PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Udhëtimi drejt Perëndimit, strategjia "Një Brez dhe Një Rrugë"
2015-03-24 15:05:09 CRI Komenti juaj Printoni

Kryetari i Shtetit i Kinës Xi Jinping ka paraqitur konceptet strategjike për ndërtimin e Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit dhe Rrugës Detare të Mëndafshit të Shekullit të 21-të përkatësisht në shtator dhe tetor të vitit 2013, duke theksuar që vendet përkatëse duhet të krijojnë "një bashkësi interesash" me përfitime të përbashkëta, si edhe "një bashkësi fatesh" me zhvillim dhe lulëzim të përbashkët.

Këto koncepte, të përmendura tashmë shpesh kur flitet për zhvillimin e Kinës, njihen gjithashtu si strategjia "Një Brez dhe Një Rrugë". "Një Brez dhe Një Rrugë" nis nga Kina, kalon nëpër Azinë Qendrore, Azinë Jugperëndimore, Azinë Jugore dhe Azinë Perëndimore, si dhe një pjesë të Europës. Kjo strategji mbulon mbi 60 vende, të cilat përbëjnë 63 % të popullsisë së botës dhe zënë 29 % të vëllimit të përgjithshëm të ekonomisë botërore.

 

Ministri i Tregtisë i Kinës Gao Hucheng u shpreh në një konferencë shtypi të zhvilluar gjatë dy sesioneve të sivjetshme në Kinë që viti 2015 do të jetë vit kyç për zhvillimin e këtij korridori ekonomik gjigant.

"Kemi zhvilluar konsultime për hartimin dhe zbatimin e një grupi projektesh me vendet përkatëse. Disa prej këtyre projekteve janë në proces dhe disa duke u hartuar. Kjo strategji ka tërhequr vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe ka ngjallur reagimet pozitive të vendeve që ndodhen përgjatë këtij brezi. Mbi 50 vende janë shprehur të gatshme për të marrë pjesë në këtë projekt dhe për të diskutuar mënyrat konkrete të ndërtimit bashkërisht. E gjithë kjo vjen për arsye që kjo strategji përputhet me prirjet kryesore sot në botë, si shumëpolarizimi, globalizimi ekonomik, shumëllojshmëria kulturore dhe shoqëria e informacionit," vë në dukje Gao Hucheng, ministër i Tregtisë i Kinës.

Për ndërtimin e Brezit Ekonomik dhe Rrugës Detare të Mëndafshit, Kina ka nënshkruar marrëveshje me shumë vende dhe një kontingjent projektesh të rëndësishme kanë nisur ose presin të zbatohen. Në vitin 2014, Kompania e Ndërtimit dhe e Komunikacionit e Kinës (CCCC) dhe qeveria e Sri-Lankës kanë nënshkruar marrëveshjen e koncesionit për qytetin-port në Kolombo. Kompania e Inxhinierisë së Porteve e Kinës (CHEC) dhe Maldivet nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit mbi projekte të ndërtimit të gjithanshëm infrastrukturor, si aeroport etj., dhe objekte përkatëse. Kina dhe Kazakistani kanë rënë dakord në parim për një listë prej 63 projektesh, që përfshijnë bashkëpunimin në prodhimin e çelikut, çimentos dhe qelqit, energjetikë, burimet minerale dhe industrinë kimi. Gjithashtu, edhe Pakistani ka vendosur kontakt me kompaninë CCCC, për bashkëpunim të mëtejshëm pas ndërtimit të portit Gwadar. Zv.presidenti i kompanisë CCCC, Sun Ziyu, vëren:

"Pas ndërtimit të portit, ka nevojë për mbështetje industriale, bujqësore dhe në fushën minerare. Gjendja e këtushme përputhet me strategjinë e Kinës 'Një Brez dhe Një Rrugë'. Gjithashtu, pala pakistaneze na ka kërkuar që ta ndihmojmë në ndërtimin e parqeve industriale dhe dëshiron të mësojë nga përvoja e suksesshme e hapjes e zonave bregdetare të Kinës. Edhe kjo është në përputhje me strategjinë e vendit tonë."

Në fakt, shumica e vendeve të Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit dhe Rrugës Detare të Mëndafshit janë ekonomi të reja dhe në zhvillim. Prandaj, ato kanë nevojë të madhe në sektorë si transporti rrugor e hekurudhor, ndërtimi e telekomunikacioni, ku Kina ka epërsi të dukshme. Presidenti i Korporatës së Ndërtimit të Hekurudhave të Kinës Meng Fengchao shprehet:

"Ka kërkesë të madhe për ndërtimin e hekurudhave. Sipas të dhënave që kemi, afro 60 vende janë të interesuara në këtë drejtim, ndërkohë që ne kemi kontakte të shpeshta me mbi 20 vende."

Është e vërtetë që gjatë ndërtimit të "Një Brez dhe Një Rrugë", Kina, me avantazhin industrial dhe kapitalet e shumta, mund t'i ndihmojë vendet përgjatë këtij brezi e kësaj rruge në ndërtimin infrastrukturor dhe t'i eksportojë industritë e veta të përparuara e të konsoliduara jashtë vendit. Presidenti i Grupit të Inxhinierisë Energjetike të Kinës (CEEC) Wang Jianping thekson:

"Për shkak të mungesës së energjisë, prodhimi industrial nuk mund të vazhdojë. Kjo është një dukuri e zakonshme në shumë vende. Grupi ynë ka projekte në vendet përgjatë Brezit Ekonomik dhe Rrugës Detare të Mëndafshit. Besojmë që në të ardhmen do ta shfrytëzojmë këtë prirje të rëndësishme zhvillimi dhe kjo është në të mirë të eksportimit të industrive të konsoliduara jashtë vendit."

Për të garantuar zbatimin e projekteve, qeveria kineze ka mobilizuar fonde të shumta dhe ka krijuar Fondin e Rrugës së Mëndafshit me kapitale të regjistruara prej mbi 61.5 miliardë juanësh. Krahas kësaj, Kina do të investojë 40 miliardë dollarë amerikanë për ndërtimin infrastrukturor, shfrytëzimin e burimeve dhe bashkëpunimin financiar e industrial në vendet përgjatë Brezit Ekonomik dhe Rrugës Detare të Mëndafshit. Po ashtu, edhe banka e vendeve të BRICS-it (Banka e BRICS-it) dhe Banka Aziatike e Investimeve Infrastrukturore (BAII) po përgatiten aktivisht për të nisur nga funksionimi. Zv.kryeredaktori i gazetës britanike "Financial Times" James Kynge vë në dukje:

"Jemi mjaft të interesuar për nismën e Kinës 'Një Brez dhe Një Rrugë'. Kemi parë që fondi për këtë nismë arrin në 40 miliardë dollarë amerikanë. Kjo tregon qëndrimin serioz të qeverisë kineze për këtë projekt dhe shpresoj që paratë të investohen në këtë drejtim. Në kornizën e 'Një Brez dhe Një Rrugë', trenat nga Chongqing-u i Kinës mund të arrijnë në Dujsburg të Gjermanisë vetëm për 18 ditë. Kështu, do të eksportohen më shumë materiale në Europë dhe do të kursehet më shumë kohë. Transporti detar kërkon dyfishin e kohës, ndërsa kjo mënyrë kursen kohë, duke shtuar efektivitetin dhe dinamizmin ekonomik."

Ambasadori i Bashkimit Europian në Kinë Hans Dietmar Schweisgut beson që Kina dhe Europa duhet të ndërtojnë një platformë të përbashkët ndërlidhjeje.

"Kryetari Xi Jinping në shumë raste ka promovuar nismën 'Një Brez dhe Një Rrugë'. Kina dhe Europa ndodhen në dy anët e kontinentit euroaziatik. Mendoj që duhet të krijojmë një platformë ndërlidhshmërie. Kjo është edhe një nga çështjet kryesore që do të diskutojmë në samitin e ardhshëm," u shpreh ambasadori i BE-së në Kinë, z. Hans Dietmar Schweisgut.

Për strategjinë e Kinës "Një Brez dhe Një Rrugë" ka pasur disa keqkuptime dhe dyshim. P. sh., disa zëra e kanë quajtur atë si "Plani 'Marshall' i Kinës". Të dy këto plane janë vërtet të ngjashme, pasi ato e kanë në thelb të ashtuquajturën "dalje jashtë vendit", kanë si pikë kryesore ndërtimin infrastrukturor, i kushtojnë rëndësi të madhe bashkëpunimit financiar e monetar dhe funksionojnë me kredidhënie dhe në bazë të fondeve elastike. Lidhur me këtë, ministri i Jashtëm kinez Wang Yi shpreh mendimin e tij.

"Strategjia 'Një Brez dhe Një Rrugë' është si më e vjetër, ashtu dhe më e re se Plani 'Marshall' dhe të dyja janë të ndryshme. E quajmë të vjetër, pasi 'Një Brez dhe Një Rrugë' ka trashëguar shpirtin e Rrugës së lashtë të Mëndafshit që ka histori mbi 2000-vjeçare. Tani do të vazhdojmë këtë rrugë të shkëmbimeve e lidhjeve miqësore mes popujve dhe do të shtojmë gjallërinë e kohës sonë. E quajmë të re, sepse 'Një Brez dhe Një Rrugë' ka lindur në kohën e globalizimit. Ajo është produkt i hapjes dhe bashkëpunimit dhe nuk është mjeti i gjeopolitikës. Prandaj, nuk duhet ta shohim me ideologjinë e Luftës së Ftohtë," thotë z.Wang Yi, ministër i Jashtëm i Kinës.

Ashtu siç u shpreh kryediplomati kinez, Kina e ka paraqitur strategjinë "Një Brez dhe Një Rrugë" në bazë të respektit të ndërsjellë. Objektivi i saj janë përfitimet e përbashkëta. Nëse do të shpreheshim në mënyrë të figurshme, do të thoshim se kjo nuk është një shfaqje solo, por një simfoni. (Jiang Lei)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China