20150224FE |
Në vitin 2014, vëllimi i prodhimit të drithërave në Kinë i kaloi 600 milionë tonët, duke shënuar rritje për 11 vjet me radhë, ndërsa i mishit 85.4 milionë tonë, ose 2 % më shumë se në vitin 2013. Megjithëse ka pasur përparime të mëdha, Kina ende përballet me një krizë potenciale. Ndotja e tokës së punueshme, shfrytëzimi i tepërt i ujërave nëntokësore dhe harxhimi i lartë i burimeve tregojnë që tani prodhimi i drithërave në Kinë ndodhet përballë një gjendjeje serioze. Drejtori i Departamentit të Ekonomisë Fshatare në Qendrën e Studimit të Zhvillimit pranë Këshillit të Shtetit të Kinës Ye Xingqing shprehet:
"Në fakt, niveli ynë i tanishëm i prodhimit të drithërave në njëfarë mënyre është realizuar duke mbishfrytëzuar mjedisin."
Nga ana e tij, zv.kryetari i Grupit të Punës për Çështjet e Fshatit pranë Komitetit Qendror të PKK-së Chen Xiwen vëren:
"Trysnia më e madhe vjen nga tre drejtime. Së pari, kostoja e prodhimit bujqësor është rritur në mënyrë të pandërprerë; sidomos nga viti 2010, çmimi i produkteve kryesore bujqësore është rritur në mënyrë të dukshme. Rritja e çmimeve shkakton problemin e dytë. Me këto çmime të larta, ne nuk kemi aftësi të mjaftueshme konkurruese me tregun ndërkombëtar. Së treti, mënyra e zhvillimit bujqësor me mbipërdorim të burimeve shkakton dëme të mëdha ndaj mjedisit."
Në fillim të shkurtit, Kina publikoi dokumentin e parë qendror për vitin 2015, ku theksohet që zhvillimi i bujqësisë duhet të kalojë nga modeli i vjetër në një model të ri: nga fokusimi te sasia dhe shfrytëzimi i tepërt i burimeve në fokusimin te sasia e cilësia, risitë teknologjike dhe zhvillimi i vazhdueshëm.
Lidhur me problemet që po përballon vendi në bujqësi, qeveria kineze e kupton qartë gjendjen e tanishme dhe ka vënë në dukje në dokumentin e parë të vitit që në Kinë mungojnë burimet bujqësore, prandaj kjo përbën një sfidë të madhe që duhet patjetër të përballohet, për të garantuar furnizimin efikas dhe cilësinë e produkteve ushqimore.
Bashkia e Shangait në Kinën Lindore ka caktuar mbi 2 milionë hektarë si tokë e punueshme e përhershme për prodhimin e drithërave. Ndërkohë, është forcuar kontrolli i ndotjes, duke nxitur përdorimin e biopesticideve dhe të pesticideve me toksicitet të ulët. Drejtori i Departamentit të Bujqësisë në Bashkinë e Shangait Sun Lei vë në dukje:
"Do të pakësojmë përdorimin e pesticideve, veçanërisht të kimikateve. Puna jonë është e orientuar drejt një bujqësie që mbron mjedisin."
Ndërkohë, për të garantuar në mënyrë konkrete sigurinë e produkteve bujqësore, Shangai po përpiqet të formojë një sistem për ndjekjen e procesit të prodhimit e të furnizimit të produkteve bujqësore. Z. Sun Lei shprehet:
"Ne do të hartojmë dhe do të përsosim ligjet për garantimin e sigurisë së produkteve ushqimore, pra, me një fjalë, do të garantojmë në bazë të ligjit. Ndërkohë, do të shtojmë kontrollin, për të garantuar cilësinë e produkteve bujqësore që qarkullojnë në treg. Kështu, qytetarët mund të konsumojnë ushqime pa u shqetësuar."
Bujqësia është një sektor tradicional, por një bujqësi me rritje të vazhdueshme dhe me prodhimtari të lartë duhet të varet nga teknologjia, posaçërisht në fushën e farërave, që janë baza e bujqësisë. Në dokumentin qendror nr. 1 të këtij viti të publikuar në Kinë, është kërkuar që të nxitet ndërtimi i bazave të farërave në rang kombëtar në provincat Hainan, Gansu dhe Sichuan. Ndër to, baza në Hainan do të përgjigjet për prodhimin e farërave dhe 70 % e llojeve të reja të farërave të vendit do të prodhohen këtu. Ndërkohë, bazat në Gansu dhe Sichuan do të jenë prodhueset kryesore të farërave të misrit hibrid dhe orizit hibrid. Tani në Gansu ka 1.22 milionë hektarë tokë eksperimentale për misrin hibrid, që përbën 41 % të nivelit kombëtar. Wu Kaijun është zv.drejtori i stacionit të farërave pranë Departamentit të Bujqësisë të provincës së Sichuan-it. Ai u shpreh:
"Në Sichuan sipërfaqja për prodhimin e farërave të orizit hibrid është rreth 400 mijë hektarë dhe sasia e prodhimit është afro 80 milionë kilogramë, duke përbërë përkatësisht një të katërtën dhe një të tretën e sasisë së përgjithshme në shkallë kombëtare."
Përveç sasisë, duhet të garantohet edhe cilësia. Në qeset e farërave është vendosur një kod i vijëzuar, ku janë shënuar të dhënat e hollësishme mbi farërat. Zv.kryetari i Shoqatës së Kultivimit të Sichuan-it Zhou Xiaodong bën të ditur:
"Rëndësia më e madhe e këtij kodi të vijëzuar është se, kur qytetarët kanë dyshime për farërat që kanë blerë, ata mund ta skanojnë kodin dhe të gjejnë vendin dhe fabrikën që ka prodhuar farërat. Kështu, mund të shohim në kompjuter cilësinë e këtyre farërave. Nga kjo qytetarët mund të marrin farëra me cilësi të garantuar."
Vlen të përmendet që edhe teknologjia për prodhimin e produkteve transgjenike është përmendur në dokumentin qendror nr. 1 të vitit në Kinë. Disa mendojnë që produktet transgjenike janë të dëmshme për natyrën dhe shëndetin e njeriut. Për shkak që më shumë vëmendje i është kushtuar studimit sesa promovimit të këtyre produkteve, prodhimi i tyre ka dështuar shumë herë përpara presionit të publikut. Zv.kryetari i Grupit të Punës për Çështjet Bujqësore pranë Komitetit Qendror të PKK-së Han Jun shprehet që përfshirja e teknologjisë transgjenike në dokumentin nr. 1 të vitit 2015 do të thotë që qeveria kineze është e ndërgjegjshme që përhapja e teknologjisë transgjenike është diçka e rëndësishme dhe e ngutshme. Në këtë dokument vihet në dukje që Kina do të shtojë kërkimet dhe kontrollin e sigurisë në fushën transgjenike dhe do të bëjë më shumë studime në teknologjinë përkatëse.
[foto nga www.ycwb.com]
"Ne mbështesim me forcë shkencëtarët, për të qenë në pararojë të teknologjisë transgjenike bujqësore. Kina, si një vend i madh me 1.3 miliardë banorë, ka popullsi të madhe dhe burime të pakta bujqësore. Kështu, zhvillimi bujqësor është i kufizuar gjithnjë e më shumë nga mjedisi dhe burimet. Ne kemi bërë investime të mëdha në teknologjinë transgjenike. Nuk ka dyshim dhe është e qartë që nuk mund të mbetemi pas. Tregu i produkteve OMGj në Kinë nuk duhet të pushtohet nga produktet e huaja," theksoi Han Jun, zv. kryetari i Grupit të Punës për Çështjet Bujqësore pranë Komitetit Qendror të PKK-së. (Jiang Lei/Artani)