20150210hp |
Renditja e njerëzve më të pasur në Kinën kontinentale ka pasur një ndryshim, të paktën sipas "Listës së njerëzve më të pasur në botë" të Institutit "Hurun" të publikuar javën e kaluar. Li Hejun-i, manjat i energjisë diellore, ka zëvendësuar themeluesin dhe kryetarin e gjigantit të tregtisë në internet "Alibaba", Ma Yun, i njohur edhe si Jack Ma, duke u bërë njeriu më i pasur në pjesën kontinentale të Kinës, me një pasuri prej 94 miliardë juanësh (rreth 26 miliardë dollarë amerikanë). Li Hejun-i u ngjit 108 vende në këtë listë, duke zënë tashmë vendin e 28-së, teksa është pra në vendin e parë për sa i përket pjesës kontinentale të Kinës.
Li Hejun-i është themeluesi dhe drejtuesi i Grupit "Hanergy", që e ushtron biznesin e vet kryesisht në energjinë e pastër, të diellit dhe të erës. Ai u përfshi për herë të parë në "Listën e të pasurve të Kinës" të revistës "Forbes" në vitin 2013, duke zënë menjëherë vendin e katërt, me rreth 11 miliardë dollarë amerikanë, teksa revista kineze "New Fortune" e nxirrte atë në fillim të vitit të kaluar njeriun më të pasur në Kinë, me rreth 14 miliardë dollarë amerikanë. Sido që të jetë, ajo që mund të thuhet me siguri është që pasuria e Li Hejun-it ka njohur një rritje tepër të ndjeshme gjatë dy vjetëve të fundit, gjë që është edhe më befasuese po të kesh parasysh se energjia e pastër, e gjelbër, nuk është ndër ata sektorë që mendohet se sjellin fitime të mëdha për bizneset e përfshira në to. Sidoqoftë, Li Hejun-i nuk është i vetmi sipërmarrës i pasuruar nga energjia e gjelbër, por ka edhe të tjerë të tillë.
Zhu Gongshan-i ka lindur në Funing të provincës Jiangsu të Kinës Lindore në vitin 1958. Ai ndoqi Shkollën Profesionale Elektrike në kryeqendrën e provincës Jiangsu, Nankin, ndërsa pas përfundimit të saj nisi të merrej me shitjen e pajisjeve elektrike në vendlindjen e vet.
Zhu Gongshan
Në vitin 1991 Zhu Gongshan-i krijoi "Golden Concord Holdings Limited" (shkurt GCL), me synimin për të investuar në sektorin e energjisë në Kinë. Marrëveshja e parë e madhe e nënshkruar nga Zhu Gongshan-i në emër të GCL-së ishte ndërtimi i termocentralit në Taicang të provincës Jiangsu në vitin 1996. Bashkëinvestitor me GCL-në në këtë projekt ishte kompania "Continental Mariner Investment" e Hong-Kong, aksioneri më i madh i të cilit ishte Grupi "Poly". Nga ky bashkëpunim i GCL-së me Grupin "Poly" do të lindte "GCL-Poly Energy Holdings Limited", kompania kryesore e tashmë Grupit GCL, e cila në nëntor të vitit 2007 u regjistrua në Bursën e Hong-Kongut.
Gjatë dhjetëvjeçarit në vijim GCL-ja do të ndërtonte mbi 20 centrale elektrike, kryesisht termocentrale, por Zhu Gongshan-i parashikoi me mprehtësi se e ardhmja do të ishte në energjinë diellore. "Ne të gjithë e dimë që klima globale ka pësuar një ndryshim të madh. Ne si sipërmarrës në sektorin e energjetikës duhet të marrim një përgjegjësi të madhe mbi vete. Prandaj, që prej vitit 2004 mendova se, kur është fjala për burimet e reja të energjisë, duhet të fokusohemi në energjinë diellore," shprehet Zhu Gongshan-i, duke shtuar: "Kur ia thashë në fillim stafit tim mendimin për të kaluar në energjinë diellore, natyrisht që ata ishin disi të shqetësuar."
Zhu Gongshan-i investoi 7 miliardë juanë (më shumë se 1.1 miliardë dollarë amerikanë) për një njësi për prodhimin e polisilicit, lënda e parë që përdoret në industrinë fotovoltaike.
Strategjia e Zhu Gongshan-it – ndryshe nga ajo e kompanive të tjera të energjisë, si "Suntech" dhe "Yingli", që prodhonin panele diellore – ishte që CGL-ja të niste së pari nga maja e zinxhirit të prodhimit.
Më pas Zhu Gongshan-i mori një tjetër vendim largpamës. Në atë kohë tregu ndërkombëtar nisi të kishte një kërkesë të madhe për panele diellore, por mungonte polisilici për t'i bërë ato. Çmimi i polisilicit arriti në 500 dollarë amerikanë për kilogram, por Zhu zgjodhi të nënshkruajë kontrata furnizimi tetëvjeçare me një çmim dyfish më të lirë. Doli se ishte një lëvizje e zgjuar.
Gjatë krizës financiare globale të vitit 2008, prodhuesit e tjerë u goditën kur çmimet e polisilicit ranë nën 100 dollarë amerikanë për kilogram. Kontratat tetëvjeçare të nënshkruara më parë i ndihmuan Zhu Gongshan-in dhe GCL-në të përballonin krizën dhe të dilnin më të fortë se konkurrentët. Po atë vit Zhu Gongshan-i ngriti një fabrikë të re për prodhimin e polisilicit. Dhe kështu, falë edhe prodhimit të kësaj fabrike, në vitin 2008 GCL-ja zinte gjysmën e vëllimit të polisilicit që eksportonte Kina, diçka e pazakontë për një kompani që nuk kishte shumë kohë që ishte përfshirë në këtë sektor.
Në vitin 2009 Zhu Gongshan-i vendosi që GCL-ja të diversifikohej, duke filluar ndërtimin e centraleve të energjisë diellore dhe duke bërë shtresa silici, të cilat përdoren për prodhimin e qelizave nga të cilat përbëhen panelet diellore. Korporata e Investimeve e Kinës bleu 20 % të aksioneve të kompanisë kryesore të grupit, "GCL-Poly Energy Holdings", me vlerë 710 milionë dollarë, duke shëndoshur edhe më tej financat e grupit për vënien në zbatim të projekteve të tjera. Deri në fund të vitit 2011, kapaciteti i prodhimit të shtresave të silicit të GCL-së arriti në 3.5 GW, duke zënë rreth 30 % të vëllimit të përgjithshëm të prodhimit botëror. Pas dy vjetësh ky kapacitet u rrit më shumë se dy herë, duke arritur në 8 GW, ndërsa tani ka shkuar në rreth 10 GW.
"Gjatë disa dhjetëvjeçarëve të fundit, ishte bërë një punë e madhe në Kinë për prodhimin në vend të materialit të silicit. Me mbështetje nga qeveria dhe duke punuar të gjithë së bashku si industri, ne tashmë në Kinë zotërojmë teknologjinë e prodhimit të polisilicit dhe të shtresave prej silici," thekson Zhu Gongshan-i.
GCL-ja është një shembull i përparësisë që ka marrë energjia alternative në Kinë. Grupi ka centrale në mbarë Kinën, duke e ndihmuar atë të bëhet një vend më i pastër dhe më i gjelbër. Zhu Gongshan-i është i vetëdijshëm për rëndësinë që ka sektori i energjetikës. Ai shprehet:
"Që prej diplomimit kam punuar vetëm në energjetikë gjatë gjithë kohës, nga burimet tradicionale të energjisë tek ato të reja. Prej 20 vjetësh kompania ime është marrë me termoelektricitetin në Azinë Juglindore dhe në Kinë. Në Kinën Jugore, në Kinën Juglindore e në Kinën Lindore, ne kemi shumë zona zhvillimi. Ne kemi teknologji për energjinë nga mbetjet, energjinë biopolimere dhe energjinë diellore. Kemi një central të energjisë së erës në Mongolinë e Brendshme. Por projektet tona nuk do të përfundojnë këtu."
Në GCL besojnë se është përgjegjësi e çdo sipërmarrjeje për të shfrytëzuar në mënyrë të arsyeshme burimet e kufizuara natyrore.
"Kemi vetëm një Tokë. Prandaj, të duash mjedisin do të thotë të duash vetveten," vë në dukje Zhu Gongshan-i.
GCL-ja ka tashmë më shumë se 17 mijë punonjës, një kapitalizim të tregut me vlerë rreth 5 miliardë dollarë amerikanë dhe vëllim shitjesh prej 3.28 miliardë dollarësh amerikanë.
Sipas "Listës së pasurve të Kinës" të "Forbesit", pasuria e Zhu Gongshan-it në tetor të vitit të kaluar arrinte në 2.1 miliardë, duke zënë kështu vendin e 64-t në këtë listë. E megjithëse mjaft thonë se tofjalëshi "miliarder i gjelbër" është një oksimoron, pra pasurimi dhe energjia e gjelbër bien ndesh njëra-tjetrës, 2.1 miliardët e Zhu Gongshan-it, dhe fakti që tashmë njeriu më i pasur në pjesën kontinentale të Kinës e ushtron biznesin pikërisht në energjinë e pastër, alternative, tregon se energjia e gjelbër po bën tashmë gjithnjë e më shumë veta të pasur.
GCL-ja tashmë është prodhuesi më e madh joshtetëror i energjisë në Kinë, si edhe prodhuesi më i madh në botë i materialeve fotovoltaike. Sigurisht falë edhe GCL-it Kina tani prodhon rreth një të katërtën e polisilicit në botë dhe kontrollon rreth gjysmën e tregut global të pajisjeve të energjisë diellore.
GCL-ja ka qenë e përkushtuar për të zbatuar filozofinë "I sjellim energji të gjelbër jetës". GCL-ja synon që të bëhet një grup udhëheqës global i energjisë së gjelbër të mbështetur te risitë.
Bizneset e GCL-së janë të ndarë në pesë sektorë të mëdhenj, që përfshijnë energjinë konvencionale, materialet fotovoltaike, centralet e energjisë e gjelbër, gazin natyror dhe pronat e gjelbra. Këto biznese menaxhohen përmes tre kompanive të regjistruara në bursë, duke përfshirë pra "GCL-Poly Energy Holdings", që është prodhuesi më i madh në botë i polisilicit dhe i shtresave të silicit.
Vizioni i GCL-së është që të bëhet një sipërmarrje në fushën e energjetikës e njohur ndërkombëtarisht për ndihmesën për mbrojtjen e mjedisit.
GCL-ja është tashmë një sipërmarrje e respektuar edhe për ndihmesën për zhvillimin e ekonomive rajonale, si edhe për rritjen e vet të shëndetshme e të shpejtë, dhe për konkurrencën e ndershme. Ajo po ashtu vlerësohet nga partnerët e vet për ndjekjen e parimeve të cilësisë dhe të përfitimeve të përbashkëta.
Misioni i GCL-së është që të ofrojë shërbime të cilësisë së lartë të lidhura me energjinë, për të siguruar një mjedis më të mirë jetese.
Parimet bazë të GCL-së janë vënia e njeriut në qendër, përpjekja për të arritur përsosmërinë, zhvillimi harmonik dhe krijimi i vlerave. Shpirti i saj është ai i përkushtimit, respektit, risive dhe bashkëpunimit
Talenti shihet si burimi kryesor i vlerave në GCL. GCL-ja përpiqet të sigurojë një mjedis ideal pune duke përmirësuar vazhdimisht mekanizmin e marrjes në punë dhe të menaxhimit të burimeve njerëzore. Stafi nxitet që t'i përkushtohet mbarëvajtjes së sipërmarrjes nëpërmjet stimujve të ndryshëm, duke kuptuar dhe zhvilluar më tej vlerat e aftësitë e veta dhe duke vënë në jetë potencialin e vet.
Përgjatë viteve GCL-ja dhe themeluesi e drejtuesi i saj Zhu Gongshan janë vlerësuar me çmime të ndryshme. Në vitin 2006, GCL-ja fitoi "Çmimin e mjedisit", i dhënë nga Ministria e Mbrojtjes së Mjedisit e Kinës. Në vitin 2009, GCL-ja u shpall "Sipërmarrje shembullore kombëtare për ruajtjen e energjisë dhe pakësimin e lëshimit të gazeve", ndërsa "GCL-Poly" mori çmimin "Kompani e regjistruar në bursë që po ndikon mbi Kinën". Një vit më pas GCL-ja u shpall "Sipërmarrje e shquar e industrisë fotovoltaike në Kinë", ndërsa "GCL-Poly" u përfshi ndër "30 sipërmarrjet e reja kryesore të sektorit energjetik në Kinë", me vlerësimin "Prodhues i polisilicit kryesor në Kinë, numër një në Azi dhe i njohur në botë, dhe një nga sipërmarrjet udhëheqëse në industrinë fotovoltaike të Kinës". Po në vitin 2010, në Konferencën e 3-të Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Mjedisit, të organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Ruajtjes së Energjisë dhe e Mbrojtjes së Mjedisit dhe të mbështetur nga Programi i Mjedisit i OKB-së dhe UNESCO-ja, "GCL-Poly" fitoi titullin "100 sipërmarrjet kryesore botërore që nxitin një mjedis me lëshim të ulët karboni". Në vitin 2011 "GCL-Poly" fitoi titullin "10 markat kryesore kineze në industrinë fotovoltaike", ndërsa Grupi GCL u shpall "Sipërmarrje bamirësie e Kinës". Në vitin 2012 "GCL-Poly" u përfshi në listën e 2000 kompanive kryesore globale të revistës "Forbes", si edhe fitoi titullin e "Sipërmarrjes me imazhin më të mirë të markës".
Edhe Zhu Gongshan-i personalisht është nderuar me shumë çmime e tituj. Në vitin 2009 ai u vlerësua prej "The Sunday Times" si një nga " 10 personalitetet që po ndryshojnë të ardhmen e Kinës". Në vitin 2010 Zhu Gongshan-i u rendit i 27-ti në "Listën e bamirësisë të Kinës" të Institutit "Hurun".
Përveçse kryetar bordi i GCL, Zhu Gongshan-i është zëvendëskryetar i Shoqatës Kineze të Inxhinierisë Elektrike dhe kryetar i Aleancës së Industrisë Fotovoltaike të Kinës.
Por a e vlerëson veten si të suksesshëm Zhu Gongshan-i. "Nuk mund të them që jam i suksesshëm, por mendoj se jam në fillim të rrugës së suksesit. Nuk është modeste ta mendosh veten të suksesshëm, por sidoqoftë kam një rrugë të gjatë për të bërë."
"Në fillim të peridhës së Reformës dhe Hapjes në Kinë, për shkak të mangësive në sistemin ligjor, kishte shumë mundësi për t'u bërë njeri i pasur. Ndërsa në ditët e sotme, me një kuadër të plotë ligjor, sipërmarrësit u binden ligjeve dhe e drejtojnë biznesin e tyre në mënyrë të rregullt," vëren ai.
Kur një gazetar i huaj e pyeti për atë që ai e quajti xhelozi të shkaktuar te konkurrentët e huaj nga suksesi i kompanisë së tij, Zhu Gongshan-i u përgjigj: "Kompanitë e huaja kanë qenë prej më shumë se dhjetë vjetësh të përfshira në këtë sektor, ndërsa kompanisë sime iu deshën vetëm disa vjet për të arritur aty ku ato janë tani. Sigurisht që këto kompani kanë njëfarë zilie që GCL-ja ka bërë në shumë pak kohë atë për të cilën këtyre kompanive iu desh shumë më tepër. Unë e kuptoj një gjë të tillë, por dua t'i falënderoj edhe ato për suksesin që ne kemi arritur. Nëse nuk do të ishin ato, as ne nuk do të ishim këtu ku jemi. Ka shumë se çfarë të mësohet prej tyre. Unë do të doja që GCL-ja të punonte bashkërisht me këto kompani të huaja, për ta zhvilluar më tej sektorin e energjetikës. Hapi ynë i ardhshëm është ulja e kostos dhe përmirësimi i efikasitetit energjetik."
Kur e pyet se cila është ajo gjë që i mungon më shumë në jetë, Zhu Gongshan-i me trishtim në sy të përgjigjet: "Ajo që më mungon më shumë është koha. Po të kisha më shumë kohë, do ta kaloja atë me familjen time, me nënën time."
Me gjithë 2.1 miliardët e vet, Zhu Gongshan-i nuk është shumë i interesuar në markat e luksit. Për shembull, ora që mban është një orë e thjeshtë e markës "Citizen" . "Pasuria që kam bërë i takon shoqërisë. Si baba nuk do t'i trashëgoj tim biri pasurinë, por do t'i jap vetëm shpirtin tim, karakterin tim," shprehet miliarderi.
[foto nga CFP]