20150310fe |
Javën e kaluar u hapën zyrtarisht dy sesionet e Kinës për vitin 2015. Mbi 3 mijë anëtarë të Asamblesë Kombëtare Popullore dhe të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez janë mbledhur në Pekin për të diskutuar mbi çështjet kryesore lidhur me zhvillimin e vendit. Ndër propozimet dhe mocionet e paraqitura, shpejtësia dhe cilësia e rritjes ekonomike janë vënë në fokus.
Tani ekonomia kineze është futur në një gjendje të re, që njihet si "faza e re normale", dhe GDP-ja, që është tregues i gjendjes ekonomike, ka kaluar nga ritmet e larta të rritjes që ka pasur gjatë viteve të kaluara, në ritmet e mesme dhe të larta. Për këtë arsye, ka pasur shqetësime që një gjendje e tillë ekonomike do të shkaktojë probleme për zhvillimin e mëtejshëm të Kinës.
Vitin e kaluar GDP-ja e Kinës pati rritje me 7.4 %, duke shënuar nivelin më të ulët gjatë 24 vjetëve të fundit. Megjithëse rritja ekonomike e Kinës është më e madhe se e ekonomive kryesore botërore, qeveria kineze përsëri ndien trysni të madhe.
"Vështirësitë që do të përballojmë sivjet, ndoshta do të jenë më të mëdha se në vitin e kaluar. Investimet nuk kanë pasur rritje të madhe, nuk ka shumë fusha të reja konsumi dhe tregu ndërkombëtar nuk është mëkëmbur ndjeshëm. Kështu, është më vështirë që të ruhet rritja ekonomike dhe në disa fusha ekzistojnë rreziqe potenciale," u shpreh kryeministri kinez Li Keqiang në raportin e tij me rastin e dy sesioneve të vitit 2015.
Lidhur me parashikimet e qeverisë kineze për rritjen e GDP-së në vitin 2015, z. Li Keqiang u shpreh:
"Sivjet, objektivat kryesore të zhvillimit të vendit janë: GDP-ja të ketë rritje me rreth 7%, Treguesi i Çmimeve të Konsumit (CPI) të rritet me afro 3% dhe të hapen mbi 10 milionë vende të reja pune në zonat urbane."
Prej kohësh, rritja e GDP-së merret si tregues kryesor për zhvillimin ekonomik dhe një ulje e tillë ka sjellë disa shqetësime. Por drejtori ekzekutiv i Qendrës së Studimit të Zhvillimit të Deltës së Lumit Jance pranë Universitetit të Nankinit, Liu Zhibiao, mendon që kjo në fakt është hyrje në fazën normale.
"Faza e re normale nuk është ulje e rritjes ekonomike, por hyrje në një gjendje të rregullt dhe normale. Rritja prej mbi 10 % që kemi pasur më përpara nuk mund të vazhdojë për dhjetëra vjet dhe ulja e rritjes ekonomike synon rregullimin e strukturës së ekonomisë kombëtare," tha Liu Zhibiao.
Në raportin e tij, kryeministri Li Keqiang shpjegoi veçanërisht që parashikimi prej 7 % është bërë në bazë të kërkesës të tregut dhe është në përshtatje me vëllimin e përgjithshëm të ekonomisë kombëtare dhe kërkesat për rregullim strukturor.
"Nëse ruajmë këtë ritëm zhvillimi për një kohë të gjatë, do të kemi bazë të fortë për arritjen e modernizimit. Ruajtja e rritjes ekonomike ndihmon në garantimin e punësimit. Me zhvillimin e sektorit të shërbimeve, do të shtohet numri dhe vëllimi i ndërmarrjeve të vogla dhe mikrondërmarrjeve. Kështu, rritja me rreth 7% mund të garantojë punësim të mjaftueshëm," deklaroi kreu i qeverisë kineze.
Në gjendjen e tanishme, ulja e parashikimit për GDP-në dhe shpejtimi i rregullimit strukturor janë miratuar gjerësisht nga ekonomistët kinezë. Ekonomisti i njohur dhe anëtari i Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez Li Yining u shpreh:
"Nëse e vlerësojmë GDP-në si më të rëndësishmen dhe përpiqemi për një rritje sa më të madhe, do të humbasim mundësinë më të mirë për rregullimin strukturor dhe rinovimin teknologjik."
Të dhënat ekonomike tregojnë që vitin e kaluar sektorët tradicionalë pësuan rënie të dukshme dhe niveli i shfrytëzimit të kapacitetit të prodhimit ishte më pak se 80 %. Megjithëse për një kohë të gjatë qeveria kineze ka propozuar rregullimin strukturor dhe modifikimin teknologjik, zbatimi i reformave në këta sektorë edhe në periudhën me rritje të shpejtë përballohej me sfida të mëdha. Ndërsa tani është shfaqur një mundësi e mirë.
Anëtarja e Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez, presidentja e firmës farmaceutike "Cheezheng", Lei Jufang, mendon se është e vërtetë që disa sektorë po përballen tani me një krizë, por më shumë sektorë të tjerë kanë shanse të mëdha.
"Ndoshta publiku ka perceptimin që ekonomia po pëson rënie, por në të vërtetë kjo nuk përbën problem. Disa sektorë janë ndikuar përkohësisht nga ndryshimi i mjedisit, sektori i pasurive të paluajtshme nuk ka atë gjallëri si më parë dhe sektori i qymyrgurit është në recesion, por nuk ka nevojë të trembemi, pasi mund të merremi me mbrojtjen e mjedisit dhe të zhvillojmë disa sektorë të rinj, duke I shndërruar produktet në mallra të preferuara cilësore. Ka vërtet shumë shanse dhe potenciali në këtë drejtim është mjaft i madh," tha Lei Jufang-u.
Krahas specialistëve, edhe qytetarët po e ndryshojnë mendimin e tyre lidhur me shpejtësinë e zhvillimit ekonomik.
"Zhvillimi nuk duhet të jetë aq i shpejtë. Çdo fazë e zhvillimit është si një ngjitja në mal, që në fillim është e shpejtë dhe më pas ngadalësohet disi. Unë mendoj që tani duhet të fokusohemi tek cilësia," u shpreh një qyetar.
"Zhvillimi ekonomik për qytetarët është ngritja e nivelit të jetesës dhe rritja e rrogave," tha një qytetar tjetër.
Lidhur me parashikimet e qeverisë kineze për rritjen ekonomike në vitin 2015, kryetari i grupit të hartimit të raportit të kryeministrit Li Keqiang dhe drejtori i Zyrës Studimore të Këshillit të Shtetit të Kinës Ning Jizhe u shpreh që qeveria ka besim të plotë për arritjen e këtij objektivi.
"Kryeministri kinez në raportin e tij përmendi rritjen ekonomike me rreth 7 %, çka është një rritje me punësim, me cilësi dhe efektivitet. Kjo rritje mund të garantojë punësim të mjaftueshëm. Ndërkohë, bashkë me rritjen ekonomike, qeveria do të marrë parasysh rritjen e të ardhurave të qytetarëve dhe mbrojtjen e mjedisit. Sigurisht, me një numër kaq të madh reformash, qeveria duhet të ketë besim të plotë për një rritje me rreth 7%," theksoi drejtori i Zyrës Studimore të Këshillit të Shtetit të Kinës Ning Jizhe.(Jiang Lei/Artani)