20150224HP |
Teksa në Kinë po vijojnë kremtimet për Festën e Pranverës, siç edhe quhet ndryshe Viti i Ri kinez, ndër ushqimet e pamungueshme të kësaj feste është edhe peshku, sepse shqiptimi i fjalës kineze për "peshk" ka ngjashmëri me atë të fjalës që shënon tepricë, prandaj peshku simbolizon urimin për pasuri e begati gjatë gjithë vitit të ri. Në provincën Shaanxi ka një biznesmene fshatare, e cila falë dy dhjetëvjeçarëve të palodhur, duke u marrë kryesisht me kultivimin e peshkut, ka arritur të bëhet një sipërmarrëse e suksesshme dhe e pasur. Nuk ka qenë një rrugë aspak e lehtë për Shen Xiuli-në, por forca e vullnetit të saj ka bërë që të kalojë çdo vështirësi që i ka dalë përpara.
Shen Xiuli ka lindur në vitin 1974 në Xiaohe, një fshat të largët malor në kontenë Jingbian, në Yulin të provincës Shaanxi në Kinën Veriperëndimore. Në vitin 1993, ende pa mbushur të 20-tat, Shen Xiuli u martua dhe bashkë me të shoqin e prindërit e tij jetonte në një yaodong, ose "shtëpi shpellë", një lloj i veçantë banese dheu ndërtuar zakonisht në shpate kodrash, që haset shpesh në Kinën Veriore. Vjehrri dhe vjehrra e Shen Xiuli-së ishin gjithë kohës të sëmurë dhe nuses së re, përveçse të punonte në arë e të bënte punët e shtëpisë, i duhej edhe të përkujdesej për ta. Ndërsa gjendja ekonomike e familjes ishte mjaft e keqe. "Nuk ka rëndësi se sa e dëshpëruar isha, përballë atij realiteti e dija se nuk mund të bëja një jetë të tillë të vështirë përgjithmonë. E dija se duhej të vrisja trurin për të gjetur mënyrën për ta shndërruar jetën e hidhur të të gjithë neve: timen, të tim shoqi e të prindërve të tij, në një jetë më të mirë," kujton Shen Xiuli.
Në tetor të vitit 1993, Shen mori 3 000 juanët (afro 480 dollarë amerikanë) e pajës së saj e me to dhe me 20 000 juanë (32 00 dollarë amerikanë) të marra borxh nga të afërmit bleu një triçikël që i shoqi të niste një biznes të vogël dërgimi mallrash. Ndërkohë vetë, përveçse vazhdonte të punonte në arë, Shen Xiuli gjithashtu mësoi rrobaqepësi dhe veshjet që bënte i shiste në tregun e fshatit. Ndonëse fitimet ishin shumë të vogla, ato në njëfarë mënyre e ndihmuan për të nisur udhëtimin në rrugën e sipërmarrjes. "Bëja pantallona për fshatarët dhe fitoja vetëm 1-2 juanë për palë. Por kurseva para, një juan nga një juan, për të filluar biznesin tim," vë në dukje Shen Xiuli.
Megjithatë, siç ndodh ndonjëherë në jetë, kur bëjmë një hap përpara, bëjmë më pas dy hapa prapa. Kështu i ndodhi edhe Shen Xiuli-së dhe dukej se ëndrra e saj për të nisur biznesin e vet u thye. Për fat të keq, në mars 1995 i shoqi i Shen-it pësoi një aksident ndërsa transportonte produkte nafte nga një uzinë në kontenë Jingbian për në Yinchuan, kryeqendra e Rajonit Autonom Ningxia-Hui të Kinës Veriperëndimore. I gjithë malli u shkatërrua e po kështu edhe tricikli me të cilin ai po transportonte mallin.
Kjo ishte një goditje e rëndë për çiftin, që duhej të paguante për zhdëmtimin e mallit më shumë se 100 000 juanë (16 mijë dollarë amerikanë). Ata ende nuk kishin shlyer borxhin e vjetër dhe tani kishin një borxh të ri, duke e rënduar edhe më tej gjendje financiare të familjes.
Edhe sot e kësaj dite, sa herë që e kujton atë aksident, Shen Xiuli ndien një brengë të madhe në zemër. "Është një katastrofë e vërtetë për një familje fshatare të humbasë aq shumë para menjëherë. Në atë kohë, kishim vështirësi të madhe për të mbajtur familjen dhe madje humbëm besimin te vetvetja për të bërë gjëra të tjera. E si mund të nisja biznesin, kur nuk kishim para për të paguar dëshpërblimin," shprehet Shen Xiuli.
Por megjithatë, në vend që t'i dorëzohej dëshpërimit, me ndihmën edhe të të afërmve, gruaja e fortë fshatare gjeti përsëri guximin për t'ia nisur nga fillimi. Shen huajti 500 juanë (rreth 80 dollarë amerikanë) dhe hapi një dyqan të vogël ushqimor. Ndërkohë, ajo nisi të organizojë edhe një kurs rrobaqepësie për gratë e vajzat e tjera të fshatit dhe po ashtu vazhdonte të bënte veshje për t'i shitur, për të shtuar sadopak të ardhurat.
Duke punuar pa u lodhur Shen Xiuli më në fund i shleu borxhet. Kishte ardhur tashmë koha për të hedhur hapin e ri, që do të ishte hapi i parë drejt suksesit në sipërmarrje.
Në vitin 1996, duke menduar se kishte grumbulluar përvojën e mjaftueshme pas vitesh pune të palodhshme dhe e frymëzuar nga historitë e suksesit të mbarështuesve të peshkut për të cilat kishte mësuar nga njoftimet në medie, Shen Xiuli vendosi të ecë në hapat e tyre e të përfshihet në sektorin e rritjes së peshkut. Pasi e diskutoi idenë e vet me të shoqin, të dy nënshkruan një kontratë me këshillin e fshatit Zhangjiagou për të filluar kultivimin e peshkut në një rezervuar në këtë fshat. Pas vitesh braktisjeje, pjesa kryesore e digës së rezervuarit ishte prishur, gjë që donte të thoshte se niveli i ulit ishte shumë më i ulët se stardardi i nevojshëm për rritjen e peshqve.
"Ai rezervuar kishte dalë jashtë përdorimit dhe uji ishte shumë i cekët për të rritur peshk aty. Por ne nuk kishim para për të blerë makineri dhe e gjithë familja punonte ditë e natë vetëm me një karrocë për të mbajtur dhe e materiale të tjera për të rregulluar digën e rezervuarit. Shpesh duart dhe këmbët na bëheshin plagë, por ne vazhdonim të punonim. Hanim vetëm oriz të verdhë të cilin e gatuanim në mëngjes, kurse për të pirë pinim ujë nga rezervuari," kujton me lot në sy vuajtjet e sakrificat e asaj kohe Shen Xiuli.
Shen Xiuli-së dhe familjes së saj iu deshën gjysmë viti për të rregulluar digën dhe rrugën që të çonte te rezervuari, por më në fund ia dolën.
Në vitin 1987 Shen Xiuli huajti 80 000 juanë (diçka më pak se 13 mijë dollarë amerikanë) për të blerë 150 000 rasatë peshku për t'i kultivuar në rezervuar.
Megjithatë, përsëri doli një kokëçarje e re. Ushqimi i peshqve ishte shumë i shtrenjtë, duke rritur në këtë mënyrë koston e mbarështimit të rasatëve.
Shen Xiuli-së iu desh përsëri të vriste mendjen për të gjetur një zgjidhje. Më në fund asaj i lindi ideja që të rriste derra pranë rezervuarit dhe me plehun e tyre të ushqente rasatët e peshkut. Ishte një plan që dukej i thjeshtë, por që doli të ishte shumë i suksesshëm dhe brenda dy vjetësh Shen Xiuli arriti të shiste më shumë se 150 mijë kilogramë peshq dhe 600 krerë derra në vit.
Shumë do të ishin kënaqur me kaq, por Shen Xiuli e dinte se mund të arrinte më shumë dhe filloi të mendojë për ta zgjeruar më tej biznesin e vet. Ajo nënshkroi një kontratë me këshillin e fshatit fqinj Julang për të blerë të drejtën e përdorimit të një tjetër rezervuari që i përkiste këtij fshati. "Duke pasur parasysh se kishte një sipërfaqe më të madhe, ishte më i thellë dhe ndriçohej më shumë nga dielli, ky rezervuar i dytë ishte më i përshtatshëm për kultivim peshku në një sasi të madhe," shpjegon Shen Xiuli.
Megjithatë, fatkeqësia e goditi përsëri familjen e Shen Xiuli-së. Më 16 korrik 2000 ra një shi i madh e i rrëmbyeshëm. Të shqetësuar se niveli i ujit në rezervuar mund të ngrihej e të dëmtonte digën, duke shkaktuar ndonjë përmbytje, Shen-i dhe u shoqi shkuan me të shpejtë me motoçikletën e tyre për të kontrolluar digën. Por, për shkak të rrugës së rrëpirtë e me baltë humbën kontrollin e motoçikletës dhe u rrëzuan.
Edhe kjo tragjedi është ende e freskët në kujtesën e Shen Xiuli-së. "Burri im pësoi një dëmtim të rëndë në kokë dhe ra në gjendje kome. Edhe unë mora plagë në pjesë të ndryshme të trupit. Në atë kohë m'u duk sikur e gjithë bota u përmbys dhe i erdhi fundi", ndërmend Shen Xiuli.
I shoqi i saj u shtrua në spital dhe, ndonëse gjendja e tij u përmirësua, ai qëndroi në shtrat për një kohë të gjatë e edhe më pas kishte vështirësi në ecje. Ndonëse i duhej të mbante e vetme të gjithë barrën e familjes, Shen Xiuli përsëri nuk e dha veten dhe vijoi të kishte një qëndrim pozitiv ndaj jetës. Ajo i bënte e vetme të gjitha punët e shtëpisë, shkonte sa tek rezervuarët, ashtu edhe tek stallat e derrave, ndërkohë që vizitonte edhe të shoqin në spital. Por Shen Xiuli i kapërceu të gjitha vështirësitë falë vendosmërisë së saj të paepur.
Pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore të të shoqit, Shen Xiuli shkoi disa herë në provincën Hubei të Kinës Qendrore për të marrë njohuri të mëtejshme shkencore lidhur me teknikat e kultivimit të peshqve. Më vonë ajo arriti të mbledhë më shumë se 1.6 milionë juanë (mbi 255 mijë dollarë amerikanë) për të ngritur një fermë për mbarështim peshku. Në të njëjtën kohë, për të rritur fitimet dhe për të pakësuar rreziqet që vinin duke u marrë vetëm me rritjen e peshkut e të derrit, Shen Xiuli hapi edhe një restorant peshku pranë fermës, ndërkohë që nisi të tregtonte peshkun e vet edhe në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme në Kinën Veriore dhe Rajonin Autonom Ningxia-Hui në Kinën Veriperëndimore, duke konsoliduar kështu sigurinë e vet financiare.
Në vitin 2008 Shen Xiuli themeloi Korporatën e Bujqësisë e të Peshkatarisë "Haibin", e para firmë në Yulin që merrej me mbarëshimin e peshkut, ndërkohë që ndihmoi 150 familje fshatare të nisin biznesin e mbarështimit të derrit. Një vit më pas, në 2009-n, Shen Xiuli krijoi një kooperativë akuakulture, duke u mësuar banorëve vendorë lidhur me rritjen e peshkut dhe duke u mundësuar atyre ta ushtronin këtë veprimtari në 12 rezervuarë të kontesë Jingbian. Me ndihmën e Shen Xiuli-së, edhe shumë fshatarë të zonës janë bërë të pasur.
Teksa biznes i saj lulëzoi dhe ajo ishte bërë tashmë milionere, Shen Xiuli nuk donte më thjesht të bënte para, por mendoi se ishte koha për të dhënë ndihmesën e vet për shoqërinë. Duke parë numrin në rritje të të moshuarve që jetonin në të ashtuquajturat "fole të zbrazëta", pra të vetmuar, ajo vendosi të hapte një shtëpi të kujdesit për të moshuarit. Pas tre vjet përpjekjesh të palodhura, në 17 maj 2013, Shen Xiuli dhe i shoqi krijuan të parën shtëpi për të moshuarit në Yulin, që e quajtën Shtëpia e Kujdesit për të Moshuarit "Dashuria" e Jingbian-it.
Në të vërtetë, vendimi për ngritjen e kësaj shtëpie erdhi edhe nga një peng i vjetër i 41-vjeçares. "Im shoq dhe unë ishim të zënë gjithë kohën me biznes, kështu që nuk kishim shumë kohë të kujdeseshim për prindërit e tij. Vdekja e tyre nga sëmundja vijon të jetë një dhimbje e madhe për të dy ne," thotë Shen Xiuli, duke shtuar: "Bashkë me tim shoq vendosëm që, kur të kishim para të mjaftueshme, të ndërtonim një shtëpi kujdesi për të moshuarit. Të moshuarit në gjendje të keqe ekonomike ose të vetmuar mund të jetonin falas në këtë shtëpi."
Por duket se kishte edhe një arsye tjetër për hapjen e Shtëpisë së Kujdesit për të Moshuarit "Dashuria" të Jingbian-it nga Shen Xiuli: mirënjohja. "Disa të moshuar më ndihmuan shumë në ato periudha kur ndodhesha para vështirësish, kështu që doja t'u siguroja një familje dhe t'u jepja lumturi të moshuarve që nuk kanë familje," shprehet Shen Xiuli.
Por sipas Shen-it, nga ndërtimi i një shtëpie të tillë nuk janë vetëm të moshuarit që përfitojnë. "T'u sigurosh njerëzve të moshuar e të vetmuar një vatër të ngrohtë mund të ndihmojë jo vetëm ata, por edhe mund të sigurojë vende pune për njerëzit e papunë," vë në dukje Shen Xiuli.
"Deri më sot ne kemi investuar më shumë se 32 milionë juanë (mbi 5.1 milionë dollarë amerikanë) për Shtëpinë e Kujdesit për të Moshuarit 'Dashuria'. Ajo ka më shumë se 40 punonjës dhe në të mund të jetojnë deri në 230 të moshuar. Sot 160 të moshuar banojnë në këtë shtëpi dhe shumë të tjerë kanë bërë kërkesë për të ardhur aty," bën të ditur ajo.
Shtëpia e të moshuarve e hapur nga Shen Xiuli ka dhoma të pajisura secila me kompjuter, televizor dhe telefon. Në të ka gjithashtu salla ngrënieje, dhoma pritjeje, bibliotekë, dhomë lojërash, palestër, infermieri, dhomë fizioterapie dhe kopsht. Përveç kësaj, një sistem automatik thirrjeje dhe punëtorët mjekësorë me kohë të plotë u ofrojnë të gjitha shërbimet e nevojshme të moshuarve.
Personeli i shtëpisë së të moshuarve kujdeset që ata të jetojnë sa më mirë aty e të ndihen vërtet si në shtëpitë e tyre. Vetë Shen Xiuli mundohet që të hajë mëngjes me të moshuarit sa herë që ka kohë dhe gjithmonë interesohet për mbarëvajtjen e tyre.
Megjithëse ka qenë ajo frymëzimi dhe forca kryesore për daljen e familjes së saj nga varfëria dhe ecjen në rrugën e pasurimit, Shen Xiuli e sheh të shoqin si pjesë të pandarë e të barabartë të suksesit në sipërmarrje. "Ai nuk është vetëm bashkëshorti im, por edhe shoku im. Ne jemi partnerë të mirë dhe kemi ndarë të dy gjithmonë bashkë si lumturinë, ashtu edhe vështirësitë. Burri im nuk ka shkuar kurrë në shkollë, por ai është i mençur dhe i aftë për të zgjidhur problemet që dalin. Mbi të gjitha, ai është gjithmonë i hapur dhe i gatshëm të pranojë këshilla edhe nga unë, ndryshe nga ç'janë shumë burra të tjerë në provincën tonë", vë në dukje duke buzëqeshur Shen Xiuli.
Çifti ka dy fëmijë nga martesa e tyre mbi 20-vjeçare dhe, megjithëse nuk u mungojnë mjetet financiare për t'i dërguar ata në shkollat më të mira ndërkombëtare, Shen Xiuli dhe i shoqi kanë dashur që fëmijët e tyre të studiojnë në Kinë. Djali i tyre 20-vjeçar studion në Universitetin Jugperëndimor të Shkencave Politike dhe Drejtësisë në Chongqing, ndërsa vajza 19-vjeçare në Universitetin Veriperëndimor të Shkencave Politike dhe Drejtësisë në Xian, që është kryeqendra e provincës Shaanxi.
Shen Xiuli thotë se nuk dëshiron të ndërhyjë në zgjedhjet që fëmijët e saj do të bëjnë në jetën e tyre në të ardhmen, kur të përfundojnë studimet, por shpreson që ata një ditë do ta ndihmojnë në drejtimin e shtëpisë së të moshuarve nëse vendosin që të kthehen në vendlindje. "Sidoqoftë, mbi të gjitha uroj që ata të gjejnë vende pune të qëndrueshme në të ardhmen dhe të ndihmojnë në zhvillimin e vendit," thekson ajo.
Në vitet e fundit Shen Xiuli është nderuar me çmime të ndryshme, të tilla si "Grua Biznesmene Model" të dhënë nga Federata e Grave e Yulin-it, ndërsa në vitin 2011 u shpall një ndër 10 sipërmarrësit kryesorë në Yulin. Por Shen Xiuli nuk vetëkënaqet nga këto çmime, por i sheh ato si stimuj për të ecur përpara. "Sigurisht që ndihem e nderuar dhe jam mirënjohëse për këto çmime, por nuk e humbas mendjen pas tyre dhe i shoh si një fillim i ri në karrierën time," shprehet Shen Xiuli.
Shen Xiuli thotë se në të ardhmen do të fokusohet jo vetëm në kultivimin e peshkut dhe në shtëpinë e të moshuarve, por edhe në turizëm, për zhvillimin e mbarë zonës: "Unë mendoj se duhet të përfitojmë nga burimet e lidhura me luftën revolucionare që kemi në zonën tonë për të zhvilluar turizmin. Fshati fqinj Xiaohe ka qenë vendi ku ka jetuar dhe luftuar Kryetari Mao Ce Dun. Unë do të përpiqem që gjithnjë e më shumë fshatarë të përfshihen në turizmin e lidhur me revolucionin, me qëllim që të arrijmë kështu begatinë e përbashkët," thekson Shen Xiuli.