, në disa vende ka trazira, prandaj kompanitë duhet të marrin parasysh rreziqet jokomerciale. Ndërkohë, lidhur me politikat vendore për investitorët dhe punëtorët e huaj, qeveria kineze do t'i ndihmojë kompanitë kineze që të përballojnë problemet përkatëse, duke bërë studime profesionale," u shpreh zv.drejtori i Drejtorisë së Tregtisë së Jashtme të Ministrisë së Tregtisë të Kinës Zhi Luxun.

Tani, fakti është që, ndër të gjitha projektet hekurudhore kineze jashtë vendit, vetëm projekti në Turqi ka mbaruar, kurse projekti në Meksikë është shtyrë për një afat të pacaktuar. Kjo gjendje ka tërhequr vëmendje të madhe si të palës kineze, ashtu edhe të vendeve të tjera. Lidhur me këtë, këshilltari tregtar në Drejtorinë e Bashkëpunimit të Ministrisë së Tregtisë të Kinës Zhou Zhencheng sugjeron që kompanitë kineze duhet të bëjnë vlerësime të hollësishme për rreziqet e mundshme gjatë procesit të investimeve në hekurudha, posaçërisht në hekurudhat e shpejtësisë së lartë. Sipas tij, edhe qeveria kineze duhet t'i orientojë dhe t'i udhëzojë kompanitë kineze, për të ruajtur të drejtat e tyre sipas ligjit në raste të mosmarrëveshjeve.

"Qoftë nga ana njerëzore, ashtu edhe nga ana materiale dhe financiare, kompanitë kineze kanë shpenzuar shumë në procesin e dy tenderave për projektin e hekurudhës së shpejtësisë së madhe në Meksikë. Qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar. Pavarësisht se për çfarë arsye, ky proces është pezulluar dhe qeveria meksikane duhet të marrë masat përkatëse për të garantuar interesat e kompanive kineze, pasi i gjithë procesi ka qenë me një kosto shumë të lartë për këto kompani. Ky është qëndrimi ynë," theksoi Zhou Zhencheng.

Deri në fund të vitit të kaluar, gjatësia e linjave hekurudhore në Kinë arriti mbi 112 mijë kilometra, ndërsa gjatësia e hekurudhave të shpejtësisë së madhe ishte mbi 16 mijë kilometra, duke zënë vendin e parë në botë.(Jiang Lei)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China