20150407FEbaii |
Kohët e fundit Banka Aziatike e Investimeve Infrastrukturore (BAII) ka tërhequr vëmendje të madhe në mbarë botën dhe publiku po merr vazhdimisht informacione të reja lidhur me këtë bankë. Në fakt, BAII-ja është një institucion i zhvillimit shumëpalësh në rajonin e Azisë. Nismëtare për krijimin e BAII-së është Kina dhe detyra kryesore e kësaj banke është mbështetja për ndërtimin infrastrukturor. BAII-ja planifikohet të formohet zyrtarisht në fund të vitit 2015 dhe selia e saj do të jetë në kryeqytetin e Kinës, Pekin.
ShBA-ja ka qenë e shqetësuar se BAII-ja do të konkurrojë me institucionet e tjera financiare të kryesuara prej saj, prandaj është përpjekur që në fillim të pengojë aleatët e saj të marrin pjesë në këtë bankë. Megjithatë, situata është zhvilluar kundër dëshirës së Uashingtonit. Më 12 mars, Britania i paraqiti zyrtarisht Kinës letrën e konfirmimit të pjesëmarrjes në BAII. Më pas, edhe Franca, Gjermania, Italia e Austria shprehur gatishmërinë e tyre për anëtarësim në këtë bankë. Për vendimin e Francës, drejtoresha e kërkimeve në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Strategjike të Francës Sylvie Matelly (Silvi Matli) mendon:
"Azia është një partner kryesor i Francës. Kjo është jo vetëm në të mirë të kompanive që kanë biznes në Azi, por edhe mund të hapë më tej tregun e Azisë për mallrat franceze. Për këtë arsye, investimet në këtë rajon janë përgatitje për tregun e së nesërmes dhe krijojnë një hapësirë për furnizuesit e ardhshëm, ndërkohë që do të forcojnë edhe lidhjet mes Azisë dhe Francës."
Me fuqizimin e pandërprerë të BAII-së, gjithnjë e më shumë vende aleate të ShBA-së kanë aplikuar për të marrë pjesë në këtë bankë. Lidhur me këtë, eksperti për çështjet amerikane pranë Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare Moderne të Kinës Da Wei mendon që ShBA-ja duhet të rishikojë qëndrimin e vet ndaj BAII-së.
"Politika e ShBA-së lidhur me BAII-në është kritikuar gjerësisht. Pothuajse të gjithë ekspertët e kanë kritikuar administratën e Obamës se jo vetëm nuk merr pjesë vetë, por edhe i pengon aleatët të anëtarësohen në BAII. Disa ekspertë kanë thënë se BAII-ja është si një çaj i shërbyer nga Kina vendeve të botës dhe ShBA-ja, si fuqi e madhe, duhet të shërbejë kafe për vendet aleate të saj. Por fakti është që ShBA-ja nuk e jep këtë kafe, por i pengon vendet aleate të pinë çajin e Kinës," u shpreh Da Wei.
Në të vërtetë, qëndrimi i SHBA-së po kalon gradualisht nga kundërshtimi i vendosur në bashkëpunim. Sipas gazetës amerikane "Wall Street Journal", administrata e Obamës ka propozuar që BAII-ja të bashkëpunojë me institucionet financiare të kryesuara nga ShBA-ja, si Banka Botërore.
Ekonomitë e reja, si Kina, po luajnë rol gjithnjë e më të rëndësishëm në ekonominë globale. Megjithatë, për sa i përket financës botërore, të drejtat e tyre të votimit në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar nuk kanë ndryshuar. Ish-kryeekonomisti dhe zv.presidenti i Bankës Botërore Lin Yifu ka vënë në dukje që GDP-ja e Kinës zë 10 % të vëllimit të përgjithshëm të GDP-së botërore, ndërsa e drejta e saj e votimit në BB është vetëm 5 % dhe në FMN edhe më e ulët.
Ndërsa në Bankën Aziatike të Zhvillimit, vendet më të mëdha aksionare, Japonia dhe ShBA-ja, zotërojnë përkatësisht 15.65 % të aksioneve dhe 12.82 % të së drejtës së votimit. Por Kina, vendi i tretë më i madh aksionar, zotëron vetëm 6.46 % të aksioneve dhe 5.47 % të së drejtës së votimit.
Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Aziatike e Zhvillimit udhëhiqen nga ShBA-ja dhe ndodhen në krye të zinxhirit financiar ndërkombëtar. Procedura e kredidhënies për ekonomitë e reja nga këto institucione financare është e ndërlikuar dhe kushtet zakonisht janë të rrepta. Prandaj, formimi i BAII-së do të plotësojë më tej sistemin e tanishëm financiar. Për këtë, ministri i Financave i Kinës Lou Jiwei shprehet:
"Si një vend i madh, Kina mban një përgjegjësi më të madhe ndërkombëtare dhe propozimi i saj për BAII-në është një masë konstruktive për përplotësimin e rendit të tanishëm ekonomik botëror dhe të organizatave shumëpalëshe ekzistuese."
Sipas parashikimeve të Bankës Aziatike të Zhvillimit, nga tani deri në vitin 2020, kërkesa vjetore e rajonit aziatik për investime në infrastrukturë do të arrijë në 730 miliardë dollarë amerikanë. Institucionet shumëpalëshe financiare që ekzistojnë tani nuk mund të plotësojnë një kërkesë kaq të madhe dhe detyra e BAII-së do të jetë që të plotësojë sa më shumë kërkesat e këtij rajoni për financim në infrastrukturë. Sekretari i përgjithshëm i përkohshëm i sekretariatit shumëpalësh të BAII-së Jin Liqun u shpreh:
"Ne duam të krijojmë një platformë të posaçme investimesh dhe financimi në fushën infrastrukturore, për të shfrytëzuar plotësisht rezervat e pasura të këtij rajoni. BAII-ja do të bashkëpunojë me bankat e zhvillimit ekzistuese për të tërhequr kapitale nga sektori privat, për të nxitur ndërtimin infrastrukturor në Azi."
Tani Kina është aksionarja më e madhe në BAII. Për këtë, Jin Liqun u shpreh që kjo mbështetet në vëllimin ekonomik. Para përfshirjes së ekonomive të mëdha, si ShBA-ja dhe Japonia, për të garantuar vëllimin e kapitaleve, Kina mund të ofrojë 50% të fondeve përkatëse. Por me pjesëmarrjen e gjithnjë e më shumë vendeve, Kina do të pakësojë përqindjen e vet të aksioneve në BAII.
"Aksionarja më e madhe nuk është e privilegjuar, por ka detyrime dhe përgjegjësi. Kina do të zbatojë normat ndërkombëtare dhe nuk do ta konsiderojë veten si pronare. Gjithçka mund të diskutohet dhe vendimet do të merren në bazë të konsensusit dhe jo të votimit," theksoi Jin Liqun, sekretar i përgjithshëm i përkohshëm i sekretariatit shumëpalësh të BAII-së.
Me promovimin aktiv të BAII-t, Kina po nxit një strategji tjetër të rëndësishme, "Një Brez dhe një Rrugë". Të dyja këto, njëra në financë dhe tjetra në industri, do të bashkërendohen dhe do të mbështesin njëra-tjetrën, për t'ia shtuar Azisë fuqinë dhe për t'u krijuar investitorëve më shumë raste për fitime të qëndrueshme.
(Jiang Lei/Artan Goga)