PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Zhang Shiping-u, prodhuesi më i madh i tekstileve në botë
2015-03-24 15:09:20 CRI Komenti juaj Printoni

Kryetari i Grupi "Weiqiao Pioneering" të Shandong-ut Zhang Shiping e ktheu një fabrikë të vogël pambuku në kompaninë më të madhe të tekstileve në botë, duke e diversifikuar më pas në sektorë të tjerë, përfshirë prodhimin e aluminit dhe të energjisë elektrike, ndërsa veten e ktheu në një nga njerëzit më të pasur në Kinë, me një pasuri që i kalon 4 miliardë dollarët.

Zhang Shiping-u ka lindur në vitin 1946 në një familje të varfër në Weiqiao të distriktit Zouping të qytetit Binzhou në provincën Shandong të Kinës Lindore. I ati ishte i rreptë me fëmijët e vet dhe kjo e bëri Zhang Shiping-un një fëmijë të bindur e të disiplinuar, disiplinë që do t'i hynte në punë më vonë kur nisi rrugën e sipërmarrjes. Pas përfundimit të shkollës së mesme, Zhang Shiping-u nisi të bënte lloj-lloj punësh të ndryshme, si shtyrja e karrocave të dorës dhe mbajtja e dengjeve të pambukut, kur nisi punë në një fabrikë zhveshjeje pambuku. Në vitin 1966, me fillimin e Revolucionit Kulturor, ashtu si edhe shumë të rinj të tjerë në atë kohë, Zhang Shiping-u u dërgua të punonte në fshat. Por jetën e rëndë ai e sheh si një përvojë shumë të vyer. "Ajo ishte një periudhë e mrekullueshme në jetën time. Mjedisi i ashpër e kaliti vullnetin tim dhe e bëri të hekurt," shprehet pa brengë Zhang-u.

Më pas Zhang Shiping-u u kthye të punonte përsëri në fabrikë, këtë herë në Fabrikën e Vajit dhe të Tekstileve Nr. 5 të Zouping-ut. Duke e parë se ishte njeri fjalëpak, punëtor dhe me aftësi të mira organizative, në vitin 1981 drejtuesit e pushtetit vendor e caktuan Zhang Shiping-un drejtor të kësaj fabrike. Fabrika e Vajit dhe e Tekstileve Nr. 5 e Zouping-ut asokohe, ashtu si edhe mjaft fabrika të tjera, ishte në prag të mbylljes për shkak të daljes me humbje. Nën drejtimin me kompetencë të Zhang Shiping-ut brenda po të njëjtit vit kjo fabrikë nisi të ketë fitim, kurse pas dy vjetësh u bë fabrika më fitimprurëse në llojin e vet.

Por pika e vërtetë e kthesës në jetën e Zhang Shiping-ut do të vinte në vitin 1994, kur ai u bë menaxher i Fabrikës së Tekstileve të Weiqiao-s, pararendësja e Kompanisë së Tekstileve "Weiqiao" të Shandong-ut. Falë përpjekjeve të pareshtura për më shumë se dy dhjetëvjeçarë nga Zhang Shiping-u, Kompania e Tekstileve "Weiqiao" e Shandong-ut është bërë një sipërmarrje e madhe jo vetëm në tregun e brendshëm, por edhe në nivel global, duke u shndërruar tashmë në kompaninë më të madhe të tekstileve në botë. Kur Zhang-u mori drejtimin, fabrika kishte vetëm 61 punëtorë, ndërsa sot "Weiqiao" punëson më shumë se 160 000 veta.

Në shtator 2003 Kompania e Tekstileve "Weiqiao" u regjistrua në Bursën e Hong-Kongut, me një ofertë publike fillestare 3 miliardë dollarë hongkongas (më shumë se 386 milionë dollarë amerikanë), dhe deri në fund të një viti më pas shitjet e grupit arritën vlerën e 23 miliardë juanëve (3.7 miliardë dollarë amerikanë), me një rritje të eksporteve 71 % në krahasim me një vit më parë, 2003.

Zhang Shiping-u ka një rol të pazëvendësueshëm në kthimin e një ndërmarrjeje të vogël qyteze në sipërmarrjen më të madhe të tekstileve në Kinë. Si shpjegohet suksesi i Zhang Shiping-ut? Një zyrtar vendor e përshkruan atë si "të guximshëm në ekstrem". Në industrinë e tekstileve ishte një praktikë e zakonshme mbyllja e fabrikave për atë pjesë të vitit kur nuk ishte koha e vjeljes së pambukut. Ishte pikërisht Zhang Shiping-u i cili e theu rregullin, duke e shfrytëzuar këtë periudhë për të blerë sojë dhe kikirikë për të prodhuar vaj ushqimor. Kjo i siguroi sipërmarrjes së tij fitime shtesë, duke e lejuar të zgjerojë biznesin e vet bazë të tekstileve, madje edhe gjatë një depresioni të zgjatur midis vieteve 1993 dhe 1997.

Zhang Shiping-u beson në njëfarë mënyre se çdo e keqe e ka një të mirë. Sipas tij, luhatjet në treg mbartin me vete mundësi të mëdha për zhvillim. Pozicioni në treg dhe ndryshimet në rritje e zhvillim jo në pak raste përcaktohen në periudhat kur tregu ndodhet në një pikë të ulët. Në kushtet e pafavorshme të tregut, si të brendshëm, ashtu edhe të jashtëm, Zhang Shiping-u vijoi të investonte në një masë të madhe dhe të zgjeronte projektet. Ai filloi të njihte mirë politikat përkatëse dhe pastaj t'i shfrytëzonte këto politika duke blerë fabrika ose objekte në tjera në prag falimentimi, duke bërë bashkim ose blerje të ndërmarrjeve të ndryshme në pronësi shtetërore dhe më tej duke ndërtuar centralet e veta elektrike. Pikërisht në këtë mënyrë kompania "Weiqiao" pati një rritje të qëndrueshme edhe në ato periudha kohe kur industria tekstile gjendej në amulli.

Në përgjigje të tregut, Zhang Shiping-u zbatoi strategjinë e tre koncepteve, pikërisht "shpejt", "lart" dhe "ulët". E para, "shpejt", do të thoshte sipas Zhang Shiping-ut që kompania "Weiqiao" duhej të kishte aftësinë e përgjigjes së shpejtë ndaj zhvillimeve në treg e të vënies në jetë të projekteve të ndryshme në një kohë sa më të shpejtë që të ishte e mundur. E dyta, "lart", do të thoshte që objektivat e rritjes dhe të zgjerimit të kompanisë "Weiqiao" duhej të ishin të larta. Dhe së fundi, "ulët", do të thoshte që kompania duhej të kishte aftësi të kursimit të energjisë, për të pasur kështu nivel të ulët të harxhimit të energjisë e të burimeve në përgjithësi.

Ishin pikërisht këto koncepte që zbatoi Zhang Shiping-u që e kthyen "Weiqiao"-n nga një fabrikë e vogël me një pasuri më pak se 100 milionë juanë (afro 17 milionë dollarë amerikanë) në tashmë një grup gjigant me një pasuri të përgjithshme 127 miliardë juanë (afro 20.5 miliardë dollarë amerikanë) dhe me tetë baza prodhimi. Me pajisjet e klasit të parë dhe kapacitetin e vet të prodhimit, "Weiqiao" renditet në vendin e parë në industrinë tekstile të Kinës për gati dy dhjetëvjeçarë rresht dhe sipërmarrja më konkurruese në prodhimin e fibrave të tekstilit prej pambuku dhe fibrave të tekstilit sintetike, duke u bërë njëkohësisht kompania më e madhe e tekstileve të pambukut në botë.

Kompania e Tekstileve "Weiqiao" ka marrë "Medaljen Kombëtare të Punës '1 Maji'" në vitin 1997, "Sipërmarrje e dalluar në krijimin e kulturës shpirtërore" në vitin 1999, "Sipërmarrje kombëtare model e industrisë tekstile të Kinës në ndërthurjen së industrializimit dhe të informationizimit" në vitin 2011, si edhe shumë herë titullin "Sipërmarrje e përparuar e sistemit të industrisë tekstile" dhe "Sipërmarrje kombëtare pararojë në përfitimet ekonomike e industrisë së tekstileve të pambukut". "Weiqiao" po ashtu është përfshirë në "Dhjetë markat kryesore të industrisë tekstile në Kinë" në vitin 2010.

 

Në vitin 2003 Kompania e Tekstileve "Weiqiao" u bë pjesë e Grupit "Weiqiao Pioneering", kryetar i të cilit është Zhang Shiping-u, që ka shërbime të integruara në industrinë tekstile e të veshjeve, por është zgjeruar edhe në prodhimin e energjisë elektrike, industrinë e aluminit, industrinë kimike dhe në materialet e reja, me shitje vjetore që e kalojnë vlerën e 160 miliardë juanëve (më shumë se 25.7 miliardë dollarë amerikanë).

Në vitin 2012 Grupi "Weiqiao Pioneering" ndodhej në vendin e 64-t ndër 500 kompanitë kryesore kineze, ndërsa një vit më pas, në vitin 2013 u renditet i 388-ti ndër 500 sipërmarrjet kryesore në botë dhe "Weiqiao" është zgjedhur si një nga 500 markat më të famshme në botë.

"Pas tridhjetë vjet përpjekjesh dhe pune të palodhur, sidomos gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të një lufte këmbëngulëse, 'Weiqiao' ka shfrytëzuar mundësinë për të arritur zhvillimin dhe për të krijuar një gjendje me përfitime të ndërsjella," vë në dukje Zhang Shiping-u, duke shtuar: "Shpirti i përpjekjeve, i risive dhe i efektivitetit e krijoi 'Weiqiao'-n dje, po e frymëzon Weiqiao sot dhe do ta çojë Weiqiao-n përpara nesër. Duke parë përpara, ne jemi të mbushur me besim. Ne do të jemi në garë me kohën për të kapur mundësitë e shtimit të ritmeve të zhvillimit dhe për t'u bërë më të mëdhenj dhe më të fortë."

Ndërkohë, vetë Zhang Shiping-u është bërë njeriu më i pasur në provincën e Shandong-ut dhe një ndër njerëzit më të pasur në Kinë. Në vitin 2013, Zhang Shiping-u u rendit në vendin e 22-të në "Listën e njerëzve më të pasur" në pjesën kontinentale të Kinës të Institutit "Hurun", me një pasuri prej 28 miliardë juanësh (4.5 miliardë dollarë amerikanë). Ndërkohë, tashmë kjo pasuri sipas "Forbes"-it arrin në 4.1 miliardë dollarë amerikanë.

Por Zhang Shiping-u nuk mendon vetëm për mirëqenien dhe pasurimin e vet. "Weiqiao" ka ndërtuar spitale, kopshte dhe apartamente për punëtorët e tij.

"Rroga ime këtu është dyfishi i rrogës sime të mëparshme dhe ne bëjmë një jetë më të mirë", thotë 33-vjeçari Zhou Guoming, punonjës i "Weiqiao"-s, i cili në punën e vet të mëparshme në një hotel duhej të jetonte në fjetoren e punonjësve, kurse tani ka apartamentin e vet të siguruar nga kompania me një sipërfaqe 98 metra katrorë.

Zhang Shiping-u ka pasur një vizion mjaft të qartë të tregut dhe në këtë mënyrë ishte në gjendje ta transformonte "Weiqiao"-n. Një koleg i tij ka thënë: "Politikat janë në ndryshim në vazhdueshëm. Një politikë ekonomike nuk mund të zgjasë shumë. Por tregu është i qëndrueshëm. Dhe Zhang Shiping-u beson më shumë te tregu sesa te politikat."

Zhang Shiping-u vetë thekson: "Një sipërmarrje nuk mund të dështojë për shkak të kritikave. Por ajo nuk mund të ketë sukses dhe do të dështojë nëse nuk merr miratimin e tregut."

Në kushtet e shtimit të vështirësive në tregjet ndërkombëtare për shkak të vënies së kufizimeve ndaj tekstileve kineze, Zhang Shiping-u vendosi shtrirjen në biznese të tjera. Ai e kuptoi se me qëllim që "Weiqiao" të zgjerohej, duhej t'i bashkohej lulëzimit të industrisë së aluminit në Kinë. Kina zë tashmë pothuajse gjysmën e vëllimit të përgjithshëm të prodhimit të aluminit në botë, pas më shumë se trefishimit të kapacitetit gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Prandaj Zhang Shiping-u vendosi të krijojë kompaninë e prodhimit të aluminit "Hongqiao".

Kompania e prodhimit të aluminit "Hongqiao", tashmë pjesë e Grupit "Weiqiao Pioneering" të Shandong-ut, mund të thuhet me plot gojën se është një kompani e risive. Prodhuesit tradicionalë ua japin në kallëpe aluminin klientëve të tyre, të cilët më pas duhet të shpenzojnë kohë dhe para për t'i shkrirë e për t'i derdhur përsëri nëpër forma. Ndërsa "Hongqiao" e dorëzon aluminin në gjendje të lëngshme, të shkrirë me energji elektrike me kosto të lirë të prodhuar nga vetë centralet elektrike të kompanisë, për klientët të cilët bëjnë pjesë, ndër të tjetra, për "iPad"-ët e "Apple"-it dhe makinat "Volkswagen".

"Hongqiao" ka përparësi në kosto, sepse e siguron nga centalet e veta rreth 70 për qind të energjisë elektrike që i nevojitet me më pak se gjysmën e çmimit që ofrohet nga korporata shtetërore. "Hongqiao" ka ndërtuar 15 centrale elektrike dhe po ndërton edhe dy të tjera, me objektivin që deri në vitin 2017 ta sigurojë vetë të gjithë energjinë elektrike që i nevojitet. Kompania e shet më shumë se 70 për qind të aluminit të saj në formë të lëngshme, duke u kursyer klientëve të vet deri në 1500 juanë (diçka më shumë se 241 dollarë) për ton për shkak efektivitetit të vetëfurnizimit me energji.

Dhe pikërisht risi të tilla kanë bërë që "Hongqiao"të jetë tashmë kompania e pestë për nga madhësia e prodhimit të aluminit në Kinë dhe prodhuesja më e madhe private e këtij produkti. Në vitin 2011 "Hongqiao" u bë kompania e dytë e Grupit "Weiqiao Pioneering" të Shandong-ut e bërë publike, duke u regjistruar edhe ajo në Bursën e Hong-Kong-ut, me një ofertë publike fillestare 40 miliardë dollarë hongkongas (mbi 5.15 miliardë dollarë amerikanë), dhe duke tërhequr investorë të tillë si njeriu më i pasur në Hong-Kong dhe në mbarë Azinë Li Ka Shing. Një vit më pas, në vitin 2012, kompania e prodhimit të aluminit "Hongqiao" arriti 5.45 miliardë juanë (më shumë se 877 milionë dollarë amerikanë) fitime .

Modestia është një ndër elementet më thelbësore të kulturës kineze dhe këtë virtyt e ka edhe Zhang Shiping-u. Ai nuk do që të bjerë shumë në sy dhe rrallë pranon që të japë intervistë për mediat, kështu që nuk është shumë e lehtë të gjesh materiale për historinë e jetës së tij. Megjithatë, një herë ai i është shprehur zv.kryetarit të Shoqatës së Industrisë së Tekstileve të Pambukut të Kinës Wang Guoguang: "Kur isha i ri, gjithmonë jam zgjedhur si një nga drejtuesit e klasës që nga shkolla fillore deri në shkollë të mesme. Si rrjedhim, kultura korporative e Grupit 'Weiqiao Pioneering' përmban në vetvete edhe një pjesë të karakteristikave të mia vetjake. Do të përpiqem gjithmonë për të shkëlqyer e për të arritur të jashtëzakonshmen, në vend që të mbetem tek mesatarja." Ndërsa vetë Wang Guoguang-u shprehet për Zhang Shiping-un: "Zhang Shiping-u është një njeri me një mënyrë të veçantë të të menduarit dhe të parit të gjërave. Ai është një njeri i jashtëzakonshëm."

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China