20150331FE |
Në vitin 2014 Kina u bë një eksportuese neto kapitalesh. Kjo përbën një mundësi të mirë për kompanitë kineze që investojnë jashtë vendit. Por gjatë të ashtuquajturit "proces të daljes jashtë vendit", këto kompani kanë përpara tyre jo vetëm shanse, por përballojnë edhe rreziqe.
Sipas të dhënave zyrtare të qeverisë kineze, deri në janarin e vitit 2015, investimet e drejtpërdrejta jofinanciare kineze në tregun ndërkombëtar kapën vlerë mbi 650 miliardë dollarë amerikanë, duke përfshirë sektorë si energjetika, infrastruktura, pasuritë e paluajtshme, bujqësia, teknologjia etj. Investime të tilla luajnë rol pozitiv për zhvillimin e biznesit të këtyre kompanive, përdorimin e burimeve dhe teknologjive vendëse, si dhe për zgjidhjen e problemit të mbiprodhimit. Zv.drejtori i Qendrës së Kërkim-Zhvillimit të grupit kinez COSCO, Bai Peijun, bëri të ditur që, si përfaqësuese e kompanive kineze që kanë dalë jashtë vendit, COSCO-ja, që merret me transportin detar, ka pasur zhvillim shumë të shpejtë, duke u mbështetur në rritjen e madhe të tregtisë kineze.
"Sektori ynë ka lidhje të drejtpërdrejtë me ekonominë globale, posaçërisht me tregtinë ndërkombëtare. Tregtia e jashtme ka pasur ndryshim të madh. Disa vjet më parë, rritja ishte 10 % - 20%, por këto vite është ulur nën 10 %. Tani, grupi COSCO është kompania e transportit detar më e madhe në Kinë dhe e dyta për nga madhësia në botë. Jemi ndryshe nga kompanitë e tjera të kineze, pasi kemi biznes vërtet të ndërkombëtarizuar. Kemi dalë jashtë vendit në vitet '90 të shekullit të kaluar dhe konkurrojmë në të gjithë botën. Gjysma e të ardhurave tona vjen nga jashtë vendit," tha Bai Peijun.
Megjithëse ka mjaft mundësi zhvillimi gjatë procesit të investimeve në tregun ndërkombëtar, kompanitë që planifikojnë të dalin jashtë vendit duhet t'u kushtojnë rëndësi rreziqeve të mundshme.
Kohët e fundit, projekti i Meksikës për ndërtimin e hekurudhës me shpejtësi të madhe është pezulluar dhe kjo ka shkaktuar shqetësime te kompanitë kineze që po investojnë jashtë vendit. Më parë, projekti i Kinës për ndërtimin e hekurudhës të shpejtësisë së lartë në Tajlandë në këmbim të orizit është pezulluar, punonjësit kinezë në minierën e arit në Ganë janë dëbuar dhe projekti i grupit "Sanyi" për energjinë e erës është penguar nga autoritetet amerikane. Të gjitha këto tregojnë që kompanitë kineze përballojnë rreziqe të mëdha gjatë procesit të investimeve në tregun ndërkombëtar. Bai Peijun e pranon që edhe grupi COSCO ka pasur shpesh vështirësi në investimet jashtë vendit. Qoftë rreziqet komerciale, qoftë paqëndrueshmëria politike, të dy këta faktorë ndikojnë në investimet e kompanive jashtë vendit.
"Si mund të shfrytëzojmë realisht burimet ndërkombëtare kur përballojmë ende probleme të shumta, veçanërisht qëndrimet kundër Kinës, kundër investimeve kineze madje edhe kulturës kineze. Për shembull në Europë, prej kohësh kemi pësuar diskriminim, madje kundërvënie të mëdha. Një prej kompanive tona ka nisur biznes në Francë prej shumë vjetësh, por gjithmonë haset me probleme ligjore dhe përfshihet në shumë çështje negative. Shumica e problemeve janë kurthet komerciale, hendeku kulturor, kufizimet politike dhe mospërshtatja me mjedisin e investimeve," u shpreh Bai Peijun, zv.drejtori i Qendrës së Kërkim-Zhvillimit të grupit COSCO.
Kompania "Teda Sino-Africa" është një nga ndërmarrjet kineze që kanë biznes ndërkombëtar. Kryemenaxheri ekzekutiv i kësaj kompanie Li Daixin mendon që projektet kineze jashtë vendit përballen me pengesa dhe rreziqe të shumta, madje edhe ato që kanë filluar të zbatohen.
"Tani, kompania 'Teda' po përgatitet të fillojë projektin në Zonën e Bashkëpunimit Ekonomiko-Tregtar të Suezit me sipërfaqe prej 6 kilometrash katrore. Vështirësia më e madhe që përballojmë tani është që kemi koncepte të ndryshme zhvillimi me qeverinë vendase. Pala kineze e sheh këtë bashkëpunim me largpamësi, ndërsa vendasit nuk e marrin parasysh këtë dhe u kushtojnë më shumë rëndësi interesave të tanishme. Kështu, të dyja palët shpeshherë kanë divergjenca gjatë procesit të bisedimeve," tha Li Daixin.
Zona e Bashkëpunimit Ekonomiko-Tregtar e Suezit Kinë-Egjipt është një park në rang shtetëror i Kinës për bashkëpunimin ekonomiko-tregtar me jashtë. Kjo zonë ndodhet buzë Kanalit të Suezit, në pjesën veriperëndimore të zonës ekonomike të Gjirit të Suezit, 120 kilometra larg nga kryeqyteti egjiptian Kajro. Tani në këtë zonë ka 32 kompani prodhuese dhe 30 kompani shërbimesh kineze, të cilat kanë bërë investime prej 490 milionë dollarë amerikanë, duke zënë pothuajse 80 % të vlerës së përgjithshme të investimeve të ndërmarrjeve kineze në Egjipt. Li Daixin vëren se, përballë vështirësive të ndryshme, kompanitë që kanë bërë investime në këtë zonë po kërkojnë të gjejnë rrugëzgjidhje. Ndërkohë, këta "pionierë" u kanë dhënë sugjerime kompanive të tjera që synojnë të investojnë jashtë vendit.
"Për problemet që kanë lidhje me konceptin e zhvillimit, ne duhet të komunikojmë shpesh me qarqe të ndryshme egjiptiane, sigurisht me durim të mjaftueshëm. Vetëm me shkëmbime të sinqerta mendimesh dhe konsensus mbi disa projekte të mëdha, të dyja palët mund të kenë zhvillim të përbashkët. Unë mendoj që, para se të dalin jashtë vendit, kompanitë duhet të marrin parasysh kushtet në vendin destinacion të investimeve, si gjendjen e tregut, furnizimin me lëndë të parë, burimet njerëzore dhe koston e energjisë. Krahas këtyre, ato duhet t'u kushtojnë rëndësi posaçërisht faktorëve si legjislacioni vendor, politikat dhe zakonet përkatëse. Ndër to, më e rëndësishmja është të respektojmë dhe të zbatojmë ligjet dhe rregullat vendore. Ky është kyçi," u shpreh Li Daixin, kryemenaxheri ekzekutiv i kompanisë "Teda Sino-Africa".
(Jiang Lei)