20150217FEwebank |
Qyteti i Shenzhen-it është pionier i reformës dhe hapjes në Kinë. Në fillim të vitit 2015, në këtë qytet të Kinës Jugore, kryeministri kinez Li Keqiang shtypi butonin "enter", duke nisur procesin e kredidhënies nga banka e parë private në internet, "Webank". Xu Jun, drejtues kamioni, mori kredinë e parë nga kjo bankë me një vlerë 35 mijë juanë. Kryeministri Li Keqiang ka pritshmëri të mëdha për të ardhmen e "Webank"-ut. Duke iu drejtuar përfaqësuesve të kësaj banke, ai tha:
"Shpresoj se ju do të gjeni një rrugë të re në financimin përfshirës dhe do të ofroni përvojë për kompanitë e tjera. Po presim që të shfrytëzoni mënyrat tuaja për të nxitur reformimin e financës tradicionale, duke u integruar me financën tradicionale nëpërmjet bashkëpunimit."
"Webank"-u nuk ka sportel dhe klientët nuk hapin llogari si në një bankë tradicionale. Kredidhënia në "Webank" nuk kërkon as hipotekë, as garanci, dhe bëhet vetëm në bazë të skanimit të fytyrës dhe vlerësimit të nivelit të kreditit nëpërmjet të dhënave të mëdha. Presidenti i "Webank"-ut Cao Tong shprehet që kjo bankë synon të ketë si klientë të vet një grup të caktuar.
"'Webank' në kinezishte përbëhet nga dy fjalë, 'wei' dhe 'zhong'. 'Wei' do të thotë ndërmarrjet e vogla dhe mikrondërmarrjet, ndërsa 'zhong' do të thotë publik. Kështu që 'Webank'-u ka përcaktuar në mënyrë të qartë një grup të caktuar si klientë të vet, si ndërmarrjet e vogla e mikrondërmarrjet, ashtu edhe qytetarët e thjeshtë," u shpreh Cao Tong.
Në krahasim me bankat tradicionale, bankat e internetit nuk ka nevojë të marrin me qira një mjedis të madh dhe punësojnë vetëm disa veta. Falë teknologjisë së internetit, kostoja është ulur në mënyrë të dukshme. Kështu, "Webank"-u ka një përparësi të madhe në normën e kreditimit.
"Bankat tradicionale kanë shpenzime të mëdha në menaxhim, që zë afro një të tretën e kostos së përgjithshme. Ndërsa ne kemi kosto të ulët në këtë drejtim dhe kjo është në të mirë të normës së interesit. Kështu, mund të favorizohen ndërmarrjet e vogla dhe mikrondërmarrjet, si edhe qytetarët," thekson Cao Tong.
Për klientët e "Webank"-ut, e gjithë procedura e kredidhënies është më e thjeshtë, më transparente dhe më efikase. Në fakt, "Webank"-u nuk është i pari që ofron financim nëpërmjet internetit. Kompania "Aliloan" e grupit "Alibaba" qysh nga viti 2010, ka filluar shërbime të tilla në internet. Ajo jep kredi në bazë të analizës së të dhënave të mëdha të kompanive që aplikojnë për kredimarrje, duke u ofruar kredi ditore dhe kredi çasti ndërmarrjeve të vogla dhe mikrondërmarrjeve. Yu Yongfu, që shet pajisje të vogla automjetesh në platformën e tregtimit në internet "Taobao.com", është një nga klientët e kompanisë "Aliloan".
"Brenda një minute, kam marrë një kredi prej 200 mijë juanësh," thotë Yu Yongfu.
Deri në shkurt të vitit 2014, numri i ndërmarrjeve të vogla që kanë përfituar nga shërbimet e kompanisë "Aliloan" i kaloi 700 mijët.
Faktikisht, financimi në internet u bë i njohur për qytetarët e thjeshtë në qershor të vitit 2013, ku fondi "Yu Ebao" filloi shërbimet zyrtare. Për arsye të efektivitetit të lartë, si dhe nivelit të lartë të fitimit, brenda vetëm 300 ditësh, fondacioni Tianhong që zotëron "Yu Ebao"-n, ka tërhequr 500 miliardë juanë financime dhe "Yu Ebao" është bërë fondi i 7-të më i madh në botë dhe fondi i 3-të më i madh monetar.
Pas "Yu Ebao"-s, janë krijuar shumë fonde të ngjashme, të cilat ofrojnë opsione të ndryshme më praktike, duke plotësuar nevojat e njerëzve të ndryshëm. Deri në fund të vitit 2014, numri i fondeve të tilla arriti në 79, me një vlerë mbi 1.5 trilionë juanë.
Fitimet nga financimi në internet janë vërtet shumë të mëdha, por në fakt më e rëndësishmja për kompanitë e internetit është që, me klientët e tyre, ato mund të zgjerojnë biznesin në një fushë të re financiare, pagesën në internet, posaçërisht në kohën e pagesave të lëvizshme të kryesuara nga smartfoni. P. sh., "Yu Ebao" mbështetet në platformën "Alipay", që është krijuar në vitin 2004. Pas mbi 10 vjetësh që prej krijimit, "Alipay" është bërë platforma më e madhe e pagesave të lëvizshme në botë. Me këtë platformë, njerëzit mund të bëjnë pagesa të ndryshme, si të energjisë elektrike, gazit, telefonit etj., si edhe transaksione financiare. Deri në tetor të vitit 2014, numri i përdoruesve të "Alipay" arriti në 190 milionë dhe numri i pagesave ditore me këtë platformë i kaloi 45 milionët. Zhang Yanan, e lindur në vitet '90, është një përdoruese e "Alipay-it. Ajo thotë:
"Kjo platformë është më e përshtatshme. Nëpërmjet saj mund të blesh mallra, të rimbushësh kartën e celularit ose të porosisësh taksi dhe pagesat mund të bëhen drejtpërdrejt."
Pagesa e lëvizshme është mjaft e volitshme dhe, për këtë arsye, gjithnjë e më shumë konsumatorë e parapëlqejnë atë. Kështu, edhe disa dyqane kanë filluar të përdorin këtë mënyrë të re pagese.
"Disa njerëz vijnë në dyqanin tim pa para në dorë, por përsëri mund të blejnë gjëra me aplikacionet në celular, si 'Yu Ebao' dhe 'Alipay'," thotë pronari i një dyqani në Dezhou të Kinës Lindore.
Sipas të dhënave nga "China Unionpay", në vitin 2014, pagesa e lëvizshme në Kinë ka pasur një zhvillim të vrullshëm dhe mbi 60 % e të anketuarve u shprehën se kanë bërë pagesa me celular. Instituti i Financave i Qendrës Studimore të Zhvillimit pranë Këshillit të Shtetit të Kinës parashikon në Librin e Bardhë për Sigurinë e Pagesave në Internet se në vitin 2017, vëllimi i transaksioneve në platformat e lëvizshme do të shkojë mbi 2 trilionë juanë dhe rritja e kësaj fushe do të jetë mbi 50 % në vitet e ardhshme.(Jiang Lei)