PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Investimet kineze lulëzojnë në tregun ndërkombëtar
2015-01-27 09:59:23 CRI Komenti juaj Printoni

Kohët e fundit, grupi kinez IZP, që ofron shërbime të biznesit inteligjent dhe reklamave, përfundoi procedurat e blerjes zyrtare të aeroportit ndërkombëtar të qytetit italian të Parmës. Kjo është blerja e katërt e madhe nga kompanitë kineze në Itali kohët e fundit. Analistët janë të mendimit që kjo blerje do ta ndihmojë platformën elektronike ndërkombëtare pranë grupit IZP të krijojë një urë të shpejtë logjistike nga Europa në Kinë dhe mallrat europiane mund të dërgohen më thjesht te konsumatorët kinezë.


[foto nga www.izptec.com]

Luo Feng është presidenti i grupit IZP. Ai shprehet:

"Nga njëra anë, nëpërmjet investimeve në Parmë, kemi krijuar një depo me nivel të ulët tatimor, si edhe një qendër ekspozimi. Kështu, mund t'i shfrytëzojmë ato si një dritare të mallrave kineze për Europën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Nga ana tjetër, mund t'i përdorim gjithashtu ato si një qendër shpërndarjeje për mallrat europiane që do të futen në tregun kinez."

Krahas Italisë, edhe investimet kineze në vende të tjera të Europës dhe rajone të tjera kanë pasur një zhvillim të shpejtë. Në tetor të vitit 2014, kompania "Anbang" shpalli që ka blerë kompaninë belge FIDEA, e cila merret prej më shumë se 100 vjetësh me biznesin e sigurimeve. Kjo është hera e parë që një kompani kineze blen 100 % të aksioneve të një kompanie sigurimesh në Europë. Edwen Schellens është drejtori ekzekutiv i kompanisë FIDEA. Ai thekson:

"Pas blerjes nga kompania 'Anbang', do të jemi më të fuqishëm në të ardhmen. Kjo është shumë e rëndësishme për ne, pasi do të konkurrojmë me rivalët e tjerë në tregun belg, një treg i konsoliduar e me konkurrencë të fortë."

Në nëntë muajt e parë të këtij viti, investimet kineze jashtë vendit kanë kapur vlerën e afro 75 miliardë dollarëve amerikanë, 21.6 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2013. Rritjen më të madhe e kanë pasur investimet kineze në Europë. Zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë të Kinës Shen Danyang bën të ditur:

"Investimet kineze në ShBA janë rritur me afro 30 %, ndërsa në Europë rritja është shumë më e vrullshme, pasi në nëntë muajt e parë të këtij viti, investimet janë rritur me 218 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjithashtu, investimet kineze në tregun rus kanë pasur një rritje me afro 70 %."


[foto nga wt.crec.cn]

Kohët e fundit Ministria e Tregtisë, Zyra Kombëtare e Statistikave dhe Administrata Shtetërore e Këmbimit Valutor e Kinës publikuan raportin mbi investimet e drejtpërdrejta të huaja të Kinës. Sipas këtij dokumenti, vjet investimet kineze jashtë vendit kapën shifrën e 107.8 miliardë dollarëve amerikanë, 22.8 % më shumë se në vitin 2012. Krahasuar me vitin 2002, kur vlera e investimeve kineze jashtë vendit ishte vetëm 2.7 miliardë dollarë, del se gjatë 12 vjetëve të fundit këto investime kanë pasur një rritje 40-fish. Gjithashtu, sivjet investimet kineze jashtë vendit i kanë kaluar për herë të parë 100 miliardë dollarët amerikanë. Kështu, Kina tashmë zë vendin e 3-të për sa u përket investimeve jashtë vendit.

Ndihmësi i ministrit të Tregtisë të Kinës Zhang Xiangchen mendon që, në vitin 2014, rritja e investimeve kineze jashtë vendit mund të mbahet në rreth 10 % dhe investimet e drejtpërdrejta jashtë vendit mund të arrijnë në 120 miliardë dollarë. Zhang Xiangchen shprehet:

"Herët a vonë, investimet kineze jashtë vendit do ta kalojnë vlerën e investimeve të huaja në Kinë. A mund të arrihet kjo brenda këtij viti? Mendoj që, edhe nëse nuk realizohet sivjet, do të arrihet në një të ardhme të afërt. Në fakt, investimet kineze në disa vende i kanë kaluar investimet e këtyre vendeve në Kinë."

Për të nxitur procesin e lehtësimit të investimeve kineze jashtë vendit, në Kinë ka hyrë në fuqi "Rregullorja mbi investimet kineze në tregun ndërkombëtar". Sipas kësaj rregulloreje, 98 % e investimeve kineze jashtë vendit, përveç atyre financiare, nuk kanë nevojë për shqyrtim, por vetëm për regjistrim, teksa edhe shqyrtimi nga sektorët qeveritarë është minimizuar në një listë të thjeshtë. Të gjitha investimet që nuk përfshihen në këtë listë mundet vetëm të regjistrohen. Faktikisht, ky sistem i ri zbatohet prej më shumë se një viti në Zonën e Tregtisë së Lirë të Shangait. Kompania "Hony Capital", që merret posaçërisht me menaxhimin e investimeve aksionare, është një prej përfituesve. Presidenti i kompanisë "Hony Capital" Zhao Linghuan shprehet për këtë politikë:

"Ajo na lejon që të bëjmë investime para regjistrimit dhe nuk ka parashqyrtim. Kështu që ndryshimi i kompetencave të qeverisë u ka sjellë përfitime të mëdha kompanive që duan të investojnë jashtë vendit. Një gjë e tillë ka shtuar fuqinë tonë konkurruese dhe na ka krijuar një mjedis të barabartë për të depërtuar jashtë vendit. Kjo politikë është më e përshtatshme sesa politikat e tjera, pasi ne mund të konkurrojmë në tregun ndërkombëtar pa pengesa. Kjo ishte e paimagjinueshme në të kaluarën".

Sipas të dhënave nga kompania "Thompson Reuters", në gjysmën e parë të vitit 2014 vëllimi i përgjithshëm i blerjeve jashtë vendit nga kompanitë kineze arriti shifrën 176.6 miliardë dollarë, 47.4% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Ky është gjashtëmujori më aktiv për sa u përket investimeve kineze jashtë vendit qysh nga viti 1982. Studiuesi në departamentin e investimeve jashtë vendit pranë Institutit të Studimeve të Ministrisë së Tregtisë të Kinës Li Zhipeng shprehet:

"Së pari, vëllimi i investimeve është shtuar pandërprerë. Në vitin 2012, vlera e investimeve arrinte në afro 100 milionë dollarë amerikanë, ndërsa në vitin 2013 është rritur në 125 milionë dollarë. Së dyti, destinacionet e investimeve kanë ndryshuar. Investimet e kompanive kineze janë më të shumta në ShBA, Australi dhe Europë. Përveç kësaj, edhe investitorët kanë ndryshuar, pasi kompanitë private janë më aktive dhe numri i blerjeve prej tyre i ka kaluar ato të kompanive shtetërore."

Megjithëse renditet në vendin e 3-të për investimet jashtë vendit, Kina ende ka një hendek të madh me vendet e zhvilluara. Vëllimi i përgjithshëm i investimeve nga pjesa kontinentale e Kinës është 660 miliardë dollarë amerikanë, duke zënë vetëm afro 2 % të nivelit botëror dhe duke qenë vetëm sa 10 % e vëllimit të investimeve të huaja të ShBA-së. Krahas kësaj, kompanitë kineze që investojnë jashtë vendit janë ende të pakta dhe ndodhen në fazën fillestare. Gjithashtu, investimet në tregun ndërkombëtar sigurisht janë edhe me rrezik. Të dhënat tregojnë që në vitin 2013, të ardhurat nga investimet kineze jashtë vendit kanë pasur një defiçit prej 59.9 miliardë dollarësh. Kështu që Kina kanë ende një rrugë të gjatë për të bërë për sa u përket zgjerimit të investimeve jashtë vendit dhe shtimit të të ardhurave nga këto investime. (Jiang Lei)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China