20141230fe |
Të dhënat statistikore të Bankës Botërore tregojnë që, pas Luftës së 2-të Botërore, vetëm 13 vende e rajone kanë ruajtur një rritje ekonomike mbi 7 % për 25 vjet me radhë dhe Kina është një prej tyre. Gjatë 30 vjetëve të fundit, Kina, me një rritje mesatare afro 10 %, është bërë vendi më i madh prodhues dhe ekonomia e dytë më e madhe në botë. Por, pas zhvillimit të shpejtë dhjetëravjeçar, tani ka lindur nevoja që Kina ta ndryshojë modelin e zhvillimit, për t'u përballur me sfidat kryesore globale, si ulja e kërkesës, pakësimi i burimeve dhe ngrohja globale. Për të realizuar këtë ndryshim, ekonomia kineze tani po futet në një fazë të re, që njihet si "gjendja e re normale".
Statistikat tregojnë që, në tre tremujorët e parë të vitit 2014, rritja ekonomike ishte 7.4 %, gjë që ka shkaktuar shqetësime për zhvillimin ekonomik të Kinës. Por, në të vërtetë, ekonomia kineze po hyn në një fazë të re normale. Në muajin maj, kryetari i Shtetit i Kinës Xi Jinping u shpreh për herë të parë që ekonomia kineze po futet në "gjendjen e re normale". Ai deklaroi që kjo gjendje ka tre tipare kryesore: ngadalësimi i zhvillimit ekonomik, duke kaluar nga ritmet e larta në ritmet mesatare të rritjes; përmirësimi i strukturës ekonomike dhe nxitja e ekonomisë nga sektorë jotradicionalë, si sektorët e risive. Kreu i Zyrës së Informacionit të Qendrës Ndërkombëtare të Shkëmbimeve Ekonomike të Kinës Xu Hongcai shprehet:
"Ekonomia kineze është futur në një epokë të re zhvillimi, me tre faza të ndërthurura. Në këtë periudhë gjendja ka ndryshuar. P.sh., në të kaluarën, ekonomia zhvillohej në mënyrë ekstensive, harxhonte shumë burime dhe import-eksporti nxitej nga shfrytëzimi i krahut të lirë të punës. Tani ky model nuk mund të vazhdojë më, prandaj në të ardhmen do të fokusohemi tek risitë, për të sjellë përfitime nga reforma."
Pas zhvillimit të shpejtë shumëvjeçar, kjo gjendje në fakt është një fazë e domosdoshme e zhvillimit ekonomik në Kinë. Profesori i ekonomisë i Universitetit Tsinghua Li Daokui u shpreh që 2014-a është një vit përfaqësues i kësaj "gjendjeje të re normale" të ekonomisë kineze. Megjithëse ritmet e rritjes ekonomike janë ulur, objektivi i Kinës për shtimin e 10 milionë vendeve të punës në zonat urbane është realizuar që në muajin shtator, përqindja e konsumit në ekonominë kombëtare është rritur pandërprerë dhe struktura ekonomike është përmirësuar në mënyrë të dukshme. Profesor Li Daokui është i mendimit që, në vitin 2015, rregullimi strukturor dhe nxitja e reformave do të jenë aspektet më të rëndësishme, kështu që objektivi i rritjes ekonomike në vitin 2015 do të jetë më i ulët se në 2014-n.
"Ka mundësi që rritja të ulet nga 7.5 % në vitin 2014 në 7.0 % në vitin 2015. Ulja e rritjes ekonomike në Kinë në fakt është përgatitje për të ardhmen, kur rritja mund të arrijë në një nivel më të shpejtë. Unë nuk mendoj që ndodhemi në një fazë rënieje të vazhdueshme. Kjo rënie mund të thuhet se është në formën U-je," thekson prof. Li.
Në "Raportin e parashikimit ekonomik dhe financiar 2015" të publikuar nga Banka e Kinës, vihet në dukje se ka mundësi shumë të madhe që në vitin 2015 ekonomia kineze të ketë një rritje të vogël, por sektori i shërbimeve do të ketë një rritje të shpejtë. Gjithashtu, biznesi në internet dhe sektorët e energjisë së pastër do të kenë një perspektivë pozitive. Në vitet e ardhshme sektorët e rinj strategjikë do të ruajnë një rritje mbi 20% në vit. Deri në vitin 2020, vlera e këtyre sektorëve do të zërë rreth 15 % të GDP-së. Kryeekonomisti i Bankës së Kinës Cao Yuanzheng vë në dukje:
"2014-a është një vit me inflacion të ulët dhe rritje të vogël. Besoj që në vitin 2015 kjo prirje do të vazhdojë. Parashikojmë që në vitin e ri, rritja ekonomike do të jetë rreth 7.2 % dhe niveli i inflacionit do të jetë afro 2.4 %. Gjatë këtij procesi, ekonomia kineze ende do të përballet me trysninë e uljes."
Për ekonominë kineze, "gjendja e vjetër normale" është tashmë diçka që i përket përfundimisht së shkuarës. Në të ardhmen, për të ruajtur zhvillimin e vazhdueshëm, ekonomia e 2-të e botës duhet të gjejë pika të reja rritjeje, për të siguruar një "gjendje të re normale". Pas kërkimeve dhe studimeve, përgjigjja për këtë pikë të re është gjetur novacioni teknologjik. Ekspertët janë të mendimit që, nëpërmjet novacionit teknologjik, produktet kineze do të kenë më shumë vlerë dhe kështu do të kalojnë nga pjesa e poshtme e zinxhirit industrial global drejt pjesës së sipërme të këtij zinxhiri. Anëtari i Komitetit Akademik pranë Këshillit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës Zhang Yansheng është i mendimit që risitë do t'u sjellin një gjallëri më të madhe kompanive. Ai u shpreh:
"Në të kaluarën ekonomistët mendonin që, kush krijon risi, merr fund shpejt. Ndërsa në fazën e re (nga viti 2014 deri në 2049-n), mund të shohim që struktura e vjetër ka ndryshuar në modelin e ri dhe ai që nuk rinovon do të marrë fund. Kjo do të thotë që, nëse një kompani nuk krijon risi, nuk merr në punë talente të reja dhe nuk krijon produkte të mira me dizenjim ose materiale më moderne, biznesi nuk do të ketë perspektivë të mirë."
Të dhënat tregojnë që në tre tremujorët e parë të vitit 2014, sektori i teknologjive të larta dhe sektori i prodhimit të pajisjeve teknologjike kanë shënuar rritje me përkatësisht 12.3 % dhe 11.1 %, duke e kaluar mesataren e rritjes industriale. Ndërkohë, harxhimi i energjisë për njësi të GDP-së është ulur me 4.6 %. Krahas kësaj, investimet në përmirësimin e teknologjisë kanë pasur një rritje të madhe. Në 10 muajt e parë të vitit 2014, investimet në këtë drejtim u rritën me 14.7 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2013 dhe ishin 1.6 % më shumë se investimet industriale, duke zënë afro 40 % të nivelit të investimeve në sektorin industrial. Zv.drejtori i Zyrës së Monitorimit dhe Bashkërendimit në Ministrinë e Industrisë dhe të Teknologjisë së Informacionit të Kinës Huang Libing shprehet:
"Duke u nisur nga strategjia për një vend të fuqishëm me bazë sektorin e manifakturës, Kina do të fillojë disa projekte të mëdha novatore, si të dhënat e gjera e prodhimi intelektual, dhe do të ndërtojë një sërë zonash eksperimentale me teknologjinë smart në mbarë vendin."
(Jiang Lei/Artani)