20150331hp |
Lui Che Woo mbase nuk do ta harrojë 17 janarin e vitit të kaluar, kur u shpall njeriu më i pasur në Azi, ndonëse vetëm për një ditë. Sipas "Bloomberg"-ut, pasuria e tij ishte afro 30 miliardë dollarë, 100 milionë dollarë më e madhe se e Li Kashing-ut, që për një kohë të gjatë është njeriu më i pasur i kontinentit. Disa orë më vonë "Bloomberg"-u bëri ndreqje në përllogaritje dhe e zbriti pasurinë e Lui Che Woo-së me më shumë se 6 miliardë dollarë. Megjithatë, ai vazhdon të renditet i dyti për nga pasuria në Azi, falë edhe zhvillimit të madh të biznesit të lojërave të fatit në Makao. Sidoqoftë, më shumë se te pasurimi nga fati, themeluesi i grupit "K. Wah" dhe i "Galaxy Entertainment" beson te puna e madhe dhe e palodhur.
Lui Che Woo (i njohur edhe si Lu Zhi He) ka lindur më 9 gusht 1929 në Jiangmen të provincës Guangdong të Kinës Jugore. Në vitin 1934 familja e tij u largua për në Hong-Kong. Për t'i ardhur në ndihmë familjes, që në moshën 13-vjeçare Lui nisi të shiste ushqime në rrugë. Ishte periudha e Luftës së Dytë Botërore, dëshmitar i së cilës Lui Che Woo u bë kështu që kur ishte fëmijë. Një pamje nga kjo kohë i la sidomos një përshtypje të pashlyeshme: ajo e një dyzine kufomash pranë shtëpisë së vet. "Ata nuk ishin vrarë a kishin vdekur prej ndonjë sëmundjeje ose për ndonjë shkak tjetër, por nga uria. Më kujtohet ajo gjë, si edhe se sa vuanin njerëzit," thotë Lui Che Woo.
Pas luftës, në vitet '50 të shekullit të kaluar, popullsia e Hong-Kongut u rrit ndjeshëm, por kushtet e banimit ishin tepër të këqija. Pas zjarrit të madh që ra në zonën "Shek Kip Mei" në vitin 1953, qeveria e Hong-Kongut përshpejtoi ndërtimin e infrastrukturës dhe të banesave. U riu Lui e pa këtë si një mundësi dhe bleu makineritë e mbetura nga lufta në Japoni për nxjerrje gurësh. Në vitin 1955 Lui Che Woo krijoi kompaninë e vet të parë, "K. Wah", duke bërë automatizimin e punës në gurore, ku më parë punohej me dorë. Kjo shënoi hyrjen e guroreve në Hong-Kong në fazën e punës së sigurt dhe me rendiment, duke shënuar hedhjen e themeleve e forta për spikatjen e kompanisë "K. Wah" në industrinë e materialeve të ndërtimit.
Në fillim të viteve '60 të shekullit të kaluar, guroret në Hong-Kong nisën të njohin një lulëzim të madh. Për të rregulluar këtë industri, në veçanti standardet e saj të sigurisë, qeveria e Hong-Kongut nisi t'u japë kontrata kompanive të kualifikuara nëpërmjet tenderave të hapur. Si një pioniere në këtë industri, në vitin 1964 "K. Wah" u bë sipërmarrja e parë private që siguroi një kontratë për të pasur gurore në Hong-Kong.
Me zhvillimin e shpejtë të ekonomisë dhe rritjen e të ardhurave të njerëzve, kërkesa për banesa cilësore në Hong-Kong erdhi gjithashtu duke u rritur. Duke shfrytëzuar këtë mundësi, kompania "K. Wah" e Lui Che Woo-së nisi të investojë në ndërtesat e banimit.
Në vitet '70 të shekullit të kaluar tregu i banesave luksoze në Hong-Kong njohu një rritje të shpejtë. Në vitin 1974 "K. Wah" ishte përsëri kompania e parë private që nisi ndërtimin e një kompleksi vilash luksoze në Hong-Kong. Vendndodhja e shkëlqyer, arkitektura mbresëlënëse dhe zbukurimi tërheqës i tyre bënë që këto vila të shiten menjëherë, madje një prej tyre për një çmim që do të mbetej rekord për një kohë të gjatë.
Në fund të atij dhjetëvjeçari, Hong-Kongu ishte shndërruar tashmë në një "parajsë të blerjeve" dhe numri i turistëve nga e gjithë bota që vizitonin "Perlën e Orientit" arrinte mbi dy milionë në vit. Megjithatë, Hong-Kongu ende nuk ofronte shërbime gjithëpërfshirëse hotelerie. Duke qëndruar gjithmonë në krye të prirjeve të ndryshme, Lui Che Woo vendosi të bashkëpunojë me grupin e njohur të hoteleve "Holiday Inn", duke ndërtuar hotelin e vet të parë me pesë yje. Në vitin 1979, ai bleu truallin për 68 milionë dollarë hongkongas dhe shpenzoi edhe 300 milionë dollarë hongkongas për të ndërtuar "Intercontinental Grand Standford" të Hong-Kongut, i cili u hap zyrtarisht në vitin 1981. Duke zbatuar moton "Klientët janë të parët", "K. Wah" ka nxitur profesionalizmin në menaxhimin e hoteleve përgjatë viteve, gjë që është bërë bazë e suksesit të tij në sektorin e hotelerisë edhe në ShBA.
Hong-Kongu ishte në kulmin e zhvillimit ekonomik në vitet '80 të shekullit XX, duke u shndërruar nga një qytet ekonomia e të cilit mbështetej te industria, në një qytet me bazë sektorin e shërbimit, veçanërisht turizmin. Projekte masive infrastrukturore nisën të zbatohen për të përballuar këtë zhvillim. Për të konsoliduar biznesin e vet kryesor në atë kohë, Lui Che Woo bëri një numër udhëtimesh në Evropë, ShBA dhe Japoni, me qëllim kërkimin e teknologjive të reja prodhimi. Në vitin 1983 ai krijoi Kompaninë e Betonit "K. Wah", e cila u bë një furnizuese materialesh ndërtimi të integruara.
Duke e konsoliduar bazën e vet në Hong-Kong, i shndërruar në qendër financiare ndërkombëtare, kompania "K. Wah International Holdings" e tashmë Grupit "K. Wah", e specializuar në pasuritë e patundshme dhe investimet në fusha të tjera, u kuotua në Bursën e Hong-Kongut në vitin 1987.
Ndërkohë, Lui Che Woo e parashikoi potencialin e madh që kishte pjesa kontinentale e Kinës dhe nisi të shikonte mundësitë e futjes aty, për të zgjeruar sferën e vet të biznesit. "K. Wah" investoi në mënyrë aktive në vepra të ndryshme të prodhimit të materialeve të ndërtimit në Shenzhen e Guangzhou të Kinës Jugore dhe në pjesën lindore të Kinës, duke qenë një nga kompanitë e para që hyri në tregun e pjesës kontinentale të Kinës.
Po në vitet '80 "K. Wah" u fut edhe në Amerikën e Veriut. Në të njëjtën kohë, "K. Wah" depërtoi edhe në tregun e pronave të patundshme në Azinë Juglindore, duke përfshirë Singaporin, Malajzinë dhe Tajlandën, duke u shndërruar gradualisht në një sipërmarrje ndërkombëtare. Grupi "K. Wah" themeloi Kompaninë Ndërkombëtare të Hoteleve "Stanford" për të menaxhuar dhe zhvilluar biznesin e hotelerisë në mbarë botën.
Në përputhje me drejtimet e zhvillimit të Kinës, Grupi "K. Wah" hyri në tregun e pjesës kontinentale të Kinës në fillim të viteve '90. Grupi mori pjesë në projekte ristrukturimi urban në shkallë të gjerë në Guangzhou në vitin 1993, duke u bërë gjithashtu një nga kompanitë e para të Hong-Kongut që hyri në tregun e pronave të patundshme në Shangai. Ndërkohë, "K. Wah" hodhi me sukses themele të forta në tregun e pasurive të patundshme në ShBA, pikërisht në Kaliforni, Arizona dhe Sakramento.
Përveçse në pasuritë e patundshme, një tjetër ngjarje me rëndësi për biznesin e materialeve të ndërtimit të "K. Wah" ishte kur në vitin 1991 Kompania e Materialeve të Ndërtimit "K. Wah" u listua edhe ajo në Bursën e Hong-Kongut.
Gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të 21-të, bota kaloi nëpër kohë të trazuara, si SARS-i dhe kriza ekonomike, që i vunë përpara sfidave serioze bizneset. Megjithatë, "K. Wah" ia doli jo vetëm të mos preket prej tyre, por dhe të ketë sukses. Përvoja dhe njohuritë e fituara me kalimin e viteve në materialet e ndërtimit, hoteleri dhe ndërtimin e pasurive të patundshme nga "K. Wah" e kanë bërë atë të ndihmojë në çlirimin e potencialit të madh të biznesit në Azi.
Një nga arritjet më kryesore të kompanisë ishte në vitin 2002, kur asaj iu dha një nga gjashtë lejet për të hyrë në megaskenën e argëtimit në Makao.
Lui ishte 73 vjeç në atë kohë, një moshë jotipike për të filluar një karrierë në lojërat e fatit. "Në fillim u ndjeva pak nervoz. Nuk kisha shumë përvojë në lojërat e fatit," shprehet ai. "Natyrisht unë e dija që ishte një mundësi e madhe, por nuk e prisja diçka aq të madhe sa ajo që shohim tani në Makao."
Makao është tashmë qendra më e madhe në botë e lojërave të fatit, duke e kaluar edhe Las Vegasin.
Për t'u marrë me biznesin e lojërave të fatit Lui Che Woo krijoi "Galaxy Entertainment", që në vitin 2005 u kuotua në Bursën e Hong-Kongut. Në vitin 2012 shitjet e "Galaxy Entertainment" kapën vlerën prej 57 miliardë dollarësh hongkongas (7.35 miliardë dollarë amerikanë), me një rritje me më shumë se një të tretën krahasuar me vitin 2011, dhe një fitim neto 7.4 miliardë dollarë hongkongas (0.95 miliardë dollarë amerikanë). "Galaxy Entertainment" ka gjashtë qendra lojërash fati, kryesorja nga të cilat, "Galaxy Macau", me një vlerë 16.5 miliardë dollarë hongkongas (mbi 2.1 miliardë dollarë amerikanë), është një kazino dhe resort turistik që ka gjashtë kupola të mëdha të stolisura me ar 24-karatësh. Ajo ka 2260 dhoma, një pishinë që krijon valë 1,5 metra, një plazh artificial dhe, më e rëndësishmja, 1500 makina të tipit slot dhe 450 tryeza loje, dhe mund të presë 30 000 veta në ditë. Ndërtimi i "Galaxy Macau" kërkoi pesë vjet.
Shenjë e rritjes së habitshme të Makaos është se "Galaxy Entertainment" pas 12 vjetësh ka një vlerë 20 herë më të madhe se kompania e pasurive të patundshme "K. Wah" për nga kapitalizimi i tregut. Ajo e ka ndihmuar Lee Che Woo të jetë tashmë njeriu i dytë për nga pasuria në Azi, me 23.7 miliardë dollarë.
Thuhet se edhe më i thjeshti ndër njerëzit kanë aftësinë më të madhe për t'u ngjitur në shkallët e jetës. Lui Che Woo është një prej tyre. Një vizion i mprehtë i shoqëruar me një strategji të mençur është ajo që ka rëndësi në biznes dhe Lui i ka treguar këto, duke krijuar një histori frymëzuese suksesi.
Lui Che Woo buzëqesh kur e pyet: A luan rol fati në suksesin e një biznesi? "Ka një thënie kineze," shprehet magnati 85-vjeçar i kazinove, e cila pak a shumë mund të përkthehet: "Njeriu propozon, Perëndia vendos". Me fjalë të tjera, mund të përpiqesh sa të duash, por suksesi është në një masë të madhe edhe punë fati. Por Lui vetë shton: "Fati luan rol në biznes, por nëse ia del të kesh sukses ose të dështosh varet nga shumë faktorë të tjerë. Unë nuk kam ndonjë dështim të vërtetë në biznesin tim."
Lui Che Woo vetë nuk është një njeri shumë i dhënë pas lojërave të fatit. Pasionet e tij janë bukurshkrimi kinez dhe sporti i golfit. Ai thotë se ka nevojë për rreth pesë orë gjumë në ditë, kalon shumë kohë për të marrë vesh lajmet më të fundit dhe e mendon një vendim biznesi katër a pesë herë para se të arrijë në një përfundim.
"Pasuria nuk e ka ndryshuar jetën time", thotë miliarderi. "Unë punoj shumë, ha qofte të ziera peshku e makarona dhe pi kafe e çaj te një shitës rruge. E përdor në një mënyrë të thjeshtë pasurinë dhe jeta ime nuk ka ndryshuar fare. "
Lui Che Woo e ka vlerësuar gjatë jetës së tij arsimimin dhe ka marrë gradën "doktor" nga institucione të ndryshme prestigjioze arsimore, si Universiteti i Viktorias, Universiteti Kinez i Hong-Kongut dhe Universiteti "Concordia".
Lui Che Woo e njeh ritmin e përparimit në Kinë dhe ndikimin e tij në shoqërinë kineze, por thekson se duhet vlerësuar edhe tradita.
"Kur flasim për kinezët, flasim për moralin, flasim për ambicien, flasim për lumturi brenda familjes dhe pastaj brenda vetes," thotë ai. "Në ditët e sotme njerëzit janë të përfshirë në një konkurrencë të ashpër dhe luftojnë për të fituar sa më shumë para. Ne duhet ta kthejmë vëmendjen nga sistemi arsimor. Mbase duhet të ketë më shumë lëndë rreth moralit dhe lidhur me atë se si njerëzit duhet ta kërkojnë lumturinë te vetja e tyre dhe jo nga të tjerët."
Lui Che Woo vë në dukje se "Galaxy Entertainment" nxit luajtjen e lojërave të fatit në mënyrë të përgjegjshme. "Ne mundohemi t'i edukojmë njerëzit për të mos e shpenzuar të gjithë pasurinë në lojërat e fatit, por që t'i shohin këto lojëra më shumë si një argëtim", vë në dukje Lui. Dhe shton "E ardhmja e lojërave të fatit është ajo e të qenit një biznes argëtues."
Duke u mbështetur në moton për t'ia shpërblyer shoqërisë përkrahjen që i ka dhënë, Grupi "K. Wah" është i angazhuar në ndihmën për zhvillimin e qëndrueshëm të bashkësive ku ushtron bizneset e veta, duke synuar arritjen e një ekuilibri mes përmbushjes së përgjegjësive shoqërore dhe objektivave të veta të biznesit. Grupi ka marrë pjesë në nisma të ndryshme, si bamirësie, arsimore, kulturore dhe sportive, për mbrojtjen e mjedisit etj.
Grupi "K. Wah" nuk i ka kursyer përpjekjet për të ndihmuar në zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve në Hong-Kong dhe pjesën kontinentale të Kinës. Grupi ka luajtur një rol aktiv në veprimtari të ndryshme të rëndësishme bamirësie, duke bërë dhurime dhe duke e nxitur stafin e vet të marrë pjesë në shërbime shoqërore vullnetare të kujdesit për njerëzit në nevojë.
Me besimin se "Arsimi e bën një vend të fortë", Grupi "K. Wah" sponsorizon universitetet në pjesën kontinentale të Kinës, Hong-Kong dhe jashtë vendit, për të krijuar skema bursash, për të ndërtuar objekte të mësimdhënies, për të mbështetur kërkimin shkencor e për të nxitur shkëmbimet akademike.
Grupi "K. Wah" është i angazhuar në promovimin e artit dhe sportit e në rritjen e ndërveprimit kulturor. Përveç kësaj, "K. Wah"ka sponsorizuar veprimtari të nxitjes së ndërgjegjes qytetare.
Grupi "K. Wah" është një mbështetës i zellshm i mbrojtjes së mjedisit nëpërmjet zbatimit të menaxhimit të gjelbër dhe pjesëmarrjes në veprimtari të ndryshme për problemet e mjedisit. Bizneset e saj, si ai I materialeve të ndërtimit dhe hoteleria, janë të përkushtuar ndaj ruajtjes së energjisë dhe përdorimit sa më të mirë të burimeve, në përpjekje për të nxitur një zhvillim të qëndrueshëm.
Edhe vetë Lui Che Woo, përveçse një biznesmen i suksesshëm, është një bamirës mjaft aktiv, veçanërisht duke mbështetur zhvillimin e kujdesit shëndetësor dhe të arsimit në Hong-Kong dhe në Kinën kontinentale.
Në vitet 1981-1982 ai ishte Kryetar i Grupit të Spitaleve "Tung Wah", organizata më e madhe dhe më e vjetër e bamirësisë në Hong-Kong, e themeluar në vitin 1800, me afro 200 qendra shërbimi. Në vitin 1999, Lui dha fonde për ngritjen e Laboratorit të Kërkimeve "Lui Che Woo" në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Stanfordit. Ai gjithashtu mban poste të rëndësishme në institucione të ndryshme të arsimit të lartë, duke përfshirë President Nderi Themelues i Fondacionit të Studimit dhe Zhvillimit të Arsimit të Universitetit të Hong-Kongut, Anëtar i Komitetit Konsultativ të Universitetit Politeknik të Hong-Kongut, Kryetar i Përjetshëm Nderi i Fondacionit të Universitetit Politeknik të Hong-Kongut, Dekan Nderi i Fakultetit të Biznesit në Universitetin e Yangzhou-t, Anëtar i Bordit të Drejtorëve të Universitetit "Fudan" të Shangait etj. Në vitin 2002 u krijua Çmimi "Lui Che Woo" për Programin e Shkëmbimit të Studentëve në Menaxhim Hotelerie ndërmjet Universitetit Kinez të Hong-Kongut dhe Universitetit "Cornell". Në vitin 2005, Lui Che Woo ishte nismëtar për fillimin e punës së rikonstruksionit të 150 shkollave në zonat e varfra në pjesën kontinentale.
Si mirënjohje ndaj shërbimeve të tij për sektorin publik dhe komunitetin, ai është nderuar me çmime të shumta në mbarë botën, nga të cilat spikat Anëtar i Urdhrit të Mbretërisë Britanike në vitin 1982.
Një asteroid i zbuluar nga Observatori "Mali i purpurt" në Nankin në vitin 1995 u quajt "Lui Che Woo" si mirënjohje për ndihmesën e tij në zhvillimin e studimeve astronomike në Kinë.
Lui Che Woo ka marrë titullin "Qytetar nderi" i qyteteve të ndryshme, po ai që ka më më zemër është i vendlindjes së vet.