20150210wechat |
"Wechat"-i është një lloj aplikacioni në smartfon dhe njihet si "Facebook-u kinez". Qysh nga viti 2011 kur u krijua, "Wechat"-i ka pasur zhvillim të vrullshëm dhe tani numri i përdoruesve të tij në mbarë botën i kalon 600 milionët, duke u bërë kështu rrjeti social më i madh në mbarë Azinë.
Në fund të janarit, "Wechat"-i nisi reklamat e para në funksionin e tij "Moments", çka ka shkaktuar mjaft debate në mbarë Kinën. Disa njerëz e konsiderojnë si një ide interesante, ndërsa të tjerë janë të mendimit që reklama të tilla krijojnë shqetësim. Pavarësisht çfarë mendojnë përdoruesit, kompania "Tencent" që ka krijuar "Wechat"-in pritet të nxjerrë fitime gjigante nëpërmjet reklamave të tilla.
Kontingjenti i parë i reklamave në "Wechat" përfshin ato të markave BMW, "Vivo" dhe "Coca-Cola". Këto tre marka të famshme kanë tërhequr mjaft vëmendjen e publikut, pasi kompania "Tencent" kishte deklaruar në mënyrë të hapur që nuk do ta shfrytëzojë "Wechat"-in si një mjet marketingu. Për vendimin e "Tencent"-it, publiku ka mendime të ndryshme:
"Nuk jam kundër, mendoj është tërheqëse."
"Besoj se pak a shumë do të ketë ndikime negative" .
"Mendoj që, nëse produktet janë shumë të mira, atëherë 'Wechat'-i është vërtet një platformë e mirë promovimi" .
"A mund të bllokohen këto reklama?"
Nga ana teknike, reklamat në "Wechat" janë reklama "Feeds", që do të thotë se nuk kanë pozicion të caktuar dhe vendosen vetëm në rubrikën "Moments" dhe mund të përhapen sipas dëshirës së përdoruesve. P. sh., këtë herë reklamat, siç u tha, përfshijnë gjithsej tre marka dhe përdoruesit që kanë zakone të ndryshme do të shohin reklama të ndryshme. Në internet, ka një thënie që përdoruesit që konsumojnë shumë shohin reklamën e BMW-së, ndërsa të varfrit reklamën e "Coca Cola"-s.
Lidhur me këtë, zv.drejtori i Institutit të Studimit të Internetit dhe Informacionit Elektronik të Kinës, Lu Feng, vuri në dukje se ky është një promovim i personalizuar në bazë të analizave të të dhënave të mëdha.
"'Wechat'-i publikon reklama të ndryshme për përdorues që kanë pëlqime të ndryshme. Ky në fakt është marketing në bazë të analizave të të dhënave të mëdha. P. sh., mund të analizohen karakteristikat personale të përdoruesve dhe të ndahen përdoruesit në disa kategori. Kështu, publikimi i reklamave do të ketë efektivitet më të mirë," thotë Lu Feng.
Në të vërtetë, reklamat "Feeds" nuk janë një gjë e re. Në rrjete sociale, si "Twitter", "Facebook", "Weibo" dhe "QQ Space" ka reklama të ngjashme. Kjo lloj reklame u ka sjellë fitime të mëdha rrjeteve sociale. P. sh., në "Facebook", të ardhurat nga reklamat "Feeds" zënë mbi 60 % të të gjitha reklamave në këtë platformë.
Kontingjenti i parë i reklamave në "Moments" të "Wechat"-it ka shkaktuar reagime të mëdha në treg dhe kjo tregon në mënyrë të dukshme vlerat tregtare të këtij aplikacioni. Burimet e brendshme bënë të ditur që tarifa e reklamave në "Wechat" është së paku 5 milionë juanë dhe kompania "Tencent" synon që të fitojë 10 miliardë juanë në vit nëpërmjet reklamave në "Wechat".
Z. Lu Feng u shpreh që reklamat "Feeds" ndoshta do ta ndihmojnë "Wechat"-in të bëhet platforma më e madhe e reklamimit në tregun kinez. Sipas tij, në fazën tjetër, balancimi mes interesave tregtare dhe përvojës së përdoruesit do të jetë kyçi për të ardhmen e "Wechat"-it.
"Së pari, reklama duhet të publikohet sipas nevojave të përdoruesve. P. sh., të dhënat e mëdha tregojnë që unë jam një tregtar dhe duhet të më publikosh mua një reklamë përkatëse. Tani, ndër përdoruesit e 'Wechat'-it ka të rritur, adoleshentë dhe madje fëmijë. Kështu që reklama duhet të publikohet me kujdes. Nëse u publikon fëmijëve reklama për të rritur, do të shkaktosh reagime të pakëndshme. Së dyti, përvoja e përdoruesve ka shumë rëndësi. Nëse ti shikon një ose dy reklama në ditë, nuk do të jetë problem, por në qoftë se kjo ndodh sa herë aktivizon 'Wechat'-in, me siguri do të ndihesh shqetësim. Në fakt, një ose dy reklama në ditë krijojnë fitime shumë të mëdha për 'Tencent'-in dhe nuk ka nevojë për reklamim të dendur. Përndryshe, përdoruesit do të largohen shumë shpejt," theksoi Z.Lu Feng.
Ka disa raste që përdoruesit largohen kur reklamat Feeds nuk publikohen në mënyrë të përshtatshme. Por shumica e përdoruesve u shprehën që ata përdorin çdo ditë "Wechat" dhe nuk do ta ndalojnë përdorimin vetëm për shkak të reklamave. Disa prej tyre thanë:
"Nuk do ta ndaloj së përdoruri, sepse e përdorin shumë miq."
"Do të vazhdoj ta përdor, pasi jam mësuar me të."
"Në 'Wechat', përveç 'Moments', ka edhe funksione të tjera, si bankë elektronike dhe taksi. Unë i përdor shpesh këto funksione, kështu që nuk do ta heq".
Në fakt, "Wechat"-i është shprehur më parë që do të fokusohet te përvoja e përdoruesit dhe do të përpiqet të gjejë një pikë ekuilibri mes saj dhe komercializimit. Për të promovuar reklamat Feeds, kompania "Tencent", pas nisjes së këtyre reklamave, publikoi artikullin me titullin "A je fitues në 'Moments' të 'Wechat'-it?", duke i përshkruar reklamat në "Wechat" si një vlerësim. Është e vërtetë që në kohën e sotme, reklamat Feeds janë bërë një prirje e pakthyeshme dhe përfitimi i përbashkët nga përdoruesit, reklamuesit dhe platformës sociale nuk është një gjë e pamundshme. Por e gjitha kjo varet nga teknologjia dhe strategjia e "Tencent"-it.
(Jiang Lei/Artani)