20150120hp |
Zhang Dazhong-ue nisi rrugën e biznesit e të pasurimit mbase prej parave të dëmshpërblimit të një fatkeqësie, që sidoqoftë e bëri të jetë i kujdesshëm për t'i përdorur sa më mirë ato. Dhe kështu maturia është tipari i tij, ndërsa motoja: "Bëj aq biznes sa ta lejojnë paratë". 67-vjeçari nuk është biznesmeni rrëzëllitës, që do që të bëjë bujë e të jetë në qendër të vëmendjes, por biznesin e tij, kompaninë e tregtimit të pajisjeve elektroshtëpiake "Dazhong", e ngriti duke punuar shumë dhe duke bërë një jetë të thjeshtë e të zakonshme.
Zhang Dazhong-u ka lindur në vitin 1948 në kryeqytetin kinez Pekin. Ai ishte i treti ndër shtatë fëmijët e familjes: gjashtë vëllezër e një motër. Kur Zhang-u ishte 16 vjeç, i ati, zyrtar i rangut të mesëm në Ministrinë e Hekurudhave të Kinës, u nda nga jeta pas një sëmundjeje, kështu që nënës së Zhang Dazhong-ut iu desh t'i rriste e vetme të shtatë fëmijët. Kjo i solli vështirësi financiare familjes. Zhang-u ndërmend edhe tani se si dëneste në heshtje në ballkonin e shtëpisë, kur dados së tyre të dashur iu desh të largohej, sepse ata nuk kishin më mundësi për ta paguar. Zhang Dazhong-u mësoi si t'i arnonte vetë rrobat e veta. Gjatë verës ai dhe pesë vëllezërit e tij kishin vetëm nga një palë pantallona për të veshur, të cilat i lanin çdo natë, me qëllim që të thaheshin e t'i vishnin të nesërmen në mëngjes.
Për të siguruar bukën e gojës për fëmijët e vet, mamaja e Zhang Dazhong-ut shiste vazhdimisht gjëra të ndryshme nga të shtëpisë: antikat që i kishin lënë prindërit, pallton e të shoqit etj. Dhe gjërat u vështirësuan shumë më tepër, kur nëna e Zhang Dazhong-ut u dënua. Zhang-u nuk ndoqi dot studimet universitare, por nisi punë në një dyqan mishi në një fshat në rrethinat e Pekinit. Zhang-u fitonte vetëm 30 juanë në muaj (më pak se 5 dollarë me kursin e sotëm), dhe pas një dhjetëvjeçari punë e vetmja gjë që zotëronte ishte një biçikletë. Nuk kishte shtëpi, nuk kishte kursime, nuk kishte të dashur. "Ishte një periudhë shumë e trishtuar," tregon Zhang Dazhong-u. "Nuk arrija dot të shihja dritë në fund të tunelit."
E megjithatë, ai nuk dëshironte t'i dorëzohej dëshpërimit dhe depresionit. Nisi të blerë libra të përdorur e t'i lexojë kur kishte kohë të lirë. Një ditë, një thënie që lexoi në njërin prej këtyre librave i la mbresa të thella: "Shkalla e fatkeqësisë së dikujt përcaktohet nga shkalla e të kuptuarit të saj". "Nuk më kujtohet emri i autorit ose titulli i librit, por kjo fjali solli një ndryshim të madh tek unë. Vendosa që të bëhem optimist. E kisha arritur tashmë fundin."
Dhe i riu nisi të ngrihej që në gjashtë të mëngjesit çdo ditë dhe të vraponte për dhjetë kilometra nëpër rrugët e fshatit, i veshur me pantallona të shkurtra edhe në mes të dimrit të acartë. "Ndihesha i gëzuar gjithë ditën. Isha në çdo çast i lumtur dhe nisa ta shihja anët pozitive të jetës," shprehet Zhang Dazhong-u.
Në vitin 1978, në Kinë nisi Reforma dhe Hapja. Me këmbënguljen e Zhang Dazhong-ut, një gjykatë në Pekin e rishqyrtoi çështjen e nënës së tij dhe më në fund, në janar 1980, ajo mori pafajësinë. Pas një muaji të shtatë fëmijët e saj morën 7 mijë juanë dëmshpërblim nga qeveria.
Zhang Dazhong-u ndjeu mallëngjim kur mori pjesën që i takonte: 1 mijë juanë. Ai thotë: "Thellë vetes e ndieja që nëna ime ishte një grua e jashtëzakonshme. Nuk doja që me ato para të blija televizor ose orendi siç bënë motra dhe vëllezërit e mi. E ndieja se duhej të bëja që ta meritonte jetën e nënës sime. Në të vërtetë, gjatë gjithë viteve që e kam zgjeruar biznesin, kjo ndjesi nuk më është larguar asnjëherë."
Zhang Dazhong-u i ndau paratë në dy pjesë. Ai sapo kishte njohur një vajzë nëpërmjet një shokut të vet dhe, pas ca kohe, të dy të rinjtë vendosën të martohen. Zhang-u harxhoi 500 juanë për dasmën dhe udhëtimin e muajit të mjaltit, kurse 500 juanët e tjerë i përdori për të filluar biznesin e vet.
Me një pjesë të këtyre parave Zhang-u bleu sodë alkaline, bojë, furça e lecka, i futi në një çantë të vjetër ushtrie dhe doli në rrugë një të diel duke mbajtur një tabelë ku shkruhej: "Pastrim dhe lyerje sobash për 0.8 juanë." Ai ishte një djalosh i ri me pamje të këndshme e rroba të pastra, prandaj njerëzit i hapën dyert dhe e lanë të futej në kuzhinat e tyre. Pasi punoi për shumë orë në atë ditë të nxehtë gushti, bëri llogarinë: kishte pastruar e lyer dhjetë soba dhe kishte fituar tetë juanë. Po të hiqje koston e materialeve, kishte fituar dy juanë, pa përfshirë punën. "Ishte dita e parë dhe e fundit që e bëja një gjë të tillë," thekson Zhang Dazhong-u.
Përçapja tjetër e tij ishte bërja e llambave. Ai e ktheu kuzhinën e shtëpisë në një punishte plot tela e poça. Më pas llambat i çoi në një treg fshati. U lumturua kur arriti t'i shesë për gjashtë juanë secilën. Madje edhe disa dyqane bënë porosi që t'i furnizonte: në ato kohë nëpër dyqane mungonin edhe artikuj të tillë bazë si llambat. Me ndihmën e vëllezërve të vet, Zhang Dazhong-u bëri në të njëjtën mënyrë 60 llamba dhe i shiti të gjitha. Arriti të sigurojë 160 juanë fitime. Kjo ia rriti shumë vetëbesimin: tregu i kishte dhënë atij pohimin e parë të potencialit që kishte si sipërmarrës.
Por ky biznes nuk zgjati shumë. Shitjet e ulën dhe Zhang-u e kuptoi se një produkt i tillë ishte jo shumë fitimprurës. Duke kërkuar për të nisur një biznes tjetër, ai mësoi nga një shok se në një institut shkencor kishte mbistok pjesësh elektronike. Zhang-u ishte një njeri që i zinte dora çdo gjë dhe dinte si të bënte një përforcues zëri, kështu që bleu me të lirë disa prej këtyre pjesëve dhe, duke punuar mbi tryezën e bukës, bëri një të tillë, të cilin e çoi për ta shitur në një dyqan. Meqë përforcuesi u prit mirë, Zhang Dazhong-u bleu më shumë pjesë dhe bëri të tjerë. Këtë herë ishte një sukses i vërtetë. Brenda një muaji dyqani shiti 100 përforcues zëri, për të cilat atij i ishte dashur një muaj për t'i bërë. Porositë nisën të vërshonin dhe kërkesa ishte aq e lartë, saqë koha e lirë nuk i mjaftonte për ta plotësuar. Çasti i shumëpritur për të erdhi. Në dhjetor 1982, përkundër këshillave të të afërmve që të mos e linte punën në dyqan që i siguronte jetesën bazë, Zhang Dazhong-u hoqi dora nga puna si shitës mishi. "Vendosa ta lë punën, pasi nuk përputhej me idealet e mia," thotë ai. Paga e tij mujore në atë kohë ishte 41.5 juanë.
Më në fund i lirë, Zhang Dazhong-u regjistroi firmën e vet, Dyqani i Përpunimit të Pajisjeve Elektronike "Zhang". Zhang-u dhe e shoqja jetonin asokohe në një apartament një dhomë e një kuzhinë prej 30 m2, por ai përsëri e ktheu atë në punishte, duke e çuar shtratin në kuzhinë dhe duke e nxjerrë kuzhinën në korridor. Ai mori punëtorë dhe i trajnoi. Shumë të rinj nga fshatrat përreth ishin të kënaqur me një punë ku paguheshin 70–80 juanë në ditë dhe punonin shumë. Por ai që punonte më shumë nga të gjithë ishte vetë Zhang Dazhong-u. Ai mbikëqyrte gjithçka, shkonte me biçikletë anekënd qytetit për të blerë pajisjet dhe veglat më të mira e më të lira dhe lexonte gazetat profesionale. Por ishte i lumtur: më në fund kishte gjetur një rrugë në jetë dhe ishte i vendosur të ecte në të.
Deri në fund të vitit 1983, mbi 50 dyqane në Pekin po shitnin përforcuesit e zërit të Zhang-ut. Fitimet mujore të tij arritën në 2000 juanë dhe do të trefishoheshin gjatë katër vjetëve në vijim.
Për ta zgjeruar biznesin, Zhang Dazhong-u nisi të merret edhe me prodhimin dhe intalimin e altoparlantëve. Ai zuri me qira një magazinë në rrethina. Qiraja ishte e ulët dhe hapësira prej 2 000 metrash katrorë ishte e përshtatshme për prodhim mallrash, por me kalimin e kohës Zhang Dazhong-u kuptoi se në Pekin prodhimi nuk ishte një biznes aq i mirë sa tregtimi: marzhi i fitimit ishte i vogël dhe cikli i qarkullimit të parasë i gjatë. Prandaj ai vendosi të merrej me shitjen e pjesëve elektronike dhe të artikujve të tjerë të vegjël. Në vitin 1986 Zhang-u hapi dyqanin e vet të parë. Ishte shumë i vogël, por shitjet shkonin shumë mirë, sepse përmbante mallra të tilla si makinat e vogla llogaritëse, të cilat Zhang Dazhong-u i blinte shumë lirë nga provinca Guangdong e Kinës Jugore. Ai i shiste ato për 8.8 juanë dhe klientët mbanin radhë për t'i blerë. Shpejt Zhang-u kishte 50 mijë juanë kursime në bankë. Në vitet '80 të shekullit të kaluar, të pasurit e parë në Kinë nisën të quhen "shtëpi 10-mijëshe". Duke pasur parasysh rrogën mesatare në atë kohë, ishte si të ishe një milioner sot. Zhang Dazhong-u tashmë u ishte bashkuar radhëve të tyre.
Në fund të vitit 1986 Zhang Dazhong-u hapi edhe një dyqan të dytë me të njëjtin emër, por më pas mësoi se bizneset private nuk mund të kishin degë dhe ligji nuk e njihte konceptin e dyqaneve zinxhir. Kështu që Zhang-u u ndje i lehtësuar kur një vit më pas lloje të tilla dyqanesh u lejuan. Dhe kështu ai nisi të kishte si objektiv zgjerimin. Në vitin 1988 Zhang Dazhong-u kontrollonte 90 % të tregut të përforcuesve të zërit në Pekin.
Në fillim të viteve '90 të shekullit të kaluar, karaoket nisën të bëhen mjaft të pëlqyera e të përhapura në qytetet kineze. Duke parë këtë prirje, Zhang Dazhong-u nisi të mbushë konteinerë të tërë me makina karaokesh të prodhuara në Jug. Edhe ato patën shitje të mirë dhe fitimet ishin të mëdha. Në vitin 1993 Zhang-u kishte qindra punëtorë dhe shitje vjetore me vlerë më shumë se 10 milionë juanë. Por përsëri nuk ndihej i kënaqur dhe ishte i gatshëm për diçka të re. Pasi bëri një hetim në treg, Zhang Dazhong-u pa se të gjitha dyqanet që shitnin pajisje audio në Pekin ishin të vegjël, ose edhe shumë të vegjël, nga dhjetë deri në më pak se 100 metra katrorë, dhe asnjë prej tyre nuk mbante të gjithë mallrat për të cilat mund të kishte nevojë një klient. Dhe kështu një ide dhe një vizion i ri lindi në mendjen e Zhang Dazhong-ut: njerëzit do ta mirëpritnin një dyqan që do të përmbante të gjitha pajisjet për të cilat ata kishin nevojë dhe prej të gjitha markave. Një gjë e tillë do ta bënte blerjen diçka shumë më të lehtë e më të volitshme.
Dhe kështu në korrik 1993 Zhang Dazhong-u zgjodhi një qendër tregtare në perëndim të Pekinit dhe mori aty një hapësirë 400 metra katrorë me qira, duke e mbushur me të gjitha markat e mundshme, si vendëse, ashtu dhe të huaja. Dyqanin e quajti "Dazhong Dianqi" (Pajisjet elektrike "Dazhong"). Ishte një hap i madh, por tronditja do ta pasonte entuziazmin e Zhang Dazhong-ut: pas hapjes së dyqanit, pak blerës u shfaqën në dyert e tij. Gjatë gjithë atij viti shitjet ishin shumë të pakta. Dyqani plot rrëzëllime dritash dhe i furnizuar më së miri qëndronte i heshtur, pa pasur shumë punë. Paratë e fituara madje nuk mjaftonin as për të paguar shitësit dhe energjinë elektrike. Ishte një goditje e madhe për Zhang-un. Ankthi i tij ishte aq i madh, saqë gjumi iu prish për javë të tëra: rrinte zgjuar netve dhe vriste mendjen se cila ishte arsyeja që gjërat po shkonin aq keq. Mendoi që ta mbyllte dyqanin: "Nëse arrinte një pikë ku humbjet do të bëheshin të papërballueshme, duhej ta kapërdija një gjë të tillë e të kthehesha te dyqani im i vogël," kujton atë periudhë të vështirë Zhang Dazhong-u. Por pastaj duke buzëqeshur shprehet: "Por mendoja shprehjet në fytyrat e atyre pronarëve të dyqaneve të vogla ngjitur. Një turp i tillë ishte edhe më i papërballueshëm." Dhe kështu vendosi që të qëndrojë.
Dhe bëri mirë. Për fat, falë reklamave dhe atyre pak klientëve të vet, fjalët për dyqanin e madh në rrethinën perëndimore të Pekinit nisën të përhapen pak nga pak. Dyqani u bë i njohur si superdyqani i parë i pajisjeve audio në Pekin, teksa Zhang Dazhong-u mori me qira edhe më shumë hapësirë dhe filloi të tregtojë një shumëllojshmëri mallrash. Përveç sistemeve audio, dyqani shpejt nisi të shesë edhe frigoriferë, televizorë, makina larëse, kondicionerë, furra me mikrovalë e artikuj të tjerë të tillë. Formula e re ishte e suksesshme. Dyqani u bë destinacion i së ashtuquajturës "blerje me një ndalesë", pra ku mund të gjeje gjithçka, duke ofruar llojshmëri, besueshmëri, çmime të ulëta, mallra cilësore dhe shërbim të mirë. Brenda disa vjetësh hapësira e dyqanit arriti në 10 mijë metra katrorë dhe në të tregtoheshin 20 mijë lloje mallrash.
foto nga 木森 / 东方IC
Zhang Dazhong-u kishte tashmë një formulë të mirë, një emër marke, kapital të mjaftueshëm dhe një ekip me përvojë. Tashmë ishte në gjendje të krijonte një zinxhir dyqanesh dhe bëri pikërisht këtë. Dhe biznesi i Zhang Dazhong-ut hyri në një periudhë rritjeje marramendëse. Në vitin 2000, kishte vetëm gjashtë dyqane "Dazhong Dianqi" në Pekin. Tre vjet më pas numri i tyre arriti në 32, duke zënë 50 % të tregut në Pekin, ndërsa të ardhurat i kaluan 3 miliardë juanët ( rreth 500 milionë dollarë). Një vit më pas "Dazhong Dianqi" u zgjerua edhe në tre qytete pranë Pekinit, përfshi Tianjin-in, ndërsa numri i përgjithshëm i dyqaneve arriti në 68, pra mbi dyfish krahasuar me një vit më parë. Në fund të vitit 2005, të ardhurat e "Dazhong"-ut nga shitjet arritën 10 miliardë juanë.
Ndër dyqanet e shumta "Dazhong", më i madhi ishte ai i hapur pranë kullës së Televizionit Qendror të Kinës (CCTV) në vitin 2002, që zinte një ndërtesë të tërë me një sipërfaqe 20 mijë metra katrorë, dhe me një vendparkim automjetesh me me një sipërfaqe po aq të madhe. Që prej vitit 2004, shitjet vjetore të tij i kanë kaluar 1 miliard juanët, duke vijuar të jetë dyqani më i madh dhe më fitimprurës i pajisjeve elektroshtëpiake dhe elektronike në Kinë, si edhe dyqani me numrin më të madh të artikujve të shitur në një minutë.
foto nga 东方IC
Por "Dazhong"-u nuk ishte i vetëm në këtë rritje të shpejtë. Edhe tre firma të tjera - "Yongle" në Shangai, "Suning" në Nankin dhe "Gome" në Pekin - po bënin një konkurrencë të ashpër. Secila prej tyre, pasi kishte konsoliduar emrin e markës së vet në qytetet përkatëse, po kërkonte tregje të reja, duke u zgjeruar me ritme më të shpejta se "Dazhong"-u, që kryesisht i kishte qëndruar "besnik" Pekinit. Që të treja kompanitë ishin kuotuar në bursë, duke pasur kështu mundësi të siguronin kapital për rritjen e mëtejshme. Ndërsa "Dazhong"-u ishte rritur më ngadalë, kryesisht nëpërmjet riinvestimit të fitimeve. Mosnxitimi dukej sikur do ta nxirrte jashtë loje pionierin e shitjes së pajisjeve elektroshtëpiake në Kinë.
Zgjidhja e menduar nga Zhang-u ishte bashkimi me "Yongle"-në. Në prill 2006 "Yongle" dhe "Dazhong" nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, në përgatitje për integrimin e ardhshëm të dy kompanive. Por papritmas "Gome" hyri në lojë, me një ofertë më të mirë.
Pas dështimit, Zhang-u vendosi të konsolidohet edhe më shumë në bazën e vet, tregun e Pekinit. "Dazhong"-u vijoi të ishte zinxhiri më i madh i dyqaneve të shitjes së pajisjeve elektroshtëpiake e elektronike në kryeqytetin kinez. Por në dhjetor 2007 Zhang-u e befasoi bashkësinë e biznesit kur ia shiti të tëra dyqanet e "Dazhong"-ut rivalit "Gome", duke i mundësuar këtij të fundit të bëhet zinxhiri i dyqaneve të shitjes së pajisjeve elektroshtëpiake numër një në Kinë. Bashkimi tërhoqi vëmendjen e gjerë të medias, sepse lidhej me rivalitetin ndërmjet katër gjigantëve të shitjes së këtyre pajisjeve. Zhang-u e shpjegon kështu vendimin e vet: "Gjykova se hapësira për zgjerim ishte bërë shumë e kufizuar. Shumë njerëz i kishin blerë tashmë televizorët e sistemet audio dhe vala e parë e blerjes së pajisjeve elektroshtëpiake kishte përfunduar. Dhe unë nuk doja të shisja kur biznesi të ishte në një gjendje të vështirë."
Zhang Dazhong-u siguroi nga marrëveshja 3.65 miliardë juanë (mbi 550 milionë dollarë amerikanë). Tashmë miliarder me juanë, ai regjistroi një kompani të re, Kompaninë e Investimeve "Dazhong", duke u përfshirë në investimet me shkallë të lartë rreziku. Disa nga drejtuesit më të lartë në "Dazhong" shkuan të punonin bashkë me Zhang-un në kompaninë e re. Në vitin 2008, Zhang Dazhong-u pagoi 560 milionë juanë taksa (mbi 90 milionë dollarë), duke shënuar pagesën më të madhe të taksave nga një individ në Kinë. Sipas njoftimeve të shtypit, atë vit Zhang Dazhong-u pagoi taksa më shumë se e gjithë provinca Qinghai.
Por kolegët e tij biznesmenë e panë veprimin e Zhang Dazhong-ut si dështim dhe kapitullim. Shumë analistë u shprehën se mosha ia kishte ngushtuar atij vizionin, duke mos e lejuar të shihte perspektivën. Por shitja e "Dazhong"-ut doli një veprim i zgjuar. Në kushtet e krizës financiare globale e të rënies së ekonomisë botërore dhe të bursave, maturia karakteristike e Zhang Dazhong-ut nuk duket dhe aq e pavend.
E megjithatë, Zhang Dazhong-u nuk mund të qëndronte larg rrënjëve të tij të shitjes së pajisjeve elektroshtëpiake. Në vitin 2011, ai u bë kryetari dhe zyrtari kryekzekutiv pikërisht i kompanisë që bleu "Dazhong"-un e tij, "Gome".
Zhang Dazhong-u duket më i ri për moshën, falë edhe marrjes me sport që prej ditëve të rinisë. Kur është me të tjerë i pëlqen më shumë të dëgjojë sesa të flasë, me vëmendjen e dikujt që i peshon mirë gjërat. "Nuk mendoj se jam më i mençur se të tjerët," thotë me modesti 67-vjeçari.
Zhang Dazhong-u ndërmend herën e parë kur pa një "Benz Mercedes". Në fund të viteve '70, në Pekin u zhvillua një ekspozitë prodhimesh gjermane dhe Zhang-u shkoi ta shohë. Në ekspozitë, një fotografi e veçantë i tërhoqi vëmendjen. "Ishte një 'Benz'," kujton ai. "Ia ngula sytë për një kohë të gjatë, duke thënë me vete: 'Sa makinë e bukur!'. Po sigurisht as nuk e çoja nëpër mend që një ditë do të ngisja 'Benz'-in tim". Në vitin 2013 pasuria e Zhang Dazhong-ut arriti në 6.1 miliardë juanë (rreth 1 miliard dollarë). Sot ai ka dy "Benz Mercedes"-a.