PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Kompanitë kineze shtojnë investimet në tregun ndërkombëtar
2015-01-13 11:09:23 CRI Komenti juaj Printoni

Në vitin 2014 kompanitë kineze kanë marrë pjesë aktivisht në konkurrencën ndërkombëtare dhe investimet e tyre kanë qenë në rritje të vazhdueshme. Krahasuar me të kaluarën, këto kompani u kushtojnë tashmë vëmendje jo vetëm sektorëve si burimet dhe energjetika, por edhe markave të njohura, teknologjisë dhe sektorëve të rinj strategjikë, duke hapur një fazë të re investimesh në tregun ndërkombëtar.

"Kina është e gatshme ta përdorë këtë model jo vetëm me Kazakistanin, por edhe me vende të tjera brenda kornizës së Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, për bashkëpunimin dypalësh ose shumëpalësh. Kjo është në të mirë të përballimit të rënies ekonomike dhe të nxitjes së ngritjes së nivelit të teknologjisë. Për sa i përket Kinës, sektorët me mbiprodhim mund të sigurojnë një konkurrueshmëri më të madhe në tregun ndërkombëtar."

"Kjo është në të mirë të zgjerimit të ndërtimit infrastrukturor të Tajlandës drejt Verilindjes e Jugut dhe të shtimit të lidhjeve të mbarë rajonit, si edhe do të stimulojë eksportin e pajisjeve kineze. Një gjë e tillë është me përfitim të ndërsjellë."

Kështu është shprehur kryeministri kinez Li Keqiang. Turneu i fundit i kreut të qeverisë kineze në vitin 2014 mbuloi Azinë dhe Europën. Ndër të tjera, nënshkrimi i dokumentit të bashkëpunimit në sektorin hekurudhor mes Kinës e Tajlandës ka tërhequr vëmendje të madhe ndërkombëtare. Pesë vizitat dhe marrëveshjet e bashkëpunimit me vlerë prej 140 miliardë dollarësh amerikanë jo vetëm treguan aftësitë në "marketing" të kryeministrit kinez, por edhe krijuan për sektorët me mbiprodhim të Kinës një platformë të re me përfitime të përbashkëta. Pas mallrave të konsumit "Made in China", edhe pajisjet dhe produktet industriale janë bërë pjesa kryesore e eksporteve kineze.

Në nëntor të vitit 2014, Kompania e Ndërtimit Kinë-Afrikë e Grupit të Ndërtimit të Hekurudhave e Kinës dhe Ministria e Transportit e Nigerisë nënshkruan kontratën zyrtare për ndërtimin e hekurudhës në bregdetin e Nigerisë. Vlera e kësaj kontrate arriti në 11.91 miliardë dollarë amerikanë, duke shënuar rekord në historinë e bashkëpunimit të Kinës me një vend të huaj. Për ndërtimin e kësaj linje do të përdoren krejtësisht standardet kineze, duke mundësuar eksportimin e pajisjeve kineze me një vlerë prej afro 4 miliardë dollarësh amerikanë, si makineri, lokomotiva, vagona, çelik dhe pajisje elektronike. Zv.presidenti i Kompanisë së Ndërtimit Kinë-Afrikë të Grupit të Ndërtimit të Hekurudhave të Kinës Cao Baogang thotë:

"Eksportimi i standardit është me nivel më të lartë dhe standardi në fakt është thelbësor. Me eksportimin e standardit mund të nxitet eksporti i pajisjeve mekanike, elektronike, makinerive, si edhe teknologjive që kemi. Kjo gjë në fakt ka rëndësi konkrete."

Përveçse në vendet në zhvillim, pajisjet hekurudhore kineze janë futur edhe në tregjet e vendeve të zhvilluara. Në vitin 2014, trenat e metrosë të grupit kinez të hekurudhave CNR u futën në tregun e SHBA-së dhe ky grup ngriti aty një uzinë të vetën. Krahas kësaj, në tregun ndërkombëtar, kompanitë kineze kanë investuar edhe në telekomunikacionin e lëvizshëm, pasuritë e paluajtshme, teknologji, bujqësi etj.

Përveç krijimit të fabrikave e uzinave jashtë vendit dhe shtimit të nënshkrimit të kontratave me vlera të madhe, ndërmarrjet kineze kanë shpejtuar edhe hapat e tyre në blerjet jashtë vendit. Blerja e aksioneve të Aeroportit të Tuluzës, ku ka selinë kompania "Airbus", dhe blerja e hotelit të famshëm "Waldorf" në Nju-Jork, kanë tërhequr vëmendje të madhe në të gjithë botën.

Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Tregtisë e Kinës, deri tani afro 25 mijë kompani kineze kanë investuar jashtë vendit. Vlera e këtyre investimeve arrin në afro 3 trilionë dollarë amerikanë, ndërsa numri i punonjësve të tyre jashtë vendit afro 1 milion. Jin Songbai i Institutit Studimor pranë Ministrisë së Tregtisë të Kinës është i mendimit që, nga tregtia e mallrave deri në bashkëpunimin e gjithanshëm ndërkombëtar në kapitale dhe teknologji, kompanitë kineze po u kushtojnë më shumë rëndësi "sektorëve të lartë".

"Investimet kineze jashtë vendit janë bërë në dy drejtime kryesore. Së pari janë investimet nga kompanitë shtetërore në infrastrukturë, si energji, hekurudha të shpejtësisë së lartë, energjetikë dhe telekomunikacion. Ndër to, disa janë të 'sektorëve të lartë', disa të sektorëve të zakonshëm dhe disa të sektorëve të rinj strategjikë. Së dyti janë investimet krejtësisht private. Investimet strategjike janë bërë kryesisht në fushën e energjetikës dhe burimeve. Kemi parë kohët e fundit që sektorët e rinj strategjikë në vendin tonë kanë pasur zhvillim të dukshëm. Kështu që mund të bëjmë investime në sektorë të tillë sipas kërkesave të tregut ndërkombëtar," shprehet Jin Songbai nga Instituti Studimor pranë Ministrisë së Tregtisë të Kinës.

Sipas statistikave, investimet kineze jashtë vendit arrijnë në më shumë se 800 miliardë dollarë amerikanë. Disa analistë parashikojnë që Kina do të bëhet shpejt eksportuese kapitalesh. Lidhur me këtë, zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë të Kinës Shen Danyang shprehet:

"Sipas analizës që kemi bërë, investimet jashtë vendit dhe investimet e huaja në vend në një vit duhet të jenë në nivel të përafërt. Nuk përjashtohet mundësia që vëllimi i përgjithshëm i investimeve jashtë vendit ta kalojë atë të investimeve të huaja në tregun vendas."

Ekspertët janë të mendimit që kuotimi i kompanive kineze, si "Wanda" dhe "Alibaba", në bursat ndërkombëtare është një pjesë e ndërkombëtarizimit të kompanive kineze. Në të ardhmen, gjithnjë e më shumë sipërmarrje kineze do të përfshihen në këtë proces. Por ekspertët kanë vënë në dukje se, gjatë këtij procesi, kompanitë kineze duhet të tregojnë vëmendje të madhe dhe të parandalojnë rreziqet e mundshme. Drejtori i Institutit të Lartë të Financave pranë Universitetit "Jiaotong" të Shangait Zhang Chun thekson:

"Kompanitë kineze duhet ta njohin gjendjen ndërkombëtare dhe rregullat përkatëse. Rregullat mbulojnë fushat politike, ekonomike, kulturore dhe ligjore. Kompanitë kineze zakonisht nuk i kuptojnë këto rregulla, prandaj duhet t'u kushtojnë më shumë vëmendje atyre." (Jiang Lei)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China