20150310hp |
Lei Jufang-u është anëtare e Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez, e interesuar kryesisht për çështjet e luftës ndaj varfërisë në zonat e largëta e më të pazhvilluara të Kinës, prej nga është edhe vetë. Ajo vetë është shembull i potencialit që kanë këto zona dhe banorët e tyre në rrugën e sipërmarrjes, duke u bërë një nga gratë më të pasura jo vetëm në Kinë, por edhe në botë. Gjatë një vizite në Tibet zbuloi joshën e mjekësisë tibetiane dhe efikasitetin mjekues të bimësisë të pasur të rrafshaltës, prandaj vendosi të japë ndihmesë në lehtësimin e vuajtjeve të njerëzve, duke krijuar Kompaninë e Mjekësisë Tibetiane "Cheezheng", ku tani ajo është kryetare dhe menaxhere e përgjithshme. Këmbëngulja dhe puna e palodhur e Lei Jufang-ut e kanë bërë atë që të kalojë nga shkencëtare në një miliardere dhe bamirëse.
Teksa përshkon rrugën e zhurmshme në zonën e Pekinit ku janë të përqendruara ambasadat e vendeve të ndryshme, selitë e kompanive të njohura dhe hotelet me pesë yje, Lei Jufang-u kontrollon me kujdes trafikun duke mbajtur për dore ndihmësen e vet, e cila duket si të jetë e bija.
Pa makijazh, e veshur thjesht dhe me flokët e bardhë të lidhur bisht prapa, Lei Jufang-u i ngjan më shumë një gruaje që po shkon për të blerë perime në treg. Por në të vërtetë, ajo është shumë larg të qenit një shtëpiake e zakonshme.
Lei Jufang-u e nxori mjekësinë tibetiane jashtë Tibetit, duke u bërë miliardere dhe duke ndihmuar njëkohësisht në rritjen e GDP-së së këtij rajoni.
Ka gjithmonë një ndërdyshje në jetën e saj. Duke e përshkruar veten si idealiste dhe duke cituar Joseph Needham-in, dijetarin e njohur britanik dhe autorin e librit "Shkenca dhe qytetërimi në Kinë", si frymëzim për karrierën e vet, Lei Jufang-u shprehet se ishte nisur të bëhej shkencëtare, jo biznesmene.
Lei Jufang-u ka lindur në vitin 1955 në Lintao të provincës Gansu të Kinës Veriperëndimore, një nga provincat më të varfra në Kinë. Lei thotë se kujtimi i varfërisë asnjëherë nuk i është ndarë nga mendja. Ajo kurrë nuk lë ushqim në pjatë dhe i këshillon të tjerët që të bëjnë të njëjtën gjë. Sipas Lei Jufang-ut, çuarja e ushqimit dëm është barazi me kryerjen e një krimi.
Për fat të mirë, vendlindja e saj e ka pasur traditë dërgimin e fëmijëve në shkollë – pavarësisht se sa të varfër ishin - dhe Lei e zellshme dhe punëtore ishte në gjendje të niste studimet për fizikë në Universitetin e Jiaotung-ut në kryeqendrën e provincës Shaanxi Xian, në vitin 1974.
Pas diplomimit në vitin 1978, Lei Jufang-u u caktua të punonte në Institutin e Fizikës Moderne të Akademisë Kineze të Shkencave në Lanzhou, kryeqendra e provincës së saj të lindjes Gansu. Lei Jufang-u mendonte në atë kohë se do të punonte si studiuese derisa të dilte në pension.
Si asistentprofesore, Lei Jufang-u gjeti një metodë për shtypjen me vakum për të ruajtur materiale të tilla si ushqimet, një teknologji për të cilën ajo thotë që shkencëtarët europianë nuk pranonin ta ndanin me shkencëtarët kinezë në atë kohë. Për këtë zbulim ajo u nderua me disa çmime dhe gjasat ishin shumë të mëdha për një ngritje në detyrë brenda institucionit ku punonte. Por megjithatë, në kuadër të programit të qeverisë në Kinë për t'i inkurajuar shkencëtarët që t'i komercializonin rezultatet e studimeve të tyre laboratorike, Lei Jufang-u e la punën në Institutin e Fizikës Moderne në Akademinë Kineze të Shkencave në Lanzhou dhe në vitin 1987 po në Lanzhou ngriti vetë një institut që merrej me trajtimin e ndotjeve industriale
Njerëzit tani lavdërojmë largpamësinë e Lei-t në vitet '80 të shekullit të kaluar, por ajo vetë e vlerëson më shumë si një aventurë.
"Ishte një veprim i kryer nga një idealiste naive", thotë Lei Jufang-u. "Mendoj se është e rëndësishme të harxhosh më pak dhe të përmirësosh mjedisin, por në atë kohë përparësi ishte zhvillimi ekonomik dhe jo mbrojtja e mjedisit."
Sidoqoftë, me shtimin e ndërgjegjësimit për mjedisin, instituti i krijuar nga Lei Jufang-u më pas u shndërrua në një kompani me të ardhura prej miliona juanësh në vit.
Por megjithatë, në fillim të viteve '90 të shekullit të kaluar, teksa kompania filloi të bëjë fitime të mëdha, Lei u detyrua të japë dorëheqjen nga puna për shkak të dallimeve me kolegët e vet mbi menaxhimin.
Largimi nga kompania e dëshpëroi Lei Jufang-un dhe e bëri të pyesë veten në lidhje me kuptimin e vërtetë të jetës. "Unë fillova t'i bëj vetes disa pyetje themelore," kujton ajo, "të tilla si "Çfarë është e vërtetë në jetë?' "
Pyetjet e çuan Lei-n në një udhëtim kërkimi shpirtëror në Tibet, ku gjithmonë kishte dashur të shkonte, në një përpjekje për t'u tërhequr nga bota dhe për të gjetur paqen e brendshme dhe qetësi.
Gjatë vizitës në një tempull budist në Tibet, Lei Jufeng-u pa një skicë të strukturës së trupit njerëzor. Skeleti dhe muskujt ishin paraqitur aty me të njëjtën saktësi si në çdo shkollë moderne mjekësore, por skica datonte rreth 1000 vjet më parë.
"M'u duk sikur kisha gjetur çelësin për te një thesar. Shkenca mjekësore tibetiane duhej promovuar, me qëllim që prej saj të përfitonin sa më shumë njerëz," shprehet Lei Jufeng-u.
Pikërisht aty mes kulturës së veçantë të atij rajoni, Lei Jufang-u filloi të mësojë më shumë rreth mjekësisë tibetiane, e cila përdorte bimët e veçanta të asaj zone. Por një vështirësi ishte se, pavarësisht efekteve të provuara të mjekësisë tibetiane në trajtimin e disa sëmundjeve të caktuara, ato nuk zgjatnin shumë, pasi bimët, përbërësit kryesorë, ishte e vështirë për t'u ruajtur. Dhe kjo gjithashtu shpjegon pse barnat tibetiane kurrë nuk kishin dalë jashtë Tibetit, apo pse ato kurrë nuk ishin përpunuar në mënyrë të industrializuar.
Për fat të mirë, teknologjia dhe shpikjet janë pikat e forta të Lei Jufang-ut. Asaj i lindi ideja se mjekësia tibetiane, e ndërthurur me teknologjinë moderne, mund të kishte një potencial të madh tregu.
Lei Jufang-u u bë e para në Kinë që përdori teknikën e ngrirjes së thatë me vakum për nxjerrjen e përbërësve më të efektshëm nga bimët e freskëta mjekësore. Lei filloi prodhimin e ilaçeve të reja duke përdorur makineri dhe pajisje të prodhuara në Kinë, të cilat janë po aq të efektshme, por shumë më të lira se makineritë dhe pajisjet përkatëse të importuara nga jashtë.
Në vitin 1995 Lei Jufang-u investoi 10 milionë juanët që kishte fituar nga patentimi i metodës së shtypjes me vakum për të ngritur në prefekturën Nyingchi Fabrikën e Farmaceutikës Tibetiane "Cheezheng" (ose "Qizheng"), baza e Kompanisë së Mjekësisë Tibetiane "Cheezheng". Fabrika nisi të prodhonte emplastër, pluhura dhe balsame për qetësimin e dhimbjeve, dhe gjithashtu barna për problemet e frymëmarrjes.
Problemi ishte se si të promovoheshin produktet e kompanisë. Lei Jufang-u ndoqi një metodë të ashtuquajtur "të përhapjes së fjalës gojë më gojë", duke u dhënë punonjësve të vet, miqve dhe të afërmve barna falas. Ajo i bindi edhe disa prej sportistëve olimpikë të Kinës të provonin produktet e kompanisë së saj. Lei Jufang-u pati sukses në prodhimin e një kremi të ri të mbështetur në mjekësinë tibetiane, i cili u përdor nga sportistët më të njohur kinezë, përfshirë gjimnastin kampion olimpik Li Xiaoshuang dhe zhytësen me famë botërore Fu Mingxia, po ashtu kampione bote dhe kampione olimpike.
Lei Jufang-u thotë se ajo dha barna falas me vlerë dhjetëra mijëra juanë, një kosto e madhe për një kompani fillestare. Por humbja e menjëhershme u shpërblye me famë të shpejtë. Fjalët e mira nga sportistët olimpikë që i përdorën barnat për të trajtuar lëndimet, tërhoqën interes. Mediat nisën të flasin dhe Lei e kompania e saj ishin sakaq në qendër të vëmendjes.
Në vitin 1999, të ardhurat vjetore nga shitjet të Kompanisë së Mjekësisë Tibetiane "Cheezheng" arritën vlerën e një milion juanëve (rreth 160 mijë dollarë amerikanë). Po në vitin 1999, emplasteri për qetësimin e dhembjeve i "Cheezheng"-ut fitoi medaljen e artë në Ekspozitën Botërore të Shpikjeve në Gjenevë. Kur po merrte çmimin, Lei Jufang-u tha se mjekësia tibetiane shpejt do të ishte po aq e famshme sa edhe maja e Everestit si një simbol i Tibetit.
Në tetor të vitit 1999, "Cheezheng"-u mori miratimin nga Administrata Shtetërore Farmaceutike e Kinës, ndërsa në vitin 2001 Lei Jufang-u bëri të vetin Çmimin Kombëtar të Progresit Shkencor dhe Teknologjik. Nga ana e saj, Kompania e Mjekësisë Tibetiane "Cheezheng" ka marrë shumë çmime në nivel rajonal, kombëtar e ndërkombëtar.
"Cheezheng" përdor teknologji moderne, e cila siguron vëllim më të madh të prodhimit dhe cilësi më të mirë. Sot "Cheezheng"-u është kompania më e madhe prodhuese e barnave të mjekësisë tibetiane në Kinë, me 16 degë dhe 3 fabrika, që prodhojnë më shumë se 70 produkte dhe që menaxhohen sipas standardeve të industrisë farmaceutike moderne. Në vitin 2009 Kompania e Mjekësisë Tibetiane "Cheezheng" u kuotua në Bursën e Shenzhen-it.
Kompania e Mjekësisë Tibetiane "Cheezheng"-u punëson mbi 1000 veta, 98 për qind e të cilëve janë banorë vendorë tibetianë.
Punonjësit e kompanisë e quajnë Lei Jufang-un thjesht motër Lei. Ajo ka ndihmuar shumë banorë tibetianë të dalin nga varfëria. Deri më sot, "Cheezheng"-u ka dhuruar më shumë se 85 milionë juanë për kujdesin shëndetësor, arsimin, uljen e varfërisë dhe ndihmën në raste fatkeqësish në të gjithë rajonin e Tibetit. Kompania krijoi një fond bamirësie në vitin 2007.
Lei Jufang-u vëren se "Cheezheng"-u gjithashtu u kushton më shumë vëmendje njerëzve me aftësi të kufizuara kur rekrutojnë punonjës, dhe punonjësit me aftësi të kufizuara tani kanë të ardhura të qëndrueshme.
Në vitin 2006, kur kompania "Cheezheng" ndërtoi apartamente për stafin e vet, punëtorëve me aftësi të kufizuara iu dha përparësi dhe ata hynë të parët në këto apartamente. "Këta punonjës janë bërë tani sigurues të bukës për familjet e tyre dhe kanë fituar dinjitet," shprehet Lei.
Mjekësia tibetiane përdor më shumë se 2000 lloje bimësh që rriten në Tibet, Gansu, Qinghai, Sichuan dhe Yunnan. Rritja dhe mbledhja e bimëve janë një nga mënyrat më të rëndësishme për tibetianët në këto rajone për të siguruar jetesën. Kompania e Mjekësisë Tibetiane "Cheezheng" ka krijuar edhe një plantacion 3000 metra katrorë me bimë tibetiane për prodhimin e vet të ardhshëm dhe për punësimin e banorëve vendorë. Lei Jufang-u shprehet se nga zhvillimi i kompanisë së saj përfitojnë edhe bimërritësit.
Lei Jufeng-u thekson se marrja me mjekësinë tibetiane i ka siguruar një mënyrë për të përmbushur ëndrrat e saj. Ajo beson gjithmonë se qëllimi i punës së saj është që të përfitojnë sa më shumë njerëz të jetë e mundur.
Lei Jufang-u thotë se, kur vjen fjala te zonat e prapambetura, një ndërthurje e epërsisë së burimeve natyrore me shkencën dhe teknologjinë e përparuar do të përshpejtojë zhvillimin e tyre ekonomik dhe do t'i ndihmojë banorët vendorë të dalin nga varfëria. Është e rëndësishme për shkencëtarët kinezë të luajnë një rol shembullor në ndryshimin e situatës në zonat e prapambetura të Kinës. Krijimi i projekteve të teknologjisë së lartë nga Lei Jufang-u në zonat e thella të Tibetit dhe Gansu-së është një frymëzim i madh në këtë drejtim.
Lei Jufang-u është pyetur shpesh pse ajo hoqi dorë nga puna e saj në Akademinë Kineze të Shkencave dhe më pas zgjodhi për të punuar në zonat e largëta. Përgjigjja e saj është se ajo është e sigurt se rruga që ajo ka ndjekur është e drejtë. Lei Jufang-u mban lidhje të ngushta me banorët vendorë. Shpesh ajo preket nga mbështetja e miqësia e tyre e sinqertë dhe ndien se shpirti i saj është pastruar.
Lei Jufang-u vë në dukje: "Kur penicilina që misionarët protestantë perëndimorë sollën në Kinë shpëtoi shumë jetë njerëzish, populli kinez filloi të pranojë mjekësinë perëndimore. Barnat e mjekësisë tibetiane mund të veprojnë si një emisar kulturor, nëpërmjet të cilit vendi ynë mund të komunikojë me popujt e botës."
Sipas Lei Jufang-ut, ruajtja e mjekësisë klasike tibetiane është po aq e rëndësishme sa edhe zhvillimi i mjekësisë së re e më shumë talente duhet të tërhiqen në këtë industri. Popullarizimi është i rëndësishëm për zhvillimin e mjekësisë tibetiane, shprehet ajo.
Lei Jufang-u ka investuar një pjesë të madhe të parave të saj për arsimimin e fëmijëve të vegjël tibetianë, për t'i bërë ata mjekë, përballë faktit që ka më pak praktikues të mjekësisë tibetiane tani. Ajo thotë se kompania "Cheezheng" gjithashtu trajnon njerëz të talentuar, veçanërisht të rinj.
"Ne kultivojmë talente jo vetëm për kompaninë tonë, por edhe për rajonin e Tibetit," vë në dukje ajo. Dhe shton: "Numri i profesionistëve të rinj në 'Cheezheng' është në rritje të shpejtë. Unë jam i sigurt se ata një ditë do të bëhen drejtuesë teknikë apo menaxhimi në Tibet."
Javën e kaluar revista "Forbes" e vlerësoi pasurinë e 60-vjeçares në 1.6 miliardë dollarë amerikanë. Me gjithë një pasuri të tillë, Lei Jufang-u bën një jetë shumë të thjeshtë dhe shumë të tërhequr nga bota në lëvizje të shpejtë dhe konkurruese e shoqërisë moderne. Lei Jufang-u vëren se nganjëherë ajo ka dyshime nëse besimi i saj budiste është në kundërshtim me rendjen pas fitimit. Por e qetë shton:
"Më thanë se për sa kohë që motivi është i mirë dhe i përdor paratë për qëllime të mira, të fitosh para është gjë e mirë."