PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Eva Chen-i, gruaja që lufton piratët e internetit
2015-02-03 11:00:57 CRI Komenti juaj Printoni

Eva Chen-i nuk tregon mëshirë kur ka përballë një kundërshtar në skermë, një prej sporteve të saj më të parapëlqyera, por ka qenë edhe më e ashpër kur është fjala për të luftuar piratët e internetit gjatë më shumë se një çerek shekulli përfshirjeje në sektorin e sigurisë kompjuterike.

56-vjeçarja është bashkëthemeluese dhe zyrtare kryeekzekutive e "Trend Micro", firma numër tre e prodhimit të softuerëve antivirus në mbarë botën dhe më e madhja në Azi. Në dhjetë vjetët e saj në krye Eva Chen-i ka mundësuar që shitjet vjetore të "Trend Micro" të dyfishohen.

Kjo është mbresëlënëse për dikë që nuk ka studiuar për inxhinieri apo programim, dhe që për më tepër nuk e donte atë detyrë.

Eva Chen-i ka lindur në një familje të pasur në Taichung të Tajvanit Qendror dhe ishte e treta ndër katër fëmijët e familjes. Babai i saj trashëgoi bankën e familjes, e themeluar nga gjyshi i Eva Chen-it.

Motra e vet e madhe Jenny thotë se Eva ishte një fëmijë i zgjuar, e talentuar në shahun kinez, por duke qenë në një familje që theksonte filozofinë, letërsinë dhe artet, dhuntisë së hershme të Evës për matematikë dhe shkencë nuk iu kushtua rëndësi. Nën frymëzimin e gjyshit e të babait të vet, Eva u diplomua për filozofi në Universitetin "Chengchi" të Tajpeit. "Mbaj mend që gjyshi më thoshte: 'Mund të mësosh çfarëdolloj teknologjie, por gjëja më e rëndësishme është se si mendon.' Kështu, në familjen tonë ne besojmë se filozofia është një mënyrë për të stërvitur trurin," shprehet Eva.

Në vitin 1982, pasi u diplomua, Eva Chen-i nisi punë në një shtëpi botuese, por dy vjet më vonë vendosi të studiojë për sisteme informacioni menaxhimi. Ajo u regjistrua në Universitetin e Teksasit në Dallas, sepse kishte të afërm në atë shtet. Në vitin 1984, tashmë e martuar, Eva shkoi bashkë me të shoqin, Daniel Chang,në ShBA.

Dhe pikërisht kur studionte në Universitetin e Teksasit në Dallas u shpërfaq talenti i saj në teknologji. Gjatë praktikave në një laborator kompjuterik, ajo shpesh i ndihmonte shoqet ose shoqet që kishin probleme. "Pikërisht atëherë kuptova për herë të parë se mund të jem e aftë në çështjet lidhur me kompjuterat," shprehet Eva.

Pas diplomimit në vitin 1986, Eva Chen-i kthye në Tajpei dhe nisi punë në kompaninë e kompjuterave "Acer", ndërsa më pas punoi si gazetare sportive, diçka jo fort befasuese po të kesh parasysh pasionin e saj për sportin.

Në vitin 1984 motra e Evës Jenny dhe i shoqi, Steve Chang, kishin themeluar në Los Anxheles kompanisë "AsiaTec", që krijonte baza të dhënash në gjuhën kineze. Me rritjen e kompanisë, lindi nevoja për krijimin e harduerëve që do të mbronin softuerët e saj nga pirateria. Meqë punonte në Azi, e motra dhe i kunati i kërkuan Evës të ndihmonte duke bërë telefonata e kërkime tregu. Në vitin 1986 ata e shitën "AsiaTec"-un dhe dy vjet më pas, bashkë me Evën, krijuan në ShBA kompaninë "Trend Micro". Eva ishte zv.presidente ekzekutive, kunati i Evës, Steve Chang-u, ishte kryezyrtari ekzekutiv, ndërsa motra e saj, Jenny, drejtore marketingu. I shoqi e Eva Chen-it, Daniel Chang, u bashkua me "Trend Micro" në vitin 1990, duke u bërë president i kompanisë.

"Trend Micro" nisi të prodhojë software antivirus për kompjuterat personalë. "U habita nga shpejtësia me të cilës nisi të zhvillohet kompania," thekson Eva Chen-i. "I thashë kunatit tim, Steve-it: 'Nëse arrin më shumë se 30 punonjës, nuk do të jem në gjendje ta përballoj." Thashë të njëjtën gjë edhe kur numri u rrit në 50 dhe pastaj në 100. Kuptova se gjithmonë mund të arrija më shumë."

Në vitin 1995 Eva Chen shkoi në Silicon Valley të Kalifornisë për të hapur degën e kompanisë aty, me shpresën për të rritur pjesën e tregut të "Trend Micro" në ShBA, ku konkurrenca për të ofruar shërbime për kompjuterat ishte më e ashpra. Në atë kohë interneti dhe posta elektronike kishin nisur të zhvilloheshin me shpejtësi, duke e shtyrë Eva Chen-in të mendonte për krijimin e kodeve për të bllokuar viruset e shfletueseve ose të postës elektronike.

Kryezyrtari i zhvillimit i tanishëm i "Trend Micro" Oscar Chang kujton vështirësinë e marketingut të softuerëve klientëve koreanojugorë, të cilët nuk ishin të bindur se viruset mund të përhapen nëpërmjet postës elektronike. Kur ai ia tha këtë Eva Chen-it, ajo u përgjigj: "Le të presim. Tregu një ditë pa dyshim do të ketë kërkesë. "

Dhe një kërkesë e tillë erdhi pikërisht në vitin 1999, kur virusi "Melissa" shkaktoi prishjen e sistemeve të mëdha të postës elektronike të korporatave amerikane, duke çuar në miliarda dollarë humbje. Për fat, softuarët e sigurisë së serverave të postës elektronike të "Trend Micro"-s erdhën menjëherë në ndihmë.

Kjo teknologji thelbësore për zbulimin dhe zhdukjen e viruseve u patentua në ShBA.

Ndërsa Steve Chang-u ishte fytyra e "Trend Micro" në vitet e para, kunata e tij, Eva Chen-i dukej se ishte asi i tij nën mëngë. "Po të shikosh historinë tonë, vëren se produktet tona bazë shpesh ishin një hap përpara kërkesës," thotë 60-vjeçari Chang. "Dhe Eva është një gjeni në dallimin e teknologjisë së re të duhur për të trajtuar shqetësimet e klientëve për sigurinë ... Për këtë gjë, asaj nuk ia gjen shoqen në mbarë planetin. "

Në vitin 1996 Eva Chen-i u caktua në postin e kryezyrtares së teknologjisë së kompanisë "Trend Micro". Gjatë kësaj kohe, ajo la gjurmë të thella jo vetëm në këtë kompani, por edhe në sigurinë kibernetike në përgjithësi. Eva krijoi një varg risish, nga produktet që sollën ndryshim në këtë sektor në metodat e përparuara të menaxhimit.

"Gjatë punës si kryezyrtare teknologjike, unë ndryshova nga një shpikëse individuale në një lloj shpikësi që mund të bashkojë njerëzit dhe t'i bëjë ata të krijojnë risi," shprehet Eva.

Pikërisht për arsye të risive dhe të aftësisë menaxhuese, në fund të vitit 2004 ajo u zgjodh në postin e kryezyrtares ekzekutive të "Trend Micro"-s.

Në të vërtetë, që në vitin 2000 Steve Chang-u nisi t'i kërkonte Evës që ta zëvendësonte atë në postin e kryezyrtarit ekzekutiv, por ajo nuk pranonte. Ana Chen-i thotë se ajo nuk dëshironte të ishte në qendër të vëmendjes në "Trend Micro". Në vitet e para asaj i pëlqente të merrej me "patentat e shpikjeve."

"Steve dhe Jenny merreshin me marketingun dhe shitjet, ishin, si të thuash, në vijën e parë të frontit," thotë Eva Chen. "Kurse unë përgjigjesha kryesisht për kërkim-zhvillimin, isha përgjithësisht në prapavijë. Disa herë Steve më pyeti nëse doja të bëhesha kryezyrtare ekzekutive. Ai më tha se kompetenca kryesore e 'Trend Micro'-s duhej të ishin risitë dhe unë isha njeriu i risive. Unë kisha punuar si kërkuese në 'Acer' dhe zotëroja disa patenta shpikjesh. Por unë gjithnjë i përgjigjesha 'jo'. Doja ta shmangia vijën e frontit, të ndihesha e mbrojtur."

Ndërsa motra e Evës, Jenny, thotë për të: "Ajo ishte e apasionuar pas teknologjisë së re dhe entuziazmohej kur një inxhinier demonstronte një kod të ri."

Vdekja e të atit në vitin 2003 ishte një pikë kthese për Eva Chen-in. Ai i kishte nxitur gjithmonë fëmijët e vet të mos u bënin bisht sfidave. "Babai gjithmonë na kishte mbështetur motrën time dhe mua dhe na kishte nxitur të shfrytëzonim çdo mundësi që mund të na dilte përpara," vëren Eva Chen. Dhe më pas vazhdon: "Ditën e dytë pas varrimit të babait, Steve më pyeti përsëri nëse doja të bëhesha kryezyrtare ekzekutive, dhe këtë herë në një mënyrë më të drejtpërdrejtë. Ai tha: 'A je gati të rritesh e të marrësh më përsipër shumë përgjegjësi? Apo ende ke frikë nga dështimi?' U ktheva në shtëpi e mendova për fjalët e Steve-t. Kuptova se, nëse nuk do ta pranoja këtë sfidë, gjithë jetën time do të pyesja veten 'Po sikur të kisha pranuar? A do t'ia kisha dalë mbanë?' Dhe mora mbase vendimin më të madh në jetën time: 'Mirë, do ta pranoj këtë sfidë dhe do të bëhem zyrtare kryeekzekutive.' Nuk e di nëse do të jem e suksesshme në këtë detyrë apo jo, por do të më pëlqejë të qenit kryeekzekutive dhe puna bashkë me ekzekutivët e tjerë, klientët dhe partnerët, duke dalë kështu në vijën e parë të frontit."

Por vetëm katër mua pasi mori postin, një nga të ashtuquajtuarat "faqe nënshkrimi" - që përdoren si tekste standard në fund të mesazhit të postës elektronike - të krijuara nga "Trend Micro", bëri që një numër kompjuterash në mbarë botën të prisheshin. Dëmi ishte i madh, madje për shkak të këtij problemi, edhe trenat në Japoni, të njohur për përpikmërinë e tyre, u detyruan të ndalonin.

Por a e bëri një dështim i tillë Eva Chen-in të dyshonte në aftësinë e saj për të kryer si duhet detyrën e kryezyrtares ekzekutive. Jo. Përkundrazi, e bëri që të shohë një perspektivë më të gjerë, duke e vënë theksin te teknologjia cloud. Sipas kompanisë së studimit të tregut "TechNavio", në vitin 2010 "Trend Micro" udhëhiqte tregun global të sigurisë cloud me një pjesë të këtij tregu që llogaritej nga 13 % në 17 %, duke e kaluar "McAfee", që llogaritej se kishte 8 % deri në 10 %, dhe "CA Technologies" me 6 % - 8 %. "Tregu ka një potencial të madh rritjeje", vëren "TechNavio".

Eva Chen-i thotë se ishin pikërisht mësimet e nxjerra nga ai gabim që e ndihmuan "Trend Micro"-in të kalojë nga softuerët antivirus tradicionalë në një kompani pararojë në mbrojtjen e teknologjisë kompjuterike cloud.

Dhe tani filozofia e kompanisë "Trend Micro" është: "Forcojmë rritjen nëpërmjet risive dhe nxitim marrjen përsipër të rrezikut dhe stilin tonë të menaxhimit të të guxuarit për të dështuar."

Analistët e sektorit të sigurisë kompjuterike shprehin besim në mënyrën se si Eva Chen-i ka drejtuar pozicionin në treg, risitë dhe strategjitë e "Trend Micro". Sipas tyre, kryezyrtari ekzekutiv i mëparshëm i "Trend Micro" Steve Chang mund ta kontrollonte gjithçka vetë, porse Eva Chen-i u la më shumë kompetenca menaxherëve të tjerë dhe kjo, sipas këtyre analistëve, është diçka pozitive.

Eva Chen-i thotë: "Në fillim ndihesha e frikësuar nga posti i zyrtares kryeekzekutive. Por jam me fat që kemi një ekip të talentuar, i cili është rritur bashkë me mua. Kështu që unë kam mësuar të jem e qetë dhe të jem vetvetja. "

Eva Chen-i këmbëngul në mbledhjet mujore me inxhinierët e "Trend Micro"-s në Azi, sepse ajo beson se "aty është vendi ku risitë origjinale krijohen... "Me një shikim inxhinierët tanë mund të dallojnë menjëherë se ku qëndron problemi. Kjo mund të duket intuitive, por vitet e përvojës dhe njohurive janë të nevojshme," thekson Eva Chen-i, duke shtuar: "Potenciali i talenteve tona është motori më i madh i rritjes që zotërojmë".

Ç'do të thotë të jesh një kryezyrtare ekzekutive grua dhe jo inxhiniere?

"Është e vështirë, por edhe e këndshme," vë në dukje Eva Chen-i duke qeshur. "Kur hyj në sallën e mbledhjeve, askush nuk pret që unë të njoh ndonjë gjë për teknologjinë, dhe kur filloj të skicoj në dërrasë ndonjë gjë lidhur me teknologjinë, atyre që janë në sallë u bën shumë përshtypje. Veç kësaj, duke mos qenë inxhiniere, unë bëj shumë pyetje, qoftë edhe naive."

Ndihmesa më e madh e Eva Chen-in për "Trend Micro"-n mund të jenë pikërisht këto pyetje që vijnë nga mungesa e kualifikimit të saj si inxhiniere softuerësh. "Unë nuk jam lloji i kryezyrtarit ekzekutiv që pretendon se di çdo gjë," thotë ajo. "Unë gjithmonë pyes 'Përse? ... Ndoshta sepse jam femër ose nuk jam inxhiniere elektronike; nuk kam kurrë frikë të bëj pyetje naive."

Oscar Chang-u, kryezyrtari i zhvillimit i "Trend Micro"-s, shprehet se këto të ashtuquajtura "pyetje naive" i frymëzojnë inxhinierët të përsosin kodin e tyre. "Eva Chen-i ka dhuntinë e të parit përtej asaj që inxhinierët janë të aftë të shohin," thekson ai.

Sot "Trend Micro" ka mbi 5000 punonjës dhe e ushtron veprimtarinë e vet në rreth 40 vende të botës. Pjesa e tregut të kompanisë në ShBA është rritur në 12 %, nga vetëm 2 % që ishte më parë, teksa "Trend Micro" kontrollon më shumë se gjysmën e tregut në Japoni. Të ardhurat e kompanisë "Trend Micro" arrijnë tashmë në më shumë se 1.2 miliardë dollarë amerikanë, ndërsa kapitalizimi i tregut i kalon 3.9 miliardë dollarët.

Eva Chen-i thotë se ajo e merr frymëzimin ndër të tjera edhe nga një libër menaxhimi, "Dhjetë fytyrat e risive", nga Tom Kelly, menaxher i përgjithshëm i firmës amerikane "Ideo", i cili përshkruan dhjetë tiparet që ai beson se janë të nevojshme për të nxitur krijimtarinë në një kompani. Eva citon si moton e saj: "Kërce vallen që di të kërcesh më mirë dhe lëri të tjerët të kërcejnë të tyren."

"Mentori im është bashkëthemeluesi dhe kryetari i kompanisë sonë Steve Chang," vë në dukje Eva Chen-i. "Shprehja e tij e parapëlqyer është 'Ji vetvetja, bëj atë që mendon se të përshtatet'. Dhe kur e mora prej tij detyrën e kryezyrtares ekzekutive, kjo ishte e vetmja këshillë që më tha."

Dhe Eva Chen-i e ndoqi atë këshillë dhe ua ka përcjellë edhe punonjësve.

Teksa "Trend Micro" vazhdon të rritet, Eva Chen-inuk e harron ku ka qenë dhe ku do të shkojë. "Nuk është e lehtë të jesh sipërmarrës, sidomos në vitet e para. Sa herë kalon një pengesë, të duket se mëson diçka dhe rritesh. Kjo është kënaqësia e sipërmarrjes dhe e marrjes përsipër të përgjegjësive," thekson Eva.

Gjatë gjithë karrierës së saj, Eva Chen-i është nderuar me tituj e çmime për arritjet e saj në fushën e sigurisë së informacionit. Ajo ka mbajtur fjalime të shumta dhe ka shkruar mjaft artikuj lidhur me sigurinë në internet. Në vitin 2001 Eva Chen-i mori Çmimin e Karrierës për Sigurinë e Teknologjisë Kompjuterike, në vitin 2003 u shpall një nga pesë "Gratë me vizion" në sigurinë e informacionit, në vitin 2004 u përfshi ndër 50 njerëzit më të fuqishëm në sektorin e internetit, në vitin 2012 u emërua një nga "50 gratë biznesme më të fuqishme të Azisë" nga revista "Forbes" etj.

Industria e sigurisë kompjuterike është bërë gjithnjë e më konkurruese. Sot Eva Chen-it i duhet të gjejë ekulibrin mes punës, martesës dhe familjes, ndërsa e ndan jetën e vet mes tre kontinenteve, me një shtëpi në Kaliforni, ku ajo kalon fundjavat dhe festat me dy fëmijët e saj 25 dhe 20 vjeçarë, dhe udhëtimeve në Evropë dhe Azi, ku punon bashkëshorti i saj.

Por Eva i pranon sakrificat për hir të pasionit: "Kur po mbaja një ligjëratë në Universitetin e Grave të Koresë së Jugut, më pyetën: 'Si mund ta gjejmë ne si femra një punë të mirë që na përshtatet?' Dhe përgjigjja ime ishte: 'Mos gjeni një punë, gjeni pasionin.'"

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China